1- Transmeton Imam Ahmedi në (Kitabu Zuhd), dhe Ebu Nuajmi në (Hiljetu Evlija), nga: Hashim ibën Kasimi (Hafiz, i besueshëm, prej trs. të Buhariut dhe Muslimit) nga Eshxhaiu (Ubejdullah ibën Ubejdurrahman-i besueshëm) nga Sufjan Theuriu (imam dhe prijës i besimtarëve në hadith), i cili ka thënë: Ka thënë Tavusi (nxënësi i Ibën Abasit):

"Të vdekurit (prej muslimanve) sprovohen në varret e tyre shtatë (ditë), për këtë arsye, të parët tanë (sahabët) e kanë pëlqyer (mustehab) të ushqejnë për ta (për shpirt të tyre) këto ditë. "

Hafiz Sujutiu për këtë haber tha: “Zinxhiri i tij deri te Tavusi është i saktë, e Tavusi është prej tabeinëve të mëdhenj”.

Hafiz Ebu Nuajmi në lidhje me Tavusin ka thënë: ”Ishte prej shtresës së parë të gjeneratës së tabeinëvë të Jemenit, i cili i ka takuar pesëdhjetë sahabe të profetit, me vet deklaratën e tij”.

2-Transmeton ibën Xhurejxhi (prej të parëve të selefit që shkroi libër) në Musanefin e tij, nga Harith ibën Ebi Harith (prej transmetuesve të Muslimit), nga Ubejd ibën Umejri (vdiq 68 h. Buhariu për të tha se ishte sahabij, ndërsa Muslimi tha: ka lindur në kohën e profetit), i cili ka thënë:

”Besimtari dhe mynafiku, sprovohen në varret e tyre. Besimtari sprovohet shtatë, ndërsa mynafiku sprovohet dyzet mëngjese”.

3-Transmetohet nga Muxhahidi(vdiq. 101 hixhrij) se ka thënë: "Të vdekurit sprovohen në varret e tyre shtatë, për këtë arsye e kanë konsideruar të pëlqyer (mustehab) të ushqejnë (si lëmoshë) për ta, gjatë këtyre ditëve.

Këtë haber e përmendi Hafiz ibën Rexhepi në (Ahval Kubur, fq. 16) dhe imam Sujutiu në shkresën e njohur të tij rreth kësaj çështje. (Shiko librin e Sujutiut: Havi Lil Fetava, vëll. 2, fq. 217).

Imam Sujutiu pasi përmendi këto tri habere në trajtesën e tij tha: “Është e pranuar tek hadithologët dhe usulistët se ai haber që përcillet në ato gjëra për të cilat s’ka vend logjika; siç janë çështjet e Berzahut (jetës së varrit) dhe të ahiretit (botës tjetër), trajtohet sikur hadith profetik, e jo si fjalë sahabie apo tabeini, edhe nëse transmetuesi (në këtë rast tabeini) nuk thotë: Ka thënë profeti”.

Pas kësaj, Imam Sujutiu tha se për këtë ka pajtueshmëri mes dijetarëve, dhe u zgjat duke përmendur një mori argumentesh dhe fjalë hadithologësh që e vërtetojnë këtë. . . derisa tha:

”Nëse konstatojmë se haberi i Tavusit cilësohet si hadith profetik dhe zinxhiri i tij është mursel sahih, atëherë ai është argument sipas Ebu Hanifes, Malikut dhe Ahmedit, pa përjashtim. Ndërsa tek Imam Shafiu është argument, me kusht që të ketë një mursel tjetër apo fjalë sahabie që e përforcon. Një përforcim i tillë ekziston këtu; kemi haberin e Muxhahidit dhe Ubejd ibën Amrit”. (Përfundoi fjala e tij; e shkurtuar)[1].

Thashë: U vërtetua se këto habere janë argument sipas katër medh’hebeve, prandaj, pretendimi i atyre që thonë se të shtatat dhe të dyzetat janë bidat, është i rënë përtokë, hamendje e kotë dhe s’ka asnjë bazë sheriatike, përpos injorancën e tyre mbi synetin e profetit dhe traditën e selefit.

Zakoni i të shtatave dhe dyzetave, i trasuar me shekuj, që e kanë trashëguar myslimanët brez pas brezi, shqiptarët dhe arabët, siç e shihni është komfor traditës së selefit, pëlqehet (është mustehab) dhe s’ka të bëj fare me bidatin.

Gjithashtu, u vërtetua edhe kësaj here se hoxhallarët tanë të vjetër, e paskan ditur synetin shumë më mirë sesa këta pretenduesit injorant të selefizmit bashkëkohorë, dhe u bë e qartë për të gjithë ngutësia e tyre në shpalljen bidat të masës së gjerë, pa kurrfarë argumenti dhe fakti.

Në mendjen e tyre u hiperbolizua nocioni i bidatit aq shumë, ku si rrjedhojë, shpejtuan duke i akuzuar kundërshtarët e tyre si bidatgjinj, në çdo fjalë dhe vepër që nuk pajtonte me medh’hebin e filan shehut të tyre, dhe erdhi puna deri tek fitnet e shumta dhe kacafytjet e pandërprera nëpër xhami.

Po mjaftohem me kaq, s’po zgjatemi në përmendjen e marrëzive të tyre, janë shumë. . .

Allahu na mundësoftë kuptimin e fesë sonë. Amin!

[1] Ata që dinë gjuhën arabe, nëse dëshirojnë të vërtetohen rreth këtyre haditheve, le ta shikojnë trajtesën e imam Sujutiut, me titull (طلوع الثريا بإظهار ما كان خفيا )në librin e sipërpërmendur.