Dhimbjet mund të jenë të mira, të dobishme dhe me vend për shumë arsye, dhe injoranca ndaj anëve të mira të tyre është bazë prej bazave të devijimit të shumë grupeve.

Materialistët dhe ateistët thanë se nëse bota do të kishte një Zot të ditur që ka vullnet dhe mëshirë, nuk do të rridhnin prej tij këto dhimbje të dëmshme në të cilat –sipas tyre- nuk ka dobi.

Dualistët zoroastrianë menduan se dhimbjet janë te dëmshme dhe sherr total dhe ato ia atribuuan zotit të errësirës apo djallit-Ahrimenit. Ata thanë se krijuesi i mirësive është zoti Jezdan prej nurit, kurse krijuesi i sherrit është zoti prej errësire. Ajo që i ka shtyrë në këtë doktrinë është se edhe ata besuan se të gjitha dhimbjet janë të këqija sepse janë dhimbje, kurse kënaqësitë të gjitha janë të mira sepse janë kënaqësi, dhe se krijuesi i të mirës s’ka mundësi të jetë njëkohësisht edhe krijues i të keqes, kështu që i pohuan dy krijues; njëri prej tyre që me natyrën e tij krijon të mirën, ndërsa tjetri të keqën.

Ata që besuan në ri-inkarnim e shpirtrave thanë se fëmijët dhe kafshët që lindin me gjymti, kanë bërë mëkat kur shpirti i tyre ka qenë në strukturën e një trupi tjetër më parë, e si pasojë e kësaj, ata tani përjetojnë vuajtje dhe dhimbje. Edhe kjo fjalë e tyre është gjepur që s’ka argument, dhe nënkupton që lejohet sharja e fëmijëve dhe kafshëve kur ato ndiejnë dhimbje!!!

Bekritë – një fraksion I vjetër islami, kanë mohuar dhimbjet e fëmijëve dhe kafshëve krejtësisht, me pretekstin se ato nuk I ndjejnë dhe nuk kanë dijeni për to. Edhe ky mendim I tyre është i kotë sepse kundërshton realitetin.

Xheberitë dhe esharitë kur injoruan anët e mira të këtyre dhimbjeve thanë: Çdo gjë që bën Allahu konsiderohet veprim i mirë, sepse Ai është Zot dhe bën çfarë të dëshirojë, mirëpo nëse një veprim të tillë e bën krijesa, atëherë konsiderohet shëmti!!

Të gjitha këto grupe e devijuan rrugën e drejtë në këtë çështje, sepse ata nuk arritën ti dinë anët e mira, arsyet dhe urtësitë e këtyre dhimbjeve dhe fatkeqësive.

Për këtë arsye, neve jemi të obliguar ti sqarojmë anët e mira dhe aspektet e dobishme të dhimbjeve që shkaktohen në disa krijesa nga ana e Allahut të Gjithëditur.

Fillimisht duhet të dimë se dhimbjet janë veprime që nganjëherë mund të jenë të mira dhe me vend, e nganjëherë janë të këqija dhe shkaktohen pa vend.

Nëse janë me vend, atëherë ato janë të mira nga ky aspekt, dhe sa herë të ndodhin për këtë aspekt, arsye dhe qëllim konsiderohen të mira, pa marrë parasysh se kush i vepron, Allahu I madhëruar apo krijesa. Njëjtë vlen edhe për dhimbjet e këqija.

Në përgjithësi dhimbjet konsiderohen të mira dhe me vend nëse në to ka dobi, largohet përmes tyre një dëm më i madh, ose kur meritohen.

Nëse dhimbja i shkaktohet krijesës nga ana e Allahut, atëherë:
-Ose i është shkaktuar njeriut që është person i përgjegjshëm (mukelef),
-ose krijesave tjera që nuk kanë përgjegjësi ligjore sheriatike.

Nëse i është shkaktuar një krijese që s’ka përgjegjësi ligjore sheriatike, atëherë gjithsesi duhet që të ketë kompensim në mënyrë që të mos jetë zullum, dhe marrje mësim për personat e përgjegjshëm në mënyrë që këto dhimbje të mos jenë shkel e shko.

E nëse i është shkaktuar një personi të përgjegjshëm, atëherë domosdo duhet ti përmbajë të dyja arsyet: Të ketë për to kompensim dhe marrje mësim dhe itibar.

Itibari dhe marrja mësim ose bëhet për të mirën të tij, ose për dikë tjetër, ose për të dytë.

Rrjedhimisht, dhimbja që godet profetët, besimtarët, fëmijët, të çmendurit, kafshët dhe personat që nuk konsiderohen të përgjegjshëm sheriatikisht, është që personat e përgjegjshëm të marrin mësim dhe ato konsiderohen butësi dhe dashamirësi për hatër të tyre, prandaj nuk janë veprime të pakontrolluara, dhe nuk janë padrejtësi sepse për to ka kompensim dhe dëmshpërblim .

Në këto dhimbje ka marrje mësim dhe kompensim. Shembulli I kësaj është I ngjashëm me dikë që merr një punëtor; patjetër se duhet t’ia kompensojë. Nëse e merr pa ndonjë arsye është veprim I kotë, e nëse e merr për një arsye e nuk ia jep shpërblimin atëherë konsiderohet zullum. Për këtë arsye, dhimbja konsiderohet veprim i mirë dhe me vend nëse bëhet me një qëllim të lartë dhe i kompensohet.

Pra, mangësitë dhe dhimbjet që u shkaktohen personave të përgjegjshëm dhe të tjerëve, nëse shkaktohen nga ana e Allahut të Plotfuqishëm, atëherë ato konsiderohen të jenë të mira në kuptimin se janë shkaktuar me vend dhe në to të ketë urtësi, e jo të shëmtuara që përmbajnë padrejtësi.

Drejtësia dhe urtësia e Zotit deshi që në këto dhimbje të ketë pra marrje mësim. Përmes këtyre sprovave Zoti dallon durimtarët nga të tjerët. Vërtetohet besimtari i cili është i qëndrueshëm në besimin e tij, robi i kthehet Zotit me lutje dhe përgjërim, shfaqet sinqeriteti I pendimit të mëkatarit dhe i mundësohet krijesës që ta njohë dobësinë e vet. Shembulli i kësaj I ngjason prindit të dhembshur  që i shkakton evlatit të tij një dhimbje me vullnetin për ti bërë mirë. Çdo person i arsyeshëm e kupton mirësinë e një veprimi të tillë.
Megjithëkëtë, Allahu nga mirësia e Tij u premtoi durimtarëve të palëkundur shpërblime të mëdha dhe në librin e Tij fisnik tha: [Të durueshmëve u jepet shpërblimi i tyre pa hesap!](Zumer,10).

[Ne do t'ju sprovojmë me ndonjë frikë, me uri, me ndonjë humbje nga pasuria e nga jeta e edhe nga frytet, po ti jepu myzhde durimtarëve. Të cilët, kur i godet ndonjë e pakëndshme thonë: "Të Allahut jemi dhe vetëm tek Ai kthehemi"! Të tillët janë që te Zoti i tyre kanë bekime e mëshirë dhe të tillët janë ata të udhëzuarit në rrugën e drejtë.](Bekare: 155-157)

Allahu xh.sh. gjithashtu premtoi se përmes tyre shlyen gjynahet e vogla: [S'ka dyshim se veprat e mira i shlyejnë ato të këqijat](Hud,114).

Pejgamberi a.s. ka thënë:"Pesë kategori njerëzish vdesin shehidë (martirë, dëshmorë): Ai që vdes nga murtaja, ai që vdes nga sëmundje barku, ai që vdes duke u mbytur në ujë, ai që varroset i gjallë dhe ai që vritet në luftë për Çështjen e Allahut."(Mutefekun alejhi).

Pejgamberi a.s. ka thënë: "Për çdo mundim, sëmundje, pikëllim, trishtim, dhimbje, fatkeqësi, madje edhe një gërvishtje e një gjembi që i bie myslimanit, Allahu i shlyen atij pjesë nga gjynahet e tij!" (Mutefekun alejhi).

Aishja r.a. tregon: "Nuk kam parë askënd të kishte sëmundje dhe të vuajë më rëndë se i Dërguari i Allahut a.s. (Mutefekun alejhi).

Abdullahu r.a. tregon: "Shkova për vizitë te Pejgamberi a.s. kur ishte sëmurë dhe po vuante nga ethe të forta. I thashë: "Ke shumë ethe të forta. A mos vallë ngaqë do të kesh shpërblim të dyfishtë?,/ Pejgamberi a.s. tha: "Po, vërtet, sepse çdo myslimani që lëndohet nga ndonjë e keqe, Allahu do t'ia fshijë gjynahet siç bien gjethet e pemës." (Mutefekun alejhi).

Enes Iben Maliku r.a. tregon se e ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut të dëftojë: "Allahu i Madhëruar ka thënë: "Në qoftë se e mundoj robin Tim, duke ia marrë dy gjërat e tija të dashura (dy sytë) dhe ai bën durim, atëherë do t'ia kompensoj ata, duke i dhuruar atij Xhenetin." (Mutefekun alejhi).

Pejgamberi a.s. ka thënë: “Kush sëmuret një natë dhe ai është i kënaqur me atë që vjen prej Allahut, i fshihen xhynafet sikur ditën që e ka lind nëna e vet”.

Ka thënë imam Aliu r.a: “Allahu xh.sh. përmes sëmundjeve dhe fatkeqësive ndaj të cilave ankoheni bën falje mëkatesh. Sëmundja i shlyen gjynahet dhe i futë ato nën dhe. Shpërblimi fitohet me gjuhë falënderuese dhe punë te mira me gjymtyrë, dhe Allahu i madhëruar përmes nijetit të mirë fut në xhenet atë që do prej robërve të Tij”.

Nëse ndaj mohuesve dhe gjynahqarëve të mëdhenj zbret ndonjë fatkeqësi, atëherë konsiderojmë se atyre u është përshpejtuar dënimi në këtë botë. Allahu xh.sh. në lidhje me këtë ka thënë: [Çfarëdo e keqe që mund t'ju godasë, ajo është pasojë e veprave tuaja (të këqija), e për shumë të tjera Ai u falë.](Shura,30).

Njëjtë është edhe me dënimet penale që Zoti i ka përcaktuar ndaj kriminelëve, siç thotë: [Laviren dhe lavirin t'i rrihni, secilin prej tyre me nga njëqind të rëna, dhe në zbatimin e dispozitave të Allahut mos u tregoni zemërbutë ndaj atyre dyve, nëse jeni që besoni Allahut dhe botës tjetër. E gjatë zbatimit të ndëshkimit ndaj tyre, le të jenë të pranishëm një numër besimtarësh.](Nur,2).

Dhe ka thënë: [O ju që besuat, u është bërë obligim gjurmimi për dënim për mbytje: i liri për të lirin, robi për robin, femra për femrën. Kurse atij që i falet diçka nga vëllai i vet, atëherë ajo le të përcillët (e atij që fal) kuptueshëm dhe shpagimi (nga dorasi) atij le t'i bëhet me të mirë. Kjo është një lehtësim dhe mëshirë prej Zotit tuaj. E kush tejkalon pas këtij (pajtimi), ai ka një dënim të idhët. 
O ju të zotët e mendjes, kjo masë e dënimit është jetë për ju, ashtu që të ruheni (nga mbytja e njëri-tjetrit).]
(Bekare:178,179)

Në sëmundje, të meta, fatkeqësi dhe gjymti ka edhe urtësi tjera të shumta, prej tyre: pendimi i atij që vazhdon në mëkate, kujtim për atë që ka harruar, marrje mësim për atë që do të marrë dhe kujtim për atë që dëshiron të kujtohet. Ka thënë Allahu xh.sh. në Kuran: [A nuk e shohin ata se për çdo vit sprovohen një herë apo dy herë, e përsëri nuk pendohen e as nuk marrin mësim.](Teube,126) dhe prapë vazhdojnë të bredhin në mashtrimet e tyre.

Marrja mësim nga një sprovë e tillë mund të realizohet edhe me shkaktimin e dhimbjes tek personi tjetër që nuk është i përgjegjshëm, siç është rasti me dhimbjet e fëmijëve dhe të ngjashmëve me ta. Fëmijët mund të vuajnë në këtë botë, duke pasur parasysh natyrën e jetës dhe sprovës që Allahu përmes tyre e realizon për prindërit e tyre dhe rrethin ku ata jetojnë, mirëpo fëmijët janë plotësisht të lirë nga mëkati dhe përgjegjësia. Drejtësia hyjnore tek ta arrihet me anë të teorisë së kompensimit gjithashtu. Të gjitha vajtjet dhe dhimbjet e tyre do të kompensohen. Kjo përfshin edhe fëmijët e jo-besimtarëve dhe, më e rëndësishmja është që, të gjithë fëmijët të cilët vdesin nën moshën madhore janë të destinuar për të shkuar në Xhenet.

Ndaj qafirëve dhe atyre që vdesin pa u penduar nga gjynahet e mëdha nuk do të ketë kompensim. Kurani për ta thotë: [Po për ata që nuk besuan është zjarri i xhehenemit. Ata as nuk gjykohen që të vdesin (të rehatohen), e as nuk u lehtësohet ndëshkimi. Kështu e ndëshkojmë secilin që është shumë mohues.](Fatir,36). Nëse për ta do të ketë ndonjë kompensim, atëherë ai do të jetë me lehtësimin e dënimit në ahiret.

Tema është edhe me e gjatë se kaq. Këtu synuam të japim vetëm disa shkëndija në mënyrë që të kuptohet deri diku drejtësia dhe urtësia hyjnore e Allahut xh.sh.

Qoftë i madhëruar dhe lavdëruar Allahu nga ajo që thonë zullumqarët.

Shtjelloi hoxhë: Drilon Ibrahim Gashi

Tetor, 2017

Në rregull

Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...