Keqkuptime që duhet përmirësuar

[Bashkimi i këmbëve në namaz]

Falënderimi është gjithmonë për Allahun, salati dhe salami për profetin dhe familjen e tij të pastër.

Prej mirësive dhe dhuntive të Zotit ndaj neve dhe ndaj myslimanëve mbarë është ruajtja e synetit dhe dëshira për praktikimit të tij në formën më të mirë.

Me gjithë respektin për dijetarët dhe kolosët e ymetit, qofshin ata klasikë apo të mëvonshëm, të cilët kanë derdhur dhe po derdhin mund në sqarimin e praktikimit të synetit, neve duhet ta dijmë se edhe të mëdhenjtë kanë gabuar në kuptimin e disa gjërave, e lere më dijetarët bashkëkohorë. Nuk ka dert dhe nuk po ua zëmë për të madhe. Nganjëherë duke u munduar të argumentojnë me një argument janë thelluar tepër, e nganjëherë tjetër e kanë tejkaluar esencën e kuptimit të dispozitës duke ia ndërruar kuptimin.

Sot po hasim njerëz që kanë kaluar në ekzagjerim dhe fanatizëm të tepruar ndaj pasimit të verbër të disa gabimeve të dijetarëve. Gabimi edhe më I madh është kur për këto mendime te vetmuara derdhet mund që të përhapen dhe publikohen me te madhe në mesin e njerëzve, nën parullën e praktikimit të synetit dhe largimit nga bidati!

Tërheqja e vërejtjes ndaj këtyre gabimeve është një punë e mirë në islam dhe virtyt I kamotshëm i dijetarëve. S’ka gjë të keqe, që nëse shohim një gabim të këtij lloji te ndonjë dijetar, ti lajmërojmë të tjerët. Hakun nuk e pranon vetëm ai që është fukara në mendje.

Në kohën e sodit, gjërat që realisht janë të dorës së dytë apo të tretë, kanë filluar të kuptohen mes vaxhibit dhe farzit. Kemi për qëllim disa ibadete të jashtme të cilat përsëriten shpesh dhe që janë të dukshme, imtësi këto që në kohën e selefitë nuk u është kushtuar kaq shumë rëndësi. Sot, fatkeqësisht ende janë temë diskutimi dhe vazhdohet të bëhet fitne me to.

Edhe në të kaluarën, besimtarët kane qenë të detyruar ti bëjnë disa lëvizje, gjeste dhe forma siç është rasti në namaz shembull,mirëpo nuk janë angazhuar tepër me to, nuk kanë ndjerë vështirësi dhe pengesa gjatë praktikes së tyre dhe nuk I kanë vepruar artificialisht.

Allahu xh.sh e ka lavdëruar profetin e Tij se ai nuk ishte prej atyre që vështirësonin apo atyre që hiqeshin artificialë,dhe ka thënë: [...unë nuk jam prej vështirësuesve (ose prej atyre që pretendojnë të jem diçka që s’jam;fals)](Sad,86).

Profeti ynë i dashur, Muhamedi a.s në një hadith hasen ka thënë: ”Jam dërguar me fenë e cila është shpirtmadhe, e gjerë” [1].

Në një hadith tjetër të saktë ka thënë: “Feja është lehtësim. Kushdo që mundohet ta vështirësojë atë, atëherë feja do t’ia mundë atij. Jini të matur e mos vështirësoni, afroni dhe përgëzoni” [2].

Nëse islami është i gjerë dhe i lehtë, atëherë a na takon neve që ta vështirësojmë atë?!

Nëse një veprimi nuk i është kushtuar kujdes i madh që nga koha e selefit e deri më sot, as neve nuk na takon që ti japim një vëmendje të caktuar që nuk e meriton pa pasur nevojë, bile përkundrazi, kjo është gjynah për ymetin e Muhamedit,paqja qoftë mbi të.

Shumë herë po ndodh që gjërat po keqkuptohen për shkak të një inkursioni kundrejt kuptimit të synetit dhe të anashkalimit të esencës kuptimore, e nganjëherë tjetër për shkak të largimit nga bazat e gjuhës arabe, hadithit dhe librave të fikhut.

Prapë po them, neve nuk po akuzojmë këta njerëz e as që po dyshojmë në qëllimin e mirë të praktikuesve të këtyre gabimeve, por duhet ta dimë se kjo huti që ka kapluar disa të rinj tanë sot, është keqkuptim i synetit dhe rregullave të fikhut. Kundërshtimi jonë nuk është tjetër, vetëm se dashuri për praktikimin e drejtë të synetit dhe largim nga fanatizmi,bidati dhe vështirësia.

Njëra prej këtyre keqkuptimeve që duhet përmirësuar është edhe bashkimi i këmbëve në namaz.

Para se ti qasemi kësaj problematike në mënyrë shkencore, duhet ta dimë se ky ymet është nderuar me veçorinë se rreshtat apo safat e tyre në namaz ngjasojnë me rreshtat e melaikeve. Falënderimi për këtë i takon Zotit të botëve.

Rregullimi i safave ka një rol shumë të rëndësishme në rregullimin e namazit në kuptimin e zbukurimit dhe plotësimit të tij. Veç lidhjes së zemrave dhe bashkimit të tyre, në këtë ka vlerë dhe shpërblim të madh ashtu siç dëshmojnë edhe hadithet.

Në lidhje me radhitjen e safave ka disa sunete:

1. Drejtimi i safit, ndreqja e tij dhe rregullimi i tij në mënyrën që gjoksi i askujt të mos dalë përpara apo të mos dallohet nga ata që i ka anash. Kësisoj nuk do të ketë shtrembërime në saf.

2. Mbushja e zbrazëtirave, derisa të mos mbetet hapësirë të madhe sa të mund të depërtojë një njeri tjetër.

3. Lidhja e safave dhe plotësimi i tyre me rend, së pari safin e parë, pasta të dytin, pastaj të tretin, e kështu me radhë, etj.

Prej veprimeve që janë shtuar (në rregullat e namazit) është pozicionimi i ri në namaz, që s’ka bazë. Kjo është ajo çfarë shohim nga disa falës të namazit, kur i bashkëngjitën atij që e kanë në të djathtë, nëse ai gjendet në anën e djathtë të safit, dhe atij në të majtë, nëse ai gjendet në anën e majtë të safit, në mënyrën te tepruar, duke vendos thembrat dhe kyçet e këmbëve të veta me kyçet e këmbëve të atyre që i ka pranë.

Ky lloj pozicionimi është diçka e shtuar në atë që është përcjellë dhe, veç kësaj, në këtë ka teprim në praktikimin e sunetit.

Ky pozicionim kundërshtohet për disa arsye:

a.Bashkimi i këmbëve dhe rregullimi i tyre derisa ato të puthiten mes tyre është gabim i qartë, ngarkesë e panevojshme, bezdisje e vetvetes me atë që s’është ligjësuar, preokupim i panevojshëm për t’i mbushur hapësirat, zgjerim i tepërt mes safave atëherë kur muktediu lëshohet të kryej sexhden, si dhe humbje e aftësisë për t’i drejtuar gishtërinjtë e këmbëve nga Kibla.

Po ashtu, në këtë pozicionim ka grabitje të pikës nga ai i cili të paraprin në të dhe uzurpim pa kurrfarë të drejte i vendit ku vendosen këmbët.

Krejt kjo do të thotë të bësh sunet diçka që s’është ligjësuar.

b.Kur pejgamberi a.s urdhëroi për drejtvendosjen apo radhitjen mes krahëve dhe kyçeve të këmbëve, ai po ashtu urdhëroi edhe për radhitjen mes qafave, si në hadithin e Enesit r.a, siç shënon Nasaiu në Sunenin e tij (813).

Krejt kjo tregon se drejtimi i safit, bërja e tij paralel, barazimi me tjetrin saf dhe mbushja e zbrazëtirave nuk do të thotë që ato të ngjiten realisht, sepse ngjitja e qafave është e pamundshme dhe se ngjitja e krahëve me krah në çdo qëndrim është barrë e rëndë.

Puthitja e gjunjëve, po ashtu është e pamundshme, dhe bashkëngjitja e kyçeve të këmbëve, përveçqë është ngarkesë e panevojshme, deri në njëfarë mase, është edhe e paarritshme, gjë që është e qartë.

Pas këtij sqarimi, u bë e qartë se drejtvendosja dhe radhitja përfshin katër gjëra: qafën, krahët, gjunjët dhe kyçet e këmbës – të gjitha janë të një rangu. Qëllimi i kësaj është inkurajimi për radhitjen e safave, rregullimin e tyre pa ndonjë shtrembërim apo zbrazëtirë, në mënyrë që të arrihet objektivi i Ligjvënësit (Allahut xh.sh).

El-Hafidh ibn Haxher thotë: “Qëllimi me drejtvendosje të safave është radhitja dhe ndreqja e tyre në një trajtë apo formë të vetme, ose me të synohet mbushjen e zbrazëtirave ...” [3]. Ky është të kuptuarit (fikhu) i haditheve që flasin për rregullimin e safave, siç gjendet në hadithin e Nu’man bin Beshir, i cili tha: “I Dërguari i Allahut a.s na i drejtonte safat ashtu siç drejtohet shigjeta, derisa ne mendonim se e kuptuam këtë. Një ditë prej ditësh, ai ktheu fytyrën dhe pa një burrë që kishte qit gjoksin jashtë safit, e i tha: ‘Drejtoni safat, përndryshe Allahu do t’ju përçajë” [4].

Kjo është kuptimi i sahabiut për drejtimin e safit: të qëndruarit drejt dhe mbushja e zbrazëtirave, e jo bashkimi e as puthitja e kyçeve e këmbëve dhe krahëve.

Për këtë arsye, kur Buhariu në sahihun e tij, kapitulli për puthitjen e krahëve dhe këmbëve në saf, transmetoi nga Num’an ibn Beshir i cili tha: “Shihja burrin të bashkonte kyçin e këmbës me kyçin e këmbës së shokut të tij, hafiz ibn Haxheri në koment deklaroi: “Qëllimi me këtë është theksimi i rëndësisë së radhitjes të safave dhe i mbushjes së zbrazëtirave” [5].

Provë për korrektësinë e kuptimit të Ibën Haxherit nga titulli i kaptinës së Buhariut është thënia e Nu’man ibn Beshirit, ku thotë: “Shihja burrin të bashkonte krahun e vet me krahun e shokut të tij, gjurin e vet me gjurin e shokut dhe kyçin e këmbës së vet me kyçin e këmbës së shokut. [6]” Bashkimi i gjunjëve është i pamundshëm, andaj shohim se domethënia e hadithit është inkurajimi për të mbushur zbrazëtirat dhe për të drejtuar safat, jo bashkimi dhe ngjitja e vërtetë.

Kjo është arsyeja përse Khatabiu për hadithin e përcjellë nga Ibn Abasi r.a nga pejgamberi a.s: “Më të mirët prej jush janë ata, që kanë krahët më të kujdesshëm në namaz” [7], tha se: “Domethënia e kësaj është që të mbash qetësi gjatë faljes së namazit, të çlirohesh dhe të ndihesh mirë dhe komod, jo të kthehesh apo ta fërkosh krahun tënd për krahun e atij që ke pranë”, pastaj përmendi edhe një interpretim tjetër të hadithit [8].(përfundoi)

Për komentin e këtij hadithi, Menavi gjithashtu ka thënë: “Mos t’ia ngushtojë krahun krahut të shokut të tij e as mos të lërë zbrazëtirë të madhe, për shkak të vendit të ngushtë për atë që dëshiron të hyj në saf në mënyrë që të mbushten zbrazëtitë” [9].

Shiko formulimet e ndryshme të transmetimeve që flasin për uljen et-teverruk në namaz (d.m.th. të ulesh me kofshën e majtë në tokë dhe me shputën e djathtë të ngritur, në teshehudin e fundit).

Në hadithin e Ebi Hamejd Saidiut tha: “Ai (profeti) ulej në prapanicë.” Kjo mënyrë e shprehjes është kur një fjalë apo frazë e përgjithshme përdoret për të shprehur vetëm një pjesë të saj; është e pamundshme që në pozitën teverruk të vendosësh tërë prapanicën në tokë. Kjo është arsyeja përse në formulimet e tjera ka ardhur: “Ai (pejgamberi) u ul në anën e majtë të tij,” “Ai vendosi këmbën e majtë në tokë,” “Ai u ul në anën e majtë.”

Për këtë arsye, s’ka mundësi që një i mençur nga formulimi “Dhe ai (pejgamberi) ulej në prapanicë” të nxjerrë përfundimin se mund të vendosësh tërë prapanicën në tokë, meqë kjo është e pamundshme si nga ana mekanike, ashtu dhe nga ajo konceptuale, njësoj si në rastin e formulimeve që kanë të bëjnë me drejtvendosjen dhe radhitjen e safave që u përmend më lart.

Shiko në hadithet që flasin për vlerën e namazit në kohën e duhur, është ashtu siç tha Ibn Dakik Idi: “Asnjëherë s’është përcjellë prej ndonjërit prej tyre (Selefëve) se ata e shtrëngonin (ishin të rreptë) këtu, deri në masën sa të thoshin se tekbiri i parë duhet të bëhet saktësisht në fillim të kohës së namazit (për të arritur bereqetin e faljes së namazit në kohë).” (përfundoi fjala e tij) [10].

Dhe Allahu është më i dijshmi për dispozitat e Tij.

Elaboroi Drilon Gashi

_______________

[1] Ahmedi (22291).

[2] Buhariu (39) dhe Muslimi (2816).

[3] Fet’hul Bari, vëll.2, f.242.

[4] E kanë transmtuar Muslimi, Tirmidhiu, Nesaiu, Ebu Davudi dhe Ibën Maxhe. Teksti që sollën është I Ebu Davudit nr. (649).

[5] Fet’hul Bari, vëll.2, f.242.

[6] Kjo thënie e tij gjendet e formës “Mevsul” tek Suneni i Ebu Davudit (648), Sahihu i Ibn Khuzejmes (160) dhe tek Suneni i Darekutniut (vëll.1, f.282).

[7] (Ebu Daëud dhe të tjerët. I cilësuar si hasan nga shejh Albani, Sahih el-Xhami nr.3264)

[8] (Mu’aalim es-Sunen, dhe Aën el-Ma’bûd fi Sherh Sunen Ebu Daëud, vëll.2, f.369)

[9] Fejdul Kadir, vëll.4, fq.490, nr.3988.

[10] Ihkam, vëll.2, f.38.