Disa kalifë, mbretër, princa dhe mullaha deri në mbretërimin e kalifit abasit Muhamed ibën Rashid Mu’tasimit, nuk e njohën vijimësinë e Ali ibën Ebi Talibit a.s si kalif i drejtë, bile disa prej tyre e mallkonin atë nëpër minbere. Këtë të vërtetë historike e ka pranuar edhe Ibën Tejmije[1].

I vetashtuquajturi “prijës i besimtarëve”, kalifi Velid ibën Abdulmeliku, një ditë xhumaje, duke qenë në hutbe, u kishte thënë të pranishmëve: Hadithi që transmetohet nga pejgamberi: Ti je për mua sikurse Haruni për Musain, është i saktë, mirëpo ai është shtrembëruar, sepse profeti ka thënë: Ti për mua je sikurse KARUNI për Muasiun; iu ka pështjell dëgjuesit”!!![2].

Jo vetëm kaq, por njerëzit e asaj kohe prej frikës nga këta nasibij, nuk guxonin as edhe fëmijët e tyre ti emërtonin me emrin Alij, e nga dashuria e madhe që kishin për të i emërtonin Ulej (Aliu i vogël)[3].

Ebu Hanife, Hasan Basriu dhe disa fukaha tjerë, kishte raste se kur dëshironin të përmendnin mendimin juridik të Aliut, thonin “ka thënë filani” duke aluduar në Aliun r.a nga frika e pushtetit zullumqar[4].

Këta nasibij kishin mbytur edhe imam Nesaiun[5],vetëm pse ai kishte shkruar një libër për virtytet e Aliut. Dhehebiu kur flet për vdekjen e këtij burri të madh, thotë: “Ka thënë Vezir ibën Hinzabeh: E kam dëgjuar Muhamed ibën Musa Memuniun shokun e Nesaiut që ka thënë: Kam dëgjuar disa njerëz që e kundërshtonin Nesaiun pse e ka përpiluar librin mbi virtytet e Aliut, Allahu qoftë I kënaqur me të, e nuk ka shkruar asgjë rreth virtyteve të Ebu Bekrit dhe Omerit, e pastaj ia përmenda këtë atij?! Atëherë më tha: “Kam hyrë në Damask dhe kam parë shumë njerëz (nasibij, dashamirë të Muavijes që flisnin keq për Aliun) që kishin devijuar dhe I kishin harruar virtytet e tij, për këtë arsye shënova rreth virtyteve të tij, duke shpresuar që Allahu ti udhëzonte. Pas kësaj, ai ka shkruar edhe për virtytet e sahabëve tjerë. Atëherë I është thënë atij, e unë kam qenë prezent aty: Pse nuk ke përmendur asnjë virtyt për Muaviun?! Ka thënë: Çfarë të shënoj? Hadithin: “O Allah, mos ia ngij barkun”?! Në këtë rast, pyetësi heshti”.

Pas pak, Dhehebiu sjell një transmetim tjetër që plotëson edhe më mirë tregimin dhe thotë: “Transmeton hafizi Ibën Mende nga Hamza Ukbi el Misrij dhe disa të tjerë, se Nesaiu në fundin e jetës së tij e ka lëshuar Egjiptin dhe ka shkuar në Damask. Atje është pyetur për Muavijen, (pse nuk ka shënuar asgjë) çfarë është thënë rreth virtyteve të tij. Ai u ka thënë: A nuk po gëzoheni që kam heshtur dhe nuk kam folur kundër të bëmave të tij, e tani po dëshironi që të shkruaj edhe “virtyte” për të?!

(Në një transmetim tjetër,përmendet se aty u ka thënë: Nuk di “virtyt” tjetër për Muaviun, pos hadithit të pejgamberit që për të ka thënë: “Allahu mos ia ngoptë kurrë barkun”).

Tha: E kanë kapur në vendin e turpshëm (prej dy testiteve-herdheve- të tij), dhe kanë vazhduar ta rrahin derisa e kanë nxjerrë nga xhamia. Pastaj e kanë dërguar në Mekke, dhe prej kësaj ka vdekur”.

Imam Darekutniu në lidhje me këtë ka thënë: Është nisë për të shkuar në haxh, e rrugës për në Damask është sprovuar, dhe ka rënë shehid . U ka thënë shokëve: Më qoni në Mekke. E dërguan në Mekke dhe vdiq atje. E kanë varrosur mes kodrës Safa dhe Merva”. (Përfundoi fjala e Dhehebiut)[6].

Në këtë vorbull të telasheve, edhe tek disa që e emërtonin veten si pasues të synetit mbizotëronte mendimi se Muaviu ishte kalifi i katër i drejtë e jo Aliu a. s!!!

Transmeton Ebu Davudi në Sunenin e tij (4647) një hadith hasen ku ndër tjera thuhet: Ka thënë Seidi: “I thashë Sefines: Ata po pretendojnë se Aliu nuk ka qenë kalif! Tha: Bytha e bijve të Mervanit ta thonë këtë gjë! Ata gënjejnë”.

I pari që e hoqi emrin e Aliut ishte Muaviu vet. Hadithet se Muaviu ka sharë Aliun r. a. i gjeni në sahihun e Muslimit, në synenin e Ibni Maxhes, etj.

Në këtë kohë s’është e çuditshme të gjesh edhe hadithologë të shitur, të cilët ishin dedikuar të trillonin hadithe dhe shpifnin interpretime që shkonin në favor të pushtetit.

E ka thënë të vërtetën pejgamberi, ku në një hadith –i cili është i saktë sipas Allbanit- ka thënë: “I pari që do ta ndryshojë synetin tim, është një burrë nga Beni Umeja”.

Kjo hije e zezë kishte prekur edhe disa njerëz të shkencës, letërsisë dhe hadithit, derisa erdhi Ahmed Ibn Hanbeli r.a i cili në kohën e tij e pohoi kalifatin e Aliut botërisht dhe tha se ai ishte i katërti kalif i drejtë në virtyte ashtu siç ishte radhitja e tyre historike. Një deklaratë e tillë për kohën e tij realisht konsiderohet arritje dhe burrëri[7].

Opinioni i tij kishte quar pluhur tek disa hadithologë tjerë të kohës, sepse disa kohanikë tjerë të tij vazhdonin të argumentoheshin me atë që pat thënë Ibën Omeri: “Në kohën e profetit thoshim: Ebu Bekri, Omeri, Othmani dhe pastaj heshtnim, nuk përmendim askënd pas tyre”!

Si duket, Ibën Omeri këtu po fliste për disa kalamaj e mëhallës së tij, sepse pozita dhe vendi i Aliut s’do fjalë e as muhabet. Gabim prej iben Omerit ka qenë edhe ngurrimi i tij dhe mos-besatimi ndaj prijësit të besimtarëve Ali Ibën Ebi Talibit në xhami, siç përmendet në histori, ndërsa në anën tjetër ai pranoi ta besatojë Jezidin pijanec fasik dhe për këtë pranoi plus ryshfet! Ai besatoi edhe Mervan ibën Hakemin të cilin profeti e ka mallkuar në hadithe të sakta dhe e ka quajtur “buburrec i biri i buburrecit”(وزغ ابن الوزغ) në shenjë poshtërimi. Jo vetëm kaq, por sipas transmetimeve, Ibën Omeri ia ka dhënë besën edhe Haxhaxhit!!! Bile thuhet se kur ka shkuar t’ia jep besën, Haxhaxhi në shenjë nënçmimi ndaj tij, e ka shtri këmbën, e ai kishte pranuar të puthë këmben e këtij zindiku zullumqar?!!!

-Transmeton Halali në “Sune” (646) dhe thotë: Më ka treguar Abdulmelik ibën Abdulhumejd Mejmuniu (hafiz i njohur i hadithit, shok i Ahmedit), se ai i ka thënë Imam Ahmedit: Ne dhe ca vëllezër tanë (hadithologë) po çuditemi me ty si e fute Aliun të katërtin me radhë në kalifat! Më tha: E çfarë duhet të bëj e të them me fjalën e Aliut, rahimehullah: Unë jam Emir i Mumininëve. I thuhej: O Emir i mumininëve, vinte koha e haxhit, e kryente bashkë me njerëzit, gjitha këto dispozita sheriatike, pastaj namazi me njerëz dhe gjithë ajo cfarë bëri, vallë gjitha këto duhet të lihen? I thashë: E çfarë do të bësh dhe do të thuash për vrasjen e Talhas dhe Zubejrit -Allahu i mëshiroftë- dhe gjakrat që u derdhën?Tha: Çfarë na hyn në punë Talha dhe Zubejri dhe ajo që bënë ata?Pastaj ma përsëriti të njëjtën fjalë më shumë se një herë: Çfarë na hyn në punë vrasja e Talhase dhe Zubejrit dhe gjakrat që u derdhën?!Pastaj përmendi edhe një herë gjykimet e Aliut dhe haxhin e tij përgjatë kohës sa ishte kalif. Kjo ishte hera e fundit që u ndava prej tij, në vitin njëzetë e shtatë (pas vitit 200 h). I dëgjova këto fjalë prej tij duke qenë ulur”. (përfundoi).

-Ka thënë Verejza Himsiu: Kur Ahmed ibën Hambeli shfaqi kuadraturën për Aliun (tha se është kalifi i katër i drejtë) hyra tek ai e i thashë: O Ebu Abdilah! Kjo është një goditje për Talhan dhe Zubejrin!Më tha: Sa keq fole. Çfarë kemi neve me luftën e tyre?I thashë: Allahu të udhëzoftë, e përmenda luftën, kur ti the se Aliu është i katërti, sepse çfarë do të themi për imamët para tij (Talhan dhe Zubejrin) !Më tha: Çfarë më pengon mua ta them këtë gjë?!I thashë: Hadithi i ibën Omerit. . . Atëherë më tha: Omeri ka qenë më i mirë sesa djali i tij (Ibën Omeri). Omeri ka qenë i kënaqur me Aliun që të jetë kalif dhe për këtë arsye e ka futur në këshill (shura). Ali ibën Ebi Talibi e ka quajtur veten Prijës i besimtarëve, e unë të them: S’ka qenë prijës për besimtarët!Atëherë tha: Kështu u ktheva dhe dola prej tij”[8].

Ahmed ibën Hambeli këtyre hadithologëve ndër tjera u kishte kujtuar se: “Nuk është transmetuar për asnjërin prej sahabëve të Muhamedit a. s, me hadithe sahiha siç është transmetuar për meritat e Aliut”[9].

Në një transmetim tjetër ka thënë: “Aliu ka qenë prej ehli bejtit, me të nuk krahasohet askush”[10].

Përmendet se një ditë ai është pyetur: Çfarë thua për hadithin që thotë se Aliu ka thënë: Unë jam ndarësi i zjarrit?U ka thënë: Pse e mohoni këtë?A nuk është transmetuar se: “ Nuk të do ty o Ali pos besimtari, e nuk të urren ty pos munafiku”. Thanë: po. U tha: Në cilin vend do të jetë besimtari? Thanë: në xhenet. Po qafiri? Thanë: Në zjarr. Tha: Atëherë Aliu qenka ndarësi i zjarrit”[11].

Një gabim metodologjie kishin pësuar edhe disa hadithologë të njohur, kritikë të aftë të shkencës së Xherhit dhe Tadilit, siç është rasti i Ibën Meinit, e lere më.

Ebu Davud Sixhistani ka treguar se një herë Jahja ibën Meini i ka thënë Imam Ahmedit se Imam Shafiu ka qenë shija në akide (ka anuar ka shiizmi), e ai ia kishte kthyer: Si mund ta thuash një gjë të tillë për një imam prej imamëve të myslimanëve?! Jahjai i ka thënë: Kam shikuar në librin e tij (Shafiut) që ka shkruar mbi rebelët “bugatët”, prej fillimit të librit e gjer në fund të tij, argumentohet vetëm me hadithet dhe fjalët e Alij ibën Ebi Talibit! Atëherë Imam Ahmedi r. a i ka thënët atij: ”Çudi me ty, pse me kë duhej të argumentohej?! A nuk e di ti se i pari që u sprovua në këtë ymet me rebelë, ishte Ali ibën ebi Talibi? Ai e bëri synet luftimin e tyre, sepse dispozitat mbi ta nuk u sqaruan nga profeti e as nga sahabët që erdhën pas tij. E pasi është kështu, atëherë më trego se me kë duhej që të argumentohej”?Pasi dëgjoi këto fjalë, Jahjai u turpërua në vetvete”[12].

Them: Megjithëtë, Jahja ibën Meini në krahasim me hadithologun tjetër-gjithashtu kritik i hadithit-konsiderohet mesatar dhe shumë shumë më i drejtë. Xheuzxhani ishte haditholog, mirëpo ai nuk e ka fshehur urrejtjen dhe mërinë që kishte ndaj Aliut.

[1] Minhaxhu Sune (6/201; 4/401).

[2] (Tarih Bagdad, 8/266).

[3] Tarih Dimeshk 41/480;Meshahir Ulema Emsar fq.197; Sijer Alam Nubela 5/101 dhe 10/400. Shiko biografinë e Ulej ibën Rebahut-transmetimin e Ebu Abdirrahman ibën Mukriut dhe lexo me vëmendje biografinë e Medainiut kur ka hyrë tek Memuni.

[4] Transmeton Ebu Ula-Said ibën Muhamedi në librin e tij “Itikad”dhe Ebu Muhamed el Harithiu në librin “Keshf”dhe imami i madh i hadithit dhe akides maturidite Ebu Is’hak Safari në librin “Telhisul Edileti li Kavaidi Teuhid” dhe të tjerët, me zingjir transmetimi prej Salimi bën Salimit, prej Bukejrit, prej Imam Ebu Hanifes, se ai u ka thënë nxënësve të tij një ditë:

A e dini pse na urrejnë banorët e Shamit? Ata I thanë: Jo?! Atëherë u tha: Ata na urrejnë sepse sikur ne të kishim prezantuar në luftën e Sifinit, do të kishim qenë në radhët e Aliut r. a kundër Muaviut, për këtë, ata nuk na donë neve. Pastaj tha: A e dini pse na urrejnë hadithologët? Thamë: Jo?! Tha: Sepse neve ia pohojmë hilafetin Aliut (se ishte në hak), e ata nuk e pranojnë këtë, prandaj na urrejnë neve”. (Telhisul Edileti li Kavaidi Teuhid,fq. 561).

[5] Imam Nesaiu është Ebu Abdurrahman Ahmed ibën Shuajb Nesaiu, hafiz I njohur I hadithit, shejh islam, autori I Synenit të njohur – Suneni i Nesait dhe I librit tjetër të madh “Sunenu Kubra” që ka hiq më pak se 20, 000 hadithe. Prej mësuesve të tij ka qenë Is’hak ibën Rahuja, ndërsa prej nxënësve të tij të shumtë ka qenë edhe imam Tahaviu. Ka qenë det I dijeve, imami më I madh dhe me I përpiktë I shkencës hadithit në kohën e tij, siç ka thënë Darekutniu. Imam Hakimi ka thënë: Fjalët e Nesaiut rreth fikhut të hadithit janë shumë. Kush shikon në Sunenin e tij, do të çuditet sa mirë e ka radhitur. Disa kritikë e kanë vendosur imam Nesaiun edhe para imam Muslimit…

[6] Shiko: Sijer Alamu Nubela (vëll. 14, fq. 129-133).

[7] Shiko përgjigjen e tij në Tabakat Hanabile që i ka dhënë Museded ibën Muserhedit, kur i ka sqaruar se çfarë është syneti.

[8] Tabakat Hanabila 1/393; biografia e Vereize ibën Muhamed Himsij

[9] Mustedrek Hakim.

[10] Menakib Imam Ahmed ibën hanbel, fq. 220.

[11] Menakib Imam Ahmed ibën hanbel, fq. 219.

[12] Menakib Shafij, Bejhekiu, 1/451

Në rregull

Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...