Shumë muslimanë kanë një pikëpamje dypolare të ngushtë: "Myslimani shkon në xhenet, jomuslimani shkon në ferr".

Disa nga dijetarët më të mëdhenj të Islamit, panë shumë më tepër mundësi në këtë çështje.

-Xhahidhi ka menduar se jomyslimani prej çifutëve, krishterëve dhe jobesimtarëve tjerë, në qoftë se kundërshton besimin e vërtetë prej inatit, ai është mëkatar, ndërsa nëse gjurmon dhe nuk arrin ta gjej atë nga pamundësia, atëherë ai është i arsyetuar dhe jo mëkatar. Nëse nuk gjurmon sepse nuk e ka ditur obligueshmërinë e gjurmimit, ai është i arsyetuar gjithashtu. Mëkatari që do të dënohet në botën tjetër është vetëm inatçiu; sepse Allahu nuk e ngarkon asnjë shpirt përtej fushëveprimit të tij. Ata nuk ishin në gjendje të arrijnë deri te e vërteta dhe qëndruan në besimet e tyre të devijuara nga frika e Zotit të madhërishëm. (Citim i përfunduar)[1].

Sipas këtij mendimi, besimi në Zotin nuk është kusht i hyrjes në xhenet, përpos atij që i është ngritur argumenti dhe i është sqaruar fakti, dhe pasi që e ka kuptuar atë, e ka mohuar me inat.

Kjo do të thotë se ne xhenet mund të hyjnë edhe jomyslimanët e sinqertë që nuk e kanë shprehur shehadetin.

-Huxhetul Islami Gazaliu, ka thënë:
“Unë mendoj se shumica e të krishterëve romakë dhe atyre që banojnë në vendet turke në këtë kohë (në kohën e tij këta popuj ishin jomyslimanë) i përfshinë mëshira e Allahut, inshallah. Me këtë synoj romakët dhe turqit e largët të cilëve nuk u ka arritur thirrja islame.
Këta njerëz ndahen në tre kategori:
Kategoria e parë: Ata të cilët nuk kanë arritur të dëgjojnë as për emrin e Muhamedit a.s. Ata janë të justifikuar.
Kategoria e dytë: Kanë dëgjuar për emrin dhe cilësitë e tij dhe mrekullitë që i janë shfaqur atij, të cilët jetojnë afër vendeve Islame dhe përzihen me myslimanë. Këta janë jobesimtarë ateistë.
Kategoria e tretë: Këta janë midis dy kategorive; kanë dëgjuar për emrin e Muhamedit, paqja qoftë mbi të, por nuk u ka arritur cilësia dhe përshkrimi i vërtetë i tij, dhe që në fëmijërinë e tyre të hershme kanë dëgjuar se një gënjeshtar me emrin Muhamed pohoi rrejshëm profecinë, sikur fëmijët tanë që kanë dëgjuar sot për gënjeshtarin me emrin Mukafa i cili ka pohuar se është i dërguar i Zotit dhe ka pretenduar shpallje të rrejshme.
Ky grupi i fundit sipas meje bën pjesë në kategorinë e parë, sepse ata edhe pse dëgjuan për emrin e tij, ata dëgjuan cilësi të kundërta të cilat nuk e përshkruajnë atë, e kjo nuk e motivon njeriun që ta shqyrtojë kërkesën”. (Përfundoi fjala e tij)[2].

Sipas kësaj, ne nuk mund të themi me siguri se të gjithë ateistët do të shkojnë në ferr. Natyrisht, jobesimtarët do të shkojnë në ferr. Por, për të qenë një jobesimtar ju duhet ta refuzoni besimin. Dhe ju nuk mund të refuzoni diçka që kurrë nuk ju ka arritur në formën e duhur më parë.

Ata që jetuan në kohën kur nuk kishte pejgamber apo atyre që nuk u arriti thirrja hyjnore, qoftë prej atyre që kanë besuar se ka Allah apo prej atyre që nuk e kanë besuar këtë, do të llogariten në bazë të krimeve dhe do të shpërblehen në bazë të punëve të tyre të mira.

[Argumentet]

Kurani thotë: [Allahu nuk e ngarkon shpirtin përveçse brenda kapacitetit të tij] (Bekare,286)

Dhe ka thënë: [Përqendro vetveten tënde sinqerisht në natyrshmëri, i larguar prej çdo të kote, (e kjo natyrshmëri), është natyra (feja) e Allahut në të cilën i krijoi njerëzit, s'ka ndryshim të kësaj natyrshmërie të krijuar nga Allahu. Kjo është feja e drejtë, por shumica e njerëzve nuk e dinë](Rum:30).

Duke iu referuar këtyre ajeteve nga Kurani, si prisni që një jomysliman që nuk i pa mësimet e vërteta të Islamit, por pa vetëm të këqijat, luftërat, bombardimet dhe mosmarrëveshjet, do të ndëshkohet nga Allahu xh.sh?

Si prisni që dikush në këtë gjendje ta pranojë Islamin?

Në dekadat e para të Islamit, njerëzve nuk u kërkohej që të besonin pa prova. Pejgamberi savs erdhi me mrekulli, si dhe prova racionale.

A nuk është Allahu mëshirues dhe i drejtë? Si mund t'i gjykojë njerëzit në të njëjtën mënyrë kur ata nuk jetuan në kushte të njëjta?

Shumë njerëz e njohin Islamin vetëm si religjion të "martesës së një të ashtuquajturi profet me një vajzë shtatë vjeqe ..." sepse çdo ditë atyre u bëhet lavash truri nga informacione të rrejshme dhe hadithe të shpikura. Dhe pasi ata kanë një familje për të ushqyer, ata nuk kanë kohë për të hetuar gjerësisht dhe në mënyrë shkencore. Ne mund të konkludojmë se mesazhi i vërtetë i Islamit asnjëherë nuk u ka arritur këtyre njerëzve.

Atëherë si mund t'i fajësosh këta njerëz për mosbesim? Kjo gjë nuk ka kuptim.

Njerëzit në rrethana të tilla do të gjykohen nga Allahu xh.sh sipas kodit universal të sjelljeve, si padrejtësia, pandershmëria etj. Veprat e tyre të mira nuk do të shkojnë pa shpërblim. Zoti i do të gjithë ata që krijoi, madje edhe jobesimtarët. Megjithatë, të gjitha qeniet njerëzore nuk janë të barabartë në veprat e tyre, prandaj ekzistojnë disa grada dhe shtresa.

Sipas kuranit, është e rëndësishme të jesh i drejtë, i ndershëm dhe respektues i të tjerëve: [Ai që ka punuar ndonjë të mirë, qoftë ajo e vogël madje sa thërmia, do ta shohin atë, kurse ai që ka punuar të keqe, qoftë madje sa thërmia – do ta shohin atë](Zelzele:7,8)

Allahu xh.sh. është Zot i gjithë njerëzimit e jo vetëm Zoti i Myslimanëve. Kur'ani është për të gjithë njerëzimin. Në Islam dhe në Kuran ekziston univerzaliteti. Kurani thekson se profeti është [mëshirë për të gjithë njerëzimin] (Embija, 107) dhe [Allahu është Zot i gjithë njerëzimit] (Shiko për këtë vargjet : Fatiha, 1; Bekare,21; Nisa, 1; Nisa, 132; Fatir, 3; Shura, 23; Huxhurat, 13 etj).

Më i miri të Zoti është ai që është ruajtur nga zullumi dhe ka qenë i devotshëm, e jo ai që thjeshtë ka dëshmuar me fjalë goje se është mysliman: [O ju njerëz, vërtet Ne ju krijuam juve prej një mashkulli dhe një femre, ju bëmë popuj e fise që të njiheni ndërmjet vete, e s'ka dyshim se te Allahu më i ndershmi ndër ju është ai që më tepër është i devotshëm ( është ruajtur nga të këqijat), e Allahu është shumë i dijshëm dhe hollësisht i njohur për çdo gjë](Huxhurat, 13).

Islami i vërtetë është rrëmbyer nga politikat e kohës, duke filluar prej dinastive të para si dinastia Umejade zullumqare dhe të tjerat si ajo, për shkak të diskriminimit dhe injorancës së autoriteteve dhe juristëve të tyre. Ata e shndërruan islamin në atë mënyrë që Allahu, Pejgamberi dhe Kurani të jenë vetëm për ta (arabët), kur realisht ai është mëshirë për të gjithë. Të tillët dhe sivëllezërit e tyre prej çifutëve dhe atyre që ishin të krishterë mendojnë se kanë monopolizuar Zotin dhe xhenetin e Tij, vetëm pse rastësisht kanë lindur në religjionin e trashëguar prej baballarëve të tyre.

Kush nuk beson në Allahun xh.sh. për shkak të një dyshimi që ai nuk ka pas mundësi ta kundërshtojë, apo për shkak të dobësisë intelektuale dhe dështimit të thirrësve besimtarë që tia sqarojnë atë, mohuesi në këtë rast nuk konsiderohet mbulues i të vërtetës (kafir). Ky person në Ditën e Gjykimit do të llogaritet në bazë të kodit universal të sjelljes dhe do të dënohet për ato gjëra që janë pajtuar mendjet se janë të shëmtuara, si f.v.: Vrasja, vjedhja, zullumi, ngrënia e pasurisë së tjetrit me pa të drejtë, e kështu me radhë, sepse zullumet e tilla logjikisht nuk arsyetohen.

Kurani për këtë thotë: [Ne nuk dënojmë asnjë popull, para se të çojmë të dërguar] [Isra, 15]. Ky ajet është i formës së përgjithshme dhe na jep të kuptojmë në mënyrë shumë të qartë se atyre që kanë vdekur para se tu arrijë shpallja hyjnore, nuk do të dënohen në zjarr, përkundrazi ata janë të shpëtuar.
Allahu ka thënë: [Këtë (dërgimin e të dërguarve) ngase Zoti yt nuk është që për shkak të mëkatit të shkatërrojë një vend, e banorët e tij të jenë të painformuar](Enam,131).
Allahu gjithashtu ka thënë: [Zoti yt nuk është i tillë që të shkatërrojë vendbanimet para se në kryeqendër të tyre të dërgoi Pejgamber, i cili do t'ua lexojë atyre argumentet Tona, dhe Ne nuk shkatërruam vendbanime, pos vetëm kur banorët e tyre ishin zullumqarë] (Kasas, 59).
Dhe ka thënë: [Të dërguar që ishin lajmgëzues e kërcënues, ashtu që pas dërgimit të dërguarve njerëzit të mos kenë fakt (arsyetim) para Allahut. Allahu është i pavarur në sundimin e vet dhe di si të veprojë] (Nisa, 165).
Pika argumentuese në këto ajete është se Allahu i ka siguruar njerëzit prej dënimit para arritjes së lajmit të profetëve.

[Llojet e jomyslimanëve]

Sa i përket jomyslimanëve, ekzistojnë lloje të ndryshme të tyre.

-Një lloji prej tyre është arrogant, nuk bën hulumtim dhe mohon në atë mënyrë që mundohet të tallet me fetë dhe të vërtetat.
-Në mesin e tyre kemi edhe kërkuesin serioz që vdiq para gjetjes së përgjigjeve dhe kurrë nuk e lëndonte askë.

A nuk ndryshojnë?

[Allahu është mbikqyrësi i robërve të tij](Gafir,44) dhe [Allahu nuk e obligon asnjë njeri përtej mundësisë së tij](Bekare, 286).

Besimet e njeriut në të shumtën e rasteve nuk janë vullnetare, por atij i janë imponuar ato që në fëmijërinë e tij të hershme. Është një rezultat i pashmangshëm psikologjik se si të formohet mendja dhe pikëpamjet e paraqitura. Nëse i ofrohet një fe dhe bindje tjetër, atëherë mendja e tij automatikisht e urren dhe nuk e favorizon atë, sepse ai është i detyruar të mos e mbrojë. Nuk mund ta konsiderojë të mirë. Prandaj i tilli nuk është përgjegjës për besimin e tij, prandaj Zoti nuk e obligon askënd përtej fuqisë së tij. Shembulli i kësaj është sikur shembulli i atij që është i verbër ndaj ngjyrërave, ku të zezën e shikon të kuqe; nuk fajësohet për këtë ... Po kështu edhe çështja e gjërave logjike filozofike.

[Kuptimi i kufrit]

E nëse dikush pyet: Cfarë thoni për ajetin: [Kushdo që kërkon një fe tjetër përveç Islamit, nuk do të pranohet prej Tij, dhe ai në botën tjetër është nga të dëshëpruarit] (Ali Imran, 85), dhe ajetin: [S'ka dyshim se Allahu nuk falë (mëkatin) t'i përshkruhet Atij shok (idhujtarinë), e përpos këtij (mëkati) i falë kujt do] (Nisa, 48)?

Përgjigja: Kjo është nëse ne e dimë se çfarë do të thotë kufri në të vërtetë.

Fillimisht duhet ta dijmë se shpallja qafir (tekfiri) është çështje eksluzive e Zotit të botëve - është hak i Zotit, dhe nuk konsiderohet kafir vetëm ai që Zoti e ka konsideruar të tillë. Kjo e para.

E dyta: Fjala qafir rrjedh prej foljes arabe "ke-fe-re" që gjuhësisht është mbulimi i diçkajes. Natës i thuhet kafir sepse ajo e mbulon ditën dhe njerëzit me errësirë. Edhe bujkut arabisht i thuhet kafir, sepse ai e mbulon dhe e fsheh farën nën dhe. Kafir quhet edhe ai që mohon mirësinë që i është bërë, etj.

Mohues quhet edhe ai që mbulon të vërtetën; sa më e madhe që të jetë ajo e vërtetë, aq më i madh është kufri ndaj saj. Për këtë arsye, mohuesi i Zotit është qafiri më i madh sipas kuranit, sepse ai ka mohuar të vërtetën me të madhe të mundshme ekzistuese.

Mohues sipas kuranit quhet edhe ai që bën zullum ndaj urdhrit të Zotit dhe nuk e respekton atë. Këtu hyjnë edhe ai që përmes maxhisë bën zullum, lënësi i namazit, ai që braktisë zukatin dhe kryerjen e haxhit, ai që ha kamatën, etj. Përderisa çdo punë e mirë quhet iman, po kështu edhe çdo punë e keqe është prej kufrit.

Mirëpo këtu duhet të kemi kujdes. Kufri që ka të bëj me çështjet e besimit është mbulimi i të vërtetës, e jo thjeshtë kundërshtimi i besimit apo mohimi i një kushti që dikush prej sekteve dhe doktrinave e numëron kusht të besimit. Ai i cili mohon të vërtetën duke e menduar atë për të kotë, ai në këtë rast nuk e ka mohuar të vërteten sipas tij, por ka mohuar të kotën, prandaj me gjuhën e kuranit nuk quhet mbulues i të vërtetës.

Qafir është vetëm ai që e njeh të vërtetën dhe e mohon atë. Ai që e diti, por e mohoi të vërtetën, ai është kafir.

Tani, njerëzit e Japonisë, Amerikës dhe Evropës, të cilët nuk u arriti e vërteta, sipas këtij definicioni që dhamë, nuk kanë normë juridike kuranore të caktuar, nuk janë kafirë, por vetëm njerëz (nas). Për shkak se kafir për të qenë mohues i të vërtetës duhet së pari të njohë të vërtetën, dhe pasi që e njohu atë, atëherë ta mohojë ose ta mbulojë atë.
Si rrjedhojë, injoranti nuk është kafir por një prej njerëzve (ja ejuhen-nas-o ju njerëz) dhe është nën vullnetin e Allahut (fitrah).

Në nuk dyshojnë në atë që thotë Kurani se qafirin do ta zë belaja e përjetshme në xhehenem. Zoti ne Kuran ne shume ajete pohon se mohuesit (qafirat) do te denohen, mirëpo ajo e cila po mundohemi ta sqarojmë këtu është: Çka do të thotë qafir dhe kush quhet qafir sipas terminologjisë së kuranit.

Pra, nëse një njeri moshërritur dhe i menqur, vdes pa e pranuar Islamin, Kuranin dhe Muhamedin, jo për shkak të inatit, por për shkak se me gjithë sinqeritetin dhe mundin e tij nuk ka arritur ti njohë këto, ky njeri do të jetë nën mëshirën e Zotit, mëshira e të cilit ka përfshirë gjithë alemin.

Një lexim i tillë i Kuranit tregon se në të vërtetë shpëtimi nuk është e drejtë ekskluzive e asnjë komuniteti të vetëm fetar. Për të hyrë në xhenetin e Zotit, nuk të bën dobi filan doktrina e as mez'hebi, por "puna". Ekzistojnë 1.5 miliardë myslimanë të konfeksioneve të ndryshme, degë, ndarje kulturore, aleanca politike dhe shkolla të mendimit - shumë prej të cilave janë kontradiktore reciprokisht. Prandaj, Islami dhe Muslimanët nuk mund të shihen si një masë e vetme homogjene. Ndoshta besimi i vetëm i përbashkët i të gjithë muslimanëve është se Zoti është një dhe Muhamedi është Profeti i Tij.

Kufri nuk është kufër dhe nuk realizohet vetëm se me inat. Zoti nuk i dënon jobesimtarët për shkak të mosbesimit të tyre, por vetëm ata që kur panë argumentet dhe I kuptuan ato ishin me të vërtetë të pabindur. Ai i cili u informua për thirrjen e vërtetë dhe qe I bindur për vlefshmërinë e ftesës, por tek ai ndikoi inati dhe u motivua nga interesat personale.

Kurani thotë: [ Dhe, ata i mohuan ato – duke qenë zullumqarë dhe mendjemëdhenj – por shpirti i tyre i besonte për të vërteta. Pa, shiko, çfarë ka qenë fundi i ngatërrestarëve!] (Neml, 14).
Dhe ka thënë: [Kur atyre u erdhi Libri (Kur’ani nga ana e Perëndisë (të cilin e prisnin), e i cili vërtetoi atë që patën ata, - e qysh përpara luteshin për ndihmë kundër paganëve – dhe kur u erdhi ajo që e dinin se është e vërtetë, e mohuan atë; dhe prandaj mallkimi i Perëndisë qoftë mbi mohuesit!](Bekare,89).

Dhe thotë: [E ata që mohuan (Kur'anin dhe Muhammedin), për ta është njësoj ua tërhoqe vërejtjen apo nuk ua tërhoqe, ata nuk besojnë](Bekare, 6). Është e pamundur që ky ajet të flet për injorancën, por për inatin.

Dhe ka thënë: [Unë do t'i zbraps nga argumentet e Mia ata të cilët pa pasur të drejtë bëjnë kryelartësi në tokë, të cilët edhe nëse shohin çdo argument nuk besojnë, dhe nëse shohin rrugën e shpëtimit nuk e marrim atë rrugë, e nëse e shohin rrugën e gabuar ata e marrin atë rrugë. Këtë (këtë verbërim të tyre), ngase ata përgenjështruan faktet Tona dhe ngase i lanë pas dore ato](Araf,146).

Zoti sipas kuptimit të këtyre ajeteve, Zoti i bën hesap njerëzit sipas qëndrimit të tyre ndaj të vërtetës. Nëse atyre iu është sqaruar argumenti dhe janë bindur që është I vërtetë, mirëpo ia kanë kthyer shpinën dhe e kanë braktisur, dhe në anën tjetër u është sqaruar e kota se është e kotë dhe kanë vazhduar ta pasojnë atë, atëherë ata për këtë arsye e kanë merituar dënimin e Zotit, e jo për shkak të rezultateve që ata I kanë ndërtuar gabimisht sepse janë bazuar në premise të kota me padije.

[Cfarë është shirku?]

Problematike tjetër kemi edhe me atë se çfarë është politeisti (mushriku)? Politeizmi nuk ka të bëjë vetëm me adhurimin e idhujve, por edhe ti shoqërosh Zotit rabinë, priftërinj, mjeshtër dhe dijetarë. Kurani gjithashtu thotë: [Dhe ata do të thonë," Zoti ynë, vërtet ne iu bindëm zotërinjve tanë dhe dinjitarëve tanë por ata na shmangën nga rruga e drejtë](Ahzab,67)

Politeizmi është një çështje e madhe, mos mendoni se është kaq e thjeshtë, dhe nuk është i kufizuar vetëm në adhurimin e idhujve. E shikoni, se ju ndoshta do të gjeni se ne që quhemi myslimanë mund të jemi më kafirë dhe politeistë se jomyslimanët.

[Argumente tjera]

Transmeton Ebu Bekri, Hudhejfja, Ebu Seid Hudriu dhe Ebu Hurejra se i Dërguari i Allahut, ka thënë:

"Ka qenë para jush një njeri të cilin Zoti e kishte begatuar me mall e evlat, mirëpo ai e kishte ngarkuar vetveten me gjynahe, e kur i erdhi vdekja , u tha bijve të tij: Çfarë babai kam qenë për ju? Ata thanë: Një baba i mirë. Tha: Jo, unë nuk kam asnjë punë të mirë të Zoti. Ma jepni besën se do të veproni atë që do tu them, ose përndryshe pasurinë time do t’ia lë trashëgimi dikujt tjetër! Kur unë të vdes, ma digjni trupin tim, derisa të bëhet shkrumb e hi, e pastaj një pjesë të tij hidheni në det, e pjesën tjetër le ta merr era, sepse për Allahun, nëse Allahu më ngjall mua, ai do të më dënojë në një mënyrë që nuk e ka ndëshkuar askënd tjetër. Kështu që familja e tij e bëri këtë gjë me të, por Allahu i Gjithëfuqishëm dhe Sublim, e urdhëroi tokën që ta kthej atë që kishte marrë dhe ai u ringjall dhe doli para Zotit, e atëherë e pyeti: "Çfarë të shtyri që të bësh këtë o robi im?" Ai tha: "Droja ndaj teje o Zot dhe Ti e di këtë. Atëherë Allahu e fali atë për shkak të kësaj". (Buhariu, Muslimi, etj.)

Janë dhënë interpretime të ndryshme për këtë hadith.

Ky njeri shohim se nuk ka mohuar argumentin, por ka qenë injorant ndaj tij; ka menduar se nëse e vepron këtë gjë, Allahu nuk do të ketë mundësi ta ringjallë, megjithatë Allahu e arsyetoi dhe fali atë.

Ka thënë Ibën Abdulberri në komentin e Muvetasë: Ky njeri ka dyshuar në fuqinë e Allahut pasi që të digjet e të bëhet shkrumb e hi, sikur që ka dyshuar edhe në ringjalljen e tij pas kësaj, mirëpo ai ishte xhahil, e kush nuk e di një atribut prej atributeve të Zotit nga injoranca dhe beson dhe I njeh atributet e tjera të Tij nuk është kafir. Dijetarët kanë thënë se kafir është ai që e mohon të vërtetën me qëllim, e jo ai që e ka mohuar për shkak të injorancës. Ky është mendimi I dijetarëve klasik dhe atyre që kanë trasuar interpretimin e tyre prej atyre më të mëvonshëm[3].

Nëse dikush thotë: Mirëpo ky njeri ishte besimtar në Zotin një, kishte teuhid, hadithi nuk flet për njerëzit pabesimtar.

Them: Ky njeri ka dyshuar në fuqinë absolute të Allahut dhe në ringjalljen. Kusht i besimit është të pranohet fuqia e Zotit dhe të besohet ringjallja. Mirëpo ky u arsyetua për shkak të qëllimit të tij të mirë. Këtu është poenta.

Nëse ky njeri arsyetohet për shkak të njetit të tij të mirë, atëherë pse të mos arsyetohen edhe të tjerët që janë në shkallën e tij.

Analogjia duhet që të jetë e njëjtë për të gjithë.

Sa e sa mysliman injorojnë tenzihun dhe disa cilësi të Zotit, megjithatë kemi shpresë që Zoti do ti falë e mëshirojë për shkak të qëllimit të tyre të mirë.

Sa e sa tjerë bëjnë tavaf varrezave, kanë bindje të gabuara ndaj dijetarëve të ehli bejtit, megjithatë arsyetohen me injorancë dhe për shkak të njetit të mirë të tyre dhe nuk shpallen kafirë.

Po kështu edhe nëse një jomysliman e gjurmon të vërtetën, mirëpo nuk e arrin atë në formën e saj të plotë, me gjithë faktin se ai ishte i sinqertë në gjurmimet e tij dhe punë-mirë, ky njeri arsyetohet dhe shpresojmë që nesër të jetë nën mëshirën e Zotit, inshallah.

Edhe ky hadith pra dëshmon atë që jemi duke e thënë.

Argumente të ngjashme ka shumë, dhe gati të gjithë dijetarët islam e kanë arsyetuar atë mysliman që nga injoranca i mohon disa kushte apo farze të fesë, ndër ta edhe Ibën Tejmije dhe nxënësi i tij Ibën Kajimi.

Vërejtje: Vetëm Zoti i botëve ka drejt që ti gjykojë njerëzit për mosbesimin e tyre, jo njerëzit. Ka dallim të madh me thënë në mënyrë të përgjithshme se çdo kafir do të jetë në zjarr dhe mes fjalës: filani është në zjarr.
Tjetër: Kjo që jemi duke thënë nuk nënkupton saktësim të feve dhe filozofive të kota; nuk presupozon se feja krishtere në më krye trinitetin, jehudizmi, zoroastrizmi, idhujtarizmi, etj, që të gjitha janë të vërteta. Jo, asnjëherë. Të gjitha janë të kota përveç islamit, me logjikë të shëndoshë dhe me argumente hyjnore fetare. Ajo që jemi duke vënë në theks është se Zoti në Ditën e Gjykimit do ti llogarisë njerëzit në bazë të sinqeritetit të tyre dhe zellit të tyre në kërkim të rrugës, pamarrë parasysh se a e kanë qëlluar atë a jo. Zoti i gjithëmëshirshëm është prapa qëllimit të çdo kujt!

Është shumë e çuditshme me disa njerëz dhe hoxhallarë që pretendojnë t’i kenë marrë çelsat e ahiretit në dorën e tyre e të cilët deklarojnë se filan jomyslimani do të jetë midis xhehenemit, kur ata nuk dinë se çfarë kishte në zemrat e tyre.

Kurani thotë: [Është e sigurt se Allahu do të bëjë dallimin (do të gjykojë) në ditën e kijametit midis atyre që ishin besimtarë (muslimanë) dhe atyre që ishin jehudi, sabejë, të krishterë, zjarrputistë, idhujtarë. Allahu di dhe vështron çdo gjë](Haxh,17).

Dhe ka thënë: [Vërtet, ata që besuan, ata që ishin jehudi, krishterët, kush besoi prej tyre (sinqerisht) All-llahun, dhe botën tjetër dhe bëri vepra të mira, ata e kanë shpërblimin te Zoti i tyre. Për ta nuk ka frikë as nuk kanë përse të pikëllohen](Bekare, 62). Fjala (Për ta nuk ka frikë as nuk kanë përse të pikëllohen) e ka kuptimin se do të jenë prej atyre që do të shpëtojnë.

Kush janë ata njerëz marrin rolin e Zotit dhe i gjykojnë krijesat e Tij qyshse në këtë botë se ku do të jenë në Ditën e Kiametit?! Doktrina e tyre nuk është domosdoshmërisht kushtetuta nën të cilën punon Zoti i Alemit.

Si rrjedhojë e kësaj, mos thuaj për çdo ateist mohues (qafir), sepse atij ka pas mundësi i ka munguar argumenti i Kuranit edhe nëse ka dëgjuar për të, sepse dallimi mes Kuranit dhe argumentit të tij është sikur dallimi mes ligjit fizik dhe provës së tij.

Ka thënë imam Sheltuti-myftiu i dikushëm i Egjiptit: “Kufri që të qon në zjarr është mohimi i atij që I ka arritur relevata islame, që I ka arritur në mënyrë të saktë dhe ai ishte i denjë të përdorte arsyen, domethënë të mendonte dhe të logjikonte, dhe pastaj e diti se ajo ishte fe e drejtë mirëpo ia ktheu shpinën dhe e përgënjeshtroi. Ky është qafiri”.

E nëse dikush thotë: Argumenti është dëgjimi se ekziston Kurani, e jo kuptimi i tij. Sot kurani është përkthyer në të gjitha gjuhët e botës dhe njerëzit kanë dëgjuar për të. Ata duhet të interesohen dhe ta lexojnë atë!

I thuhet atij: Nëse kjo do të ishte e vërtetë, atëherë fjalimi në kuran me (O ju njerëz) nuk do të kishte kuptim dhe ardhja e profetëve me mrekulli do të ishte lojë dhe pa kurrfarë rëndësie.

Ka dallim të madh mes arritjes së kuranit dhe kuptimit të provës së tij, sikurse që dallon ardhja e profetëve dhe kuptimi i argumentit të tyre deri tek njerëzit e thirrur.

Ajo që muslimanët e dinë është se Kur'ani është Fjala e Perëndisë. Sa për kuptimin e argumentit të Kur'anit, këtë nuk e dinë as hoxhallarët e tyre, e lere më.

Kuptimi I argumentit është linja ndarëse në klasifikimin e njerëzve midis një besimtari dhe një kafiri dhe mes realitit të dominuar nga virtyti dhe tjetrit që sundohet nga rezilja. Kuptoje!

[Çfarë është Islami sipas Kuranit?]

Sipas Kuranit, Islami përbëhet nga 3 faza:

Faza e parë: Përkushtimi ndaj së vërtetës, ta kërkosh informacionin e saktë; problem kyryesor I paganëve mekas në kohën e profetit ishte se ata nuk qenë në gjendje ta dëgjojnë të vërtetën.

Faza e dytë është nënshtrimi ndaj të vërtetës. Nëse ata e pranojnë të vërtetën, janë udhëzuar në rrugën e drejtë.

Faza e tretë janë veprat e mira që reflektojnë nga kjo e vërtetë.

Përkushtim i sinqertë ndaj të vërtetës, dorëzimi ndaj kësaj të vërtete, lënia e gjynaheve të mëdha dhe veprimi I punëve të mira që rrjedhin prej kësaj. Ky është kuptimi kuranor i Islamit.

Nëse i keni plotësu këto kushte, ju jeni mysliman.Tash, në momentin kur ju thoni se nuk jeni mysliman, i bie se ju jeni kundër kërkimit të së vërtetës dhe pranimit të saj, kundër punëve te mira, kundër devotshmërisë, kundër drejtësisë, jeni jo i mëshirshëm, jo besnik dhe jo intelektual.
Islami i kuranit nuk është diçka tjetër.

[Objektivat e Islamit]

Sa i përket qëllimeve të islamit (makasid), ato janë më shumë se gjashtëmbëdhjetë, prej tyre: Devotshmëria, drejtësia, udhëzimi, uniteti, intelekti, pastrimi shpirtëror, liria e fjalës dhe besimit, mëshira, reflektimi, meditimi, falënderimi i dhuntive, sinqeriteti, bamirësia, njohuria dhe urtësia, etj.

Më e rëndësishma e tyre është arritja e devotshmërisë, që është të përmbajturit nga zullumi.

Allahu në Kuran tha: [Unë nuk krijova xhinët dhe njerëzit përveçse të më adhurojnë](Dharijat, 56).

Por pyetja është: Cili është qëllimi dhe objektivi i adhurimit?

Përgjigja e kësaj pyetje është në ajetin tjetër kuranor që thotë: [O njerëz, adhuroni Zotin tuaj, që ju krijoi ju dhe ata që ishin para jush, (pse?) që të bëheni të devotshëm] (Bekare, 21)

Devotshmëria sipas Kuranit është e kundërta e dëmit dhe zullumit: [Bashkëpunoni në mes vete në drejtësi dhe devotshmëri, e mos bashkëpunoni në mëkat dhe zullum](Maide, 2).

Nëse mendoni se mysliman është vetëm ai që thotë një fjalë goje (shahadetin) dhe kryen katër ritet e njohura fetare (namazin, zekatin, agjërimin edhe haxhin), e keni shumë gabim!
Këto rite sipas kuranit janë (mjete) që qojnë tek (objektivat) dhe qëllimet e larta të islamit.

Allahu i madhëruar në lidhje me këtë ka thënë: [Nuk është tërë e mira (e kufizuar) t'i ktheni fytyrat tuaja kah lindja ose perëndimi, por mirësi e vërtetë është ajo e atij që i beson Allahut, ditës së gjykimit, engjëjve, librit, pejgamberëve dhe pasurinë që e do ua jep të afërmve, bonjakëve, të varfërve, udhëtarëve, lypësve dhe për lirimin e robërve, dhe ai që e fal namazin, e jep zeqatin, dhe ata që kur premtojnë e zbatojnë, dhe të durueshmit në skamje, në sëmundje dhe në flakën e luftës. Të tillët janë ata të sinqertit dhe të tillët janë ata të devotshmit](Bekare, 177).

Kjo është edhe esenca e riteve fetare. Të gjitha ato janë mjete që duhet të shpiejnë tek devotshmëria.

Besimi në Zotin, librat e shenjta dhe Ditën e Kijametit të ndihmon ty që të realizosh këtë devotshmëri.

Nuk është mysliman ai që dëshmon vetëm me fjalë gojë shahadetin. Shahadet në gjuhën arabe do të thotë dëshmi; thuhet: Ka dhënë dëshminë para gjykatësit, në kuptimin: Ka pranuar apo miratuar përpara gjykatësit. Iblisi e ka pranuar para Allahut se Ai është Një dhe i Vetëm. Ai i ka pranuar edhe profetësitë e pejgamberëve, mirëpo vepron gjynafe dhe krime dhe nuk bën vepra të mira.
Për këtë arsye, nëse një mysliman nuk bën vepra të mirë, por tradhton dhe bën poshtërsi është i njëjtë me Iblisin. Atij nuk do ti bëj dobi dëshmia dhe as lutjet e thjeshta të tij.

Qëllimi kryesor I namazit është arritja e devotshmërisë, pra që të na bajë larg imoralitetit dhe keqbërjes: [fal namazin, vërtet namazi largon nga të shëmtuarat dhe të irituarat, e përmendja e Allahut është më e madhja (e adhurimeve)](Ankebut,45).

E njëjta vlen edhe me agjërimin: [O ju që besuat, agjërimi u është bërë obligim sikurse që ishte obligim edhe i atyre që ishin para jush, kështu që të bëheni të devotshëm](Bekare,183)

Në kuran nuk ka (që të luteni), apo (që ju të agjëroni; rrini pa buk e ujë), apo (që të jepni zekat), apo (që të pastroheni nga xhenabeti).

Pesë shtyllat e njohura të Islamit janë mjete pra që shpiejnë në këto qëllime kuranore, mirëpo mileti u mashtru pas formave të ritualeve dhe e ka harru thelbin e fesë dhe besimit.

Drejtësia është objektivë tjetër kryesore në kuran: [Ne i dërguam të dërguarit Tanë me prova të qarta dhe bashkë me ta Ne zbritëm Librat e shenjtë dhe peshoren: që njerëzit t'i përmbahen drejtësisë] (Hadid,25). Islam është që ju të jeni i drejtë në sundim dhe gjykim.

Kur'ani është një sistem rigoroz, jashtëzakonisht i plotë dhe i kujdesshëm. Kjo është kultura kuranore dhe qëllimet e saj. I tërë qëllimi i adhurimit në Kuran është devotshmëria dhe drejtësia.

Pasi që e more vesht këtë, atëherë mund ta dish se çfarë është islami, cilat janë objektivat e tij dhe sa neve jemi myslimanë besimtarë.

Nëse shqyrtoni këtë lloj Islami (nënshtrimi-istislami), athua vallë, a e sheh atë në vendet “islame” dhe vetëm tek “myslimanët”?!

Dijetari bashkëkohor Hasan Ferhan El Malikij thotë: “Unë mendoj se 'ndoshta' ka më shumë njerëz në xhenet nga vende të tjera se sa nga muslimanët, sepse ne gjejmë se qëllimet (maqasid) e Kuranit mungojnë të myslimanët. Islami që e jetojnë sot shumë sekte myslimane, është një leckë fallce e shkurtuar dhe e qepur sipas dëshirave dhe tekave sektare, nuk është islami i vërtetë i Kuranit dhe as i Muhamedit, nuk është islam I shekullit të parë”.

Pas kësaj soteriologjie islame që sqaruam, na bëhet e qartë se islami që ka dështuar dhe po dështon nuk është islami i Kuranit fisnik, islami I Allahut të madhëruar, por është islami popullor sektar, islami historik dhe i shpifur politik, islami perandorak i filan kalifit.

[Ne Kur'anin e bëmë të lehtë për mësim, po a ka ndokush që merr mësim...?](Kamer:17)

Kush është i sinqertë në gjurmimin e tij dhe e kërkon këtë të vërtetë, Allahu do t’i ndihmojë: [E ata të cilët përpiqen për hir Tonë, Ne me siguri do t'i udhëzojmë në rrugën Tonë. Nuk ka dyshim se Allahu është me bëmirësit](Ankebut,69).

Zoti na udhëzoftë të gjithëve në Islamin e vërtetë.

Shkroi hoxhë: Drilon Ibrahim Gashi

Gusht, 2018.

-----------------------------------------------------------

[1] Gazaliu në “Mustesfa”, fq.

[2] Gazaliu, “Fejsalu Tefrikah”, fq.
Shënim: Ky mendim i Gazaliut dallon me mendimin e tij që ka përmendur në librin Mustesfa, mirëpo si duket e ka lënë atë, sepse libri Fejsalu Tefrika është më i mëvonshëm.

[3] Temhid, voll. 18, fq. 42 me një ndërhyrje të vogël.