A ekziston Perëndia?

A është Zoti i Vërtetë?

 

 I. Islami bazohet në logjikë dhe arsye.

Njeriu në çdo hap të jetës duhet ta ketë një koncept logjik. Kjo nuk do të thotë që ai të fshijë besimin, por parimi i vërtetë i Islamit është se besimi është logjik. Islami nuk do të ishte ai që është nëse nuk do të ishte i logjikshëm dhe kjo është diçka që duhet ta mbajmë në mend. Zemra e Islamit është logjike. Nuk ka hocus-pocus. Nuk ka marrëzira.

 

II. Njohja e Funksionit të Shkencës dhe Rëndësia e Filozofisë

a. Shkenca është studimi i botës natyrore me qëllim të modelimit të sjelljes ose lëvizjes së objekteve natyrore për qëllime të përpunimit dhe parashikimit. Megjithatë, shkenca nuk merret me pyetjet rreth burimit të ekzistencës së objekteve natyrore, çështjeve të moralit, të vërtetave matematikore, rregullave të logjikës, estetikës (studimit të bukurisë), burimit dhe përvojës së vetëdijes.

b. Iniciativa e shkencës moderne është e interesuar të zbulojë rregullat ose ligjet e natyrës me të cilat sillet bota natyrore, por nuk zbulon asgjë rreth origjinës ose shkaqeve përfundimtare të ekzistencës së botës natyrore dhe shkaqeve të ligjeve të natyrës. Për të përdorur një analogji, shkenca ka të bëj me vëzhgimin e pjesëve lëvizëse të figurave të shahut dhe demonstrimin e rregullave të figurave, por shkenca nuk mund të ju tregojë se prej kah kanë ardhur figurat dhe rregullat e lojës ose pse ato ekzistojnë në radhë të parë. Kjo pyetje e dytë mund të përcaktohet vetëm nga filozofia dhe metafizika.

- Eduard Feser në esenë e tij me titulli “Shkencëtarët duhet t’i thonë Lorenc Krausit ta mbyll gojën” ndër tjera ka deklaruar:

"Mendoni për këtë në këtë mënyrë: nuk mund të zbuloni pse ekzistojnë figurat e shahut duke shikuar rregullat e lëvizjes së figurave, të cilat kanë të bëjnë vetëm me atë që ndodh brenda lojës. Rregullat ju tregojnë se si lëviz çdo pjesë, se si fitohet loja, dhe kështu me radhë. Por pse janë rregulluar këto rregulla, në mënyrë specifike, në vend të të tjerave? Pse ekzistojnë në të vërtetë të gjitha këto kuti në tabelën e shahut? Asnjë shqyrtim i rregullave nuk mund t'u përgjigjet këtyre pyetjeve. Është e pamundur t'u përgjigjesh atyre, ose madje edhe të kuptosh pyetjet, nëse nuk merrni një pikë përparësie nga jashtë lojës dhe rregullave të saj. Ngjashëm, ato që zbulon shkenca janë, në fakt, "rregullat" që qeverisin "lojën", që është bota natyrore. Domeni i saj i studimit është ajo që është e brendshme për rendin natyror të gjërave. Presupozon që ekziston një urdhër i tillë sikurse që rregullat e shahut presupozojnë se ka gjëra të tilla si figurat e shahut dhe ekziston tabela e katrorëve ... Kështu, shkenca nuk mund të përgjigjet në pyetjen se pse ekziston kjo botë, ose ky ligj. Për t'iu përgjigjur këtyre pyetjeve, apo edhe për t'i kuptuar ato siç duhet, duhet të marrësh një pikëpamje intelektuale nga jashtë botës dhe ligjeve të saj, dhe kështu jashtë shkencës. Ju duhet të shikoni në argumentin filozofik, i cili shkon më thellë se çdo gjë që fizika mund të zbulojë[1]".

c. Nëse Zoti ekziston, atëherë Zoti është (jo në kuptimin fizik, por në kuptimin ontologjik) ndryshe nga Bota Natyrore dhe përtej gjendjeve antropomorfe.

- David Bentley Hart thotë:

"Gabimi më i përhapur që haset në argumentet bashkëkohore për besimin në Zot - veçanërisht, por jo ekskluzivisht, në anën ateiste - është zakoni i konceptimit të Perëndisë thjesht si një objekt ose agjenci shumë e madhe brenda universit, ose ndoshta anash universit, një qenie midis qenieve të tjera, që ndryshon nga të gjitha qeniet e tjera në përmasa, fuqi dhe kohëzgjatje, por jo ontologjikisht, dhe i cili është i lidhur me botën pak a shumë si një zejtar i lidhur me një objekt"[2].

 

III. Prova se Zoti ekziston - Ekzistojnë vetëm Llojet e Realiteteve Ekzistuese

Logjikisht ka vetëm dy Realitete Ekzistuese:

a. Realiteti i Kushtëzuar: Çdo realitet (njeri, bimë, kafshë, dru, etj.) ekzistenca e të cilit është i mundshëm dhe varet nga diçka tjetër.

b. Realiteti i Pakushtëzuar: Çdo realitet që është i pavarur, dmth. Ekzistenca e të cilit nuk varet nga asgjë tjetër, ose thënë ndryshe Ekzistenca e Domosdoshme. Kjo është ajo që quhet "Zot".

Më poshtë është një shembull i një realiteti të kushtëzuar - një mace e cila për të ekzistuar varet nga realitetet e tjera:

Macja për të ekzistuar varet prej trupit, pastaj trupi i saj varet prej qelizave dhe strukturës së tyre, e qelizat janë të kushtëzuara nga molekulat, e molekulat nga atomet, atomet nga protonet, protonet nga kuarqet, kuarqet nga thërrmia e Higsit, etj.

 

IV. Dëshmia Logjike e Realitetit të Pakushtëzuar (Zoti)

a. Ekziston një realitet i kushtëzuar(macet, kafshët, pemët, njerëzit, era, uji, etj. siç tregohet nga shkenca)

b. Çdo realitet i kushtëzuar(R1) në mënyrë që të ekzistojë gjithmonë varet nga një realitet tjetër (R2) (sipas përkufizimit të realitetit të kushtëzuar).

c. Çdo realitet i kushtëzuar, sipas definicionit, duhet ose të varet vetëm nga:

1.një numër i kufizuar i realiteteve të kushtëzuara

2.ose një numër i pafund i realiteteve të kushtëzuara

3.ose nga një realitet i pakushtëzuar.

d1. Një realitet i kushtëzuar nuk mund të shkaktohet nga një seri e caktuar e realiteteve po ashtu të kushtëzuara. Nëse ka një seri lineare të realiteteve të kushtëzuara, nga çfarë do të varej i pari? Meqenëse ajo duhet të varet nga diçka, dhe nuk ka asgjë para saj, i gjithë zinxhiri linear pushon së ekzistuari. Prandaj nuk mund të ekzistojë një seri lineare e realiteteve të kushtëzuara. Përveç kësaj, nuk mund të ekzistonte as një seri e fundme e rretheve të realiteteve të kushtëzuara. Kjo thjesht do të rezultonte në çdo realitet të kushtëzuar që i përmbushë kushtet e veta, e kjo e shkel definicionin e një realiteti të kushtëzuar. Pra e kushtëzuara nuk mund të mvaret në dikë si vetveten e saj, sepse atëherë bijmë në kotësinë e rrethit vicioz[3].

d2. Realitetet e kushtëzuara nuk mund të ekzistojnë në një zinxhir të pafund[4]. Nuk mund të ekzistojë një seri shumë e madhe e një milion realiteteve të kushtëzuara, as një seri prej një miliardësh, e kështu me radhë. Përderisa numri i realiteteve të kushtëzuara rritet në një seri, rezultati vazhdon të jetë jo-ekzistencë. Duke shtuar vazhdimisht një (milion, miliardë, trilion, etj.) në fund të zinxhirit, kushtet e ekzistencës kurrë nuk do të plotësoheshin, prandaj gjithë zinxhiri i pafund i realiteteve të kushtëzuara kurrë nuk do t'i përmbushte kushtet.

d3. Meqenëse çdo model që përbëhet tërësisht nga realitetet e kushtëzuara nuk mund t'i përmbushë kurrë kushtet e tij, rrjedhimisht, të gjitha realitetet e kushtëzuara duhet të shkaktohen nga një realitet i pakushtëzuar.

e. Prandaj, Realiteti i Pakushtëzuar domosdo EKZISTON.

 

V. Dëshmia se ky Realiteti i Pakushtëzuar është absolut, i thjeshtë dhe jo i përbërë:

a. Çdo gjë që është e përbërë prej pjesëve është e varur dhe e kushtëzuar prej atyre pjesëve.

b. Prandaj, çdo realitet i pakushtëzuar është absolutisht i thjeshtësipas përkufizimit, sepse nuk mund të përbëhet prej ndonjë pjese.

 

VI. Dëshmia se ekziston vetëm një Realitet i Pakushtëzuar:

a. Nëse ka dy realitete të pakushtëzuara (RP1 dhe RP2), atëherë duhet të ketë një karakteristikë diferenciale që e bën RP1 të ndryshëm nga RP2 dhe anasjelltas dhe duhet gjithashtu të ketë një tipar të përbashkët që është i përbashkët për të dy RP1 dhe RP2.

b. Nëse nuk ka një karakteristikë diferenciale midis tyre, atëherë të dyja RP1 dhe RP2 janë në të vërtetë RP i njëjtë.

c. Nëse ekzistojnë RP1 dhe RP2, atëherë RP1 dhe RP2 përmbajnë një karakteristikë diferenciale dhe një të përbashkët, dhe të dyja RP1 dhe RP2 përbëhen prej dy pjesëve: cilësia diferenciale dhe cilësia e përbashkët. Sidoqoftë, është e pamundur që çdo realitet i pakushtëzuar të jetë i përbërë nga ndonjë pjesë si kjo. Prandaj, RP1 dhe RP2 nuk mund të jenë realitete realisht të pakushtëzuara.

d. Prandaj, ekziston vetëm një Realitet i Pakushtëzuar.

 

VII. Dëshmi se Realiteti i Pakushtëzuar është Mbështetës dhe Krijues i të gjitha Realiteteve të Kushtuara:

a. Për shkak se ekziston vetëm një realitet i pakushtëzuar, pra është i vetmi realitet i vetë-mjaftueshëm.

b. Prandaj, çdo zinxhir ontologjik i realiteteve të kushtëzuara, nëse ekziston zinxhiri, në mënyrë që të ekzistojë duhet që në fund të fundit të varet nga një Realitet i Pakushtëzuar.

c. Prandaj, të gjitha realitetet e kushtëzuara (çdo realitet i kushtëzuar) në fund të fundit varen nga një Realitet i Pakushtëzuar për përmbushjen e kushteve të tyre.

d. Prandaj, Realiteti i Pakushtëzuar e krijon dhe mbështet ekzistencën e çdo realiteti të kushtëzuar.

 

VIII. Dëshmi se realiteti i pakushtëzuar tejkalon hapësirën, kohën dhe ekzistencën materiale:

a. Të gjitha realitetet hapësinore-tokësore janë të përbëra – prej pjesëve si atomet, molekulat, koordinatat hapësinore dhe koordinatat e përkohshme.

b. Prandaj, sipas definicionit, Realiteti i Pakushtëzuar është përtej materies, hapësirës dhe kohës.

c. Prandaj, Realiteti i Pakushtëzuar është Ekzistent i Domosdoshëm, trancendental, jomaterial, i përjetshëm, i pandryshueshëm dhe i pandërrueshëm.

 

Drilon Gashi, nëntor, 2017

Shkëputje nga libri im: Argumentet logjike mbi ekzistencen e Zotit 

 

-------------------------------------------------

[1] Edward Feser, (Scientists Should Tell Lawrence Krauss to Shut Up Already).

[2] David Bentley Hart, (The Experience of God: Being, Consciousness, Bliss, 32).

[3] Rrethi vicioz është një situatë në të cilën përpjekja për të zgjidhur një problem krijon probleme të reja që çojnë përsëri në gjendjen origjinale. Ajo është një ide e gabuar në arsyetim, në të cilën objekti është përdorur për të provuar konkluzionin (njohurinë e re), dhe konkluzioni përdoret për të vërtetuar lokalin (njohurinë e vjetër).

Për shembull:

Nëse themi se shkak i ekzistimit të sendit(A)është sendi(B), kurse shkak i (B)është (C), e shkak i (C)është prapë (A), kjo është ajo që dijetarët e quajnë rrotullimi logjik apo qarku i mbyllur i papranuar që supozon prezencën e një sendi para vetvetes dhe pas vetvetes së tij, e kjo është absurde dhe nuk e thotë asnjë i mençur.

Nëse themi kështu, atëherë kemi bërë bashkimin dhe barazimin e dy gjërave të kundërta në të njëjtën kohë (edhe ka qenë edhe s’ka qenë), e kjo s’ka mundësi të ndodhë kurrë.

[4] Regresi i pafund, infiniti i shkaqeve të kushtezuara ose vargëzimi i eventeve thotë se ekzistenca e një gjëje apo eventi varet nga ekzistenca e një tjetri, e ai tjetri nga tjetri, kështu gjer në infinit apo pafundësi.

Regresi është i pavlefshëm për shkak se kjo do të thotë se ekziston një zinxhir i pafund i realiteteve të varura apo të kushtezuara, lidhjet e të cilëve i bashkon në rend i pa fund dhe s'ka asnjë ekzistues i pavarur apo realitet jo i kushtëzuar që i mbështet ato. Kjo është absolutisht e pamundur.