Ajeti i Xhizjes dhe politika e Islamit në lidhje me jomyslimanët 

 

Disa dijetarë të hershëm islam kanë deklaruar se politika e Islamit në lidhje me jomyslimanët është lufta: "Pranoni Islamin ose do t’ju luftojmë."

Mirëpo, pjesa tjetër kanë thënë se paqja është politika e jashtme e Islamit ndaj të tjerëve. Lufta është përjashtim, jo ​​rregull.

Në mesin e shumë dijetarëve modernë myslimanë që politikën e jashtme të Islamit e shohin si "paqja është rregulli dhe lufta është përjashtimi" janë: Dr. Kardavi, Mustafa Zejd El Ezheriu, Mustafa Sibaiu, Myftiu i kaluar i madh i Egjiptit Mahmud Shaltuti, pastaj Muhamed Abduhu-ja, Muhamed Ridai, Muhamed Ghazaliu, Muhamed Khider Husejni, Dr. Muhamed Seid Ramadan el Buti, Dr. Vehbi Zuhajli, Dr. Adnan Ibrahimi, etj.

Ndër ata që e panë politikën e jashtme të Islamit si luftë kundër të tjerëve derisa ta pranojnë Islamin janë: Sajid Kutubi dhe Mevdudi i Pakistanit. Por për mendimin tonë, kjo është gabim.

Kundërshtarët e bazuan studimin e tyre në atë që njihet si "Ajeti i Shpatës" . Nuk ka një opinion të unifikuar mes tyre se cili është 'ajeti i shpatës'.

Disa prej tyre menduan se ajeti i shpatës është ajeti i xhizjes, i cili thotë:

[Luftoni ata të cilët nuk besojnë Allahun e as botën tjetër, nuk e konsiderojnë të ndaluar atë që e ndaloi Allahu dhe i dërguari i Tij, nuk besojnë fenë e vërtetë, prej atyre të cilëve u është dhënë libri, derisa ta japin xhizjen (tatimin) në dorë (në bazë të mundësisë) e duke qenë të përulur] (Teube,29).

Në anën tjetër, disa injorantë islamofobë po mundohen që përmes këtij vargu, të provojnë se islami është i dhunshëm sepse kurani ka përmbajtje që ndalon bashkëjetesën harmonike ndërmjet myslimanëve dhe jomyslimanëve, dhe se myslimanët e vërtetë sipas tyre na qenkan “xhihaditsët” e kalifatit “ISIS”! Islamistët terroriste janë viktima të indoktrinimit islame dhe ata vetëm po zbatojnë urdhrat dhe udhëzimet që i përmban Kurani, prandaj sipas tyre, Kurani i ka fajet dhe ai duhet të ndalohet nga leximi dhe praktikimi edhe nga gjykatat ndërkombëtare!!!

Komentimi:

Ky ajet ka normë specifike dhe nuk është i formës së përgjithshme; nuk përfshinë të gjithë ithtarët e librit, por vetëm një pjesë të tyre.

Para se të komentojmë ajetin në fjalë, është e nevojshme të kuptohen ngjarjet historike që rrethojnë lëndën e këtij vargu dhe disa veprime armiqësore të bizantinëve dhe aleatëve të tyre arabë të krishterë të Sirisë së Madhe që nxisnin luftën midis myslimanëve dhe të krishterëve në atë kohë.

-Ajeti në fjalë ka zbritur për bizantinët, të cilët sipas librave të historisë, kishin përgatitur një ushtri të madhe prej 40000 luftëtarëve për shkatërrimin e gjithë myslimanëve në Medine.

 Ata kishin vrarë disa herë edhe ambasadorët e  pejgamberit që i kishte dërguar në vendet e tyre për të thirrur në fenë islame. Perandori bizantin kishte vendosur që ta shfaroste dinin e Muhamedit a.s. nga toka.

-Në Sahihun e Buhariut jepet shenjë se si fisi arab krishterë Gasan iu kishte bashkëngjitur bizantuinëve dhe kishte vendosur që ti luftonte myslimanët në Medine:  

“Omeri njofton se si shoku i tij njëherë, gjatë kësaj periudhe kritike, erdhi papritmas duke trokitur natën në derën e tij. Omeri u zgjua i shqetësuar dhe u përplas para derës. Kur e pa shokun e tij, fjalët e tij të menjëhershme ishin: "A kanë ardhur Ghassanasit a?!" Jo tha ai, por Pejgamberi mund t’i ketë shkurorëzuar gratë e tij.... ". (Buhari, 435).

-Një tjetër tregues i një sulmi u raportua edhe nga Ibn Abbasi i cili tha: “Bizantinët kalëronin kuajt e tyre në përgatitje për të na sulmuar”. (Buhari, 2468)

Pikëpamja e myslimanëve për luftën nuk duhej të priste që romakët të sulmonin, por t'i takonin ata dhe aleancën e tyre të krishterë me mbi 30,000 ushtarë për t'i luftuar ata. Megjithatë, kur muslimanët arritën në Tebuk, ata nuk gjetën ushtri. Bizantinët dhe aleanca e tyre, ishin shpërndarë. Arsyeja për Betejën e Tebukut, në të cilën nuk u bë asnjë luftë, ishte pra kërcënimi i menjëhershëm i Perandorisë Bizantine dhe aleancës së tyre të krishterë në Siri të Madhe, të cilët mblodhën një ushtri të madhe për të sulmuar Medinë dhe për të shtypur myslimanët.

-Para Tebukut, ishte beteja e Mu'tes. Beteja e Mu'tes u shpall nga Profeti Muhamed kundër të krishterëve arabe në Sirinë e Madhe, pasi mësoi për vrasjen e një prej të dërguarve të tij Harith al Azdi. Harithi i kishte dërguar një letër nga Profeti Muhamed Mbretit Sharabeel duke e ftuar atë në Islam. Amr al Ghassani, i cili ishte një guvernator arab në Sirinë e Madhe i emëruar nga Hirakliu, e kapi të dërguarin e Profetit, e burgosi ​​atë, u tall me myslimanët, kërcënoi të mblidhte një ushtri të madhe për t'i shkatërruar ata, poshtëroi Profetin Muhamed, dhe pastaj vrau edhe lajmëtarin e tij.

Standard i të gjitha vendeve dhe perandorive ishte që lajmëtarët janë të mbrojtur dhe të imunizuar ndaj të gjitha dëmeve. Vrasja e lajmëtarit prej anës së Amr al Ghassanit konsiderohej kriminale dhe e pacivilizuar nga të gjitha standardet e njohura të kohës.

-Profeti gjithashtu kishte dërguar edhe një ekip kërkimi prej 15 vetash, të cilët u vranë nga romakët, përveç njërit prej tyre që shpëtoi.

Si rrjedhojë e gjithë kësaj, Profeti mblodhi 3.000 njerëz dhe i dërgoi në një vend të quajtur Mu'tah në kufijtë e Sirisë së Madhe për të ndëshkuar vrasësit për veprime të tilla antagoniste kundër muslimanëve. Megjithatë, në Mu'tah, muslimanët u mposhtën dhe u kthyen prap në Medinë.

-Dy vjet para Betejës së Tabukut, mbreti Herakli  i Romës kreu provokime dhe akte kontestuese kundër muslimanëve. Ai e kryqëzoi Farvah bin Amr al Juthamin, i cili ishte guvernatori i tij i Mu'anit në Sirinë e Madhe. Farva e përqafoi Islamin dhe i dërgoi disa dhurata Profetit Muhamed. Kur Herakliu mësoi për këtë, e burgosi ​​Farëah dhe pastaj e kryqëzoi atë në ujin e Afra '. Ai më tej lëshoi ​​legjislacionin për kryqëzimin e çdo personi që e pranon Islamin në Bizant.

-Megjithatë, ka pasur një rast tjetër antagonizmi që ishte i panjohur deri sa iu zbulua Profetit Muhamed. Herakliu e përdori një prift arab të njohur si Abu Amer, për të bërë komplot kundër Islamit dhe muslimanëve duke përdorur hipokritët e Medinës. Prifti Abu Amer,  më parë jetonte në Medinë, por kur Profeti Muhamed emigroi në të, ai u largua nga qyteti me neveri dhe u drejtua për në Romë. Urrejtja e Herakliut dhe Abu Amerit i udhëhoqi ata për të komunikuar me hipokritët e Medinës për të krijuar një xhami të quajtur Masjid Dirar. Xhamia duhej të përdorej si bazë për operimin e tyre të grindjeve dhe korrupsionit në strukturën e myslimanëve dhe islamit. Pas kthimit nga Beteja e Tebukut, Allahu i ekspozoi dhe i zbuloi Profetit veprën djallëzore rreth Xhamisë Dirar, dhe kështu Profeti urdhëroi shkatërrimin e tij.

-Edhe fisi krishterë Kuda’ah kishte përgatitur një ushtri që ti luftonte myslimanët, atëherë Muhamedi a.s. përgatitë një ushtri dhe del fitimtarë kundër tyre. Kjo luftë është e njohur në histori me emrin “Dhat Es- Selasil”.

-Edhe beteja e Xhendelit e quajtur “Dumetul-l-Xhendel” është një tregues i qartë se si një pjesë e krishterëve të parët ishin që armiqësuan myslimanët. Dumeti është një vend i njohur në kufi me Sirinë. Fiset e atij vendi filluan ti ndërpritnin rrugët, të sulmojnë dhe të plaçkitin çdo udhëtar dhe kishin tubuar një numër të madh për ta sulmuar Medinën.

E gjithë kjo tregon se ata i kishin shpallur luftë islamit dhe lirisë së besimit. Për ta ruajtur fenë,familjen dhe pasurinë, dhe për ta vënë drejtësinë në tokë, pejgamberi urdhëroi myslimanët që të përgatisin një ushtri të madhe në vitin e nëntë sipas hixhretit dhe dihet pastaj nga librat e historisë se çfarë ndodhi.

Pas kujtimit të shpejtë historik të disa ngjarjeve që e përshkruajnë konfliktin krishterë-musliman, tani është e radhës të diskutohen arsyet për shpalljen e "Vargjeve të Xhizjes" dhe pse ky varg është nxjerrë jashtë kontekstit. Ti rikthehemi përsëri ajetit.

Ky ajet që ndryshe quhet edhe ajeti i Xhizjes-taksës, haraçit apo tatimit- përcakton se Ithtarët e Librit  (krishterët dhe jehuditë) që jetonin në shtetin islamik, ishin të përjashtuar nga mbrojtja e shtetit nëse nuk paguajnë një tarifë vjetore si kompensim i mbrojtës që quajtur xhizjeh. Nëse refuzojnë të paguajnë xhizjen, atëherë shteti ishte i detyruar ta marrë atë me forcë.

Këta njerëz në atë kohë janë quajtur DHIMIJ.
Dhimmij i është referuar qytetarit jomyslimanë (qoftë hebre, krishterë, sabian, zoroastrian, hindus, budist, idhujtar jashtë zonës së shenjtë), i cili ka jetuar në shtetin islam, pasi që vendi i tij e ka humbur luftën me myslimanët. Pasuria dhe gjaku i dhimiut ishin të mbrojtura dhe garantuara me ligj të sheriatit  (fi dhimetil-lah). Këta individë nuk lejohej të vriteshin, por detyroheshin të paguanin një tatim, që realisht ishte shumë më i vogël sesa zekati që paguajnë myslimanët dhe pastaj ishin të barabartë me myslimanët në pronë, kontratë dhe shumicën e detyrimeve, bile komunitetit dhimmij u lejohet që të angazhoheshin në praktika të caktuara që zakonisht ishin të ndaluara për komunitetin mysliman, të tilla si konsumimi i alkoolit dhe mishi i derrit. Nëse këta inkuadroheshin në mbrojtjen e shtetit dhe shkonin në ushtri, atëherë liroheshin edhe prej tatimit (xhizjes). Kjo fazë historike tashmë ka përfunduar dhe njerëzia jeton në shtete kombëtare moderne.

 Ajeti qartë thotë: [Luftoni ata që nuk besojnë Allahun e as botën tjetër, nuk e konsiderojnë të ndaluar (haram) atë që e ndaloi All-llahu dhe i dërguari i Tij, nuk besojnë fenë e vërtetë, prej atyre të cilëve u është dhënë libri, derisa ta japin xhizjen (tatimin) në dorë (në bazë të mundësisë) e duke qenë të përulur] (Teube,29).

Ky ajet është krejtësisht politik, nuk urdhëron që të luftohen Ithtarët e Librit për shkak të fesë së tyre, por po flet për çështjet monetare dhe rregullatore brenda shtetit. Ai po thotë se qëllimi i luftës është nëse nuk paguhet xhizja, e jo për shkak të fesë. Sikur të urdhëronte të vriteshin do të thoshte “vritni” e jo “luftoni”, gjithashtu nuk do ta përmendte xhizjen. Në të vërtetë, ajeti tregon mëshirë ndaj Ithtarëve të Librit, siç tregon Kurani në të gjitha ajetet tjera. Gjithashtu, siç përmendet në ajet, islami i ka falur ata (Ithtarët e Librit) të cilët nuk kanë mundësi ta përballojnë atë.

Kur Kur'ani i Shenjtë vendos një luftë, Allahu xh.sh. shpjegon qëllimin për atë luftë. Ka shumë objektiva për një luftë. Për këta Ithtarë të Librit, lufta ishte nëse ata nuk e paguajnë xhizjen, jo për ndonjë shkak tjetër.

Fjala në fund të ajetit (duke qenë të përulur) jep shenjë se pasi ata filluan luftën dhe armiqësinë, tani duhet të detyrohen të paguajnë xhizjen dhe të ndiejnë në vetveten e tyre fajësi, pra ta japin xhizjen “duke qenë të përulur dhe të mposhtur”.

Xhizja e cila duhej të paguhej ishte obligim vetëm për atë që ka forcë ta mbajë shpatën, ndërsa plaku, fëmija dhe femra ishin të liruar prej xhizjes, që tregon edhe një herë se ajo ishte si kompensim i mbrojtës.

Kur myslimanët duhej të shkonin në luftë kundër të krishterëve, kjo ishte vetëm për shkak të agresionit dhe armiqësisë së tyre [“Dhe luftoni në rrugën e Allahut kundër atyre që ju luftojnë e mos e teproni se Allahu nuk i do ata që e tejkalojnë kufirin (e fillojnë luftën)”. (Bekare: 190)

Allahu thotë nëse paganët nuk kryejnë agresion, atëherë "për sa kohë që ata janë të mirë për ju, jini të mirë ndaj tyre".  Vargu 9: 7 thotë: [Si mund të kenë idhujtarët besë (marrëveshje) te All-llahu dhe te i dërguari i Tij, përveç atyre me të cilët keni lidhur marrëveshje pranë xhamisë së shenjtë (Qabes), e derisa ata i përmbahen (marrëveshjes) përmbahuni edhe ju. All-llahu i do ata që ruajnë besën.].

Jomyslimanët prej Ithtarëve të Librit janë më pranë myslimanëve sesa jobesimtarët idhujtarë. Dëshmi për këtë është arsyeja pse myslimanëve u lejohet të ndajnë ushqimin e tyre dhe të martohen me të krishtere dhe hebreje. Myslimanëve nuk u lejohet të bëjnë të njëjtën gjë me idhujtarët. Mendoje!

[Sot u lejuan për ju ushqimet e mira, edhe ushqimet (të therrurat) e ithtarëve të librit janë të lejuara (hallall) për ju, edhe ushqimet (të therrurat) tuaja janë të lejuara për ta (u janë lejuar). Gratë e ndershme besimtare dhe (gra) të ndershme nga ata të cilëve u është dhënë libri para jush, kur atyre u jepni pjesën e caktuar të kurorës, por duke pasur për qëllim martesën, e jo imoralitetin dhe jo si dashnore ilegale. E kush mohon (tradhton) besimin, ai ka asgjësuar veprën e vet dhe ai në botën tjetër është prej të shkatërruarve](Maide,5).

[Dhe nga faktet (e madhërisë së) e Tij është që për të mirën tuaj, Ai krijoi nga vetë lloji juaj palën (gratë), ashtu që të gjeni prehje tek ato dhe në mes jush krijoi dashuri dhe mëshirë. Në këtë ka argumente për njerëzit që mendojnë] (Rrum,21).

Ka thënë Allahu xh.sh: [Gjithqysh ti do të vëresh se jehuditë dhe ata që i përshkruan Zotit shok (idhujtarët) janë njerëzit me armiqësi të fortë kundër besimtarëve (kundër myslimanëve). Ndërsa do të vëresh se më të afërmit si miq për besimtarët janë ata që thanë: "Ne jemi nesara-krishterë". Këtë ngase prej tyre (të krishterëve) ka dijetarë (ulema) dhe të devotshëm, dhe se ata nuk janë kryeneçë.](Maide,82)

Disa nga Ithtarët e Librit do të shpërblehen dy herë më shumë nga Allahu, siç përmendet në kaptinën Kasas,ajetet 52-55.

Bile i Madhi Zot tregoi mëshirë të madhe edhe ndaj paganëve Mekas. Ata e luftuan Muhamedin a.s dhe myslimanët plot njëzet vite, ndërsa kur myslimanët në fund fituan kundër tyre, kurani urdhëroi: [Po, nëse ata pendohen, e falin namazin dhe e japin zeqatin, atëherë i keni vëllezër në fe. Ne i sqarojmë argumentet për ata njerëz që kuptojnë]( Teube:11).

Në "Vargun e Shpatës", 9: 5, Allahu thotë: [E kur të kalojnë muajt e shenjtë, luftoni idhujtarët kudo që t'i gjeni, robëroni dhe ngujoni ata, e vinju pritë në çdo shteg. Në qoftë se pendohen, e falin namazin dhe e japin zeqatin, atëherë ua lëshoni rrugën, se vërtet All-llahu falë është mëshirues].

Në shkrimet tona të ardhshme neve do ta sqarojmë edhe kuptimin e drejtë të këtij ajeti . Ajo që po na intereson këtu është se pse nuk u dha Ithtarëve të Librit kjo zgjedhje siç iu dha paganëve Mekas; të përqafojnë Islamin ose të vriten?

Përgjigjja është shumë e thjeshtë. Sepse Kur'ani nuk zbaton luftimin e Ithtarëve të Librit për shkak të fesë së tyre, ai krijon luftën vetëm kundër jobesimtarëve në përgjigje të agresioneve të tyre.

Një politikë e ngjashme me xhizjen për Ithtarët e Librit është e zbatueshme edhe ndaj myslimanëve kur refuzojnë të paguajnë detyrimet e tyre ndaj shtetit. Myslimanët janë të detyruar t’ia paguajnë zeqatin shtetit. Zekati është një formë e tatimit të ngjashëm me taksën që shumica e njerëzve duhet t'i paguajnë në shtetet e tyre përkatëse. Në mënyrë të ngjashme me rastin e xhizjes, në lidhje me Ithtarët e Librit, nëse myslimanët gjithashtu refuzuan të paguajnë Zekatin, atëherë shteti është i detyruar ta marrë atë me forcë.

Një shembull i këtij ishte rasti kur fise të cilët gjatë sundimit të Kalifit të parë Ebu Bekr, refuzuan të paguajnë Zekatin. Kundër tyre u zhvillua një luftë derisa ata e paguan atë, dhe e pranuan nënshtrimin e tyre ndaj shtetit.

 

  • Islami fton ngrohtësisht Ithtarët e Librit në Islam:

[Thuaju (o i dërguar): "O ithtarë të librit (Tevrat e Inxhil), ejani (të bashkohemi) te një fjalë që është e njëjtë (e drejtë) mes nesh dhe mes jush: Të mos adhurojmë, pos All-llahut, të mos ia bëjmë Atij asnjë send shok, të mos e konsiderojmë njëri - tjetrin zotër pos All-llahut"!] (Ali Imran, 64]. Në qoftë se Njerëzit e Librit refuzuan një ftesë të tillë, Allahu iu drejtua myslimanëve duke u thënë: [E në qoftë se ata refuzojnë, ju thoni: "Dëshmoni pra, se ne jemi muslimanë (që iu kemi dorëzuar Një Zoti të Vetëm)]. Ajeti nuk ka thënë, nëse refuzojnë, shkoni dhe shpallni xhihad kundër tyre!

  • Myslimanët kanë marrëdhënie të veçantë me Njerëzit e Librit.

[Thuaj: "Ne i kemi besuar All-llahut, edhe asaj që na u zbrit neve, edhe asaj që i është zbritur Ibrahimit, Ismailit, Is'hakut, Jakubit dhe pasardhësve. Edhe asaj që i është dhënë Musait dhe Isait, edhe asaj që i është zbritur të gjithë pejgamberëve nga Zoti i tyre. Ne nuk bëjmë kurrfarë dallimi në mes tyre dhe ne vetëm Atij i jemi dorëzuar"] (Ali Imran,84).

  • Kur'ani i lejoi njerëzit të kenë fenë e tyre përveç Islamit:

[Thuaj: “O ju jobesimtarë!" Unë nuk adhuroj atë që ju e adhuroni! As ju nuk jeni adhurues të Atij që unë e adhuroj! Dhe unë kurrë nuk do të jem adhurues i asaj që ju adhuroni! Por edhe ju nuk do të jeni adhurues të Atij që unë e adhuroj! Ju keni fenë tuaj (që i përmbaheni), e unë kam fenë time (që i përmbahem)!](Kafirun:1-6)

  • Kurani themelon lirinë e fesë:

 [...E sikur All-llahu të mos i zbrapste disa me disa të tjerë, do të rrënoheshin manastiret, kishat, havrat e edhe xhamitë që në to përmendet shumë emri i All-llahut. E All-llahu patjetër do ta ndihmojë atë që ndihmon rrugën e Tij, se All-llahu është shumë i fuqishëm dhe gjithnjë triumfues](Haxh,40).

Implikimi është se mbrojtja e lirisë fetare është shkaku kryesor për të cilin armët mund dhe duhet të merren, përndryshe korrupsioni me siguri do ta tronditë tokën.

  • Allahu urdhëron Muhamedin që të falë jobesimtarët:

[Dhe Ne nuk i krijuam qiejt dhe tokën dhe atë ndërmjet tyre përveç se me urtësi të madhe. Dhe me të vërtetë, kiameti po vjen, e ti o Muhammedi fali [të gjithë] dhe sillu me njerëzishmëri] (Hixhr,85)

  • Islami udhëzon komunikim edukativ me hebrenjtë dhe të krishterët:

[Ithtarët e librit mos i polemizoni ndryshe (kurr i thirrni në fenë tuaj) vetëm ashtu si është më së miri, përveç atyre që janë mizorë dhe thuajuni: "Ne i besuam asaj që na u zbrit neve dhe që u zbriti juve dhe se Zoti ynë dhe Zoti juaj është një, dhe se ne i jemi dorëzuar Atij."](Ankebut,46).

Çdo mysliman që bën padrejtësi ose fyen një hebre ose të krishterë duhet t'i përgjigjet profetit Muhamed në Ditën e Gjykimit. Profeti Muhamed a.s. ka thënë: “Dijeni se nëse ndonjë (mysliman) kryen padrejtësi, fyerje, keqësim apo keqtrajtim ndaj një personi të Popullit të Librit (i mbrojtur, nga shteti ose që ëshë në një marrëveshje), ai do të më përgjigjet (për imoralitetin e veprimit të tij) në Ditën e Gjykimit”.

Ai gjithashtu tha: “Kushdo që vret një person nga Njerëzit e Besëlidhjes (të tillë si hebrenjtë dhe të krishterët ose njerëzit e besimeve dhe doktrinave tjera) me të cilët ka besëlidhje mes tyre dhe myslimanëve, ai ose ajo nuk do të hyjë në Parajsë”. (Bukhari, 3166).

  • Kur'ani i urdhëron myslimanët të jenë të mëshirshëm me njerëzit, kafshët dhe madje edhe armiqtë e tyre:

[Ndëshkimi i të keqes bëhet me një të keqe në të njëjtën masë, e kush fal e bën pajtim, shpërblimi i tij është tek All-llahu. Vërtet, Ai nuk i do zullumqarët](Shura,40).

[Nuk është e barabartë e mira dhe e keqja. Andaj, (të keqen) ktheje në mënyrën më të mirë, se atëherë ai, me të cilin kishit njëfarë armiqësie, do të bëhet mik i afërt](Fusilet,34)

Profeti Muhamed tha: “Ai që nuk është i mëshirshëm ndaj të tjerëve, Allahu nuk do të jetë i mëshirshëm ndaj tij”. (Buhariu dhe Muslimi).

Pejgamberi a.s. në lidhje me banorët e Etiopisë (Habeshe) ka thënë: “Lini të qetë Etiopinë derisa t’ju lënë të qetë”, e dihet se Etiopia në atë kohë ishte vend i njohur që popullohej me krishterë. Këto tekste nuk bien në kundërshtim me njëra-tjerën.

Profeti Muhamed nuk i detyroi as të krishterët e Nexhranit të përqafojnë Islamin.

Shumë fise të krishtera e pranuan Islamin; Të tjerët megjithatë, e zgjodhën të mbesin të krishterë. Profeti nuk deklaroi luftë kundër tyre për mos pranimin e Islamit. Kur një delegacion i fiseve të Naxhranit (që ndodhet midis Jemenit dhe Mekës) vizitoi Profetin në xhaminë e tij për dy javë, Profeti Muhamed i dha delegacionit të krishterë të drejtën për të ushtruar lirisht besimin e tyre në xhaminë e tij gjatë qëndrimit të tyre. Në fund të dialogut, delegacioni i krishterë zgjodhi të mbetej i krishterë. Profeti e pranoi vendimin e tyre dhe u dha atyre një letër që siguronte lirinë e adhurimit dhe sigurinë e shtëpive, kishave dhe qyteteve të tyre. Në letër, midis tjerash thuhej:

“Besëlidhja jonë me Najranin është se ata janë nën mbrojtjen e Zotit dhe Profetit të tij. Shtëpitë e Najranit, kishat, murgjit, priftërinjtë, të tashmen dhe mungesat e tyre dhe aleanca do të jenë të sigurta ...”.

Përfundim:

Duke i menduar ajetet e mësipërme, atëherë vallë, si mund të jetë e saktë: 'Ose Islami ose Shpata'?

Për ti kuptuar luftërat e myslimanëve në përgjithësi, duhet ta kuptojnë një realitet të kohës së shkuar të tyre. 

Struktura politike e botës gjatë Mesjetës bazohej në luftë, persekutim fetar, pushtet dhe grindje, e jo në intelekt, lirinë e besimit, pajtim dhe diplomaci.

Në kohët e kaluara nuk ka qenë i njohur koncepti i kombeve apo i shteteve demokratike siç njihet sot,por kanë qenë të njohura perandoritë. Në atë kohë ka qenë normale zakoni i pushtimit të tokave dhe zgjerimi sa më shumë i perandorisë; secila perandori në bazë të synimeve të saj. Politika e perandorive ka qenë: Nëse ti nuk ma ha darkën mua, vij ta ha ynë ty darkën ne sofrën tende.

Bizantinët, romakët, persianët, dhe popujt e tjerët, kanë qenë armiq të vazhdueshëm të islamit përgjatë historisë. Vetëm përgjatë kohës së profetit, prej këtyre perandorive, disa herë është kërcënuar islami dhe gjithë myslimanët në tokën e tyre.

Luftërat qe i kane bërë myslimanët i kanë bërë nën këtë politikë, e jo se kurani urdhëron ti vrasim jomyslimanet paqësor. Kurani nuk urdhëron të luftohen njerëzit, përveç nëse ata sulmojnë dhe bëhen armiq të tij. Për këto arsye, edhe nëse themi se disa myslimanë përgjatë historisë  ishin “pushtues”,  ata kanë qenë njerëzit më të mëshirshëm sesa pushtuesit e tjerë, sepse tek ta ka qene prezent feja islame e cila edhe në luftë më jobesimtarët ndalon gjenocidin, masakrimin, vrasjen e grave, pleqve, fëmijëve, njerëzve fetarë, shkatërrimin e shtëpive, bagëtisë, natyrës, etj. Këto të vërteta i pranojnë historianët e huaj. Tolerancën e myslimanëve përgjatë historisë, e dëshmojnë edhe shkrimet e studiuesve perëndimorë!

Dijetarët e vjetër myslimanë mund të frikësoheshin nga kjo normë dhe e shihnin politikën e jashtme të Islamit ndryshe nga politika e dominuar nga pjesa tjetër e botës: lufta dhe jo paqja.

Bota sot ka ndryshuar. Koha moderne nuk është një epokë lufte për Islamin, por më tepër është koha e intelektit. Përdorimi i stilolapsit mund të jetë më efektive sesa një raketë.

 

Elaboroi Drilon I. Gashi

Shkëputje nga libri im që e kam në parapërgatitje “Demantim i dyshimeve”.