Huxhër ibën Adiu el-Adbari ishte nga fisi Kindah. I kanë thënë el-Adbar sepse ia kishin prerë kokën nga prapa qafes. Huxhri ka qenë prej atyre që e kanë parë të dërguarin e Allahut, njeri shumë i devotshëm, trim i pashoq, që ka luajtur një rol jetik në korrigjimin e umetit gjatë mbretërimit të Muaviut, kur zakoni e mallkonte Aliun a. s nga mimberi i xhamive...

Huxhër ibën Adiju r.a ka qenë prej përkrahësve të ngushtë të Aliut a.s, ka marrë pjesë në betejen e Kadisijes dhe ka dëshmuar luftën e Devesë, Sifinit dhe Nehrevanit së bashku me Aliun a.s[1].

Te qenurit e tij sahabi e ka theksuar Ibën Haxheri, Ibën Abdilberri dhe disa dijetarë tjerë.

Imam Hakimi në Mustedrekun e tij ka vënë një kapitull me titullin: “Përmendja e virtyteve të Huxhër ibën Adiut-Allahu qoftë i kënaqur me te. Ai ishte asketi i shokëve të Muhamedit, paqja qoftë mbi të”.

Ibën Abdulberri për të ka thënë: “Huxhri ka qenë prej sahabëve më të mirë, edhe pse ishte sahabij i ri në krahasim me sahabët e mëdhenj”[2].

Ibën Sadi dhe disa hadithologë tjerë mendojnë se Huxhri ka qenë tabein, e jo sahabi. Sipas tyre, ai ishte transmetues i njohur, besnik, Huxhër i hajrit[3].

-Transmeton Ebu Mishari dhe të tjerët se Huxhri ka qenë adhurues i madh. S’ka ndodhë që të rrijë pa abdest, e sa herë ka marrë abdest s’ka ndodhë që të mos e gjesh duke u falur[4].

Haxher ibn Adij jetonte në Kufe. Në atë kohë, zemrat e myslimanëve qanin gjak dhe njerëzit kafshonin gjuhët e tyre nga frika prej vdekjes. Aliu dhe familja e tij mallkoheshin hapur nëpër mimbere! Ai nuk mundi të heshtë, filloi të lavdërojë publikisht Aliun a.s dhe nuk aprovonte veprimet mizore të qeveritarëve të Muaviut.

Kur Muaviu emëroi në Kufe për guvernator Zijadin- të birin e zinasë, grindjet filluan të bëheshin më serioze dhe çështja u acarua edhe më shumë. Zijadi e mallkonte Aliun a.s. gjatë hutbes dhe Huxhri sigurisht se nuk do ta duronte këtë.

Kalimthi: Ky Zijadi ishte vëllaiu i Muaviut prej zinasë. Ebu Sufjani (baba i Muaviut) kishte bërë zina me Sumejen, dhe ajo pastaj e kishte lindur këtë kopil. Në kohën e Muaviut, Zijadi emërohet si bir legjitim i Ebu Sufjanit dhe Muaviu e pranon si vëlla të vetin, pas kësaj, ai qe krahu i djathtë i të bëmave të Muaviut[5].

-Transmeton robi i Zijadit, i cili thotë: “Më pat dërguar Zijadi tek Huxhër ibën Adiu, që i thuhet “Ibën Edberi”, e ai kundërshtoi të vinte, pastaj më ktheu për së dyti e ai prapë kundërshtoi ti përgjigjej urdhrit, atëherë (Zijadi) më tha: Shko thuaj atij se unë të kërcënoj të bësh veprime prej të cilave janë shkatërruar të parët e tyre”[6].

Në një rast ai (Haxhri) paralajmëroi Zijadin i cili ishte në mimber se e kishte vonuar shumë namazin e Xhumasë dhe frikohej hyrja e ikindisë. Si duket, ai e ka vonuar xhumanë deri në ikindi për të gjetur arsye dhe vëng e pastaj edhe të hakmerret. Huxhri nuk mundi ta duronte dhe fatkeqësisht edhe kësaj here ra në kurth. Zijad pastaj e arreston Huxhrin së bashku me dymbëdhjetë nga shokët e tij nën akuzen false se kinse ata paskan formuar një grup opozitar për ta përmbysur “kalifatin”.

Ai i dërgoi të burgosurit në Siri, që Muavije të merrej me ta. Bashkë me të burgosurit, do të dërgonte edhe një aktakuzë, të dëshmuar dhe nënshkruar nga banorët e Kufes. Si duket, ai kishte mbledhur dëshmitarë të rrejshëm të cilët dëshmuan kundër Huxhrit dhe shokëve të tij, se ata kishin thënë se kalifati ishte e drejtë ekskluzive e Ali Ibn Ebi Talibit, dhe i akuzuan për krijimin e një trazire; se Huxhri paska mbledhur njerëz rreth vetës, dhe po i stimulonte kundër Muaviut, dhe po e mohon edhe Allahun!

Disa nga nënshkrimet ishin dukshëm të falsifikuara, siç përcillet nga burimet që i përmendin emrat. Disa të tjerë kërkuan falje më pas për nënshkrimin e dhënë, duke nënkuptuar se Zijadi u kishte bërë shtypje për të dëshmuar për këto akuza.

Kryegjykatësi - Kadi Shurejhu, në letrën e dërguar Muaviut, protestoi duke thënë se nuk e kishte nënshkruar këtë dokument dhe se emri i tij ishte shtuar në listën e deshmive pa dijeninë e tij. Ai përkundër kësaj, i kishte shkruar Muaviut dhe i kishte thënë: “Dëshmoj se Huxhri është një musliman i devotshëm, i rregullt në namaze. Ai jep sadaka, agjëron Ramazan dhe gjithnjë e kryen haxhin, urdhëron për të mirë dhe ndalon nga e keqja. Ai vërtet ka një pozitë të lartësuar në Islam, dhe është besimtar gjaku i të cilit është haram te derdhet pa hak, e ti ndaq mbyte e ndaq leje”![7]

-Transmeton Ibën Sirini dhe thotë: “Zijadi një ditë ka zgjatur hytbën, e Huxhër ibën Adiu ka thirrur: Namazi! Zijadi kishte vazhduar. Ai prapë ia kishte tërhequr vërejtjen duke thirrur: Namazi, dhe kishte rrahur me dorë tokën, dhe njerëzit kishin rrahur me dorë tokën duke i dhënë shenjë të zbriste. Atëherë ai ka zbritur dhe është falur, e pas kësaj i ka shkruar letër Muaviut. Muaviu ia ka kthyer: Ma dërgo tek unë! Atëherë ai ia dërgon atij (të lidhur mbi deve së bashku me shokë). Kur Huxhri e fusin te Muaviu, ai i thotë: Selam Alejkum, o prijës I besimtarëve! Muaviu ia kthen: A prijës I besimtarëve qenkam unë? As nuk do të kërkoj arsye, e as nuk do të arsyetoj. Hiqjani kokën! Kur e morën dhe e quan te xhelati, kërkoi prej tyre që ta lejonin ti falte dy reqate. Ata e lejuan ti falte dy rekate. I fali dy reqate të shkurtëra, e pastaj tha (fjalën e tij të njohur): Sikur mos t’mendonit se unë jam duke u frikësuar nga vdekja, do ti zgjatja ato dy rekate. Pasha Allahun, nëse namazi im I mëparshëm nuk do t’më bëj dobi, s’do t’më bëjnë dobi as këto dy rekate. Pastaj u tha familjarëve të tij që ishin prezent: Mos mi hiqni gjërat e hekurta që kam (prangat), e as mos ma pastroni gjakun, më varrosni në teshat e mia, sepse unë do të jem hasëm i Muaviut nesër në xhade (në pritë), pastaj e vranë atë dhe të gjithë shokët e tij të cilët nuk ishin distancuar prej Aliut (të cilët nuk kishin pranuar ta shanin atë).

Tha Hishami: Kur Muhamed ibën Sirini pyetej për rregullat e shehidit, e përmendte hadithin e Huxhrit[8].

Përcillet në librat e historisë se atyre Muaviu u ishte vendosur atyre kusht, në qoftë se e mallkojnë Aliu a.s dhe shfaqin urrejtjen për të do të faleshin, përndryshe jo. Haxher ibën Adiju me shokë refuzoi dhe tha: '' Unë kurrë nuk do të them diçka që do ta hidhërojë Allahun”.

Përfundimisht Haxher ibën Adii, i biri i tij Human Ibn Haxher dhe shtatë shokët e tij u vranë me urdhër të Muaviut zullumqar-Allahu ia dhashtë hakun[9].

Atij jo vetëm që iu dha mundësia për ta shpëtuar jetën e tij, por më parë i ishin ofruar edhe shumë përfitime politike dhe ekonomike nga Zijadi. Ai i refuzoi të gjitha. Për të, arritja e këtyre gjërave nëpërmjet distancimit nga Aliu dhe mallkimit të tij, nuk ishte tjetër veçse distancim dhe mohim i vetë fesë.

Sipas disa transmetimeve, dëshira e tij e fundit ishte që biri i tij të ekzekutohej para tij që të mos tmerrohej nga vdekja. Në mesin e të ekzekutuarve ishte edhe Abdurrahman bin Hasani, i cili deshi të ikë, mirëpo e zunë dhe pastaj e vranë në mënyrën më barbare të mundshme; e varrosën për së gjalli!!!

Fundi tragjik i Huxhrit krijoi një valë tronditjeje në qytetet e shenjta myslimane. Madje edhe Aisheja dhe Abdullah ibn Umari r. a protestuan kundër ekzekutimit të tij.

-Transmeton Nafiu i cili thotë: E sollën Huxhrin (e prangosur) tek Muaviu. Njerëzit çuditeshin dhe thoshin: Çfarë te keqe paska bërë Huxhri?! Kur ibën Omeri mori lajmin e ekzekutimit të tij, ishte në Pazar, ishte mërzitur shumë, ia kishte plasur vajit, dhe qante me të madhe “[10].

-Transmeron Ebu Esvedi se Muavia pas vrasjes së Huxhrit dhe shokëve të tij, ka dëgjuar se Aisha r.a është hidhëruar shumë, dhe pasi është kthyer nga haxhi ka shkuar për ta vizituar. Aishja atëherë e kishte pyetur: Pse e mbyte Huxhrin dhe shokët e tij? Ai u arsyetua duke thënë: Vrasja e tyre ishte mirësi për ymetin, kurse mbetja gjallë e tyre ishte fitne dhe shkatërrim. Atëherë Aishja r. a i ka thënë: O biri i asaj që ka ngrënë mëlçinë[11], a të ka humbur butësia dhe rahmeti, a nuk munde ti burgosje në burg e të mos i vrisje?! Pasha Allahun, Huxhri ka qenë prej atyre që kanë bërë shumë haxhe dhe umre. E kam dëgjuar pejgamberin a. s të thotë: “Do të vriten në Adhra (vendi ku është vrarë Huxhri) njerëz, vrasja e të cilëve do ta hidhërojë Allahun dhe banorët e qiellit”[12].

Huxhri ka qenë prej atyre që i ka respektuar prindërit, ka pasur keramete dhe ka qenë prej dua-pranuesve.

-Ka thënë Merzijani: Huxhër ibën Adiu ka shkuar te pejgamberi së bashku me vëllaun e tij Hani ibën Adij. Ishte prej adhuruesve të Allahut dhe asketëve. Ka qenë respektues i njohur i nënës së tij, shumë është fale dhe shumë ka agjëruar nafile[13].

-Transmeton ibën Ebi Dunja në librin e tij “Mekarim Ahlak”, thotë: “Huxhër ibën Adij el Kindiu çdo herë e ka fshirë shtratin e nënës së tij me dorën e vet, e kur është siguruar se s’ka diçka të dëmshme, e ka shtrirë në të”[14].

-Transmeton Ibën Xhunejdi në “Tabakat Evlija”: Huxhër ibën Adiu një herë ka qenë gjynyp, e i ka thënë rojtarit të Muaviut: Ma jep ujin që kam për ta pirë ditën, që të pastrohem me të e mos më jep nesër asgjë. Ka thënë: Jo, sepse frikësohem se do të vdesësh nga etja, e pastaj mua me mbytë Muaviu. Thotë transmetuesi: E ka lutur Allahun, e në ato momente ka ardhur një re dhe i ka lëshuar shi, pastaj ka marrë aq sa i duhej. Shokët e tij i kanë thënë: Lute Allahun të na lirojë. Ka thënë: O Allah, na e merr shpirtin e na qetëso tek ti[15].

-Transmetohet se Hasan Basriu ka thënë: Mjerë Muaviu për Huxhrin, mjerë Muaviu për Huxhrin, mjerë Muaviu për Huxhrin dhe shokët e tij)[16].

-Ka thënë Ahmedi: I kam thënë Jahja ibën Sulejmanit: A ke dëgjuar ti se Huxhri ka qenë prej atyre të cilëve iu është pranuar duaja? Ka thënë: Po, dhe ai ishte prej sahabëve me të mirë të pejgamberit[17].

-Prej virtyteve të Huxhrit është numëruar edhe hadithi i Ebu Dherrit, i cili para se të vdiste në shkretëtirë, kishte thënë: E kam dëgjuar pejgamberin të thotë: Do të vdes një njeri prej jush në shkretëtirë, xhenazen e të cilit do ta dëshmojnë disa burra prej besimtarëve (mumininëve). Prej atyre që kishin dëshmuar ishte edhe Huxhër ibën Adiu.

-Transmeton Eshteri (shoku I ngushtë I Aliut) nga Ummi Dherri (gruaja e Ebu Dherrit), e cila ka thënë: “Kur Ebu Dherrit I erdhi vdekja, qava. Më tha: Pse po qan? I thashë: E pse mos të qajë, kur ti po vdes në shkretëtirë, e nuk ka kush të varrosë, e s’kam as rrobë të mjaftueshme me të qefinos? Tha: Mos qaj, myzhde, sepse e kam dëgjuar të dërguarin e Allahut duke thënë: Nuk I vdesin dy vetave dy fëmijë apo tre, e ata bëjnë sabër, veçse Allahu do ti bëj ata mburojë zjarri për prindërit. (Ebu Dherrit dhe gruas së tij i kanë vdekur fëmijët e vegjël). Pastaj më tha: Mos qaj moj, sepse e kam dëgjuar pejgamberin një ditë kur unë isha tek ai me disa veta, të thotë: Do të vdes një njeri prej jush në shkretëtirë, e do ta dëshmojnë vdekjen dhe xhenazen e tij disa burra prej besimtarëve (mumininëve). Tha: Të gjithë ata që kanë qenë atë ditë më mua kanë vdekur, s’ka mbetur prej tyre askush përveç meje. Tani gjendëm në këtë shkretëtirë dhe po vdes. Shko oj gruaja ime e shikoje rrugën sepse ti do ti shohësh ata burra që i përmenda, sepse pasha Allahun as nuk po gënjej e as nuk më ka gënjyer (pejgamberi). Ka thënë: E si ka mundësi të ndodhë kjo, kur vakti i haxhive ka përfunduar ?! Tha: Vrojtoje rrugën! Atëherë ajo doli në rrugë dhe po priste, e pas pak pa në shkretëtirë një pluhur dhe disa veta hipur në deve që po ecnin shpejt. Ata mësynë drejt gruas dhe u ndalën para saj. I thanë: Çfarë ke? Tha: Një burrë prej myslimanëve po vdes, ejani e më ndihmoni ta qefinosim dhe do të shpërbleheni. Thanë: Kush është ai? Thashë: Ebu Dherri. Thanë për çudi: Shoku I pejgamberit?!!! Tha: Po. Shpejtuan të gjithë dhe shkuan ta shohin. Pastaj ai u tha: Muzhde, ju jeni ata burrat për të cilët pejgamberi ka thënë kështu dhe kështu…hadithi është I gjatë”[18].

Huxhr, djali i tij Humam Ibn Huxher, dhe disa shokë të tjerë janë varrosur në Adhra, në periferi të kryeqytetit sirian Damask. Një xhami është ndërtuar aty dhe varri i tij është vizituar pandërprerë.

-Transmetohet nga Abdullah ibën Zarir Gafikiu I cili ka thënë: E kam dëgjuar Ali ibën Ebi Talibin të thotë: “O irakianë, do të vriten prej jush shtatë veta, shembulli I tyre është sikur shembulli I atyre që janë mbytur në hendeqe”. (Bidaje ve Nihaje, vëll. 6, fq. 252).

Ka thënë Allahu i madhëruar në Kuranin e Tij fisnik: [Kush e mbytë një besimtarë me qëllim, dënimi i tij është xhehennemi, në të cilin do të jetë përgjithmonë. All-llahu është i hidhëruar ndaj tij, e ka mallkuar dhe i ka përgaditur dënim të madh] (Nisa,93).

Allahu e vraftë vrasësin e Huxhër ibën Adiut, ashtu siç i ka vrarë zullumqarët që hapën hendeqet (Buruxh, 4)[19].

[1] Hakimi: 6028, 6037.

[2] Istijab, vëll. 1, fq. 253.

[3] Tabakat Kubra: vëll. 6, fq. 217-220

[4] Ibën Asakiri në Tarih, vëll. 12, fq. 226; Ibën Kethiri në Bidaje ve Nihaje, vëll. 8, fq. 55.

[5] Thashë: Kjo ishte prej gabimeve trashanike të Muaviut, pasi profeti e kishte ndaluar rrepstësisht që fëmiu i zinasë ti atribuohet legjitimisht babait.

[6] Hakimi, 6026.

[7] Beladhuri, vëll. 4, fq. 222; Taberi, vëll. 2, fq. 137.

[8] Hakimi, 6035; Musanef Abdurrezak Sanani, 6431; Ibën Ebi Shejbe, 11104, 33476; Isabe ve Istijab, vëll. 1, fq. 356

[9] Taberi, vëll. 2, fq. 140; Afghani, vëll. 12, fq. 92; Baladhuri, vëll. 4, fq. 224.

[10] Mustedrek Hakim, 6029; Ibën Ebi Shejbe: 12107, 12259, 34607, etj.

[11] Muavia ka qenë biri i Hindit, e cila ka pas masakruar barkun e Hamzasë në luftën e Uhudit dhe ka nuhatur edhe mëlçinë e tij.

[12] Xhami Sagir, vëll. 2 fq. 61; Kenzul Umal, vëll. 13, fq. 587; Bidaje ve Nihaje, vëll. 6 dhe 8, fq. 252, 57, 59, 139; Tarih Taberij, vëll. 4 fq. 208.

[13] Bidaje ve Nihaje, vëll. 8, fq. 55.

[14] Mekarim Ahlak, fq. 76.

[15] Isabe, vëll. 2, fq. 33.

[16] Tarih Taberi, vëll. 4, fq. 208.

[17] Isabe & Istijab, vëll. 1. fq. 357.

[18] E transmeton Ahmedi: 21373, 21467 dhe është gjithashtu sahih.

[19] Më 2 maj 2013, disa ekstremistë kanë sulmuar xhaminë në të cilën ishte tyrbja e Huxhrit dhe janë munduar ti zhvarrosin edhe eshtrat e tij dhe ti varrosin në një vend të panjohur, me pretekstin se në atë vend “po bëhet shirk”!

Në rregull

Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...