Amar ibën Jasiri është njëri prej pesë sahabëve të parë që ka pranuar islamin. Ishte shoku më besnik dhe më i dashur i Muhamedit a.s. dhe Aliut r.a., Amari ishte i pari që ka ndërtuar xhami. [1] Ai me mirësinë, besnikërinë, përulësinë, dhe devotshmërinë e tij ka një pozitë dhe famë të lartë në Islam, dhe konsiderohet figura më domethënëse e shokëve të profetit që ka luajtur rolin vendimtar në dallimin e grupit të hakut dhe atyre që ishin rrebeluar në fitne.

Amari mysliman

Amar ibën Jasiri i përkiste fisit Benu Mahzum të Hixhazit (Arabisë Saudite sot). Ai u lind në vitin e Elefantit në Mekë, në të njëjtin vit që lindi edhe Muhamedi a.s., dhe ishte njëri prej atyre që ndërmjetësuan në martesën e Muhamedit a.s. me Hatixhen r.a. - vajzën e Huvejlidit. Babai i tij, Jasir ibën Amiri, ishte nga fisi Kahtan i Jemenit, i cili kishte emigruar në Mekë dhe ishte vendosur atje, ku pastaj ishte martuar me robneshën Sumeje, të bijën e Hajatit. Amari dhe prindërit e tij Jasiri dhe Sumeja, në fillim ishin skllevër të Ebu Hudhejfës, por pas vdekjes së tij, Ebu Xhehli -i cili më vonë u bë njëri prej armiqve më brutal të Islamit dhe torturuesi më famëkeq i Amarit dhe prindërve të tij- i mori ata si skllevër të tij.

Besimi që Amari kishte për Muhamedin a.s. para profetësisë së tij dhe vetëdija për cilësitë e jashtëzakonshme dhe karakterin e të patëmetë të Muhamedit, e inkurajuan atë që të ndiqte atë dhe të ishte prej të parëve që do të konvertoheshin në islam. Amar ibën Jasiri u konvertua në Islam në vitin 614 ose 615 h. nën ndikimin e drejtpërdrejtë të Ebu Bekrit. [2]

- Amari rrëfen: "U takova me Suhejb ibën Sinanin te porta e shtëpisë së Erkamit, kur i Dërguari i Allahut ishte aty. E pyeta: "Çfarë do ti këtu?" Ai më tha: "Po ti, çfarë kërkon këtu?" I thash: "Dua të shkoj te Muhamedi dhe ta dëgjojë se çfarë thotë". Ai tha: "Kjo është ajo që dua edhe unë". Pastaj kemi hyrë, e ai na e paraqiti Islamin dhe ne u bëmë musliman. Kështu kalonin ditët dhe netët e unë e mbaja fshehur islamin". Babai i Amarit, nëna dhe vëllai, edhe ata u bënë muslimanë, por jo me ftesë të Ebu Bekrit. [3]

Kur kurejshët morën vesh për konvertimin e familjes së Jasirit në Islam, nisën torturimin e tyre duke u përpjekur që ti zmbrapsin nga feja. Klani Mahzum mori Amar ibën Jasirin me të atin dhe nënën dhe i vendosën ata në një shtretëtirë tepër të nxehtë të Mekës dhe i lanë të lidhur nën diellin që digjte flakë.

-Muhamedi a.s. një ditë kaloi pranë tyre dhe u tha: "Durim, o familja e Jasirit! Vendtakimi juaj do të jetë Xheneti", [4] dhe tha: "O zjarr bëhu i ftohtë dhe i padëmshëm për Amarin ashtu siç u bëre i ftohtë dhe shpëtues për Ibrahimin". [5] Përmendet se Amari në këtë torture pësoi palgë të rënda, të cilat e përcollën gjatë tërë jetës.

- Transmeton Ibën Mesudi dhe thotë: "Të parët që e shfaqën islamin hapur ishin shtatë: I dërguari i Allahut, paqja qoftë mbi të, Ebu Bekri, Amari, nëna e tij - Sumeja, Suhejbi, Bilali, dhe Mikdadi. Të dërguarin e Allahut e mbrojti Allahu përmes xhaxhait të tij Ebu Talibit, Ebu Bekrin e mbrojti fisi i vet, ndërsa të tjerët i morën paganët, ua veshën këmishat e hekurta dhe i dogjën e poqën në diell". [6]

Përfundimisht, Amari u torturua derisa humbi vetëdijen dhe nuk dinte se çfarë thoshte. Thuhet se për të ka zbritur fjala e Allahut: [Ata që migruan për hir të All-llahut, pasi që u torturuan, atyre gjithsesi do t'u mundësojmë vendbanim të mirë edhe në këtë botë, po shpërblimi i botës tjetër është edhe më i madh ...], (Nahl:41).

Nënën e Amarit e mbyt Ebu Xhehli - Allahu e mallkoftë, duke ia shpuar organin seksual me shkop. Ajo ishte shehidja e parë në Islam. Amari tërë këtë e shikonte me përvuajtje, në zemër përjetonte dhembje të padurueshme, për shkak të prindërve të vet. Ebu Xhehli vazhdoi ta torturonte Amarin, herë me uri, e herë me gurë dhe ujë të nxehtë që ia vendoste në gjoks. Kurejshët i thoshin: "Nuk do të të lëmë të qetë, derisa ta shash Muhamedin dhe fenë e tij dhe derisa në zemrën tënde të ushqesh dashuri ndaj Latit dhe Uzasë". Ai, për shkak vuajtjeve të rënda, ua premtoi këtë, e ata pas premtimit e liruan.

I frikësuar se mos kishte bërë kufër, shkoi te Resulullahu a.s., duke qarë dhe duke kërkuar ndjesë. Allahu xh.sh. dëshmoi se zemra e Amarit ishte e mbushur me iman dhe për këtë ngjarje shpalli ajetin: [Ai që mohon Allahun pasi që pat besuar - përveç atij që është i dety­ruar me forcë, por që zemra e tij është plot besim (nuk ka mëkat) - si edhe për ata që e hapin zemrën për mohim, për ta ka zemërim nga Allahu dhe për ata ka dënim të madh], (Nahl:106). [7]

- Transmeton Abdullah ibën Mesudi, se profeti, paqja qoftë mbi të, ka thënë: "Amari është mbushë iman gjer në palcë (deri në qoshe), dhe zjarri është bërë haram për të". [8] Në një transmetim tjetër thuhet: "Amari është mbush iman prej koke deri në këmbë, dhe imani është përzier me mishin dhe gjakun e tij". [9]

Roli dhe trimëria e tij

Ai ishte një prej luftëtarëve të pakët prej sahabëve që morën pjesë në të gjitha betejat e madhe. Elitën e ushtrisë islame në luftërat e para zakonisht e përbënin shokët më të ngushtë dhe me të sinqertë të Muhamedit a.s. përkatësisht: Aliu, Hamza, Ebu Bekri, Omeri, Amar ibën Jasiri, Ebu Dherr Gifariu, Mus'ab ibën Umeiri dhe Zubejr ibën Avame. Ajo që ia vlen të përmendet këtu është se për shkak të natyrës së ashpër të kushteve që jetuan muslimanët në atë kohë, ata kishin vetëm disa deve dhe disa kuaj, që do të thotë se ata ose duhej të ecin këmbë ose të përshtateshin tre deri në katër njerëz në një deve. Megjithatë, pavarësisht nga kushtet e vështira që sahabët i përjetuan në këto luftëra, Amari ishte shumë i njohur dhe i respektuar për përkushtimin e tij të devotshëm në të gjitha betejat e mundimshme, përgjatë dhe vdekjes së Muhamedit a.s. [10]

- Ai për shokët e tjerë të pejgamberit konsiderohej simbol dhe prijës i tyre. Ebu Abdurrahman Sulemiu ka thënë: "I kam pasë sahabet e pejgamberit (ditën e Sifinit) i shkonin pas Amarit si të ishte udhërrefyes dhe flamur i tyre". [11]

Amari ka vazhduar për të luftuar në rrugën e Allahut deri në fund të fundit. Sa herë që ka pasur një thirrje për të luftuar armiqtë e Islamit, Amar ibën Jasiri nuk ka qëndruar, por ka nxituar për t'iu bashkuar rradhëve të para të ushtrisë muslimane.

- Ai ka treguar trimëri të rrallë edhe në luftën e Jemames, e cila është zhvilluar kundër profetit të shtirur, Musejleme ibën Habibit, i cili ishte i njohur me titullin, "gënjeshtari". Ibën Omeri ka thënë: "E kam parë Amar ibën Jasirin ditën e Jemames, kishte hipur mbi një gur dhe bërtiste me zë të lartë sa mundte: "O muslimanë, a prej Xhenetit po ikni?" Unë jam Amar ibën Jasiri, a prej Xhenetit po ikni? Unë jam Amar ibën Jasiri ... mblidhuni rreth meje. Dhe pashë veshin e tij, iu kishte prerë dhe i rrinte varur, megjithëkëtë, ai luftonte me një shkathtësi të paparë". [12]

Mes Amarit r.a. dhe Othmanit

Transmton ibën Ebi Shejbe, prej Salim ibën Ebi Xhadit, i cili ka thënë: "Shokët e Muhamedit, paqja qoftë mbi të, shkruan të metat (gabimet e qeverisjes së) Othmanit në një letër dhe thanë: Kush është ai që shkon dhe ia dërgon atij. Amari tha: Une. E mori letrën dhe ia qoi. Kur Othmani mori letrën dhe e lexoi, tha: Allahu të poshtëroftë (Allahu ta marroftë fytyrën o bir zezakeje)! Atëherë Amari Tha: A edhe fytyrën e Ebu Bekrit dhe Omerit (ne po të thërrasim ta trasosh rrugën e tyre)?! Thotë transmetuesi: Atëherë, Othmani u ngrit (urdhëroi të rrihet) dhe e shkeli me këmbë (Amarin) derisa atij i ra të fiktë. Tha (transmetuesi): Amari atë ditë kishte veshur pantollona të vogël, aq sa ia mbulonin auretin. Pas kësaj ngjarje Othmani e ka dërguar Zubejrin dhe Talhanë tek Amari, dhe ata i thanë: "Zgjidh njëren prej trijave: Ose tia falësh, ose të marrësh dëmshpërblim në të holla, ose tia kthesh Othmanit në mënyrë të njëjtë (kisas)". Amari ka thënë: "Nuk pranoj asnjëren, derisa ta takoj Allahun e madhëruar".

Ebu Bekri - autori i Musanefit pasi transmetoi këtë hadith tha: "E kam dëgjuar Jahja ibën Ademin që ka thënë: Ia kam përmendur këtë hadith Hasen ibën Salihut, e ai tha: Kjo ishte e tëra që Othmani mundi të bëj (që ti dalë hakesh Amarit)". [13]

- Historiani i njohur klasik Ibën Kutejbe, në librin e tij të historisë në lidhje me këtë ngjarje rrëfen: "Shokët e profetit janë mbledhur dhe kanë përmendur të bëmat e Othmanit dhe vendet ku ai kishte kundërshtuar synetin e profetit dhe traditën e dy kalifëve para tij -Ebu Bekrit dhe Omerit-; i kanë shkruar kërkesat e tyre në një fletushkë, dhe janë marrë vesht që këtë fletushkë t'ia dorëzojnë Othmanit në pallatin e tij. Prej atyre që kishin vendosur ta dërgonin kërkesën, ishin dhjetë prej shokëve të profetit, prej tyre Amar ibën Jasiri dhe Mikdad ibën Esvedi. U nisën. Gjatë rrugës, njëri pas tjetrit nisën ta lënë Amarin, derisa mbeti i vetëm, mirëpo ai nuk u zbraps dhe arriti në pallatin e Othmanit. Kërkoi leje dhe iu dha leja. Aty ishte prezent kryeministri i Othmanit, Mirvan ibën Hakemi. Kur Othmani lexoi letrën, pyeti: A ishte dikush tjetër me ty. Ai tha: Po, por ata më lanë vetun nga frika prej teje. Pyeti: Kush ishin ata. Amari tha: Nuk të tregoj për ta. Mervani në këtë rast ndërhyri dhe tha: O prijës i besimtarëve, ky rob i zi (e ka synuar Amarin) i ka bërë njerëzit të qohen kundër teje. Nese e vret, do tua mbyllësh derën atyre që janë pas tij. Othmani atëherë u tha ushtarëve të tij: Rriheni! E rrahën Amarin, e me ta rrahu edhe Othmani, derisa ia shqyen barkun dhe atij i ra të fikët. Pastaj e morën dhe e gjuajtën matanë portës së pallatit. Aty pari kaloi Umu Selemeja gruaja e profetit; nëna e ndershme e besimtarëve, Allahu qoftë i kënaqur me të, idhnohet për atë që ka vepruar Othmani, e merr Amarin dhe e dërgon në shtëpinë e saj që ta shëronte. Kur fisi i Amarit -Benu Mugire- dëgjuan për këtë, u shqetësuan shumë dhe thanë: Nëse Amari vdes, nuk do ta paguajë këtë askush tjetër pos Othmanit. Othmani u tha: Ju nuk do të keni mundësi ...". [14]

- Transmeton Hakimi nga Ibën Mesudi, se ka thënë: "Nuk njoh asnjërin që ka dalë në fitne (është ngritur kundër pushtetit të Othman ibën Afanit), e me këtë (dalje) ka synuar shpërblimin e Allahut, pos Amar ibën Jasirin". [15]

Thashë: Në fundin e dinastisë së Othmanit, disa sahabe dhe tabein ishin quar në kryengritje kundër tij në Medine, sepse sipas tyre, Othmani kishte bërë disa padrejtësi që nuk toleroheshin, e që janë të përmendura dhe sqaruara në librat e historisë. Amari edhe pse i shtyrë në moshë, ishte prej atyre që e urdhëroi kalifin për të mirë dhe e ndaloi nga e keqja. Othmani - Allahu e faltë, i shtyrë nga Mirvani fatzi, i bëri padrejtësi Amarit, mirëpo qëllimi i Amarit qe i mirë, ai nuk deshi të bëj fitne, përkundrazi. Athua vallë, si do të vepronte Amari me qeveritarët e myslimanëve po të jetonte në kohën tonë?!

Vyrtytet e Amarit

Vlerat e Amarit janë të mëdha. Besimi, asketizimi dhe morali i tij ishin të nivelit më të lartë. Dituria, urtësia, trimëria dhe dinjiteti i tij nuk mund të përshkruhen dot. Në vijim po paraqesim edhe disa vytyte tjera të tij:

- Ka thënë Allahu i lartësuar: [Vallë, a është ai që qe i vdekur kurse Ne e ngjallëm dhe i dhamë dritë, me të cilën ecën mes njerëzve, si ai që ka mbetur në errësirë (i humbur) dhe nuk mund të shpëtojë nga ajo? Ja, kështu (si këtij në errësirë) iu duket mirë mohuesve ajo që veprojnë], (Enam:122). Në shumë komente të Kuranit, nga Ibën Abasi dhe disa komentues të tjerë, përmendet se ky ajet ka zbritur për nder të Amar ibën Jasirit, ndërsa fjala (si ai që ka mbetur në errësirë (i humbur) dhe nuk mund të shpëtojë nga ajo) aludon Ebu Xhehlin.

- Aliu r.a. ka thënë: Ka thënë i dërguari i Allahut, paqja qoftë mbi të: "Nuk ka pasur para meje asnjë profet, e që të mos iu ketë dhënë atij shtatë shokë të ngushtë besnikë të qëndrueshëm dhe vezirë, ndërsa mua më janë dhënë katërmbëdhjetë, shtatë jane prej kurejshitëve dhe shtatë prej muhaxhirëve: Hamza, Xhaferi, Aliu, Hasani, Hysejni, Ebu Bekri, Omeri, Mikdadi, Abdullah ibën Mesudi, Ebu Dherri, Hudhejfja, Selmani, Amari dhe Bilali". [16]

- Omer ibën Hatabi i ka shkruar banorëve të Kufes: "U kam dërguar Amarin emir dhe Abdullah ibën Mesudin mësues dhe vezir. Këta dy janë shokët më fisnik (nuxhaba) të Muhamedit a.s. dëgjoni dhe pasoni ata". [17]

- Ka thënë Ebu Neufel ibën Ebi Jakubi: "Amari ishte fjalëpakë dhe i heshtur (i qetë)". [18]

- Transmeton Halid ibën Velidi i cili thotë: "Mes meje dhe Amar ibën Jasirit kishte ndodhur një mospajtim, atëherë unë shkova dhe iu ankova pejgamberit a.s. dhe fola keq për (e shava dhe e nënqmova) Amarin. I dërguari i Allahut, paqja qoftë mbi të, më paralajmëroi dhe më tha: "Kushdo që bën armik Amarin, Allahu bëhet armik i tij, ai që urren Amarin, Allahu e urren atë, kushdo që shan Amarin, Allahu e mallkon atë, kush e përbuz Amarin Allahu e nënvlerëson atë dhe kush e nënçmon Amarin, Allahu e denigron atë". Pasi dëgjova këtë fjalë, thash: O i dërguar i Allahut, kërko falje për mua! Pastaj Halidi tha: Nuk kishte për mua diçka më të rëndë atë ditë sesa nënqmimi që i pata bërë Amarit, dhe qysh prej asaj dite fillova ta doja Amarin". [19]

- Transmeton Aliu a.s. dhe thotë: "Ishim ulur te pejgamberi, paqja qoftë mbi të, erdhi Amari dhe kërkoi leje të hyj. Profeti ia njohu zërin dhe tha: lejojeni që të hyj. Kur hyri i tha: Mirësevjen (merhaba) o i pastër, i bekuar". [20]

- Transmeton Alkameja dhe thotë: "Shkova në Sham (Damask), i fala dy rekate, pastaj thashë: O Allah, ma bëj të mundur që të ulem tek një njeri i mirë. Shkova tek një grumbull njerëzve dhe u ula pranë tyre. Në ato qaste erdhi një shejh dhe u ul pranë meje. Thashë: Kush është ky? Më treguan: Ebu Derdaja. Atëherë i thashë: E luta Allahun të ma mundësojë të ulet pranë meje një njeri i mirë, kur ja, erdhe ti! Më pyeti: Prej nga jeni? I thashë: Prej Kufes. Më tha: Po a nuk është te ju Abdullah ibën Mesudi - bartësi i nalleve, jastëkut dhe tazit të profetit, dhe a nuk është te ju Amar ibën Jasiri - ai të cilin Allahu e ka mbrojtur prej shejtanit përmes gjuhës së profetit të Tij, dhe a nuk është te ju shoku i sekretit të pejgamberit - Hudhejfe ibën Jemani që askush pos tij nuk e di atë". [21]

- Transmeton Enes Ibën Maliku se profeti ka thënë: "Xheneti -e në një transmetim tjetër- Hyrijat përmallohen për tre persona: Aliun, Amarin dhe Selmanin". [22]

- Transmeton Halid Arniu dhe thotë: "Kam hyrë unë dhe Ebu Seid Hudriu tek Hudheifja dhe i kemi thënë: O Ebu Abdilah, kallëzona çka ke dëgjuar prej të dërguarit të Allahut në lidhje me fitnen! Hudhejfja tha: I dërguari i Allahut ka thënë: Shkoni pas librit të Allahut, aty ku gjendet atë. I thamë: Po nëse njërëzit përqahen, me kë të shkojmë? Tha: Shikoni grupin ku është i biri i Sumejes dhe kapuni për të, sepse ai gjendet aty ku gjendet Libri i Allahut. I thash: Kush është i biri i Sumejës?! Tha: A nuk e njihni?! I thashë: Tregom! Tha: Është Amar ibën Jasiri. E kam dëgjuar të dërguarin e Allahut duke i thënë Amarit: O Ebu Jakdhan, nuk do të vdesësh derisa të vret grupi rrebel që ka devijuar rrugën". [23]

- Transmeton ibën Mesudi dhe Aisha, se pejgamberi, paqja qoftë mbi të, ka thënë: "Nuk i janë paraqitur atij (Amarit) dy gjëra, e që të mos e kete zgjedhur të drejtën (udhëzimin dhe më të mirën) prej tyre". [24]

Në një transmetim tjetër thuhet: "Kur njerëzit të përqahen, i biri i Sumejës është në hak". [25]

E në një tjetër, profeti ka thënë: "Udhëzohuni me udhëzimin e Amarit. Amari është me të vërtetën dhe e vërteta është me Amarin. Ai gjendet aty ku është e vërteta".

Beteja e Sifinit

- Abdullah ibën Selemeh ka thënë: "E kam pa Amarin ditën e Sifinit, burrë i vjetër, me një fytyrë të kuqërremtë, i gjatë me shtat. Mori bajonetën në dorë, e dora e tij dridhej dhe pastaj tha: Pasha Atë në dorën e të cilit është shpirti im, kam luftuar me këtë shtizë bashkë me pejgamberin, paqja qoftë mbi të, tri here, e kjo është hera e katërt (që luftoj me po të njëjtën shtizë). Pasha Zotin, edhe nëse do të na vrasin derisa të na grijnë copa, ne e dimë se jemi në hak, e ata (Muaviu dhe ushtria e tij) janë në devijim". [26]

- "Ditën kur ra shehit Amar ibën Jasiri, ishin vrarë shumë shokë të Aliut a.s. Ishte kohë ikindie, pak para përendimit të diellit. Amari ishte agjërueshëm. Kur dielli ia behu në përendim, Amarit ia sollën një taz me qumsht që të bënte iftar. Duke pritur iftarin qeshi. E pyetën: Pse po qesh o Amar?! Tha: E kam dëgjuar pejgmberin a.s. të thotë: Nuk do të vdesësh, derisa të vret grupa e rrebeluar. Do ta pish një taz me qumsht; ai do të jetë risku yt i fundit në këtë dynja. Pastaj thirri: U afrua xheneti. U martuan hyriat. Sot do ta takojmë të dashurin tonë Muhamedin a.s.. Ai më ka premtuar se: Ushqimi yt i fundit në këtë botë do të jetë një taz me qumësht. Pastaj doli në front, luftoi derisa u vra. Në atë kohë kishte nëntëdhjetë e katër vjet". [27]

- Transmeton Ebu Said Hudriu r.a. se një ditë duke treguar hadithe, ra llafi i ndërtimit të xhamisë së profetit dhe tha: "Secili prej nesh e barte nga një tullë, nga një tullë, e Amari nga dy tulla, nga dy tulla. Kur e pa profeti a.s. e fshiu pluhurin nga ai dhe tha: Vaj halli për Amarin, do të vritet nga grupi i rrebeluar, ai i thërret ata për në xhenet, e ata e thërrasin për në zjarr". Tha transmetuesi: "Amari kur dëgjoi këtë fjalë thoshte: Allahu na ruajtë prej sprovave!". [28]

Thashë: Amar ibën Jasiri r.a. është vrarë në betejën e Sifinit. Atë e ka vrarë ushtria e Muaviut. Sipas këtyre fjalëve të pejgamberit, ushtria e Muaviut kanë qene grupi i rrebeluar dhe imami i tyre Muaviu prijës që ka thirrur për në zjarr. Ka thënë Allahu i madhëruar: [...Dhe ata i bëmë prijësa që thërrasin për në zjarr dhe në ditën e kijametit atyre nuk do t'u ndihmohet. Edhe në këtë botë i kemi përcjellë ata me mallkim, kurse në ditën e kijametit ata janë të përbuzur], (Kasas:39-42).

Ky hadith dhe të ngjashmet me to kundërshtojnë medh'hebin e devijuar të nasibive, vërtetojnë vyrtytet e Aliut dhe Amarit dhe dëshmojnë se ushtria e tyre ishin në hak, ndërsa pala tjetër e rrebeluar ishin në devijim, zullumqarë dhe fasikë.

Këto hadithe njëkohësisht janë edhe prej profetësive që dëshmojnë vërtetësinë e Muhamedit a.s. pejgamber, sepse ai lajmëroi për ngjarje që do të ndodhin në të ardhmen dhe ashtu ngjau.

Rënia dëshmor e Amarit dhe vrasësi i tij

- Transmeton Kulthum ibën Xhebri, i cili thotë: "Ishim në Vasit (qytet në Irak) në shtëpinë e Anbes ibën Seid Kureshiut, e me neve ishte edhe Abdulala ibën Abdilah ibën Amiri. Aty erdhi një njeri dhe kërkoi leje të hyj. Mikëpritësi pyeti: Kush është? Ai tha: Vrasësi i Amarit është në derë (krenohej me këtë gjest). Disa që ishin të pranishëm e urryen këtë fjalë të tij. I Zoti i shpisë tha: Lereni të hyj. Kishte veshur një xhybe të gjatë, ishte një burrë shtatëlartë, një lloj race sikur të mos ishte prej këtij ymeti. Pasi u ul, na tha: Ia kam dhënë besën pejgamberit (bejan në Ridvan). Unë e pyeta: Me dorën tënde të djathtë?! Tha: Po, dhe pastaj profeti na e mbajti një hytbe në ditën e Akabesë në të cilën tha: O ju njerëz, vërtetë gjaku juaj dhe pasuria juaj janë të ndaluara (të shenjta) mes jush derisa ta takoni Zotin tuaj, ashtu siç është e shenjtë kjo ditë, në këtë muaj dhe në këtë vend. A nuk ua komunikova? Thamë: Po. Tha: O Zot, dëshmo! Pastaj tha: Mos u bëni pas meje qafirë, të devijoni; të ktheheni e ta vrisni njëri tjetrin"!

Pas kësaj fjale, disa prej të pranishëmëve e pyetën: Si ka qenë puna me Amarin o Ebu Gadije? Ai tha: Neve e kemi pas numëruar Amar ibën Jasirin si më të mirin nder ne. Mirëpo, për zotën, një ditë prej ditësh duke qënë në xhaminë e Kubasë, e ai (Amari) e shau Othmanin dhe tha për të: Othmani është plakush torollak (Nathel). Që atëherë e vendosa ta vrasë, bile sikur të gjëja përkrahës aty për aty do ta vrisja. Pastaj kam thënë: O Allah ma mundëso ta vras Amarin; nëse Ti ma mundëson, do tia tregojë qejfin. Kur erdhi dita e Sifinit, e pashë Amarin në njësine (batalionin) e parë, ectë në këmbë dhe kishte me vete një mburojë. E përcolla derisa e lëvizte mburojën, shfrytëzova rastin dhe gjeta një zbrazëtirë mes mushkërive dhe këmbëve të tij, e gjuajta me shtizë dhe e mbyta.

Transmetuesi i këtij hadithit tha: Nuk kam parë njeri më të devijuar se ky. E ka dëgjuar profetin se çka ka thënë, pastaj e ka vra Amarin!!!

Pastaj Ebu Gadije kërkoi ujë për të pirë. Ia sollën ujin në një enë të veshur prej argjendi, e ai nuk pranoi për të pirë në të. Pastaj i sollën unë në një gotë prej qelqi dhe piu. Atëherë dëgjova njërin në krye të odës që katundarçe u shpreh: "Ia thafshin duartë, kujdeset të mos pijë ujë në enën e argjendit, e nuk ia ndien pse e ka vrarë Amarin". [29]

Thashë: Ebu Gadije Xhuhebiu është Jesar ibën Sebua, ka qenë sahabij, prej shijave të Othmanit. Ka marrë pjesë edhe në besatimin e Ridvanit, mirëpo e gjithë kjo nuk do ti bëjë dobi, sepse e ka njollosur historinë e tij, është rreshtuar krah grupit të rrebeluar dhe e ka vrarë Amar ibën Jasirin.

Është shumë e çuditshme me disa njerëz fanatikë të cilët thonë se Ebu Gadije është prej xhenetlive dhe i shpërblyer për veprën e tij, ndërsa i dërguari i Allahut ka thënë: "Vrasësi i Amarit dhe ai që ia që ia merr armen janë në zjarrë". [30]

Shejh Albani pasi e saktësoi hadithin e Ebu Gadijes, deklaroi: "Ebu Gadije është sahabij. Këtë e kanë pohuar shumë dijetarë. Ibën Haxheri në librin e tij "Isabe", në fund të biografisë së këtij sahabie, përmendi hadithin në fjalë, dhe pastaj tha: "Ibën Meini e ka prerë se Ebu Gadije është vrasësi i Amarit". Mendimi për sahabët në këto luftëra është se ata ishin të arsyetuar me interpretim (tevil), muxhtehidi gabimtarë prej tyre e ka një shpërblim. Nëse kjo gradë i pohohet njerëzve tjerë, atëherë për sahabe është më parësore".

Thashë (thënësi është Albani): "Kjo është e vërtetë, mirëpo zbatimi i kësaj rregulle për të gjithë anëtarët në mënyrë individuale është problem, sepse bjen ndesh me hadithin paraprak. Ne s'kemi mundësi të themi se Ebu Gadije -katili i Amarit- është i shpërblyer, sepse e ka mbytur atë duke qenë muxhtehid, sepse i dërguari i Allahut, paqja qoftë mbi të, ka thënë: "Vrasësi i Amarit është në zjarr". Për këtë arsye, e sakta këtu është të thuhet se: Rregulla është e vërtetë derisa të del një dëshmi tjetër e prerë që e kundërshton atë, siç është shembulli këtu në këtë hadith; në këtë rast përjashtohet". [31] (Përfundoi fjala e Albanit).

- Ka thënë Ebu Abdurrahman Sulemiu: "Ditën e Sifnit pashë katër veta që po ecnin; Mavijen të birin e Ebu Sufjanit, Ebu A'ver Sulemiun, Amër ibën Asin dhe djalin e tij (Abdullah ibën Amrin) i cili po i thoshte babai të tij (Amrit): O baba, e kemi vra këtë burrin (Amarin), e i dërguari i Allahut, paqja qoftë mbi të, ka thënë për të atë që ka thënë?! Tha: Për cilin njeri e ke fjalën? Tha: Amar ibën Jasirin. A nuk të kujtohet dita kur e ndërtonim xhaminë, secili prej neve barte nga një tulle e Amari nga dy, pastaj ra kah pejgamberi; ti ke qenë prezent aty, e profeti i tha: Ty o Amar do të të vrasin grupa e rrebeluar (fietul bagijeh), ti do të jesh prej xhenetlive. Pas kësaj, Amri hyri te Muaviu dhe i tha: E kemi vra Amarin. Muavia tha: Ani çka? Tha: Pejgamberi ka thënë për të se do ta vrasin grupi i rrebeluar! Atëherë Muavija tha: Mshele goje, vallahi ti rreshqite në urinën tënde. A ne e kemi vrarë?! Atë e ka vra Aliu dhe shokët e tij. Kanë ardhë te ne dhe e kanë gjujtë në mesin tonë (mes shpatave tona)". [32]

Thashë: Meditojeni këtë kundërshtim dhe koment të pacipë të Muaviut kundrejt hadithit të pejgamberit a.s.!!! Përpiqen ta mashtrojnë Allahun, por Ai i mashtron ata me denim. - Kur Aliu ibën Ebu Talibi ka dëgjuar për këtë fjalë dinake të Muaviut, ka thënë: "Atëherë pra, edhe Muhamedi e paska pas vrarë Hamzanë kur e ka dërguar në luftë kundër mushrikëve"!!! Njëjtë tregohet edhe nga Ibën Abasi. - Në namazin e sabahut, Aliu bënte dua (kunut) dhe thoshte: "O Allah, mallkoje Muavijen dhe shijat e tij, Amër ibën Asin dhe shijat e tij, Ebi Aver Sulemiun dhe Abdullah ibën Kajsin bashkë me shijat e tyre". [33]

Informatë: Më 11 mars 2013, është përmendur se grupe terroriste kanë bombarduar dhe dëmtuar varrin e Amar ibën Jasirit që gjendet në Rakah të Sirisë. Ky akt i rëndë sakrilegj u dënua nga muslimanët dhe ngjalli zemërim të madh në pjesë të ndryshme të botës muslimane. Allahu i mallkoftë vrasësit e Amarit dhe ata që u gëzuan me vrasjen e tij. Allahu i mallkoftë edhe këta kriminelë, që nuk e lanë rehat të pushojë as edhe në varrin e tij! [... mallkimi i All-llahut qoftë kundër zullumqarëve], (Hud:18)! Kush ndalon nga mallkimi i të mallkuarit, edhe ai është i mallkuar.

Ndërsa bekimi qoftë për Amarin në ditën që përqafoi Islamin, në ditën që u vra dhe në ditën kur do të qohet përsëri nga toka!

Gjurmoi, mblodhi dhe përpiloi, hoxhë: Drilon Ibrahim Gashi

Vërejtje: Të gjitha të drejtat e temës janë të rezervuara vetëm për autorin!

_________________________

[1] Mustedrek Hakim, nr. 5705, 5706, 5707. Kur profeti u shpërngul prej Mekes në Medine, dhe arriti tek vendi ku sot gjendet xhamia e Kubasë, Amari kishte thënë: Profetit i duhet një hije ku do të pushojë dhe një faltorë ku do të falet, dhe pastaj kishte filluar ndërtimin e parë të Xhamisë së Kubasë. Kur profeti pa Amarin duke e ndërtu faltoren, i tha: "Ti je vigjilent për të fituar shpërblimin o Amar. Ai tha: Po. Profeti pastaj i ka thënë: Ti je prej xhenetlive". Shiko Musnedin e Ebu Jalasë (7351).

[2] Sire ibën Is'hak.

[3] Tabakat ibën Sa'd.

[4] Mustedrek Hakim (5696, 5720) dhe e konsideroi të saktë. Hejthemiu në "Mexhma Zevaid" (vëll. 9, fq. 293) ka thënë: E ka shënuar Tabaraniu dhe transmetuesit e tij janë të besueshëm.

[5] Sire ibën Is'hak.

[6] Hakimi (5289), Ibën Maxhe (150), Ahmedi (3832), Ibën Ebi Shejbe (32999, 37748), Ibën Hibani (7083), etj. Përpos Hakimit dhe Ibën Hibanit, hadithin e ka saktësuar edhe Busejriu në "Zevaid" (30) dhe Dhehebiu në "Sijer" (Vëll. 1, fq. 348), Albani dhe shejh Shuajbi.

[7] Ibni Hishami: I/319, 320; Fikhu-s-Sire nga Gazaliu, f. 82; Rivajeti i El-Avfit nga Ibën Abbasi, Rahmetun li-l-Alemin: I/57; Min Iaxhazu El-Tenzil, f. 53.

[8] E ka shënuar Hakimi në Mustedrek (5733), Nesaiu në Sugra (4945), Ibën Maxhe (147), Ibën Ebi Shejbe (30987, 32910, 32917, 32921) dhe hadithi është sahih. Hafiz ibën Haxheri në Isabe (vol. 1, fq. 512) ka thënë: Zingjiri i tij është hasen.

[9] Metalib Alije (4077), Tabarani në "Muxhem Kebir" (5915), Axhurri në "Sheria" (1776), etj.

[10] Amari ka marrë pjesë në në Bedër, Uhud, Handek dhe në të gjitha betejat që ndodhën gjatë jetës së Profetit bashkë me të. Shiko Mustedrek Hakim (5707); Sijer Alamu Nubela (vëll. 3, fq. 247), etj.

[11] Mustedrek Hakim (5740).

[12] Mustedrek Hakim (5708).

[13] Ebi Shejbe në Musanefin e tij (nr. 31281), dhe zingjiri i hadithit është sahih.

[14] Shiko "Imame ve Sijase" të Ibni Kutejbes, "Tarih Medine" të Ibni Shebes (nr. 1913). Thashë: Tregimi përmendet edhe në Musnedin e Ahmedit (439), por i përgjysmuar. Nuk e di pse?!

[15] Transmeton Hakimi në Mustedrek, nr. 5739, dhe tha: Zingjiri i tij është sahih.

[16] E ka shënuar Ahmedi në Musned (665, 1263, 1206, 1274), Tirmidhiu (3877), Hakimi (4953), Ibën Ebi Shejbe (32903), Tabaraniu (6047, 6048, 6049), Bezari, Ibën Arabiu, Ibën Asakiri.Thashë: Hadithi sipas imam Ahmedit dhe Ibën Hibanit është hasen, ndërsa imam Hakimi ka thënë: Ky hadith e ka zingjirin e saktë dhe Buhariu dhe Muslimi nuk e kanë shënuar.

[17] Ibën Ebi Shejbe (32903), Hakimi (5717) dhe tha: Është sahih sipas kushtit të Buhariut dhe Muslimit, e me të u pajtua edhe Dhehebiu. Hadithin e ka bërë Sahih edhe Dija Makdisiu (nr. 109), Hejthemiu në "Mexhma Zevaid" (vëll. 9, fq. 291) ku ka thënë: E ka shënuar Tabaraniu dhe transmetuesit e tij janë të besueshëm, përpos Harithes, i cili po ashtu është thikah. Thashë: Hadithi ka shahit edhe tek Ibën Sadi në Tabakat (vëll. 3, fq. 111), Abdurrezaku në Musanef (10128) dhe Ebu Jusufi në librin e tij "Haraxh".

[18] Sijer Alamu Nubela (vëll. 3, fq. 256).

[19] E ka shënuar Hakimi (5721, 5724, 5726, 5757, 5728) dhe e ka saktësuar. Hadithin e ka përmendur edhe Ahmedi (16821), Nesaiu në "Kubra" (8270), Tahaviu në Mushkil Athar (3232), Ibën Hibani (7081), Tabaraniu në "Kebir" (3831), Tajalisiu (1156), etj. Hejthemiu në "Mexhma Zevaid" tha: Transmetuesit e tij janë te besueshëm.

[20] Tirmidhiu (3798), Ebu Davudi (1274), Ibën Maxhe (147), Nesaiu në "Kubra" (372), Ibën Hibani (7075), Ahmedi (779, 999, 1033, 1079, 1160), Ibën Ebi Shejbe (32909), Hakimi (5716), Ebu Jala (411), Tajalisiu (117), Ibën Xharudi (281), Ibën Huzejme (1285), Shashi, etj. Sahih e ka bërë Tirmidhiu, Taberiu, Hakimi, Dija Makdisiu, dhe shumë dijetarë.

[21] Buhariu (3287, 3742), Hakimi (5434, 5732), Tirmidhiu (4181), etj.

[22] Hakimi (4721) dhe e konsideroi sahih, Tirmidhiu (3797), Ebu Jala (2779, 6772), Tabarani në "Kebir" (6045), Dejlemiu (2530), etj. Hafiz Hejthemiu në "Mexhma Zevaid" (nr. 15843) tha: E ka shënuar Tabaraniu dhe transmetuesit e tij janë të besueshëm, përpos Ebu Rrebija Ejadiut, hadithet e të cilit Tirmidhiu i ka konsideruar të mira. Shiko gjithashtu: "Mexhma Zevaid" (vëll. 9, fq. 310). Thashë: Ebu Rrebija Ejadiu është Amer ibën Rrebija dhe Ibën Meini e ka konsideruar të besueshëm (thikah). Albani në fund të jetës së tij e ka pas bërë sahih gjithashtu. Shiko "Sahih Xhami" (1598). Sido që te jetë, hadithi nuk zbret nga shkalla e hasenit.

[23] Hakimi(2699, 5718, 5729) dhe e ka saktësuar sipas kushtit të dy sahihëve, e me të është pajtuar edhe Dhehebiu. Hadithi e kasaktësuar edhe imam Sujutiu në "Xhamiu Sagir".

[24] Tirmidhiu (3799), ibën Maxhe (148), Ahmedi (24820), Nesaiu në "Kubra" (8276), Hakimi (5718, 5719) dhe hadithi është gjithashtu sahih, edhe atë sipas kushtit të Muslimit.

[25] Hadithin e shënon: Tabaraniu në "Muxhem Kebir" (10071), Bejhekiu në "Delail Nubuveh", etj.

[26] Hakimi në Mustedrek (5701, 5731) dhe e konsideroi të saktë sipas kushtit të Buhariut dhe Muslimit. Hadithin e ka shënuar edhe: Ibën Hibani në Sahihun e tij (7080). Atë e konsideroi të saktë edhe Hejthemiu në "Mexhma Zevaid" (vëll. 9, fq. 292).

[27] Hakimi në Mustedrek (5709, 5722, 5723, 5729) dhe e konsideroi sahih sipas kushtit të Buhariut dhe Muslimit. Me të u pajtuar edhe Dhehebiu. Hadithin e ka shënuar edhe Ahmedi (18880), Ibën Ebi Shejbe (39032), Ebu Jala (1614, 1626), Bezari në "Bahru Zehar" (1432), Tabaraniu në "Evsat" (6467), etj.

[28] Buhariu (447, 2812), etj. Hadithi (Vaj halli për Amarin, do të vritet nga grupi i rrebeluar)është sahih i gradës mutevatir, sepse përcillet prej më shumë se gjashtëdhjetë sahabëve dhe ka me qindra rrugë transmetimi.

[29] Hakimi (5710, 5712), Ahmedi (16698, 17776), Tabarani në "Kebir" (18347), Ibën Sa'di në "Tabakat" (3747), Ebu Bekër Shejbani në "Ahad ve Methanij" (261), etj. Hajthemi në "Mexhma Zevaid" (vëll. 9, fq. 298) tha se zingjirin e ka sahih. Hadithin e ka verifikuar si të saktë edhe Shuajb Arnauti.

[30] Ahmedi (17776) dhe Hakimi (5715) dhe e ka saktësuar. Dhehebiu ka thënë: Është sahih sipas kushtit të Buhariut dhe Muslimit gjithashtu.

[31] Silsile Sahiha (vëll. 5, fq. 7).

[32] Hakimi (5713, 5714), Abdurrezaku (20427), Ahmedi (6499, 6926, 17778), Ebu Jala (7175) dhe është sahih.

[33] Ibën Ebi Shejbe (7123) dhe senedi është sahih, Taberiu në "Tarikh" (vëll. 6, fq. 40), Beladheriu në "Ensabul Eshraf", Ibën Kethiri në "Bidaje ve Nihaje", etj.

Në rregull

Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...