Pyetje:

Cila është dispozita sheriatike për ngritjen e zërit brenda xhamisë për të bërë dhikër?

Përgjigja:

Dhikri në xhami është dy llojesh:

-Lloji i parë: Synet, pas pesë namazeve.

-Lloji tjetër: Dhikri që bëhet në kohë tjera, jashtë kohëve të namazit.

Sa I përket dhikrit synet pas pesë namazeve;për vlerën e tij është transmetuar hadithi në vijim:

Transmeton Muslimi nga Ebu Hurejre r. a se I dërguari I Allahut r ka thënë: “Ai që thotë pas çdo namazi tridhjetetre herë “Subhanallah”, tridhjetetre herë “Elhamdulilah” dhe tridhjetetre herë “Allahu Ekber”;që janë nëntëdhjetenëntë, e pastaj e plotëson të njëqindtën herë me “la ilahe ilallahu uehdehu la sherike leh, lehul mulku ue lehul hamdu ue huve ala kuli shejin kadir (Nuk ka Zot tjetër përveç Allahut Një dhe i Pashoq. Atij i takon sundimi dhe Lavdërimi, Ai është i Plotfuqishëm mbi çdo gjë)”, i falen mëkatet e tij edhe nëse ato janë sa shkuma e detit! ” [1] .

Ngritja e zërit në dhikër është e ligjshme, edhe pse disa dijetarë kanë thënë se me e preferuar është dhikri në heshtje[2].

Argumenti që lejon dhikrin me zë është hadithi që transmeton imam Buhariu në Sahihun e tij, nga Ibn Abbasi r. a. i cili tregon se: ”Në kohën e Pejgamberit r ishte e zakonshme të ngrihej zëri në dhikër (duke e lavdëruar, e falënderuar dhe duke e madhëruar Atë) pas faljes në grup të namazeve të detyruara (farzeve) në xhami. " Pastaj shtoi: "Kur dëgjoja atë (dhikrin), e kuptoja se namazi kishte mbaruar”[3].

Në transmetimin tjetër që e përmend Buhariu, thuhet se: “E merrja vesht se namaz i profetit kishte përfunduar kur dëgjoja tekbirin (fjalën Allahu Ekber)”. Ibën Haxher Askalaniu thotë: Si duket, ata (sahabët) e fillonin dhikrin e tyre me Tekbir, para se ta thonin Tespibun (Subhanallah) dhe Tahmidin (Elhamdulilah), edhe pse shumica e haditheve që flasin për dhikrin pas namazit kanë përmendur Tesbihun dhe Tahmidin para Tekbirit, përpos transmetimi i Ibën Axhlunit i cili e përmend Tekbirin para Tahmidit. Pastaj Ibën Haxheri tha: “Një transmetim të tillë e ka shënuar edhe Ebu Davudi, prej hadithit të Ebu Hurejres, në të cilin thuhet: (bën Tekbir, Tahmid dhe Tesbih). Njëjt e gjejmë edhe në hadithin e Ibën Omerit”. Pastaj tha: ”Kjo divergjencë tregon se nuk ka një rend të caktuar aty. Dëshmi për këtë është hadithi tjetër I profetit I cili kur ka sqaruar ajetin 46 të kaptinës Kehf, gjegjësisht fjalën “Bakijatu Salihat”ka treguar se është për qëllim: Tesbihu, Tahmidi, Tekbiri dhe Tehlili (La ilahe IlaAllah) dhe pastaj ka thënë: “Me cilën të filloni, nuk prish punë”.

Këtu është një fjalim me rëndësi që dëshiroj ta them:

Ajo është se disa njerëz pretendojnë se zikri pas namazeve bashkërisht në xhemat dhe me një zë është risi e urryer (bidat) dhe devijim që të shpie në humbje (dalalet). Sipas tyre edhe nëse njëri prej namazlive i përkujton namazlitë e tjerë me fjalët Subhanallah, Elhamdulilah, Allahu Ekber, në kuptimin: Thoni Subhanallah, thoni Elhamdulilah, është bidat gjithashtu!

Mjerë ata se ç'i gjeti! Po çfarë risie paska këtu?!!!

A thua vallë, sepse bëhet me zë?! Ti e kuptove se bërja e dhikrit me zë përmendet në hadithe të sakta për të gjithë falësit, e jo vetëm për përkujtuesin(myezinin, i cili ua përkujton tjerëve fjalët e dhikrit).

Apo ndoshta bidat qenka drejtimi i namazlive, nxitja apo mësimi I tyre se çfarë të thonë në dhikër?!

Apo ndoshta bidat është sepse bëhet në xhemat në mënyrë të përbashkët me një zë?!!

Hadithet e vërteta që kanë pohuar bërjen e dhikrit në xhemat janë aq shumë të njohura, saqë nuk mund të fshehen dot. Prej tyre:

-Fjala e profetit r në hadithin kudsij, ku Allahu ka thënë:“Kush më përkujton Mua në një grup prej njerëzve, do ta përkujtoj në një grup më të madh sesa ata dhe me të ndershëm” [4].

- Hadithi që transmeton Muslimi nga Ebu Seidi se Pejgamberi i Zotit r ka thënë: “Nuk është ulur një popull për dhikër e që mos t’i kenë mbuluar melekët, ti ketë përshkuar mëshira, të ketë zbritur mbi ta qetësia shpirtërore dhe Allahu ti ketë përmendur ata tek ata që janë tek Ai” [5] .

- Transmetohet nga profeti r se një ditë doli në hallkën e shokëve të tij dhe iu tha: “Për ç’arsye jeni mbledhur? Ata thanë: Jemi tubuar ta përmendim Allahun dhe t’i falënderohemi që na ka dhuruar islamin. Tha: Për Allahun, a vetëm për këtë jeni duke qëndruar këtu!Thanë: Betohemi në Allahun se nuk jemi ulur për tjetër, pos për këtë. Tha: Nuk po u detyroj të betohemi sepse dyshoj në ju, porse më erdhi Xhibrili dhe më njoftoi se Allahu lavdërohet me ju para melekëve” [6] .

Mendimi se me dhikër këtu është synuar Kurani, është një interpretim (tevil) shumë i largët, sidomos se në hadithet tjera që kanë ardhur me të njëjtin kontekst është theksuar qartë Tesbihu, Tahmidi, Tekbiri dhe Tehlili.

Thash (përkthyesi): “Vrojtoje për shembull hadithin që është transmetuar nga Ebu Hurejre r. a. se Pejgamberi r ka thënë: “Vërtet All-llahu ka engjëjt udhëtarë të zgjedhur, të cilët i përcjellin tubimet e dhikrit, dhe kur gjejnë tubim të dhikrit, ata ulen me ta dhe njëri-tjetrin e mbështjellin me krahët e tyre, derisa e mbushin gjithë ç’ka mes tyre dhe qiellit të kësaj bote. Pasi që shpërndahen (të tubuarit), engjëjt ngrihen dhe shkojnë në qiell. Tha: Atëherë All-llahu i pyet ata për përmendësit e All-llahut, ndonëse më mirë se ata e di gjendjen e tyre: ‘Prej nga erdhët?’ Engjëjt thonë: ‘Vijmë nga robtë Tu, që në tokë Të bëjnë tesbih, tekbir, tehlil, tahmid dhe lutje!’ All-llahu i madhëruar thotë: ‘Çka po më lusin?’ Engjëjt thonë: ‘Të lusin për Xhennetin!’ All-llahu thotë: ‘A e kanë parë ata Xhennetin tim?’ Engjëjt thonë: ‘Jo, Krijuesi ynë!’ All-llahu thotë: ‘E si do të lutnin ata për Xhennetin sikur ta kenë parë atë?’ Engjëjt thonë: ‘Do të lusin t’i strehosh ata’. All-llahu thotë: ‘A e kanë parë ata zjarrin Tim?’ Engjëjt thonë: ‘Jo!’ All-llahu thotë: ‘E si do ta bënin këtë sikur ta kishin parë atë?’ Engjëjt thonë: ‘Ata të lutin për falje’. All-llahu thotë: ‘Unë tashmë të gjithëve ua kam fal dhe u kam dhënë ç’kanë kërkuar dhe i kam mbrojtur nga ajo që kanë kërkuar”. Muhammedi s. a. v. s. ka thënë: “Engjëjt thanë: ‘Në mesin e tyre ka një rob mëkatar, ai ka ecur dhe rastësisht iu është bashkangjitur në ndejë’. All-llahu thotë: ‘Edhe atij ia kam falë, sepse ata janë popull, individët e të cilit nuk mund të jenë jo të lumtur” [7] .

Kush dëshiron më shumë rreth kësaj çështje, le ti kthehet kapitullit që flet për VLERËN E DHIKRIT NË HALLKA, në librin Rijadus Salihin, apo librave tjera, sikur: Komentit të Neveviut që i ka bërë Sahihut të Muslimit, Fet’hul Barit të Ibën Haxherit, Fetvave të Ibni Tejmijës (vëll. 2, fq. 326 dhe vëll. 22, fq. 509-510) dhe librit Mugni të Ibni Kudames (vëll. 1, fq. 560). . .

Jo. . . jo, oj rini e islamit, të ulurit bashkë në xhami për ta bërë dhikër Allahun nuk është bidat, por bidat është kur e konsiderojmë çdo vepër që ka bazë në rregullat e përgjithshme të sheriatit bidat. Bidat është kur një vepër që nuk e pranon epshi juaj ta quani bidat. Kjo është bidat, e jo dhikri.

Pastaj, dijeni se ky dhikër i përbashkët, mirëmbajtja dhe praktikimi I tij mundëson që të mësohen përmendësh shprehjet e dhikrit dhe të ruhen ato e trashëgohen gjeneratë pas gjenerate, kurse lënia e njoftimit të tyre dhe praktikimi I tyre individualisht bën që shumica e xhematit ta anashkalojnë praktikimin dhe mësimin e tyre.

Nëse njëri prej namazlive e mëson dhe përkujton xhematin dhe ata përsërisin fjalët e tij, ku është bidati këtu?

Lloji I dytë i dhikirit: Është kur populli të mblidhen jashtë kohëve të namazit dhe bëjnë dhikër në bashkësi, kjo gjithashtu është e lejuar, përderisa nuk pengohen namazfalësit në xhami. Ka thënë Allahu I [… (ajo dritë) Është në shtëpitë (xhamitë) që All-llahu lejoi të ngrihen, e që në to të përmendet emri i Tij, t'i bëhet lutje Atij mëngjes e mbrëmje. Ata janë njerëz që nuk i pengon as tregtia e largët e as shitblerja nga dhikri i All-llahut, falja e namazit dhe epja e zeqatit, ata i frikësohen një dite kur do të tronditen zemrat dhe shikimet ] (Nur: 36, 37).

Ky dhikër që përmendët këtu ka normë të përgjithshme, përfshin dhikrin pas namazit dhe jashtë kohëve të namazit.

Siç thamë më lartë, hadithet që flasin për vlerën e dhikrit në xhemat janë aq shumë të njohura, saqë nuk mund të fshihen.

Ndërsa, kundërshtimi I Ibën Mesudit ndaj atyre që I kishte gjetur të tubuar në xhami duke e përkujtuar Allahun I dhe konsiderimi I veprës së tyre bidat, ka mundësi logjike-nëse haberi në fjalë është i saktë-që Ibën Mesudit nuk I kanë arritur hadithet të cilat dëshmojnë lejimin e dhikrit me zë. Nuk do të thotë që çdo sahabij ti ketë ditur të gjitha hadithet e profetit në çdo çështje prej qështjeve të fesë. Megjithëkëtë, kundërshtimi I tij tek e fundit është një mendim sahabije, dhe nuk ka forcë juridike ta kundërshtojë atë që është pohuar në hadithe të sakta nga pejgamberi r.

Është e çuditshme me disa njerëz në këtë mesele. Argumentohen me fjalët e Ibën Mesudit, e e dinë mirë se fjala e një sahabije s’ka mundësi ta kundërshtojë hadithin profetik, nëse ai është I saktë. Si duket,këtu argumentohen me këtë haber, sepse ndoshta përshtatet me epshin e tyre. Përndryshe, u themi këtyre: Nëse fjala e Ibën Mesudit qenka argument në këtë mesele, atëherë pse pra nuk thatë se ka synet para xhumasë? Ibën Mesudi e ka falë këtë synet.

Pastaj, pse nuk po e leni ngritjen e duarve në tekbire (në ruqu dhe kur ngriheni nga rukuja)? Ibën Mesudi e ka urrejtur këtë dhe kurrë në jetën e tij nuk I ka ngritur duartë në këto vende në namaz. Mirëpo, ju atje arsyetoheni për ngritjen e duarve,sepse pretendon që ngritja ka ardhur në hadithe profetike të sakta?! Epo,veproni njëjt edhe këtu në këtë mesele pra!

Thashë (përkthyesi) : Fjala që përmendet në hadithin e Ibën Mesudit: “O Ebu Abdurrahman, këta janë guralecë me të cilët po i numërojmë tekbirët, tahlilët, tahmidët dhe tesbihët. ” Kurse ai iu tha: “Numëroni mëkatet tuaja ,sepse unë ju garantoj se nga sevapet tuaja nuk do t’ju humbet asgjë! Ruajuni nga risia o ummeti i Muhammedit. . . ” , ka të bëj me numërimin e caktuar të tesbihëve, e nuk ka për qëllim urrejtjen e dhikrit kolektiv. As Ebu Musa Eshariu nuk e kundërshtoi mbledhjen e tyre në dhikër, por ajo që përmendi ishte numërimi i caktuar i tespiheve. Disa prej selefit e kanë urryer numërimin e tespihëvë, përpos numërimit që është transmetuar në synet. Këtë medh’heb e ka pasur edhe imam Ebu Hanifeja. Imam Tahaviu në librin e tij”Mushkil Athar” përmend se Ebu Hanifeja ka pas menduar se numërimi i tespihëve është një gjë e urrejtur (mekruh).

Në këtë mënyrë pra bëhet bashkimi i të gjitha argumenteve,nuk kundërshtohen mes vete dhe nuk mënjanohet asnjëra prej tyre.

Allahu i takon gjithë falenderimi.

Shejh Allame, Dr. Abdulmelik Abdurrahman Sadi-Allahu e ruajtë!

Përktheu hoxhë: Drilon Ibrahim Gashi

Jordanij, gusht, 2015

[1] Muslimi (1291), etj.

[2] Është transmetuar në një hadith se pejgamberi r ka thënë: ”Dhikri më I mirë është ai që bëhet në heshtje”. Transmeton Ahmedi (1477).

Fjala (më I mirë) është mbiemër në shkallën krahasore (ism tefdil) që tregon se i krahasuari-që është dhikrin me zë-është I mirë, mirëpo ai në heshtje është edhe më I mirë.

Megjithëse hadithi është I dobët, fshehja e dhikrit është më afër përkuljes (hushu-së).

[3] Buhariu (842), Muslimi (1254), etj.

[4] Ahmedi (8635), Ibën Hibani(328), etj.

[5] Muslimi (6954), Ahmedi (9771), etj.

[6] Muslimi (6956), Ahmedi(16960) etj.

[7] Muslimi (2689), etj.