1-Abdurrahman ibën Udejs El Belevij

Sahabij i njohur, prej atyre që ia kanë dhënë besën pejgamberit nën hijen e drurit.

Dhehebiu në librin e tij “Tarih Islam” (vëll. 3, fq. 531) ka thënë:

“Është Sahabij, që ka marrë pjesë në Besatimin e Akabesë, është prej transmetuesve të hadithit gjithashtu…ka qenë prej atyre që janë ngritur kundër Othmanit në protesta dhe e kanë përkrahur vrasjen e tij…pastaj Muaviu e ka kapur dhe e ka burgosur në Palestinë së bashku me një grup. Ai ka ikur prej burgut dhe e kanë zënë në bjeshkët e Libanit, dhe pastaj e kanë vrarë. Kur e kanë zënë, ai i ka thënë katilit: Mjerë për ty, kije frikë Allahun e mos më vrit, sepse unë jam prej sahabëve që ia kanë dhënë besën pejgamberit nën hijen e drurit, e vrasësi I ka thënë: Edhe në bjeshkë ka drurë shumë dhe pastaj e ka vrarë…

Muhamed ibën Jahja Dhuheliu (imami i hadithit) për të ka thënë: “Nuk lejohet të transmetohet prej tij asgjë, sepse ai është koka e fitness”. (Përfundoi citimi nga libri i Dhehebiut).

Thashë: Paramendojeni, ky ka qenë sahabij prej pjesëmarrësve të Besatimit të Rridvanit, prej atyre që Allahu xh. sh ka thënë: [Vërtet, All-llahu qe i kënaqur me besimtarët kur ata nën hijen e atij druri të zotoheshin ty dhe Ai e dinte se ç'kishin zemrat e tyre, andaj u dhuroi qetësimin dhe së shpejti i shpërbleu me një fitore (çlirimin e Hajberit)](Fet’h, 18), pra ishte prej atyre ndaj të cilëve kishte qenë I kënaqur Allahu i madhëruar, mirëpo megjithëkë, ata nuk e arsyetuan pse ishte ngritur në protestën e njohur kundër Othmanit në Medine, siç e arsyetuan Muaviun kur ai u rebeluan kundër Aliut, Allahu qoftë I kënaqur me Aliun, por e vranë. Jo vetëm kjo, por sipas disa hadithologëve siç e patë, nuk lejohet as marrja e hadithit prej tij. A nuk është kjo fanatizëm!

2-Ebu Tufejl Amir ibën Vathileh

Sahabij i njohur, i fundit që ka vdekur prej gjeneratës së tyre.

Ibën Haxheri në “Tehdhib Tehdhib”(vëll. 5, 72) kur ka folur për biografinë e tij, ka thënë: “Ebu Tufejli ka qenë transmetues i besushëm, mirëpo ka qenë shija. . .

Ka thënë Alij ibën Medini: I kam thënë Xheririt: A i ka urrejtur Mugirja transmetimet e Ebu Tufejlit? Tha: Po ”.

Thashë: Ibën haxheri e akuzon këtë sahabe me shiizëm, ndërsa ky hadithologu tjetër e urren transmetimin e haditheve prej tij!!!

Ku mbeti konsensusi i hadithologëve se të gjithë sahabët janë të drejtë dhe të besueshëm?!!!

3-Busër ibën ebi Ertah

Për dallim nga dy të parët, ky ka qenë prej sahabëve të devijuar dhe kriminelë, Allahu ia dhashtë hakun!

Prej punëve “të shenjta” të tij ishte vrasja e njerëzve të pafajshëm, zënia rob e grave myslimane dhe vrasja e fëmijëve para duarve të nënave të tyre!!!

Ibën Ethiri në “Usd el Gabe” thotë për të se ka qenë prej shijave të Muaviut, ka marrë pjesë në Sifin dhe pastaj në kohën e Muaviut i ka mbytur shumicën e përkrahësve të Aliut a.s...

Dhehebiu në “Sijer Alamu Nubela” (vëll. 3, fq. 409) ka thënë: “Busër ibën Ertah Ebu Abdirrahman Kureshij Amirij, SAHABIJ, prej atyre që kanë jetuar në Damask. . .

Ka thënë ibën Junuzi: Është sahabij, ka marrë pjesë në çlirimin e Egjiptit, atje ka shtëpi dhe hamam. Muavia në kohën e tij e ka bërë atë valij të Hixhazit (Mekës dhe Medinës) dhe Jemenit. Ka bërë punë të fëlliqura, e kah fundi i jetës e kanë kapë vesveset (është çmendur)...

Imam Darekutniu për këtë sahabij ka deklaruar: “Ka qenë sahabi, mirëpo pas pejgamberit, paqja qoftë mbi të, ai nuk ka qëndruar në rrugë të drejtë (nuk ishte i ndershëm)”. (përfundoi citimi i Dhehebiut).

Imami i hadithologëve në shkencën e Xherhit, Jahja ibën Meini, në librin e tij “Tarih”(rivajeti i Durit) ka thënë: “Busër ibën Ebi Ertah ka qenë njeri i keq”.

Thashë: Për mizoritë dhe poshtërsitë e tij na tregon edhe hafizi Ibën Abdulberri në librin që ka përpiluar për biografitë e sahabëve- “Istijab”, ku në biografinë e këtij krimineli thotë:

“Ai është që ka vrarë dy fëmijët e vegjël të Ubejdullah ibën Abas ibën Abdulmutalibit (i cili ishte vali i Aliut në Jemen), Abdurrahmanin dhe Kathemin. I ka marrë dy fëmijët e Ubejdullah ibën Abasit, kur ata ishin të vegjël, dhe i ka therur të gjallë (para duarve të nënave të tyre) dhe pastaj ua ka marrë edhe nënat e tyre”. (Shiko botimin e Istijabit së bashku me Isaben; vëll. 1, fq. 156).
Thashë: Sipas disa transmetimeve tjera, ai i ka therur ata me thikë!!!

Transmeton Jakubiu në Tarihun e tij (vëll. 2, fq. 197) se Muaviu i ka thënë Busrit: ”Shko në Medine, përzë banorët e saj, konfisko pasurinë e të gjithë atyre që nuk ka hyrë nën nënshtrimin tonë, frikësoi banorët e saj se do ti vrasësh të gjithë, dhe thuaju se ata janë të pafajshëm dhe nuk kanë arsye para teje. Pastaj shko edhe në Mekke, e kur të arrish atje mos i fol askujt. Fut frikën në palcë edhe ndaj atyre që gjenden mes Mekes e Medinës, dhe bëri të pastrehë. Pastaj vazhdo derisa të arrish në Sana-kryeqytet të Jemenit. Mos harro, atje do të gjesh disa prej shijave tanë, shkresa e tyre më ka arritur mua.
Pas kësaj, Busri s’ka lënë lagje arabe pa vepruar ndaj tyre me këshillën e Muaviut, derisa është kthyer prapë në Medine”.

Prej poshtërsive të tij (Allahu qoftë i kënaqur me të) gjatë kësaj bastisjeje, ka qenë edhe ajo se ai i ka zënë rob edhe gratë e lira myslimane!!!

Ibën Abdulberri në Istijab (vëll. 1, fq. 161) thotë: “Pastaj Muaviu e dërgoi Busr ibën Ertanë në Jemen, e ai zuri rob gratë e myslimanëve dhe i vendosi në Pazar për ti shitur!!! Këtë dokument e gjeni të plotë tek Hatibi, tek libri “Nihajetul Irb”dhe në shumë libra tjera historike.

Thuhet se nënat e fëmijëve dhe ata që u ishte bërë zullum e kanë lutur Allahun t’ia merr mendtë dhe ta shkatërrojë, dhe ashtu ka ndodhur. Sipas të dhënave të sakta historikë, në fund të jetës së tij është çmendur.

Disa hadithologë janë munduar ta mohojnë të qenurit e tij sahabij, duke u munduar kështu ta ruajnë rregullën e tyre se të gjithë sahabët e pejgamberit pa përjashtim kanë qenë burra të mirë, të drejtë dhe të besueshëm, mirëpo shumica dërrmuese e hadithologëve dhe historianëve kanë pohuar se ai ishte sahabij, bile kanë numëruar edhe disa hadithe profetike me zingjirë të sakta si transmetime të tij.

Prej atyre që e kanë numëruar Busrin si sahabij, kanë qenë: Buhariu, Muslimi, Ebu Davudi, Ibën Hibani, Darekutniu, Taberiu, Abdulbaki ibën Kani, Ebu Mensur Baverdi, Ebu Ahmed Askeri, Ebu Sulejman ibën Zebri, Bahiliu, Ibën Sebxhevi, Mizzi, etj.
Shiko më gjerësisht librin e hadithologut të madh hanefij, Mugllatait, me titull: “إكمال تهذيب الكمال في أسماء الرجال”.

4-Ebu Gadije- sahabij i përgëzuar me zjarrë!!

Ebu Gadije Xhuheniu është Jesar ibën Sebua, ka qenë sahabij, prej shijave të Othmanit. Ka marrë pjesë edhe në besatimin e Ridvanit, mirëpo e gjithë kjo nuk do ti bëjë dobi, sepse e ka njollosur historinë e tij, është rreshtuar krah grupit të rrebeluar dhe e ka vrarë Amar ibën Jasirin.

Është shumë e çuditshme me disa njerëz fanatikë të cilët thonë se Ebu Gadije, pasi ka qenë sahabij, atëherë edhe ai është prej xhenetlive dhe i shpërblyer për ixhtihadin dhe veprën e tij, ndërsa i dërguari i Allahut ka thënë: "Vrasësi i Amarit dhe ai që ia që ia merr armen janë në zjarrë". (Ahmedi (17776) dhe Hakimi (5715) dhe e ka saktësuar. Dhehebiu ka thënë: Është sahih sipas kushtit të Buhariut dhe Muslimit gjithashtu).

Fanatikët injorantë thonë se ky sahabij është xhenetli, ndërsa profeti a.s. e ka përgëzuar atë me zjarrë të xhehnemit!

Shejh Albani në librin “Taxhil Menfaah” (fq. 509) deklaroi: ” Ky është ai I cili e ka vrarë Amar ibën Jasirin, dhe kur kërkonte leje të hynte tek Muaviu, thoshte: Vrasësi I Amarit tek dera”; krenohej më këtë! Shikoje këtë çudi. Ebu Gadije vet ai është transmetuesi I hadithit profetik - O ju njerëz, vërtetë gjaku juaj dhe pasuria juaj janë të ndaluara (të shenjta) mes jush derisa ta takoni Zotin tuaj…Pastaj tha: Mos u bëni pas meje qafirë, të devijoni; të ktheheni e ta vrisni njëri tjetrin"! –ndërsa në anën tjetër e ka vrarë një burrë si Amarin”!!!

Shejh Albani në kundërshtim ndaj Ibën Haxherit, në librin e tij të njohur “Silsile Sahihah” gjithashtu ka thënë: "Ebu Gadije është sahabij. Këtë e kanë pohuar shumë dijetarë. Ibën Haxheri në librin e tij "Isabe", në fund të biografisë së këtij sahabie, përmendi hadithin në fjalë, dhe pastaj tha: "Ibën Meini e ka pohuar prerazi se Ebu Gadije është vrasësi i Amarit". Mendimi për sahabët në këto luftëra është se ata ishin të arsyetuar me interpretim (tevil), muxhtehidi gabimtarë prej tyre e ka një shpërblim. Nëse kjo gradë i pohohet njerëzve tjerë, atëherë për sahabe është më parësore".

Thashë (thënësi është Albani): "Kjo është e vërtetë, mirëpo zbatimi i kësaj rregulle për të gjithë anëtarët në mënyrë individuale është problem, sepse bjen ndesh me hadithin paraprak. Ne s'kemi mundësi të themi se Ebu Gadije -katili i Amarit- është i shpërblyer, sepse e ka mbytur atë duke qenë muxhtehid, sepse i dërguari i Allahut, paqja qoftë mbi të, ka thënë: "Vrasësi i Amarit është në zjarr". Për këtë arsye, e sakta këtu është të thuhet se: Rregulla është e vërtetë derisa të del një dëshmi tjetër e prerë që e kundërshton atë, siç është shembulli këtu në këtë hadith; në këtë rast përjashtohet". (Përfundoi fjala e Albanit. Shiko “Silsile Sahiha” (vëll. 5, fq. 7)).

5-Velid ibën Ukbe

Edhe ky është sahabi, vëlla i Othman ibën Afanit dhe dost i ngushtë i Muaviut. Ai ishte i biri i Ukbah ibn Ebu Mu'ayt. Babai i tij është përpjek për ta vrarë Muhamedin a.s dhe më në fund ka vdekur si qafir.

Ky Velidi, edhe pse ishte sahabi, ka qenë gjynahqar i pandergjegjshëm (fasik).

Argumentet që dëshmojnë fiskun e tij janë shumë.

Velidi në kohën e kalifit Othman ishte zgjedhur për çudi guvernator i Kufes. Sahabët, prej tyre Abdullah ibën Mesudi, një ditë në namazin e sabahut kanë qenë duke u falur pas këtij fasiku, i cili kishte pirë alkool dhe ishte dehur. Në vend qe ti falte dy reqate farz, ai i fali katra, dhe kur dha selam i tha xhematit: A doni tu shtoj (rekate) më shumë!!!

Kjo ngjarje përmendet në hadithe të sakta. Shiko si shembull Sahihun e Muslimit, hadithin nr. 1707, etj.

Po për këtë sahabi, ka zbritur ajet kuranor, ku Allahu I madhëruar ka thënë: [O ju që keni besuar, nëse ndonjë fasik u sjell ndonjë lajm, ju shqyrtojeni mirë, ashtu që të mos e goditni ndonjë popull pa e ditur realitetin, e pastaj të pendoheni për atë që keni bërë] (Huxhurat, 6).

Ibën Abdulberri dhe Ibën Xheuziu deklarojnë se personi fasik i synuar në këtë ajet është Velid ibën Ukbe, sipas konsensusit të gjithë tefsirologëve.

Thashë: Nëse dikush mohon se ky sahabij ka qenë fasik, atëherë ai ka mohuar Kuranin, hadithet e sakta dhe gjithë historinë islame.
Në Musnedin e Ahmedit, hadithi nr. 18459 sqaron në hollësi shkakun e zbritjes së ajetit Kuranor dhe fiskun e Velidit.
Bile, në librat e historisë përmendet se këtë Velidin, vdekja e ka zënë me disa shokë krishterë duke pirë raki...Allahu na ruajt!

Hoxhë: Drilon Ibrahim Gashi

Në rregull

Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...