Lufta e Deves ka ngjarë në Basra në vitin 36 sipas kalendarit hënor, mes forcave të prijësit të besimtarëve Ali ibën Ebi Talibit a.s dhe ushtrisë rebele[1] të cilën e udhëhiqte Talha dhe Zubejri r.a së bashku me Aishën r.a, e cila kishte shkuar atje me ushtrinë e Medinës hipur mbi qerren e shalës. Për këtë shkak lufta mori emrin e saj.

Të gjithë - përveç pejgamberit i cili ka qenë i pagabueshëm- mund të bëjnë gabime dhe gjynahe. Sahabët edhe ata ishin njerëz dhe mund të bënin faje. Po kështu edhe gratë e profetit.

Ajo që duhet theksuar - këtu - është se gabimi i disa sahabëve apo grave të profetit është një gjë, ndërsa poshtërimi, abuzimi dhe ekspozimi ndaj nderit të tyre është një gjë krejt tjetër dhe nuk ka lidhshmëri mes tyre.

Taberiu dhe historianët e tjerë transmetojnë se pjesëmarrësit e kësaj lufte kur e kanë përshkruar ngjarjen, kanë thënë: Në Ditën e Devesë kemi gjuajtur me shigjeta derisa na janë harxhuar, pastaj kemi shpuar me shtiza derisa janë thyer nëpër gjokset tona dhe gjokset e tyre, saqë ke mundur te ecësh mbi to[2].

Historiani Sejf ibën Omer Esediu në librin e tij mbi Vakinë e Devesë, ka deklaruar: “Numri i të vrarëve rreth Devesë ka qenë dhjetë mijë veta, gjysma e tyre prej ushtarëve të Aliut e gjysma tjetër prej ushtarëve të Aishës; prej fisit Ezd dy mijë, prej fiseve Jemenase pesëqind, prej fisit Mudar dy mijë, pesëqind prej fisit Kajs, pesëqind prej Temimit, një mijë prej Beni Dabes dhe pesëqind prej Bekër ibën Vailit.

Në një transmetim tjetër është thënë: Janë vrarë prej pjesëmarrësve të Basras në betejën e parë pesë mijë veta, ndërsa në betejën e dytë edhe pesëmijë tjerë, kurse prej banorëve të Kufës pesëmijë gjithashtu. Janë vrarë atë ditë prej fisit Beni Adij shtatëdhjetë shejha të Kuranit, e lerë më të rinj.

Në një transmetim, Aishja ka thënë: “E shpresoja fitoren, derisa u shuan zërat e Beni Adijve”[3].

Ajo që duhet ta dimë neve si besimtarë është se Ali ibën Ebi Talibi dhe ushtria e tij, sheriatikisht dhe logjikisht ishin në hak dhe lufta e tyre ishte xhihad i vërtetë, ndërsa Talha, Zubejri dhe Aisha ishin në të kotën dhe lufta e tyre ka qenë gjynah dhe gabim i madh.

Të gjithë ata që luftuan Aliun a.s kanë qënë në gabim për atë që kanë bërë, dhe nuk është dashur ta bënin një gjynah të tillë.

Ajo që bëri Aliu a.s ishte obligim i tij dhe për një gjë të tillë ishte i shpërblyer nga ana e Allahut të Madhëruar, pasi vetë kurani urdhëroi këtë kur tha: [...atëherë luftoni kundër agresorëve (rebelëve)...] (Huxhurat,9).

Për këtë dëshmojnë edhe shumë të dhëna tjera, prej tyre hadithi i saktë të cilin e transmeton Nesaiu nga Aliu, Allahu qoftë i kënaqur me të, se ai ka thënë: ”Jam urdhëruar ti luftoi rebelët, renegatët dhe zullumqarët”.

Ka thënë dijetari hanefij Muhjidin Muhamed ibën Behaudin ibën Lutfullah Bajrami (vdiç 956 h) në komentin “Kavlu el Fasl” që i bëri librit të Ebu Hanifes “Fikh el Ekber”: “Fjala “nakithine” rebelët dmth. ata që e kanë prishur besëlidhjen e imamit. Të tillë konsiderohen kundërshtarët e Luftë se Deves (xhemelit). Fjala “marikine” të dalurit apo renegatët u takon havarixhëve; janë quajtur “të dalur” sepse Muhamedi a. s ka thënë: ”Ata dalin nga feja (e vërtetë), sikur shigjeta kur del prej harkut”. Sa i përket “kasitinëve” ata janë zullumqarët. E vërteta në këto luftëra ka qenë vetëm në anën e Aliut r. a pasi që ai ishte kalif i drejtë dhe imam besnik. Këtë e bazojmë në fjalën e të dërguarit të Allahut a. s. kur iu drejtua Amar ibën Jasirit duke i thënë: ”Mjerë për ty o Amar, do të të vrasin rebelët, ti i thërret ata për ne xhenet, e ata ty të ftojnë për në zjarrë[4]. Ky hadith dhe tjerat në këtë kontekst, janë të qarta se Aliu r. a ishte kalif i drejtë, ndërsa Muaviu dhe ushtrija e tij ishin rrebel”. (Përfundoi fjala e tij).

Po kështu hapur janë deklaruar edhe imamët e medhenj tjerë hanefij, sikur Merginai në librin e tij “Hidaje”, Ibën Humami në komentin e tij dhe Mul’e Alij Kariu në “Mirkatu Mefatih”.

Imam Abdul Kadir Xhurxhani rahimehullah, ka thënë: ”Kanë rënë në pajtim (ixhma) fukahatë e Hixhazit dhe Irakut prej hadithologëve dhe juristëve, prej tyre Ebu Hanife, Maliku, Shafiu[5], Evzaiu dhe shumica dërrmuese e apologjetikëve (kelamistëve) se Aliu, Allahu ia fisnikëroftë fytyrën e tij, ishte në hak kur luftoi kundërshtarët në Sifin, e po ashtu kur luftoi kundërshtarët në Luftën e Devesë (Xhemelit). Ata (dijetarët) kanë thënë gjithashtu se ata që e luftuan Aliun r. a ishin rebelë dhe zullumqarë, mirëpo nuk lejohet shpallja qafirë (bërja tekfir) e tyre (siç vepruan shijat gulatë dhe havarixhët) për shkak të rebelizmit “bag’jit”të tyre. (përfundoi)[6].

Për këtë arsye, Aliu pa se dalja e tyre në Basra ishte thyerje e besës dhe dalje nga nënshtrimi i imamit të myslimanëve. Ai kur dëgjoi për këtë, menjëherë ia mësyu për në Basra.

-Transmeton Amra e bija e Abdurrahmanit, thotë: Kur Aliu deshi të nisej për në Basra (pasi kishte dëgjuar për mbledhjen e ushtrive kundërshtare) hyri te Umu Selemja (gruaja e profetit) për ti dhënë lamtumirën, atëherë ajo i ka thënë: Shko, qofsh nën përkujdesjen dhe mëshirën e Allahut, se pasha Zotin ti je në hak dhe haku është me ty. Sikur mos ta urreja kundërshtimin e urdhrit të Allahut dhe të dërguarit të Tij; sepse ai, paqja qoftë mbi të na ka urdhëruar që të qëndrojmë në shtëpitë tona, do të vija me ty, mirëpo vallahin do ta jep me veti dikë që është më i miri dhe më i vlefshmi për mua, djalin tim Omerin”[7].

Allahu e dashtë dhe shpërbleftë nënë e besimtarëve -Umu Selemen, sa grua e ruajtur, respektuese, penduese dhe e devotshme që ishte.

Faktin se Aisha ishte në gabim siç shihet pra e kanë pranuar ehli syneti unanimisht[8].

Argument për këtë është:

Fjala e Allahut xh. sh: [O gra të Pejgamberit, cilado prej jush që bën punë të ligë e të shëmtuar, asaj dënimi i shtohet dyfish, e kjo për Allahun është shumë lehtë. E kush prej jush i përvishet adhurimit të Allahut dhe respektimit të të dërguarit të Tij dhe bën punë të mira, asaj do t'i japim shpërblimin e dyfishtë dhe për të kemi përgatitur furnizim të këndshëm. O gratë e Pejgamberit, ju nuk jeni si asnjë grua tjetër, nëse kini kujdes e ruheni, andaj mos u llastoni në të folur e të lakmojë ai që ka sëmundje në zemrën e tij, po thoni fjalë të matura. Dhe rrini në shtëpitë tuaja dhe mos shfaqni bukurinë tuaj si shfaqej në injorancën e hershme, faleni namazin, jepeni zeqatin dhe respektojeni All-llahun dhe të dërguarin e Tij](Ahzab: 30-33).

Aisha r. a në vend se ta respektonte Allahun dhe të dërguarin e Tij dhe të rrinte në shtëpinë e saj ashtu siç ishte urdhëruar, ajo doli në luftë kundër burrave për ta luftuar prijësin e besimtarëve i cili ishte në të drejtën dhe e drejta ishte krah tij.

Argumente tjera prej synetit:

- Transmeton Kajs ibën ebi Hazimi se kur Aisha ka arritur tek puset e fisit Beni Amir natën, kanë lehur qentë. Atëherë ka pyetur: Cili pus është ky? I kanë thënë: Pusi i Heuebit (afër Basras në rrugën për Meke). Atëherë kur e ka dëgjuar këtë ka thënë: Mendoj të kthehem. Talha dhe Zubejri i kanë thënë: Ngadalë, Allahu të mëshiroftë, jo, ti do të vish që të shohin myslimanët, ndoshta Allahu i bashkon ata. Ka thënë: Jo, unë mendoj se duhet të kthehem. E kam dëgjuar profetin, paqja qoftë mbi të, se një ditë më ka thënë: Si do të jetë halli i njërës prej juve kur ti lehin qentë e Heuebit”[9]?

-Në tregimin e Ibën Kutejbes dhe disa libra tjera të historisë përmendet se kur Aisha ka dëgjuar të lehurat e qenve dhe ia ka beh të kthehet, i ka ardhur Abdullah ibën Zubejri dhe i ka bërë be në Allahun dhe i ka sjellur edhe disa dëshmitarë të rrejshëm katundarë se ai vend nuk ka qenë Heuebi. Thuhet se kjo ka qenë dëshmia e parë e rrejshme në islam[10].

-Transmetohet nga Umu Seleme-Allahu qoftë razi me të, se ajo e ka kujtuar hadithin kur profeti e ka përmendur daljen dhe rebelimin e një prej grave të tij, e pastaj Aishja ka qeshur, e atëherë pejgamberi i ka thënë asaj: Ruaju oj bardhoshe e vogël që të mos jesh ti! Pastaj ka shkuar dhe i ka thënë Aliut: “Kur ta kapësh, sillu but me të (ktheje në Medine e mos e mbyt)”[11].

-Transmeton Ebu Rafiu se pejgamberi, paqja qoftë mbi të dhe familjen e tij, i ka thënë Aliut a. s se do të ngjajë mes tij dhe mes Aishës diçka. Ka thënë: Unë o i Dërguar i Allahut?! Ka thënë: Po. I ka thënë: A do të jem mes shokëve të mijë?I ka thënë: Po. Ka thënë: Atëherë pra, unë qenkam më i mjeri (hidhëruari) i tyre te Zoti o i dërguar i Allahut! Ka thënë: Jo (ti je në hak), e kur të ndodhë kjo, ktheje në shtëpi”[12].

-Transmeton Ibën Abasi dhe thotë: Pejgamberi një ditë u ka thënë disa grave të veta: “Ah, si mundet? Cila prej jush është kalorësja e devesë leshatake, që do të dalë dhe do ti lehin qentë e Heuebit, në të djathtë të saj dhe në të majtë të saj do të vriten shumë njerëz, pastaj ajo shpëton e për pak sa nuk e vrasin”[13].

Shejh Albani pasi konfirmoi saktësinë e hadithit (Cilës prej jush do ti lehin qentë e Heuebit) tha: “Me pak fjalë, hadithi është i saktë për nga senedi dhe teksti i tij nuk ka kurrfarë problemi edhe përkundër mendimit të usta Afganit. Ajo që mund të thuhet në të është se Aisha r. a kur i kanë treguar për Heuebin është dashur të kthehet, e hadithi tregon se ajo nuk është kthyer! E kjo nuk i ka takuar nënës së besimtarëve ta bëj. Ne i përgjigjemi këtij (realiteti të hidhur) dhe themi se jo çdo gjë që u ngjanë njerëzve të mirë, domosdo duhet të jetë e mirë, sepse ata nuk janë të pagabueshëm, sepse pagabueshmëria është vetëm për Allahu që është Një. Syniu nuk duhet të bëhet fanatik ndaj atij që e respekton e ta mbivlerësojë ashtu siç bëjnë shijat imamij me 12 imamët që i konsiderojnë të pagabueshëm. Ne nuk dyshojmë se dalja e Aishës ka qenë gabim në esencë, për këtë arsye edhe është matur të kthehet kur e ka marrë vesh realizimin e profetësisë se të dërguarit a.s. tek Heuebi, mirëpo Zubejri ia ka mbush mendjen që të qëndrojë duke i thënë “rri se ndoshta Allahu do ti bashkoje njerëzit me ty”. Në nuk dyshojmë se edhe Zubejri këtu ka qenë gjynahqar gjithashtu”[14].

Albani pas kësaj deklarate sikur bie në kundërshtim me vetveten, kur pak më poshtë, po aty, thotë se ky gabim i Aishës është i falur, ka qenë ixhtihad i saj dhe do të jetë e shpërblyer për këtë, sepse ajo ka shkuar në Basra për ti pajtuar myslimanët, sikurse edhe ixhtihad i Talhas dhe ibën Zubejrit.

Them: Se a i fale a jo, kjo është në dorën e Zotit dhe shpresojmë për të, mirëpo të thuhet se është shpërblyer nga ky akt sepse ata donin pajtimin, është jo e saktë, pasi sikur të ishte ashtu si tha, atëherë çfarë u duheshin ushtria dhe armët?!!

Në anën tjetër nuk ka ixhtihad përpara tekstit. Aisha e kishte dëgjuar në mënyrë të qartë ndalesën profetike, megjithatë e shkeli, Allahu e faltë!

Sa për Talhan dhe Zubejrin dhe ata që ishin me ta ishin në të kotën, sepse ata në fillim ia kishin dhënë besën Aliut e pastaj e kishin thyer besatimin dhe ishin rebeluar ndaj tij dhe kishin dalë në anën e një ushtrie tjetër të myslimanëve për ta luftuar Aliun, prandaj ka qenë obligim i tij që ti luftoi.

Ushtria e Aishës kanë qenë në të kotën gjithashtu, sepse profeti ka thënë: “Nuk do të shpëtojë një popull që për prijës të tyre e zgjedhin një grua”[15].

Vet Aisha r.a e ka kuptuar gabimin e saj dhe në librat e hadithit dhe historisë synite dhe shiite përmendet se është penduar me një pendim të plotë dhe të sinqertë.

-Transmeton Dhehebiu nga Kajsi se Aisha se ka thënë: “Kam pas dëshirë të varrosëm pranë pejgamberit dhe babait tim, mirëpo tanimë nuk kam fytyrë ta bëj këtë, kam bërë një gjynah të madh pas pejgamberit, më varrosni në Bekije aty ku janë varrosur edhe myslimanët e tjerë”[16].

Ka thënë Zejleiu hanefij: Kanë pas ixhma se Aliu ishte në hak kur luftoi kundër ushtrisë së Devesë, e ata kanë qene Talha, Zubejri, Aisha dhe ata që ishin me ta, po kështu edhe kundër atyre të Sifinit e që ishin Muaviu dhe ushtria rrebele e tij. Aisha (përkundër Muaviut) i ka ra pishman dhe është penduar, sikurse e shënon Ibën Abdulberri në librin e tij “Istijab” nga Ibën Ebi Atiku- i cili është Abdullah ibën Muhamed ibën Abdurrahman ibën Ebi Bekri i cili ka thënë: Aisha i ka thënë Ibën Omerit: Çfarë të pat ndaluar të më ndalosh mua të shkoj?!Tha: E pashë njërin që të pat bindur-e kishte fjalën për Ibën Zubejrin. Ka thënë: Vallahi sikur t’më ndaloje nuk do të dilja”[17].

-Pendimin e saj e përforcon edhe hadithi që transmeton Hakimi nga Kajsi se Aisha ka thënë: Ma shumë do të dëshiroja që ti kisha dhjetë fëmijë më pejgamberin sikur Harith ibën Hishamin e të gjithë të më vdisnin, sesa të dilja me ibën Zubejrin Ditën e Devesë”[18].

-Ibën Ethiri ka përmendur se ajo ka thënë: “Vallahi kisha dashtë që të vdisja para asaj dite (Luftës së Deves) njëzet vjet përpara”.

Në librat e akidesë dhe historisë përmendet se ajo thoshte gjithashtu: “Ah e mjera unë, sikur të qëndroja në shtëpinë time ashtu siç qëndruan shoqet e mia (gratë e tjera të profetit). Sa here e ka kujtuar këtë ngjarje ka qarë derisa e ka mbushur sexhaden me lotë”[19].

Jo vetëm Aishja, por edhe Talha dhe Zubejri r. a. e kanë shfaqur teuben haptasi dhe vdiqën të penduar për atë qe vepruan.

Kur Aliu r. a është pyetur për kundërshtarët e Xhemelit, ka thënë: ”Ata janë vëllezërit tanë, janë rebeluar kundër nesh ”begav alejna”.

[Ka edhe të tjerë që i kanë pranuar mëkatet e veta: ata përzien vepra të mira, e edhe të tjera të këqija. Atyre ka gjasë që do t'ua falë All-llahu. Me të vërtetë, Allahu është falës (ndaj atij që pendohet) dhe mëshirues (për atë që përmirësohet] (Teube,102).

Hoxhë: Drilon Gashi


[1] Rebelë apo puçistë (arab. bugatë) quhen myslimanët të cilët janë rebeluar kundër prijësit apo kalifit të drejtë.

Ndërsa nëse njerëzit i kanë dhënë besën (po e zëmë) një prijësi, e pastaj një grup prej tyre nga padrejtësia dhe vuajtja që iu është shkaktuar, ngritën dhe kërkojnë të drejtat e tyre, ata nuk quhen rebelë. Prijësi apo kalifi në këtë rast duhet të jetë i drejtë dhe korrekt me kopenë e vet.

Mirëpo nëse dikujt i teket që të ngrihet kundër prijësit të zgjedhur, duke kërkuar që pushtetin t’ia marrë me forcën e shkopit, atëherë ai konsiderohet rebel dhe prijësi në këtë rast ka të drejtë ta luftojë atë, sepse ka shkaktuar çrregullime në tokë. Bile një gjë e tillë është obligim, sikur do shohim në vazhdim.

Shumica e dijetarëve islam kanë vënë kusht që para luftës, ata fillimisht të thirren në tryeze të rrumbullakët dhe të këshillohen. Mirëpo nëse ata vazhdojnë dhe këmbëngulin në kryengritjen e tyre pa të drejtë, atëherë prijësi në këtë rast i lufton.

Kjo është ajo çfarë na udhëzoi Allahu i Madhëruar, ku tha: [Nëse dy grupe myslimanësh luftojnë në mes vete, pajtoni ata, e nëse njëra prej tyre sulmon atë tjetrën, atëherë luftoni kundër sulmuesit, përderisa të mos kthehet në dispozitat e Allahut. E, nëse kthehet, atëherë pajtoni ata mes tyre me të drejtë dhe bëhuni të drejtë. Allahu, me të vërtetë, i do të drejtët”](Huxhurat,9)

Po të mos ishte Aliu, Allahu qoftë i kënaqur me të, nuk do kishim ditur se cilët janë rebelët dhe si duhet të sillemi me ta.

[2] Taberi, vëll. 5, fq. 218

[3] Fitnetu ve Vekiatul Xhemel, fq. 179.

[4] Ndërsa në transmetimin e Ibn Ebi Shejbës, ky hadith ka ardhur me shtesën ku thuhet: ”E kjo është prirje e të pashpresëve dhe e atyre që janë të mjerë dhe faqezi”.

S’ka dyshim se ata që e vranë Amarin ishin Muaviu dhe ushtria e tij.

Pas gjithë kësaj, fjala e shejh Ibën Tejmijës në librin e tij “Minaxhu Suneh Nebevije”ku thotë se: ”Luftimi bashkë me Aliun nuk ka qënë vaxhib dhe as e preferuar”, është e kotë dhe e pabazë, fjalë e cila kundërshton ajetin kuranor, i cili e ka bërë obligim luftimin e atyre që rebelohen kundër imamit të drejtë. Po ashtu kjo fjalë është në kundërshtim me hadithin e profetit dhe me fjalët e selefëve te këtij ymeti-Zoti qoftë i kënaqur me ta. Allahu e di më së miri, mirëpo çfarë deshi Ibn Tejmije me këtë ?A mos deshi ta ulë autoritetin e Aliut r. a, për shkak të “nasbit”që kishte kundër tij, ashtu siq përmend Ibn Haxher Askalani në librin “Lisanu Mizan”, se disa dijetarë vërtetë e kishin akuzuar me një gjë të tillë Ibën Tejmijën, apo paditurija rreth këtyre meseleve e ka shty që të bie deri në atë derexhe?!

[5] Ebu Davud es Sixhistani ka treguar se një herë Jahja ibën Meini i ka thënë Imam Ahmedit se Imam Shafiu ka qenë shija në akide (ka anuar ka shiizmi), e ai ia kishte kthyer: Si mund ta thuash një gjë të tillë për një imam prej imamëve të myslimanëve?! Jahjai i ka thënë: Kam shikuar në librin e tij (Shafiut) që ka shkruar mbi rebelët “bugatët”, prej fillimit të librit e gjer në fund të tij, argumentohet vetëm me hadithet dhe fjalët e Alij ibën Ebi Talibit!

Atëherë Imam Ahmedi r. a i ka thënët atij: ”Çudi me ty, pse me kë duhej të argumentohej?! A nuk e di ti se i pari që u sprovua në këtë ymet me rebelë, ishte Ali ibën ebi Talibi? Ai e bëri synet luftimin e tyre, sepse dispozitat mbi ta nuk u sqaruan nga profeti e as nga sahabët që erdhën pas tij. E pasi është kështu, atëherë më trego se me kë duhej që të argumentohej”?Pasi dëgjoi këto fjalë, Jahjai u turpërua në vetvete”. (Bejhekiu në Itikad).

[6] Imam Xhorxhani është një dijetarë i shquar dhe veprimtarija e tij shkencore është e njohur. Ishte shafij në medh’heb dhe prej linguistikëve më të shquar në gjuhën arabe. Vdiç në vitin 471 hixhrij.

[7] Hakimi (4669) dhe e ka saktësuar.

[8] Imami dhe historiani i shquar Ebu Mensur el Bagdadiu r. a, në kapitullin në të cilin sqaron bazat për të cilat ehli suneti ka pasur ixhma, deklaron:

”Kanë thënë-ehli syneti-se imam i pranuar në kohën e Aliut, ishte Aliu r. a, dhe ai ishte në të drejtën gjithherë, kur luftoi në Basra, Sifin dhe Nehravan”.

[9] Hadithin e shënon Ahmedi (24254), Hakimi (4671), Ibën Ebi Shejbe (38926) etj. Shuajb Arnauti ka thënë: Isnadi i hadithit është i saktë sipas kushteve të Buhariut dhe Muslimit. Atë e ka saktësuar edhe Tahaviu, ibën Hibani, Ibën Haxheri, Ibën Kethiri, Dhehebiu dhe nuk e ka kundërshtuar askush prej hafizëve të njohur.

[10] Shiko Imam eve Sijase të Ibën Kutejbes dhe Tedhkiretu Havas te Sebt Ibën Xheuziut citim prej Ibën Xheririt.

[11] Hakimi (4668) dhe e ka verifikuar si të saktë.

[12] Ahmedi (27198), Tahaviu në “Mushkil”(5612) dhe hadithi është sahih. Hafëz Ibën Haxheri ka thënë në “Fet’hul Barij”(13/60) se isnadi I tij është I mirë (hasen). Atë e ka shënuar edhe Hethemiu “në Mexhma Zevaid”(7/234)dhe ka thënë se transmetuesit e tij janë të besueshëm.

[13] E shënon Tahaviu në “Mushkil”(5611), Dija Makdisiu në “Muhtara”(179). Ka thënë Hafëz Ibën Haxheri në Fet’hul Bari (vëll. 13, fq. 55): Transmetuesit janë të besueshëm. Po kështu ka thënë edhe Hethemiu në “Mexhma Zevaid”(vëll. 7, fq. 234). Hadithin e ka saktësuar edhe Albani në “Sahiha”(1/853). .

[14] Sisile Sahiha (1/473).

[15] Buhariu (4425), Hakimi (4667), Tirmidhiu (2365), etj.

[16] Sijer Alamu Nubela (3/462).

[17] Nasbu Rraje (4/69).

[18] Hakimi (4667) dhe Tabaraniu. Shiko Mexhma Zevaid (7/238)!

[19] E përmend Mulla Alij Kariu në komentin e Fikhu Ekberit.