S’ka dyshim se familja e ndershme dhe e pastër profetike dhe shokët besnik të pejgamberit ishin gjenerata më e mirë që ka njohur njerëzimi pas profetëve. Ishin filizat më të mirë që qelën ndonjëherë në ndonjë ymet prej ymeteve. Historia e njerëzimit nuk ka njohur gjeneratë më të devotshme besimtare dhe me të pastër moralisht sesa gjenerata që edukoi Muhamedi a.s.

Ne deklarojmë se dashuria ndaj këtyre sahabëve, sidomos ndaj muhaxhirëve dhe ensarëve të parë dhe atyre që i pasuan ata në të drejtën është obligim dhe iman, ndërsa sharja e tyre gjynah i madh, sepse për dashurinë e tyre tregoi Kurani Fisnik kur tha: [All-llahu është i kënaqur me të hershmit e parë prej muhaxhirëve (migruesve) dhe prej ensarëve (vendasve-ndihmëtarë) dhe prej atyre që i pasuan ata me punë të mira, e edhe ata janë të kënaqur ndaj Tij. Atyre u ka përgatitur xhennete, në të cilët rrjedhin lumenj, ku do të jenë përjetë të pasosur. E ky është fitim i madh](Teube, 100).

Mirëpo, megjithëkëtë, ne duhet të dimë se ata që panë profetin ishin njerëz, kishin të mira të shumta por disa prej tyre kishin edhe të këqija. Dispozitat e sheriatit, ajete e hadithet vlejnë njëjtë për ta, sikur edhe për ne. Allahu i madhëruar thotë: [Kush bën mirë, ai e ka për vete, e kush bën keq, ai vepron kundër vetes, e Zoti yt nuk bën padrejtë ndaj robërve] (Fusilet, 46), qofshin ata sahabe, tabein apo të tjerë.

Virtyti I të qenit sahabij apo I shoqërimit me pejgamberin a. s nuk nënkupton mburojë nga gjynahet e as mohim nga zullumit. Bile bile, e vërteta është se sahabiu që bën gjynahe të mëdha i dyfishohet dënimi, për dallim nga ai që s’ka qenë sahabij. Për këtë ka argument të saktë, edhe përkundër faktit se disa dijetarë që pretendojnë pasimin e synetit na kundërshtojnë në këtë pikë. Argumenti për këtë është ajeti kuranor, ku Allahu I drejtohet grave të profetit dhe u thotë: [O gra të Pejgamberit, cilado prej jush që bën punë të ligë e të shëmtuar, asaj dënimi i shtohet dyfish, e kjo për Allahun është shumë lehtë] (Ah’zab, 30).

Fshehtësia e kësaj – e Allahu e di më së miri- është se gjynahu rritet sipas madhësisë së begatisë me të cilën Allahu e ka begatuar njeriun, e begatia me të cilën Allahu i begatoi sahabët, siç ishte mundësia e shoqërimit me pejgamberin dhe shikimi I nurit dhe udhëzimit nga ai, ishte më e plotë se begatia që ua dha besimtarëve tjerë të cilët I besuan profetit pa e parë. Për këtë arsye, kjo begati që iu dhurua shoqëruesve të pejgamberit nuk u bëri dobi, përpos atyre që besuan dhe jetuan me iman dhe udhëzim, ashtu siç tha Allahu për gratë e profetit: [E kush prej jush i përvishet adhurimit të Allahut dhe respektimit të të dërguarit të Tij dhe bën punë të mira, asaj do t'i japim shpërblimin e dyfishtë dhe për të kemi përgatitur furnizim të këndshëm] (Ah’zab, 31).

Nëse thuhet: Kjo që përmende është vetëm për gratë e profetit e jo për sahabët e tjerë, e fjala ishte për sahabët e jo për gratë e të dërguarit, paqja qoftë mbi të?!

Themi: Ileti dhe sebepi me të cilin gratë e profetit e merituan dyfishimin e dënimit nëse bëjnë gjynahe dhe dyfishimin e shpërblimit nëse i përmbahen udhëzimit, në të vërtetë ishte bashkëjetesa me pejgamberin dhe shoqërimi me të, si rrjedhojë, pasi ky shoqërim nuk u bëri dobi dhe nuk ua largojë dënimin atyre, atëherë më parësore është që të mos u bëj dobi as atyre që e shoqëruan profetin më pak, e s’ka dyshim se shokët e profetit e shoqëruan pejgamberin më pak sesa gratë e tij.

Pasi kjo u sqarua, themi se: Imani në profetin dhe shoqërimi me të pa dyshim se është një begati e madhe, mirëpo disa njerëz I kapërcyen kufijtë, kaluan në fanatizëm ndaj sahabëve dhe I ngritën ata në vendin që se merituan, derisa shoqërimin me pejgamberin e konsideruan mburojë me të cilën nuk bën dëm gjynahu dhe thanë se: Kush e ka parë profetin, qoftë edhe vetëm një herë në jetën e tij, ai konsiderohet shoqërues I tij dhe është “i shenjtë”.

Ata me këtë në realitet kundërshtuan edhe kuranin, I cili po për disa sahabij kishte thënë:

- [Allahu përmbushi premtimin e vet ndaj jush, ngase me vullnetin e Tij i korrët ata (me shpata) deri kur u dobësuat dhe u përçatë ndërmjet vete, në çështjen e vendit (që u pat caktuar Pejgamberi) dhe pasi vërejtët atë që e dëshironit (prenë e luftës), e atëher kundërshtuat (urdhrin e Pejgamberit). Pati prej jush që e deshën këtë jetë (ata u ngutën pas presë) e pati prej jush që e deshtën botën tjetër. Pastaj, për t'ju sprovuar u zbrapi juve nga ata. Po Allahu u fali juve; Allahu është dhurues i madh ndaj besimtarëve. Dhe kur largoheshit e nuk përfillshit as njëri-tjetrin, ndërsa i dërguari ju thërriste mbrapa. Atëherë u goditi me dëshpërim për dëshpërim (që i shkaktuat Pejgamberit), ashtu që mos pikëlloheni për atë që ju shpëtoi (preja e luftës) e as për atë që ju goditi. Allahu është i njohur hollësisht me atë që veproni.Mandej, pas asaj tronditjeje të rëndë, Ai u lëshoi sa për qetësim, një kotje (gjumë të lehtë) që i kaploi një grup prej jush, kurse një grup e kishte preokupuar vetëm çështja e vetvetes. Ata formuan bindje të padrejtë ndaj Allahut, bindje injorante, e thonin: "Ne nuk kemi në dorë asgjë nga kjo çështje"! Thuaj: "E tërë çështja është vetëm në duar të Allahut"! Ata fshehin në vetvete atë që ty nuk ta shprehin. Thonin: "Sikur ne të kishim diçka në dorë në këtë çështje, ne nuk do të mbyteshim këtu"! Thuaj: "Edhe sikur të ishit në shtëpitë tuaja, atyre që është caktuar mbytja (vdekja), do të dilnin në vendin e flijimit të tyre"! Në mënyrë që Allahu të provojë atë që është në zemrat e tuaja (sinqeritetin ose hipokrizinë) dhe që ta pastrojë atë që është në zemrat tuaja. Allahu i di shumë mirë të fshehtat në zemra. Vërtet, ata që u zbrapën prej jush ditën e ndeshjes së dy grupeve (besimtarë dhe idhujtarë në Uhud), ata vetëm djalli i shtyri të rrëshqasin me disa punë të tyre që i bënë, po Allahu ua fali atyre gabimin; Allahu është mëkatfalës dhe i butë.] (Ali Imran:152-155).

Sa shumë foli Kurani për hipokritet të cilët shfaqnin besimin, mirëpo në zemrat e tyre e fshihnin dyfytyrësinë, disa I dinte edhe vet profetit e të tjerët I diti vetëm Allahu I Gjithëdijshëm. Prej këtyre ajeteve, është edhe fjala e Allahut: [Edhe rreth jush ka beduinë që janë hipokritë, e edhe nga banorët e Medinës që janë përcaktuar për hipokrizi. Ti nuk i di ata, Ne i dimë, ata do t'i dënojmë dy herë, pastaj do ti fusim në dënimin e madh] (Teube, 101).

Dhe fjala e Allahut xh.sh: [Kadisa njerëz që thonë: "Ne i kemi besuar Allahut dhe jetës tjetër (Ahiretit), po në realitet ata nuk janë besimtarë] (Bekare, 8), deri në fund të ajeteve.

- [Kur hipokritët dhe ata që në zemrat e tyre kishin sëmundje, thonin: "Allahu dhe i dërguari Tij, nuk na premtuan tjetër vetëm se mashtrim!" Dhe kur një grup prej tyre thanë: "O banorë të Jethribit, nuk ka qëndresë për ju, ndaj kthehuni!" E një grup prej tyre kërkonin lejen e Pejgamberit, duke thënë: "Shtëpitë tona janë të pambrojtura!" Edhe pse ato nuk ishin të pambrojtura, në realitet ata nuk donin tjetër por vetëm të iknin. Dhe sikur t'u hynin atyre nga anët e saj (Medines) dhe prej tyre të kërkohej tradhtia, ata do të ishin të gatshëm për të dhe nuk do të vononin aspak (të tradhtonin). E ata ishin që i patën dhënë besën Allahut më parë se nuk do të kthehen prapa (nuk do të ikin), pra premtimi i dhënë Allahut mban edhe përgjegjësi. Thuaj: "Nëse ikët prej vdekjes ose prej mbytjes, ikja nuk do t'ju bëjë dobi, sepse edhe atëherë nuk do të (shpëtoni) përjetoni vetëm për pak kohë". Thuaj: "Kush do t'ju mbrojë prej Allahut, nëse Ai ua ka caktuar ndonjë të keqe, ose (do t'ju godit me ndonjë të keqe) nëse Ai ua ka caktuar ndonjë të mirë. Po përveç Allahut ata nuk do të gjejnë për vete ndonjë ndihmëtar". "Allahu i ka njohur shumë mirë ata që ndër ju pengonin dhe ata që vëllezërve të vet u thonin: "Ejani me ne!" E ata nuk vijnë në luftë, vetëm një pakicë. Janë koprracë ndaj jush (nuk ju duan të mirën). E kur u vjen frika i sheh ata të shikojnë ty, e sytë e tyre rrotullohen si të atij nga të fiktit pranë vdekjes, e kur largohet frika, ata ju shpojnë juve me gjuhë të mprehta, lakmues për pasuri (për plaçkë - ganimet). Të tillët nuk kanë besuar, andaj Allahu ua asgjësoi veprat e tyre, e kjo për Allahun është lehtë. Ata mendonin se grupet aleate ende nuk kishin shkuar, dhe nëse aleatët kthehen edhe njëherë, ata (hipokritët) do të dëshironin të kishin qenë beduinë diku me arabët dhe prej atje të pyesin për çështjen tuaj, por edhe sikur të ishin në mesin tuaj, ata krejt pak do të luftonin] (Ahzab: 12-20).

- [Po, kur ata shohin ndonjë tregti ose ndonjë aheng mësyhen atje, kurse ty të lënë në këmbë. Thuaju: "Ajo që është tek Allahu është shumë më e mirë se dëfrimi dhe tregtia, e Allahu është furnizuesi më i mirë!"] (Xhuma,11).

- [Ata që të thërrasin përtej mureve, shumica e tyre janë që nuk kuptojnë](Huxhurat,4).

- [Thirrjen e të dërguarit mos e konsideroni si thirrjen tuaj ndaj njëri-tjetrit. Allahu i di ata që tërhiqen prej jush tinëzisht, prandaj, le të ruhen ata që kundërshtojnë rrugën e tij (të të dërguarit) se ata do t'i zë ndonjë telashe, ose do t'i godasë dënimi i idhët] (Nur,63).

- [Ne të zbritëm ty librin (Kur'anin) me plot të vërteta, që të gjykosh mes njerëzve me atë që të mësoi Allahu. Mos u ngatërro për tradhëtarët (mos u dil në ndihmë atyre ensarëve)] (Nisa,105).

- [E nëse i pyet ti ata (përse tallen), do të thonë: "Ne vetëm jemi mahnitur e dëfruar". Thuaj: "A me Allahun, librin dhe të dërguarin e Tij talleni?" Mos kërkoni fare ndjesë, ju pasi që (shpallët se) besuat, keni mohuar. Nëse një grupi nga ju i falim, grupin tjetër e dënojmë, ngase ishin kriminelë](Teube:55,56).

Ajete të ngjashme ka shumë. Kush dëshiron të di më shumë rreth kësaj, le ti meditojë mirë kaptinat që flasin për mynafikë të kohës së pejgamberit,f.v kaptinën Bekare,Teube, Enfal, etj. Është larg mendsh që vdekja e profetit a. s të ketë qenë shkak i përmirësimit të këtyre mynafikëve kaq të shumtë që jetonin në atë shoqëri. Meditoje!

Edhe hadithe të ngjashme ka mjaftë.

-Transmetohet nga Hudhejfa se Muhamedi, paqja qoftë mbi të, ka thënë: “Prej sahabëve të mijë (shoqëruesve të mij të ngushtë) janë dymbëdhjetë mynafikë, tetë prej tyre nuk do të hyjnë në xhenet, derisa të hyjë deveja në birën e gjilpërës[1]”.

-Transmeton Ebu Tufejli i cili thotë: Mes njërit prej pjesëmarrësve të Akabesë dhe Hudhejfes ndodhi ajo që ndodhë nganjëherë mes njerëzve, e ai tha: Të lutem për Allahun, sa ishte numri i atyre që morën pjesë në Akabe[2]? Tha: I thanë njerëzit: Tregoi kur të pyet! Tha: Na thuhej se ishin katërmbëdhjetë, e nëse edhe ti je prej tyre atëherë paskan qenë pesëmbëdhjetë, mirëpo unë betohem në Allahun se dymbëdhjetë prej tyre janë luftë për Allahun dhe të dërguarin e Tij në dynja dhe në Ditën e Gjykimit, i justifikoj vetëm tre prej tyre. Thanë: Nuk e kemi dëgjuar thirrësin e të dërguarit a.s e as nuk e ditëm se çfarë donin njerëzit. Qëndronte në një tokë me gurë të zi, pastaj shkoi e tha: Kemi ujë pak, mos të pijë askush para meje. Kur u afrua gjeti se njerëzit ia kishin paraprirë, e pastaj i mallkoi ata atë ditë”[3].

-Transmetohet nga Umu Selemja, e cila ka thënë: Ka thënë I dërguari I Allahut, paqja qoftë mbi të: “Ka prej sahabëve të mijë që nuk do ta shoh dhe nuk do t’më sheh pasi që të vdes kurrë”. (Ahmedi, 26549 dhe është hadith sahih gjithashtu.

Shohim se fjala “sahabij” në vetvete –siç përmendem- nuk nënkupton mbrojtje nga mëkatet. Këta persona, edhe pse ishin sahabe; shokë të ngushtë të profetit, mirëpo kjo nuk u bëri dobi. Nesër në ditën e gjykimit, do të dëshirojnë të jenë kafshë, vetëm që të mos kallen në zjarrin e xhehenemit.

Disave sahabeve do t’ju ndalohet afrimi tek Haudi dhe profetit, paqja qoftë mbi të, do t’i pamundësohet kontakti me ta.

-Profeti, paqja qoftë mbi të, thotë: “Unë do t’ju paraprijë tek Haudi. Kush vjen, pi, e kush pi nuk do të ndjejë etje më kurrë. Do të më vijnë tek Haudi ca njerëz, që i njoh e më njohin, por më pas pamundësohet kontakti me ta (afrimi i tyre tek haudi)…them: O Zot, ata janë shokët e mi (sahabet e mi)?! Një melek më përgjigjet: Ti nuk e di se çfarë kanë bërë pas teje”. (Buhariu dhe Muslimi).

Ebu Hurejra r.a. ka thënë se e ka dëgjuar të besueshmin e frymëzuar me të vërtetën (Pejgamberin a.s.) të thotë: "Shkatërrimi i pasardhësve të mi do të vijë nga dora e disa të rinjve prej kurejshëve." Mervani e ka pyetur: "Disa djem të rinjë?!" Ebu Hurejra i ka thënë: "Në qoftë se dëshiron, do t'i emëroja ata: (fisi) bijtë e filanit dhe (fisi) bijtë e fistekut". (Buhariu, 3605,7058).

Ebu Hurejra r.a. tregon se i Dërguari i Allahut a.s. ka thënë: "Kjo degë e kurejshëve do t'i shkatërrojë njerëzit." Shokët e tij e pyetën: "Ç'na urdhëron të bëjmë ne atëherë?" Ai a.s. u përgjigj: "Do të këshilloja që njerëzit të rrinin larg tyre". (Buhariu, 3604).

Pra, e vërteta është se sahabët e pejgamberit janë sikurse njerëzit e tjerë, kanë të mira dhe të këqija, ka pasur prej tyre besimtar të sinqertë, ka pasur prej tyre gjynahqar dhe zullumqar dhe ka pasur prej tyre edhe dyfytyrësh. Në mesin e tyre gjen të devotshëm por gjen edhe kriminel, asi që e kanë dashur dynjanë por edhe tjerë që e kanë dashur ahiretin, gjen prej tyre…dhe ka prej tyre, etj.

Për këtë arsye, neve duhet që ti dimë ndodhitë mes sahabëve, ti verifikojmë çështjet dhe të gjurmojmë rreth kësaj, në mënyrë që ta dallojmë hakun nga e kota, cili prej tyre kishte të drejtë, e cili ishte në rrugë të gabuar. Kur arrijmë ta dimë këtë, atëherë dimë se cili prej tyre meriton të pasohet, e cili jo. Këtu pastaj e kemi realizuar edhe akidenë e dashurisë dhe urrejtjes (Vela ve Bera) për hirë të Allahut.

Si të mos i sqarojmë këto fitne, kur hija e zezë e këtyre fitneve është prezent edhe në ditët tona. A nuk janë ndezur lufta dhe po ndizen edhe sot e kësaj dite në mes myslimanëve po për këto gjëra? Duhet te merremi me fitnen qe ta shuajmë atë, përndryshe mori dynjanë.

Argumenti për këtë që përmendëm është se sahabët në fund të kohës së tyre ranë në divergjenca dhe ngatërresa të mëdha; disa mallkuan disa të tjerë, disa shanë disa të tjerë, e disa e bënë hallall gjakun e disa të tjerëve bile edhe me tepër se kjo.

Vetë sahabët e ngushtë të pejgamberit, siç janë Aliu, Amari, Ubadeja dhe tjerët kishin folur keq kundër Muaviut.

Në namazin e sabahut, Aliu bënte dua (kunut) dhe thoshte: “O Allah, mallkoje Muavijen dhe shijat e tij, Amër ibën Asin dhe shijat e tij, Ebi Aver Sulemiun dhe Abdullah ibën Kajsin bashkë me shijat e tyre”[4].

Nëse asnjëra palë e tyre në konflikt nuk paskan qenë në të vërtetën, atëherë neve i kemi mohuar të gjithë. E nëse kemi saktësuar njërën, atëherë kemi saktësuar edhe veprimet e tyre. Si rrjedhojë, nëse Ali ibën Ebi Talibi e ka mallkuar Muaviun në kunut, dhe anasjelltas, dhe neve kemi gjykuar se Aliu ka qenë në të vërtetën, atëherë tërthorazi kemi gjykuar se mallkimi i Aliut ka qenë hak, dhe Aliu në kunutin e tij nuk e ka kundërshtuar as kuranin e as synetin.

Vetë sahabët e drejtë nuk ndaluan të flitet ndaj kësaj, e as që heshtën ndaj këtyre ndodhive, por folën edhe shpatat e tyre dhe biseduan shtizat e shigjetat. Mos-folja ndaj këtyre ndodhive nuk ishte e njohur deri në kohën e dinastisë abasite.

Kur na u bë heshtja ndaj asaj që ndodhi në mes sahabëve baze prej bazave të fesë?! Sikur tregimi i historisë së tyre të ishte bidat, atëherë bidatgjitë më të mëdhenj do të ishin hadithologët dhe historianët që na I përcollën këto ndodhi dhe i përpiluan këto libra.

Si duket, qëllim I këtij medh’hebi është vetëm ruajtja e shenjtërisë së Muaviut, Velid ibën Ukbes, Amër ibën Asit, Mirvan ibën Hakemit dhe Ibën Ebi Zijadit.

Atyre që thonë kështu, nuk I intereson nderi I sahabëve të respektuar, me argument se ata nuk ngritën kokën fare ndaj atyre zullumqarëve që shanë e luftuan sahabët e sinqertë dhe armiqësuan ehli bejtin e profetit. Ata, jo vetëm kaq, por armikun e këtyre sahabëve të ndershëm e konsideruan të drejtë, I cili do të shpërblehet për mundin e derdhur (ixhtihadin) e tij! Muaviun-vrasësin që u bë shkaktar të derdhet gjaku i shtatëdhjetë mijë sahabëve dhe tabeinëve, ndër ta Amar ibën Jasirit dhe Huxhër Ibën Adiut, e konsideruan muxhtehid, dhe thanë se muxhtehidi nëse gabon ka një shpërblim e nëse ia qëllon atëherë ka dy.

Transmeton Ebu Ula-Said ibën Muhamedi në librin e tij “Itikad”dhe Ebu Muhamed el Harithiu në librin “Keshf”dhe imami i madh i hadithit dhe akides maturidite Ebu Is’hak Safari në librin “Telhisul Edileti li Kavaidi Teuhid” dhe të tjerët, me zingjir transmetimi prej Salimi bën Salimit, prej Bukejrit, prej Imam Ebu Hanifes, se ai u ka thënë nxënësve të tij një ditë:

A e dini pse na urrejnë banorët e Shamit? Ata I thanë: Jo?! Atëherë u tha: Ata na urrejnë sepse sikur ne të kishim prezantuar në luftën e Sifinit, do të kishim qenë në radhët e Aliut r. a kundër Muaviut, për këtë, ata nuk na donë neve. Pastaj tha: A e dini pse na urrejnë hadithologët? Thamë: Jo?! Tha: Sepse neve ia pohojmë hilafetin Aliut (se ishte në hak), e ata nuk e pranojnë këtë, prandaj na urrejnë neve”. (Telhisul Edileti li Kavaidi Teuhid,fq. 561).

Duke i medituar fjalët e imam adhamit -Allahu e mëshiroftë: “Sepse sikur neve ta dëshmonim luftën e Sifinit, do të kishim qenë në radhët e Aliut r. a duke luftuar kundër Muaviut”,erdha në këto përfundime:

-Sipas Ebu Hanifes, Aliu ishte në hak, ndërsa Muaviu në të kotën, dhe për këtë meritoi të luftohej dhe vritej.

-Fjala e atyre që thonë :Sikur të kishim jetuar në kohën e tyre do të distancoheshim nga të dy palët-është gabim sipas Ebu Hanifes,sepse presupozon se Aliu nuk ka qenë në hak.

-Nëse Ebu Hanifeja do të jetonte në kohën e Aliut, do të luftonte kundër Muaviut.

-Nëse do ti vinte shansi ta vriste qoftë edhe vet Muaviun,ai do ta bënte këtë.

-Nuk është logjike që rebelin zullumqar, edhe ta luftosh, edhe ti thuash: Allahu qoftë i kënaqur me ty; është absurditet të thuash: Edhe po e luftoj, edhe radijallahu anhu!!!

Në luftën që ka ndodhur mes Aliut-Allahu ia fisnikëroftë fytyrën dhe Muaviut, se kap truri që të dy palët të ishin në hak dhe të dy palët të shpërblyera apo për të dy palët të themi: Allahu është I kënaqur me ta! Domosdo, njëra palë ishte në hak, kurse tjetra në të kotën (batil), me njërën palë Allahu është i kënaqur,ndërsa me tjetrën i hidhëruar. Mendimi se pala e Aliut r.a. ka dy sevape për ixhtihadin e qëlluar kurse pala e Muavijut vetëm një sevap për ixhtihadin e saj, na bën dem të gjithëve, sepse na thotë: vrituni në mes vete edhe fitoni sevape! Sipas kësaj injorance, i bie që sikur Muaviu të vriste më shumë sahabe dhe tabein seç kishte vrarë (ka qenë shkaktarë të vriten 70,000 njerëz), do të shpërblehej edhe më shumë!!!

Këtyre injorantëve u përgjigjemi: Prijës I besimtarëve në atë kohë ishte Ali ibën Ebi Talibi, Allahu ia fisnikëroftë fytyrën. Sipas konsensusit të gjithë myslimanëve; e ky është edhe mendim I hasmit, Aliu r.a ishte kalif I pranuar sheriatikisht dhe ai duhej të dëgjohej dhe vetëm atij duhej ti nënshtrohej. S’ka kundërshtim gjithashtu se dalja dhe luftimi (huruxhi) kundër imamit të drejtë është prej gjynaheve më të mëdha. Nëse është kështu, atëherë kush vepron këtë vepër është gjynahqar I madh dhe mbi të aplikohen dispozitat sheriatike të rebelit, pa shikuar personin në fjalë, a ishte sahabij apo tabein, qe kush qe. Argument për këtë është se vet profeti a. s ia preu dorën vjedhësit dhe rrahu zinaqarin, edhe pse ata ishin sahabe. Ai, paqja qoftë mbi të, pat thënë: “Pasha Allahun, nëse Fatimja bija e Muhamedit do të vidhte, do t’ia këpusja dorën”.

Pseudopasuesit e synetit, vet kanë deklaruar se ata që u quan kundër Ebu Bekrit dhe nuk pranuan tia japin zekatin dhe ata që u rebeluan ndaj sundimit të Othman ibën Afanit dhe e vranë atë, kanë qenë gjynahqarë të mëdhenj dhe zullumqarë të mallkuar, dhe, dhe… edhe pse ata ishin sahabe. Amir ibën Hamik el Huzaiu krye-atentatori që vrau Othmanin ishte sahabij. Ka qenë e udhës që rebelët të cilët u ngritën kundër Aliut ti konsideronin njëjtë sikur rebelët që u ngritën kundër Othmanit, dhe rebelët që u ngritën kundër Aliut ti emërtonin me të njëjtët emra siç emërtuan rebelët që u ngritën kundër Othmanit r.a.

Pejgamberi ka qenë njeriu më I mirë që ka shkelur në fytyrën e tokës. Po kështu edhe shokët e tij të ngushtë, SAHABET E VËRTETË të cilët ishin edukuar dhe rritur në dorën e tij, ata ishin gjenerata më e mirë. Për ta Allahu xh.sh ka dëshmuar: [Muhammedi është i dërguar i All-llahut, e ata që janë me të (sahabët) janë të ashpër kundër jobesimtarëve, janë të mëshirshëm ndërmjet vete, ti i sheh kah përulen (në rukuë), duke rënë me fytyrë në tokë (në sexhde), e kërkojnë prej All-llahut që të ketë mëshirë dhe kënaqësinë e Tij ndaj tyre. Në fytyrat e tyre shihen shenjat e gjurmës së sexhdes. Përshkrimi i cilësive të tyre është në Tevrat dhe po ky përshkrim është edhe në Inxhil. Ata janë si një farë e mbjellë ku mbin filizi i vet, e ai trashet, përforcohet dhe qëndron në trungun e vet, ajo e mahnit mbjellësin. (All-llahu i shumoi)](Fet’h,29). Mirëpo, athua vallë, a mund të aplikohet ky ajet ndaj atyre që e luftuan Ali ibën Ebi Talibin në Sifin?!!!

A ishin ata të mëshirshëm për shokët e ngushtë të profetit, siç i përshkroi Allahu në Kuran dhe Teurat?!!!

Jo, aspak. Muaviu, djali i tij Jezidi dhe familja e Mirvanit të mallkuar ishin iniciatorët kryesor të luftërave të përgjakshme, prej të cilëve pasuan me qindra e mijëra të vdekur.

Allahu I madhëruar e ka bërë të madhe vrasjen e një njeriu pa hak dhe ka thënë: [Asnjë besimtari nuk i është i lejuar të mbysë besimtarin tjetër. . . Kush e mbytë një besimtarë me qëllim, dënimi i tij është xhehenemi, në të cilin do të jetë përgjithmonë. Allahu është i hidhëruar ndaj tij, e ka mallkuar dhe i ka përgatitur dënim të madh] (Nisa, 93).

Dhe ka thënë: [. . . Kush mbyt një njeri (pa të drejtë), pa pas mbytur ai ndonjë tjetër dhe pa pas bërë ai ndonjë shkatërrim në tokë, atëherë (krimi i tij) është si t'i kishte mbytur gjithë njerëzit. E kush e ngjall (bëhet shkak që të jetë ai gjallë) është si t'i kishte ngjallur (shpëtuar) të gjithë njerëzit. . . ] (Maide, 32).

Pejgamberi, paqja qoftë mbi të, ka thënë: “Kush e ndihmon vrasjen e një besimtari, qoftë edhe me një gjysmë fjale, vjen në ditën e kiametit dhe në ballë i shkruan: I dëshpëruari nga rahmeti I Allahut”.

Nëse pseudo-pasuesit e synetit nuk e shohin për të madhe atë që bënë rebelët; si derdhja e gjakut dhe veprat e urryera që kryen ata, atëherë më parësore do ishte që të mos ua zënë për të madhe atyre që përmendin punën e ligë të këtyre rebelëve. Nëse kjo që bëri Muaviu nuk u bën dëm atyre, atëherë nuk duhet t’i bëj dëm as folësit fjala që flet kundër tij. Me çfarë të drejtë e gjykojnë atëherë atë që flet kundër Muaviut me fjalë të këqija, si; zindik, rrafidij, fasik dhe I dalë feje?!

Kusht i dashurisë ndaj ehli bejtit dhe sahabëve të ndershëm është urrejtja e armiqve të tyre. Thotë Allahu i madhëruar: [Nuk gjen popull që e beson Allahun dhe ditën e gjykimit, e ta dojë atë që e kundërshton Allahun dhe të dërguarin e Tij, edhe sikur të jenë ata (kundërshtarët) prindërit e tyre, ose fëmijët e tyre, ose vëllezërit e tyre, ose farefisi i tyre] (Muxhadele, 22). Ku ajet sqaron se nuk ka mundësi të bashkohet imani në Allahun dhe dashuria ndaj armikut të Allahut. Po kështu, nuk bashkohet dashuria ndaj ehli bejtit dhe sahabëve të sinqertë me dashurinë e armiqve të tyre në zemrën e një besimtari.

Është thënë: Armiqtë tu janë tre: Armiku yt, armiku i shokut tënd dhe shoku i armikut tënd.

Për këtë arsye ne deklarojmë se: Ata që pretendojnë se e duan Aliun r.a dhe e duan Muaviun në të njëjtën kohë, janë gënjeshtarë në këtë pretendim. Thënia se e duam Amar ibën Jasirin dhe vrasësin e tij, Hysejnin dhe vrasësin e tij, është pretendim i rrejshëm, që e përgënjeshtron natyrshmëria e njeriut dhe logjika e shëndoshë, sepse dy të kundërta të këtij lloji nuk bashkohen kurrë në zemrën e një besimtari.

Shumë prej atyre që pretendojnë pasimin e synetit thonë: Imani shtohet dhe pakohet derisa të mos mbetet prej tij asgjë, ndërsa vlera e të qenurit sahabij është statike, as nuk shtohet, as nuk pakohet, edhe nëse filan sahabiu i vepron të gjitha gjynahet, edhe nëse bën zullume,edhe nëse vret e pret mijëra sahabe dhe tabein!! A nuk është kjo kontradiktë?! E vërteta është se imani në Allahun është më me vlerë sesa të qenurit sahabij i pejgamberit. Si rrjedhojë, ai sahabi qe ka vepruar gjera te tilla, duhej ti binte vlera e shoqërimit me profetin sikurse qe munafikut dhe fasikut i bie vlera e imanit nese i vepron veprat e njëjta.

A mos është ai që ishte besimtar, sikurse ai që ishte fasik? Jo, ata nuk mund të barazohen kurrë.

Imami i madh hanefij Ebu Bekër Rrazi Xhasas në librin e tij të Usuli Fikhut, kur po fliste për hadithin Mursel, ndër tjera ka thënë: “Pranohet lajmi i transmetuesit që përcjell nga një njeri që nuk ia përmend emrin, me kusht që ky transmetues që na e sjell këtë lajm të mos jetë i njohur se merr nga njerëz që s’lejohet marrja e haditheve prej tyre. Kjo vlen edhe për sahabët; nëse ndonjërit prej tyre i ka rënë besueshmëria (adale), në këtë rast nuk i pranohet transmetimi i tij derisa të vërtetohet besueshmëria dhe vendosmëria e tij, siç është rasti i fasikut Velid ibën Ukbe[5], për të cilin Allahu ka thënë: [O ju që keni besuar, nëse ndonjë fasik u sjell ndonjë lajm, ju shqyrtojeni mirë...] (Huxhurat, 6)”[6].

Dy faqe më poshtë Xhasasi thotë gjithashtu: “Sa për fjalët e atij që tha se: Sahabiu edhe pse transmeton mursel, ai sigurisht që transmeton nga një sahabij tjetër si vetja, e të gjithë sahabët janë njerëz të besueshëm, kjo fjalë nuk është kështu, sepse në kohën e pejgamberit ka pasur njerëz që Allahu ka dëshmuar për fiskun (pabesueshmërinë) e tyre, siç është ajeti: [...nëse ndonjë fasik u sjell ndonjë lajm, ju shqyrtojeni atë...] (Huxhurat, 6). Ai ka qenë Velid ibën Ukbe. Ka pasur edhe të tjerë të cilët e kanë parë pejgamberin a.s dhe pas tij kanë vepruar vepra të cilat ua kanë prishur besueshmërinë dhe besnikërinë e tyre, ky është një realitet për të cilin nuk ka dyshim”[7].

Kelamisti i shquar Tafazani[8] ka thënë: “Nga ajo që ka ndodhur mes SAHABËVE,prej luftërave dhe kacafytjeve,sikurse që është shënuar në librat e historisë dhe përmendur nga goja e transmetuesve besnikë, duket qartë se disa prej tyre kishin devijuar nga rruga e drejtë,derisa kishin rënë në zullum dhe gjynahe të mëdha (fisk). Shtytësi i gjithë kësaj ka qenë shpirtligësia dhe inati,zilia dhe hidhërimi,kërkimi I pushtetit dhe karriges dhe animi kah qejfi dhe kënaqësitë e kësaj bote. Sepse, jo cdo sahabij ishte I ruajtur (ma’sum nga kjo) dhe jo çdo kush që e takoi profetin ishte i qëndisur me lajlelule. Mirëpo, dijetarët tanë për shkak të mendimit të mirë ndaj shokëve të pejgamberit, kanë përmendur komentime dhe janë munduar ti arsyetojnë ata, prandaj kanë deklaruan se ata (në përgjithësi) ishin të ruajtur nga devijimi,që ta ruajnë kështu besimin e myslimanëve (akiden e tyre nga rrafidizmi) prej animit kah e shtrembëta dhe devijimi kundrejt sahabëve të mëdhenj, sidomos ndaj Muhaxhirëve dhe Ensarëve dhe atyre të cilët ishin të përgëzuar me xhenet. Ndërsa ajo që ka ndodhë pas tyre, si zullumi ndaj familjes së pejgamberit (Aliut,Hasanit dhe Hysejnit),kjo është e qartë që s’ka mundësi të fshihet, është mizori për të cilën s’ka kundërshtim të mendimeve, gati se për të dëshmon guri edhe druri, qan për të qielli dhe toka, dridhet kodra dhe qahen edhe malet. Fryti I keq I punëve të tyre do të mbetet sa të jetë jeta. Mallkimi I Allahut qoftë mbi atë që veproi, mbi atë që u pajtua, mbi atë që u gëzua dhe mbi atë që vrapoi. E dënimi i i botës tjetër për ta është edhe më i ashpër dhe i përjetshëm”[9].

[1] (Muslimi, 2779).

[2] Kanë thënë komentuesit: Akabe e përmendur këtu nuk është besatimi i njohur që ka ndodhur në Mina kur Ensarët ia kanë dhënë besën profetit,por është Akabe tjetër që ka ndodhur rrugës për në Tebuk; janë mbledhur munafikët aty që ta tradhëtojnë pejgaberin,mirëpo Allahu e ka mbrojtur prej tyre.

Them: Në lidhje me këtë ka zbritur ajeti kuranor: [E sikur të kishin dëshiruar ata të dalin, do të bënin për të (për luftë) ndonjë përgatitje, por All-llahu nuk e pëlqeu ngritjen e tyre, ndaj i zmbrapsi, dhe u është thënë: "Rrini me të

paaftit ( fëmijët, gratë e pleqtë)](Teube,46).

[3] Muslimi (2779).

[4] Ibën Ebi Shejbe (7123) dhe senedi është sahih, Taberiu në “Tarikh”(vëll. 6, fq. 40), Beladheriu në “Ensabul Eshraf”, Ibën Kethiri në “Bidaje ve Nihaje”, etj.

[5] Velid ibën Ukbe ka qenë sahabi, vëllau i Othman ibën Afanit. Ai ishte i biri i Ukbah ibn Ebu Mu'ayt. Babai i tij është përpjek për ta vrarë Muhamedin a.s dhe më në fund ka vdekur si qafir. Ky Velidi, edhe pse ishte sahabi, ka qenë fasik (gjynahqar i pandërgjegjshëm).

Në kohën e kalifit Othman ishte guvernator i Kufes. Sahabët, prej tyre Abdullah ibën Mesudi, një ditë në namazin e sabahut kanë qenë duke u falur pas këtij fasiku, i cili kishte pirë alkool dhe ishte dehur. Në vend qe ti falte dy reqate farz, ai i fali katra, dhe kur dha selam i tha xhematit: A doni tu shtoj (rekate) më shumë!!! Kjo ngjarje përmendet në hadithe të sakta. Shiko si shembull Sahihun e Muslimit, hadithin nr. 1707, etj.

Për këtë sahabi, ka zbritur ajet kuranor, ku Allahu I madhëruar ka thënë: [O ju që keni besuar, nëse ndonjë fasik u sjell ndonjë lajm, ju shqyrtojeni mirë, ashtu që të mos e goditni ndonjë popull pa e ditur realitetin, e pastaj të pendoheni për atë që keni bërë] (Huxhurat, 6).

Ibën Abdulberri dhe Ibën Xheuziu deklarojnë se personi fasik i synuar në këtë ajet është Velid ibën Ukbe, sipas konsensusit të gjithë tefsirologëve.

[6] Fusul fi Usul, vëll. 2, fq. 32.

[7] Fusul fi Usul, vëll. 2, fq. 35.

[8] Imam Taftazani është kritiku më i madh letrar i akides esharito-maturidite. Librat e tij në gramatikë, retorikë, teologji, logjikë, usuli fikh dhe interpretim të Kur'anit janë përdorur si tekste standarde për shekuj me radhë në shkollat osmane dhe gjetiu. Ibn Haxher Askalani në lidhje me të u shpreh në mënyrë të shkëlqyer kur tha se: “Shkenca përfundoi me të në Lindje dhe askush nuk mund t'ia zërë vendin më atij". [Durar Kamina] . Taftazani vdiq në Samarkand në 1390, dhe u varros në Sarakhs.

Libri i tij Sherh Mekasid, është ndër librat më të popullarizuara të tij në akide dhe shumë e njohur në mesin e dijetarëve. Konsiderohet kulmi i meseleve të akidesë dhe oqean i kelamit tek medh’hebi i ehli syneti.

[9] Sherh Mekasid (voll.5,fq.310,311).

Në rregull

Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...