Një numër prej ateistëve, sionistëve, fundamentalistëve krishterë dhe hindusë, serbëve dhe islamofobëve injorantë të ngjyrave të ndryshme po thonë se krimet që po i bën ISIS-i sot janë kopje e asaj që gjendet në kuran dhe në siren e Muhamedit-paqja qoftë mbi të dhe familjen e tij. Për ta dëshmuar këtë pretendim, ata po u referohen disa ajete kuranore.

Njëri prej ajeteve që ata vazhdimisht e përmendin, është edhe ky:

[Dënimi i atyre që luftojnë (kundërshtojnë) Allahun dhe të dërguarin e Tij dhe bëjnë shkatërrime në tokë, nuk është tjetër vetëm se të mbyten ose të gozhdohen, ose (të gjymtohen), t'u priten duart dhe këmbët e tyre të anëve të kundërta, ose të dëbohen nga vendi )të burgosen). Kjo (masë ndëshkuese) është poshtërim për ta në Dynja, dhe në botën tjetër ata do të kenë dënim të madh. Përveç atyre që janë penduar (dhe kanë kthyer pasurinë e plaçkitur) para se t'i kapni. E, dijeni pra se All-llahu është falës dhe mëshirues] (Maide: 33, 34).

Këto vargje sipas tyre jane vargje terroriste, agresive, fashistoide dhe që e legjitimojnë dhunën, dhe si rrjedhojë islami nuk përkon sot me demokracinë dhe politikën e shteteve moderne.

Përmes këtyre dyshimeve ata realisht po mundohen të parandalojnë përhapjen e islamit.

Përdorimi i Kur'anit për të justifikuar dhunën terroriste, qoftë nga ideologët militantët, qoftë nga këta injorantë, është manipulimi më i madh që po i bëhet sot islamit dhe kuranit famëlartë.

Në këtë artikull, neve do të mundohemi ta elaborojmë kuptimin e saktë të këtij vargu.

Për ta kuptuar një ajet kuranor, neve se pari duhet të njihemi me disa parime:

- me shkakun e zbritjes së tij,

- me kontekstin e vargjeve përreth, jo në izolim,

- me kontekstin e tërë Kur'anit,

- një kërkesë e katërt e paraqitur shpesh është të shohësh fjalët, termat dhe frazat e përdorura.

- Një aspekt tjetër i kuptimit të ajeteve të Kur'anit është korniza kohore për zbatimin e kuptimit të tyre. Një varg ose një fragment mund të ketë kuptim të veçantë për një kohë të caktuar të zbulesës dhe nuk zbatohet pasi të ketë kaluar koha. Ose një varg apo një pasazh mund të ketë gjithashtu një kuptim të përgjithësuar, ose nganjëherë një kuptim specifik për një grup njerëzish të veçantë, e kështu me radhë.

Këta që citojnë ajetet e Kur'anit me qëllimin e kritikimit të tij, në shumicën e rasteve nuk përmbushin asnjë nga kërkesat e mësipërme, por i interpretojnë vargjet sipas dëshirave dhe tekave të tyre. Këta njerëz nuk kanë objektivitet e as metodologji shkencore, por vetëm urrejtje, keqdashje dhe paragjykime.

Fillimisht, ky ajet mund të kuptohet dhe vlerësohet më së miri kur lexuesi ka sfond të plotë të kontekstit të zbulesës.

Transmetohet nga Enesi se ka thënë: “Një grumbull njerëzish, prej shtatë a tetë vetave nga fisi Ukël dhe Urejne erdhën në Medine te i Dërguari i Allahut r, e përqafuan islamin, ia dhanë besën dhe i thanë: "O i Dërguar i Allahut, kemi jetuar në qytet dhe kurrë nuk kemi qëndruar në fshat, prandaj nuk po bëhemi rehat këtu (nuk po na përshtatet klima e Medinës) dhe konsiderojmë se jemi infektuar(me sëmundje barku)". I Dërguari i Allahut r urdhëroi të shkojnë tek disa deve që ishin të dedikuara për zekat dhe të pinë qumështin dhe urinën e tyre (si ilaç popullor në atë kohë). Kështu vepruan dhe u shëruan, mirëpo pastaj ata i mbytën barinjtë e të Dërguarit te Allahut r, braktisën islamin, i vodhën devetë dhe ia mbathën. Pejgamberi i Allahut r herët në mëngjes mori vesh për ngjarjen, dërgoi Aliun me disa burra tjerë, i zunë në një luginë afër Jemenit dhe i sollën në mesditë në Medine dhe si shenjë dënimi për krimin e tyre urdhëroi tu priten duart dhe këmbët dhe tu nxirren sytë me hekur të nxehtë dhe i la ashtu (gjallë e për gazep) në shkretëtirën e zezë (Al Harra), dhe ata kërkonin ujë për të pirë por nuk iu dha, derisa vdiqën”.

Këtë ngjarje e konfirmon Buhariu (1501) dhe Muslimi (1671).

Në një transmetim tjetër, Enesi thotë: “Profeti urdhëroi që tu nxirreshin sytë e tyre, sepse ata kishin nxjerrur sytë e barinjve”. Muslimi (1671).

Katadeja, Mukatili dhe shumë dijetarë e tefsirologë tjerë thonë se ajeti i mësipërm është shpallur për shkak të tyre.

Disa dijetarë tjerë kanë thënë se këto dy vargje u shpallën në përgjigje të trajtimit të një ose më shumë "myslimanëve", të cilët u kthyen në fenë e tyre të mëparshme dhe u bënë terroriste dhe grabitës të rrugëve që plaçkitën karvanët e tregtisë. Përveç kësaj ata filluan të inkurajojnë armiqtë e Profetit Muhamed dhe myslimanëve për të sulmuar dhe shkatërruar qytetin e shtetit të Medinës. Urdhri i Allahut erdhi për t'i luftuar ata dhe për t'i nënshtruar duke i vrarë ose duke i kryqëzuar ose duke prerë duart dhe këmbët e tyre nga anët e kundërta ose largimi dhe burgimi i tyre. Nëse ata paraqiten para se të nënshtrohen me forcë dhe kërkojnë falje, atëherë falen. Kërkimi i tyre i faljes përfshin kthimin vullnetar të tyre në paqe.

Natyrisht, këto vargje nuk kanë të bëjnë vetëm me jomuslimanët e as nuk i detyrojnë ata të kthehen në Islam.

Fjala [Dënimi i atyre që luftojnë Allahun dhe të dërguarin e Tij dhe bëjnë shkatërrime në tokë] edhe pse ka zbritur për një grup të njerëzve, ajo përfshin të gjithë ata që përshkruhen me këto cilësi, qofshin pra myslimanë apo kafirë.

Njerëzit nuk mund ta luftojnë Allahun xh.sh. në mënyrë të drejtpërdrejt, sepse Allahu nuk është substancë e as trup që lufton apo luftohet, sepse lufta nënkupton kur palët në luftim të qëndrojnë në një anë dhe vend, e Allahu i madhëruar është i pastër prej këtyre cilësive materiale, për këtë arsye, kjo shprehje është metaforë që aludon ose në kundërshtimin e fesë dhe drejtësisë hyjnore të Allahut, ose luftimin e miqve të Tij dhe profetit të Tij. Ky ajet është i ngjashëm me ajetin: [ata janë të cilët abuzojnë me All-llahun dhe të dërguarin e Tij] (Ahzab,57). Luftë kundër Allahut dhe të Dërguarit të Tij në kuran është quajtur edhe marrja dhe ngrënia e kamatës. Krimet për të cilat po flasim janë shumë me të rënda sesa ata që marrin kamaten.

Feja Islame e shëmbëllen këtë vepër penale më luftën e njerëzve kundër Zotit Y dhe Pejgamberit r, në kuptimin se ata haptazi kanë shkelur të gjitha normat fetare dhe kanë çrregulluar rendin në tokë.

Zakonisht ata që luftojnë, i bashkojnë forcat e tyre kundër dikujt. Kundër kujt? Kundër njerëzve të pafajshëm që nuk kanë përhapur asnjë të keqe në tokë. Është e qartë se incidentet e rralla të vjedhjes ose vrasjes dhe plaçkitjes nuk e prishin rendin publik. Në fakt, kjo ndodh vetëm kur një grup i fuqishëm dhe i organizuar ngrihet për të kryer veprime të plaçkitjes dhe vrasjes. Prandaj, sipas juristëve myslimanë, ndëshkimi i parashikuar në këtë ajet nënkuptohet për një grup ose një individ që vjedh njerëzit dhe shkel ligjin e tokës përmes forcës së armëve, qoftë ai mysliman apo jomysliman.

Ky dënim në fikhun islam është quajtur si dënimi i Hirabes. Hirābah (Arabic: حرابة) është një fjalë arabe për "piraterinë", ose "luftën e paligjshme". Në ligjin islam, hirabah është një kategori ligjore që përfshin grabitjen me dhunë ose vjedhjet e madhe (ndryshe nga vjedhja “e vogël” që ka dënim të ndryshëm), përdhunimin dhe terrorizmin. Hirabah mund të përkufizohet edhe si "Grabitja e Armatosur".

Sipas disa studiuesve, Hiraba do të thotë "luftë kundër shoqërisë" dhe në jurisprudencën islame tradicionalisht i referohet akteve të tilla si vrasja e banorëve dhe udhëtarëve të pafajshëm. Pra ky dënim penal ka të bëj me ata që vrasin dhe kryejnë krime të rënda penale ndaj qytetarëve, ndaj atyre që sfidojnë kodet universale, të tilla si vrasja e qëllimshme e civilëve ose që shkaktojnë shkatërrime të qëllimshme në tokë. Pra realisht Hiraba i referohet posaçërisht banditizmit në një vend të hapur: Kërcënim unik destabilizues ndaj rendit civil në një shoqëri premorare.

Juristi mesjetar Dhahirij Ibn Hazmi e ka definuar hiraben me fjalët: “Ai që i shtyn njerëzit të kenë frikë në rrugë, qoftë me armë apo jo, natën ose ditën, në zonat urbane ose në hapësira të hapura, në pallatin e një kalifi ose në një xhami, me ose pa bashkëpunëtorë, në shkretëtirë ose në fshat, në një qytet të madh apo të vogël, ndaj një ose më shumë njerëzve ... duke i bërë njerëzit të kenë frikë se do të vriten, duke u marrur para ose duke i përdhunuar (hatk al 'arad) ... nëse sulmuesit janë një ose shumë”.

Juristët e medh’hebit Malikij, sikurse Dusuki dhe Ibën Arabiu pohojnë se nëse një person detyron një grua të ketë marrëdhënie seksuale, veprimet e tij do të konsideroheshin si hirabe gjithashtu. Ky akt përbën hirabe edhe pse nuk është marrë asnjë para dhe nuk janë përdorur armët, sepse "keqpërdorimi me pjesët private" është shumë më i keq sesa hiraba që përfshin marrjen e parave.

Në shkollën e jurisprudencës hanefite, përdhunimi i bandave ose përdhunimi publik, siç është lloji që ndodh gjatë luftës, konsiderohet hirabah, sepse kjo përputhet me përkufizimin e saj klasik si një krim lufte ose një krim kundër civilizimit dhe shoqërisë.

Në kushtetutat e disa shteteve islame, hiraba njihet si "moharebeh" dhe është përkthyer si "luftë apo armiqësi kundër Perëndisë dhe shtetit". Kjo masë penale aplikohet kundër njerëzve që kryejnë tradhti dhe krime kundër qeverisë dhe përhapin korrupsion në tokë. Kjo masë ndëshkuese aplikohet shpesh kundër grabitësve të armatosur, rrëmbyesve, përdhunuesve dhe kundër atyre që përdorin armë kundër shtetit. Ky ajet përfshin aktivitet e armatosura kriminale, p.sh: marrja e armëve për terrorizëm dhe përçarje e sigurisë publike, anëtarësimin në grupe që kryejnë kryengritje të armatosura, grupet mbështetëse që planifikojnë të rrëzojnë qeverinë me forcë duke përdorur armë dhe eksploziv. Opozita paqësore dhe e paarmatosur ndaj qeverisë nuk bie nën këtë mandat. Të dënuarit tipikë nën këtë mandat janë anëtarë të grupeve separatiste të armatosura etnike, anëtarë të grupeve të armatosura të trafikimit të drogës dhe njerëzimit të përfshirë në grabitje të armatosur, etj.

Fjala [nuk është tjetër vetëm se të mbyten] tregon se ndaj tyre nuk duhet treguar mëshirë.

Juristët islam në përgjithësi kanë thënë se banditët klasifikohen në tri grupe:

-Një grup prej tyre plaçkitin pasurinë, mirëpo nuk vrasin njerëzit.

-Grupi tjetër grabitin pasurinë dhe vrasin.

-Ndërsa të tretët vrasin mirëpo nuk plaçkitin.

- Ibn Abasi ka thënë :”Nëse banditi del në rrugë, frikëson kalimtarin dhe plaçkitë pasurinë i pritet dora dhe këmba e tij e anëve të kundërta(p.sh. dora e djathtë dhe këmba e majtë ose anasjelltas), e nëse ai plaçkitë pasurinë dhe vret atëherë i pritet dora dhe këmba e anëve të kundërta dhe kryqëzohet, e nëse ka vrarë mirëpo nuk ka marrë pasurinë e njerëzve vritet, e nëse vetëm ka frikësuar kalimtarët pa grabitur pasuritë e tyre, në këtë rast burgoset”.

Tahaviu thotë:”Këtë mendim të Ibën Abasit e ka trasuar Muhamedi dhe Ebu Jusufi, ndërsa Ebu Hanifeja ka pas thënë:Nëse banditi merr pasurinë dhe vret, gjykatësi ka të drejtë zgjidhje: nëse do ia amputon dorën dhe këmbën e anës së kundërt e pastaj e vret, e nëse do vetëm e vret, pa ia prerë dorën dhe këmbën e anës së kundërt”.

Sipas shumicës së juristëve, gjyqtari mund të zgjedhë njërën prej këtyre dënimeve, në varësi të ashpërsisë së krimit dhe gjendjes së kriminelit.

Fjala [ose të gozhdohen]; Tahaviu ka thënë: Sipas mendimit të Ebu Hanifes, gozhdimi i përmendur në këtë ajet ka të bëj me kryqëzimin pas vrasjes. Urtësia e këtij veprimi është që kriminelët e tjerë të marrin mësim.

Ibrahim Nehaiu ka thënë: Lihet i varur një ditë, ndërsa Jahja ibën Ademi tha: Tri, e pastaj varroset.

Fjala [ose të dëbohen nga vendi] e ka kuptimin e dëbimit nga vendi, që njihet sot si privimi apo marrja e nënshtetësisë, ose burgosjes deri në një periudhë të caktuar apo derisa të pendohet, varësisht prej divergjencave të fukahave në këtë pikë.

[Kjo (masë ndëshkuese) është poshtërim për ta në Dynja, dhe në botën tjetër ata do të kenë dënim të madh] Dënimi në dynja është turpi, poshtërimi, dënimi, përbuzja dhe vuajtja në këtë jetë, përpara botës tjetër. Dhe nëse ata nuk pendohen nga këto vepra të këqija derisa të vdesin, ata do të goditen nga dënimi që Allahu ua ka përshkruar atyre në ahiret, dmth të hidhen në zjarrin e xhehenemit.

Mirëpo dera e pendimit është e hapur edhe ndaj kriminelëve të tillë. Allahu i gjithëmëshirshëm në fund të këtyre ajeteve tha: [Përveç atyre që janë penduar (nuk kanë vrarë dhe kanë kthyer pasurinë e plaçkitur) para se t'i kapni. E, dijeni pra se All-llahu është falës dhe mëshirues] (Teube, 34). Ky ajet nuk e shpëton një mysliman nga ndëshkimi nëse vret ose shkakton ligësi në tokë. Nëse zihet, ai ende do të jetë përgjegjës për krimet që ka kryer.

Shënim: Pas këtij ajeti, kanë zbritur edhe dispozita tjera për dënimet për krimet e rënda penale. Sipas medh’hebit hanefij është anuluar gjymtimi i pjesëve të trupit edhe nëse kriminelët e kanë masakruar viktimën. Sipas hanefive është anuluar edhe norma e pirjes së urinës për shërim. Këto dhe çështje tjera rreth ajetit, janë të sqaruar gjerësisht në librat e fikhut.

Përfundim: Neve nuk duhet të lejojmë që të keqpërdoret me kuranin. Siç e shohim, ky ajet nuk është ajet agresor e as terrorist, përkundrazi, ai ka zbritur që ta luftojë agresivitetin dhe manifestimet e terrorizmit, ta çrrënjosë të keqën dhe korrupsionin, ta ruaj lirinë, drejtësinë mes njerëzve dhe të realizojë paqen në tokë.

Këto dënime të rënda janë ligjësuar për të ndaluar krimin.

Objekti i fesë sonë është të pastrojë tokën nga shkatërrimi dhe të vendosë paqen dhe drejtësinë. Është përgjegjësi e atyre që kanë autoritet ose pushtet për ti kapur ata që përhapin shkatërrimin në shoqëri. Realisht sheriati ka zbritur që ti shërbejë interesit të përgjithshëm të njerëzimit. Mosbindja ndaj Allahut shkakton korrupsion në tokë. Kur një person është i pabindur ai kryen mëkate të tilla. Ai harron të bëjë dallimin mes asaj që është e ligjshme dhe asaj që nuk është e ligjshme, si rezultat i kryerjes së një mëkati pas tjetrit dhe përhapjes së korrupsionit në tokë.

Dispozitat islame mohojnë terrorizmin në të gjitha format dhe manifestimet e tij, sepse ai është një krim i shëmtuar dhe padrejtësi e papranueshme.

Kriminelët që bëjnë krime të tilla dënohen me dënime të ngjashme penale në të gjitha vendet e botës, në çdo kohë dhe vend, atëherë pra, cili na qenka krimi i Islamit?!

Zoti e mbrojt vendin tonë, komunitetin tonë dhe atdheun tonë nga të këqijat e terrorizmit dhe islamofobëve dinak.

O Zoti ynë, na jep mëshirë, siguri, besim, paqe dhe kuptim të drejtë të islamit!

Drilon I. Gashi

korrik, 2017

Shkëputje nga libri im që e kam në parapërgatitje “Demantim i dyshimeve”.