1- Vail ibën Huxhri r. a ka thënë: ”Profeti a. s kur bënte sexhde, së pari vendoste gjunjët e tij, pastaj duart dhe kur ngrihej ngrinte duart para gjunjëve të tij”[1].

Hafëz ibën Mundhiri në “Eusat” (3/166) ka thënë: “Hadithi i Vail ibën Huxhrit është i fortë dhe neve e kemi këtë mendim.

Imam Tirmidhiu ka thënë: “Kështu thonë shumica dërrmuese e dijetarëve; të gjithë mendojnë se personi kur dëshirojë të bie në sexhde, së pari i lëshon gjunjët, pastaj duart. . . ”.

2- Nga Vaili transmetohet gjithashtu se: “Pejgamberi a.s kur ka dashur të bie në sexhde, së pari i ka lëshuar gjunjët, pastaj duart”[2].

3- Sa i përket hadithit të Ebu Hurejres ku Profeti a. s ka thënë: “Kur dikush nga ju të bëj sexhde, të mos gjunjëzohet ashtu siç gjunjëzohet deveja”[3].

Ky hadith është i saktë pa shtesën (le t’i vendosë duart e tij para gjunjëve të tij). Kjo shtese është fjalë e shtuar nga transmetuesi, jo fjalë e profetit as.

Disa dijetarë tjerë-siç do të shohim në vazhdim, këtë hadithin e Ebu Hurejres me tekstin “le t’i vendosë duart e tij para gjunjëve të tij” e kanë konsideruar të shfuqizuar.

4- Argument për këtë që thamë është hadithi tjetër po ashtu nga Ebu Hurejra r.a. ku ka thënë: "Profeti kur binte ne sexhde fillonte me gjunjët e tij para duarve të tij"[4].

Të gjithë të mençurit e dinë se deveja kur dëshiron të bie në tokë, së pari lëshon dy këmbët e para, pastaj ato të pasmet.“Duart” e devesë dhe te kafshët që kanë katër këmbë konsiderohen këmbët e para e jo të pasmet -siç thotë imam Tahaviu, për këtë arsye, falësi i namazit është urdhëruar ta bëj të kundërtën dhe të mos ngjasojë me kafshët, gjegjësisht: Ti lëshojë së pari gjunjët, e pastaj duart. Kjo çështje s’ka nevojë për diskutim të gjatë dhe kjo është syneti i saktë dhe gjunjëzimi i devesë nuk ka ndryshuar që nga koha e profetit e deri më sot.

Disa ulema përngjasimin e ndaluar që ka ardhur në hadithin e Ebu Hurejres, e kanë kuptuar duke thënë se ka mundësi të jetë shpejtësia, pra mos me ra me shpejtësi sikur deveja që lëshohet përnjëherë me vrull me dy këmbët e para. Sipas këtij interpretimi, mos-ngjasimi nuk është synuar të realizohet me duar dhe këmbë; se cilat mi vendosë më parë, por është synuar shpejtësia edhe ngadalësia. Pra, mos me u ngute me ra shpejt me gjunjë sikur që bie deveja, por qetë dhe avash.

5- Hafiz Nesiu në Sunenin e tij për këtë është argumentuar edhe me hadithin e Hakimit, i cili ka thënë: “Ia kam dhënë besën profetit që të mos bij në sexhde përpos se duke qenë i drejtuar ”[5].

Rënia nga lartë poshtë duke qenë i drejtuar nuk plotësohet, përveç nëse lëshohen gjunjët para duart. Kjo është e qartë.


Ky medh’heb përkon edhe me mësimet e sahabëve edhe të tabeinëve të njohur.

6- Omer ibn Hatabi r. a[6].

7- Abdullah Ibn Mesudi r. a dhe nxënësit e tij[7].

8- Abdullah ibën Muslim ibën Jesari: Se babai i tij kur binte në sexhde, lëshonte gjunjët, pastaj duart, pastaj kokën e tij”[8].

9- Fekihu më i madhi i tabeinëve-Ibrahim Nehaiu (gjuha e Ibn Mesudit r. a)-kur është pyetur për njeriun që bie në sexhde me duar, ka thënë: " Këtë nuk e bën askush tjetër përpos budallai(ahmaku) apo i krisuri(mexhnuni)"[9].

Kjo fjalë tregon se një veprim i tillë nuk ka qenë i njohur në kohën e tyre.

10- Tek ibën Ebi Shejbe nga Vekiu përcillet se Mehdi ibën Memuni ka thënë: “E kam parë Ibën Sirinin, i vendoste gjunjët përpara duarte”.

11- Që gjymtyrët të lëshohen me radhë në sexhde; së pari gjunjët e pastaj duart, përkon gjithashtu edhe me matyrën dhe logjikën e shëndoshë te njeriut. Gjithashtu, tek ai që ka veshur ihramin është veprimi i vetëm i mundshëm; sepse s’ka si të bije më të dy duart, pasi njërën dorë dhe krah e ka nën petkun e ihramit.


Sejid Sebiku thotë: “Shumica e dijetarëve preferojnë të vendosurit e gjunjëve në tokë para duarve. Ibn Mundhiri e përcjell këtë prej Omer ibn Hatabit, Nehaiut, Muslim ibn Jaserit, Sufjan Thevriut, Ahmed (ibn Hanbelit, sipas njërit transmetim prej tij), Is’hakut (ibën Rahujës) dhe juristëve të tjerë, përfshirë dhe vet Ibn Mundhirin”[10].

Ebu Tajibi thotë që shumica e juristëve pajtohen me këtë.

Ibn Kajimi (nxënësi i Ibni Tejmijes) thotë: “Kur Pejgamberi a. s falej, i vendoste gjunjët (në tokë) para duarve, pastaj duart, ballin dhe hundën. Kjo është ajo që është autentike dhe është transmetuar nga Shurejki prej Asim ibn Kelibit nën autoritetin e babait të tij prej Vail ibn Huxhrit r. a. i cili ka thënë: “E kam parë të Dërguarin e Allahut a. s, gjatë rënies në sexhde, i vendoste gjunjtë (në tokë) para duarve të tij. Gjatë ngritjes, ai i ngrinte duart e tij para gjunjëve. Unë asnjëherë nuk e kam parë të bëj ndryshe”.

Autori i Mishkat Mesabih ka thënë: “Ebu Sulejman Hatabi r. a (vd. 388/998) thotë që hadithi i Vail ibn Huxhrit është më i vërtetë sesa ky (hadithi i Ebu Hurejres) dhe po ashtu është thënë që ky hadith (i Ebu Hurejres) është i abroguar (shfuqizuar)[11].

Po kështu, Shemsulhak Azimabadi në komentimin e Ebu Davudit, pasi citon qëndrimet e dijetarëve që duart duhet të vendosen para gjunjëve, thotë: “Por Hattabi është i qëndrimit që transmetimi i Vail ibn Huxhrit është më i vendosur (vërtetuar) për shkak se është i përkrahur nga disa transmetime tjera të sakta (të cilat nuk janë cituar nga Albani).

Ibni Huzejmeh r. a (dijetar shafij i hadithit, vdiq 311/924) thotë që transmetimi i Ebu Hurejres r. a. është abroguar (shfuqizuar). Ai transmeton një hadith nën autoritetin e Sa’ad ibn Ebi Vekasit r. a. : “Ne [në fillim] i vendosnim duart tona (në tokë) para gjunjëve, por pastaj më vonë jemi urdhëruar t’i vendosim gjunjët para!”

Autori i veprës Avn Ma’bud po ashtu ka thënë: “Ebu Hanifja, Shafiu (në Umm[12]) dhe Ahmedi (sipas qëndrimit të tij të dytë) kanë thënë që gjunjët duhet të vendosen para duarve. Dhe kjo duket më e përshtatshme”[13].

Shënim: Nëse një i sëmurë apo i shtyrë në moshë nuk mund ta veprojë këtë synet, atëherë i lejohet të bie edhe me duar dhe nuk ka bërë bidat, sepse tek e fundit është mesele ixhtihadije fikhu, e bidatet nuk hyjnë këtu.

Dhe të gjitha falënderimet i takojnë Allahut xh.sh.

Hoxhë: Drilon Ibrahim Gashi

Jordanij, maj, 2016.

-------------------------------------------------

[1] Ebu Davudi (838) dhe Tirmidhiu (268), Ibën Maxhe (882), Ibën Huzejme (626, 629) dhe Ibën Hibani (1912) gjithashtu dhe është hadith sahih.

Shejh Albani është munduar ta dobësojë këtë hadith duke dobësuar transmetuesin e senedit të tij i cili ka është Shurejku, mirëpo nuk ka shpëtuar në këtë pikë, sepse përcjellësi nga Shurejku është Jezid ibën Haruni, e ky ka transmetuar prej tij para se ai të ndryshonte dhe ta merrte postin e kadiut. Këtë të vërtetë e deklaron Hafiz Ibën Hibani në librin e tij “Thikat”(6/444): “Shurejku në fund të jetës së tij gabonte kur transmetonte hadithe sepse i ka pas ndryshuar memoria. Hadithet që i kanë përcjell të hershmit prej tij në kohën sa ka qenë në Vasit nuk kanë problem, siç është rasti i Jezid ibën Harunit, Is’hak Ezrekut, ndërsa në transmetimet e mëvonshme të tij ka shumë gabime”.

Them: Fjala e atyre që kanë folur kundër tij, se paska anuar kah shijat dhe ka qenë kaderij është e rënë fare.

Në anën tjetër, dijetarët e Xherhit dhe Tadilit e kanë konsideruar Shurejk ibën Abdullahun si transmetues të besueshëm, ja sqarimi i hollësishëm:

-Ibën Meini ka thënë: Ai është i besueshëm, i besueshëm; dy here.

-Ibën Sadi ka thënë: Ka qenë i besueshëm, besnik, ka transmetuar shumë hadithe.

-Ka thënë Ixhliu: Transmetues i besueshëm nga Kufja, hadithet e tij janë të mira.

-Shurejkun e kanë konsideruar të besueshëm edhe Ibën Hibani dhe Ibën Shahini.

-Ebu Davudi ka thënë: I besueshëm, gabon.

Ibën Adiu ka thënë: “Shumica dërrmuese e haditheve të tij janë të sakta dhe të qëndrueshme. Ajo që mund ti ndodhë nganjëherë hadithit të tij, është për shkak se (në fund të jetës së tij) iu është dobësuar memoria, e jo se ai ka synuar me hadith diçka për të cilën vlen të dobësohet”.

Përfundimisht: Përmendëm se memorizimi i dobët i është shfaqur atij pas kohës që është bërë kadi, dhe theksuam se Jezid ibën Haruni ka transmetuar prej tij hadithe para kësaj kohe, prandaj hadithi në fjalë është sahih.

[2] E ka transmetuar Ebu Davudi (839), Ibën Mundhiri në “Evsat”(3/166) dhe është hadith hasen nëse merren parasysh shahitët e tij.

[3] Ebu Davud (840), Nesaiu (1090) dhe të tjerët dhe është hadith sahih.

Them: Me shtesën “por le t’i vendosë duart e tij para gjunjëve” është vetmuar Abdulaziz ibën Muhamed Daravurdiu, i cili është i dobët këtu, sidomos kur kemi parasysh që transmetuesi tjetër i cili e ka shoqëruar atë në transmetimin e këtij hadithi tek Ebu Davudi (841) dhe të tjerët nuk e kanë përmendur këtë shtesë.

Daravurdiu edhe pse është transmetues i Muslimit, ai habitet kur transmeton nga memoria e tij(e jo nga libri), siç ka thënë Ahmed ibën Hambeli , bile ka shtuar për të se ai nuk vlen dhe ka thënë se kur tregon hadithe nga mbamendja e tij thotë kotësira.

Them: Kjo shtesë e haditht me siguri është prej këtyre kotësive. Shtoja kësaj se për të është thënë:

-Ka thënë Ebu Hatimi: Nuk argumentohet me të.

-Ka thënë Ebu Zura: Ka mbamendje të dobët.

-Ka thënë Ahmedi gjithashtu: “Lexonte prej librave të disa njerëzve dhe gabonte, saqë kur transmetonte hadithet e Ibën Omerit i ndryshonte dhe thoshte se i ka transmetuar Ubejdullah ibën Omeri!

-Nesaiu ka thënë: Nuk është i fortë.

-Ka thënë ibën Sadi: I besueshëm, ka transmetuar shumë hadithe, mirëpo gabon.

Për këtë arsye imam Buhariu nuk ka transmetuar hadithe prej tij, përpos nëse ato hadithe përcillen edhe nga transmetues tjerë. Këtu ka vend edhe për shumë fjalë, mirëpo kjo që thamë mjafton si dëshmi se kjo shtesë e tij këtu është e papranuar.

Vërejtje: Buhariu ka përmendur se Ibën Omeri ka qenë prej atyre që ka vendosur duart para gjunjëve. Ky haber gjithashtu ka rezerva, sepse transmetohet nga Daravurdiu nga Ubejdullah ibën Omeri, e dijetarët e kanë kritikuar edhe këtë transmetim dhe kanë theksuar se është prej gabimeve të tij. Shiko për këtë Fet’hul Barin (2/291) se çfarë ka përmendur nga Bejhekiu. Bile, ajo që na përcillet nga Ibën Omeri është e kundërta siç e gjejmë tek Ibën Ebi Shejbe.

[4] Ibn Ebi Shejbe(2702).

[5] Nesaiu (1084) dhe është sahih.

[6] Ibn Ebi Shejbeh (2703) dhe Abdurrezaku (2955), Tahaviu dhe zingjiri i tij është i saktë dhe i pastër sikurse dielli.

[7] Tahaviu në “Meani Athar” (1/256).

[8] Ibën Ebi Shejbe dhe është I saktë gjithashtu.

[9] Ibn Ebi Shejbeh (2707).

[10] Fikh Sunneh (vëll. 1, fq. 151).

[11] Mishkat Mesabih (vëll. 2, nr. 898-899, fq. 172).

[12] Umm (1/98).

[13] Avnul Mabud (vëll 1, fq. 311-312).

Article edited with the free HTML composer software.