Ali ibën Ebi Talibi ishte koka e ehli bejtit[1], më i ditshmi i këtij ymeti pas profetit, Allahu qoftë I kënaqur me të dhe familjen e tij.

Ky shkrim është një vështrim i shpejtë që flet për diturinë e këtij sahabiu të madh.

Mirëpo, a thua vallë, çfarë mund të thotë një si unë për një shtyllë diturie si ai. Çfarë të përmend dhe çfarë të lë?

Pasi të madhit nuk ia di vlerën përveçse i madhi, atëherë shkurtimisht si hyrje themi se:

Dituria e Ali ibën Ebi Talibit është dëshmuar më lajme tevatur; qoftë nga deklaratat e profetit, qoftë nga ato të sahabëve të mëdhenj dhe tabeinëve, qoftë edhe nga burimet e tjera siç janë ato historike.

Aliu alejhi selam ishte bajrak i diturisë në:

-Dije, në mënyrë të përgjithshme,

-kuran,

-synet,

-fikh,

-çështjet e gjykimit (kada)

-trashëgimi.

Në secilën ndarje, do mundohem të përmend disa hadithe dhe fjalë të selefit.

Dituria e Aliut - në mënyrë të përgjithshme:

-Ka thënë profeti, paqja qoftë mbi të: "Unë jam kështjella e diturisë, e Aliu është dera e saj"[2].
Ky hadith është hadith i saktë [3].

-Sipas një transmetimi tjetër, ka thënë: “Unë jam qyteti i diturisë, ndërsa Aliu është porta e tij, kush dëshiron qytetin, le të hyjë kah porta”[4].

-Nga Makil ibën Jesari se I dërguari i Allahut, paqja dhe bekimet qofshin mbi të, i ka thënë Fatimes aleja selam: “A nuk po gëzohesh që të kam martuar me njeriun që i pari prej tyre e ka pranuar islamin, është më i dituri i tyre dhe më i buti ndër ta”[5].

-Transmetohet se Ibën Abasi ka thënë: Aliu sa ishte gjallë pejgamberi thoshte: “Vërtetë Allahu ka thënë: [...E nëse ai vdes ose mbytet, a do të ktheheshit ju prapa (nga feja)?...](Ali Imran, 144). Vallahin, nuk kthehemi prapa pasi që na ka udhëzuar Allahu. Vallahin, nëse vdes ose vritet, do të luftojë për atë që luftoi edhe ai derisa të vdes. Vallahi, unë jam vëllai i tij, veliu i tij, djali i axhës së tij, dhe trashëgimtari i diturisë së tij. Atëherë kush është ai që ka ma hak se unë”[6].

-Kur ra shehid Aliu, Hasani i biri i tij mbajti një hytbe, në të cilën tha: “Dje është ndarë prej jush një burrë, diturinë e të cilit nuk e kanë paraprirë të parët dhe as që do ta arrijnë ndonjëherë të mëvonshmit...”[7].

-Ka përmendur Hasani se Omeri i ka mbledhur shokët e pejgamberit që të konsultohej me ta, e në mesin e tyre ishte Aliu, atëherë Omeri tha: “Fol o Ali, sepse ti je më i dituri prej tyre dhe më i miri”[8].

-Ibën Abasi ka thënë: “Dituria e njerëzve është ndarë në pesë pjesë: Aliut i takonin katër pjesë, ndërsa njerëzve tjerë një pjesë. Ai i shoqëroi ata (edhe) në këtë pjesë të mbetur dhe qe më i dituri i tyre”[9].

-Ibën Is’haku tregon: “E pyeta Kuthm ibën Abasin: Qysh e trashëgoi Aliu diturinë e pejgamberit, e ju jo?Tha: Sepse ai ishte i pari prej nesh që shoqërohej më së shumti me të dhe që më së forti prej neve e pasonte atë”[10].

-Sa’d ibën Ebi Vekasi në një hadith të gjatë, kur përmendi se si Muaviu e ka sharë Aliun, ndër tjera tregon se ai (Sa’di) i ka thënë atij: “Ore, qysh ke fytyrë ta shash Aliun, kur ai ishte i pari që pranoi islamin, i pari që u fal me pejgamberin, ishte më asketi i njerëzve dhe më i dituri i tyre...”[11].

-Mesruku ka thënë: “Dituria përfundon te tre veta: Te dijetari i Medinës, dijetari i Shamit dhe dijetari i Irakut; dijetari i Medinës ishte Ali ibën Ebi Talibi, dijetari i Irakut Ibën Mesudi, ndërsa i Shamit Ebu Derdaja, e kur takoheshin mes vete, dijetari i Shamit dhe ai i Irakut e pyesnin dijetarin e Medinës, ndërsa ai nuk i pyeste ata”[12].

-Davud ibën Musejebi ka thënë: ”Pas të dërguarit të Allahut, nuk kishte më të ditur se Ali ibën Ebi Talibi”[13].

-Abdulmelik ibën Ebi Sulejmani thotë: “I thashë Atasë: A e di, a ka qenë dikush prej sahabëve më i ditur sesa Aliu?Tha: Jo vallahi, nuk e di që dikush të ketë qenë më i dijshëm se ai”[14].

-Abdullah ibën Ajash ibën Ebi Rrebija është pyetur për Aliun dhe ka thënë: ”Ka qenë vallahi, veq Zoti që ka ditë, dhëmballë e prehtë e diturisë (dirsun kati’)..., prijatar i islamit, i ditur për Kuranin dhe sunetin...”[15].

Sa i përket diturisë së tij ndaj Librit të Allahut (kuran):

-Ka thënë Ummu Selemja: E kam dëgjuar të Dërgarin e Allahut të thotë: “Aliu është me Kuranin dhe Kurani është me Aliun, ata dy nuk ndahen derisa të më prezantohen në Haud (deri në kiamet)”[16].

-Në një transmetim tjetër: “A Zot bëje diturinë me Aliun kudo që të jetë ai”[17].

-Në një transmetim tjetër, Ummu Seleme ka thënë: E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut, paqja qoftë mbi të, duke thënë: “Aliu është me Kur'anin dhe Kur'ani është me Aliun”[18].

-Abdurrahman Sulemiu ka thënë: “Nuk kam parë askënd më të këndueshëm (në Kuran) sesa Aliu”[19].

Them: Se Aliu ka qenë me hakun dhe Kuranin, për këtë dëshmon gjithë njerëzia. Për këtë nuk dyshon vetëm se një havarixh, nasibij apo hipokrit i poshtër. Si ka mundësi të jetë ndryshe, kur ai u rrit dhe u edukua në një shtëpi me Kuranin dhe kurani u qëndis në zemrën e tij ashtu siç qëndiset xhevahiri në gjerdan.

-Ibën Mesudi r. a për të ka thënë: “Kurani ka zbritur në shtatë harfe, çdo harf prej harfeve përmban kuptim zahir (sipërfaqësor) dhe batin (të fshehtë, të brendshëm), e Ali ibën Ebi Talibi e ka njohur edhe zahirin edhe batinin e tij”[20].

-Abdullah ibn Abasi ka thënë: “Çfarëdo që kam marrë nga tefsiri i Kur’anit është nën autoritetin e Ali ibn Ebi Talibit”[21].

-Në një transmetim tjetër, Ibën Abasi ka thënë: “Nëse na vërtetohet diçka nga Aliu, qoftë fetva apo qoftë ndonjë gjykim (kada) prej fjalëve të tij, nuk shkojmë të kërkojmë diku tjetër”[22].

Them: Në këto transmetime dhe tjerat që do vijnë vërejmë se Ibën Abasi që njihet si komentuesi i ymetit për Kuranin, paska qenë një student i vogël i Aliut dhe dituria e tij në krahasim me diturinë e Aliut paska qenë disa pika shiu nga oqeani i madh i tij.

Dituria e tij ndaj traditës profetike (sunet)

-Për këtë ka dëshmuar vet e shoqja e profetit, Aishja r. a e cila ka thënë: “Aliu është njeriu më i ditur për synetin”[23].

-Sipas një transmetimi tjetër, i është thënë Aishes: Aliu ka urdhëruar që të agjërohet dita e Ashurës. Ajo ka thënë: Ai është më i dituri i atyre që kanë mbetur për synetin”[24].

Dituria e tij në jurisprudencë (fikh):

Aliu ishte strehimore e problematikave të vështira dhe meseleve të rënda. Prej asaj që është përmendur:

-Abdulmelik ibën Ebi Sulejmani thotë: “I thashë Atasë:A ka qenë dikush prej sahabëve më fekih sesa Aliu?Tha: Jo vallahi, nuk e di që dikush të ketë qenë më fekih se ai”[25].

-Simak ibën Harbi ka thënë: Omer ibën Hatabi i thoshte Ali ibën Ebi Talibit kur e pyeste për ndonjë qështje të vështirë e ai ia zgjidhte problemin: “Mos më lënët Allahu pas teje o Ebu Hasen”[26].

-Seid ibën Musejibi ka thënë: “Omeri i kërkonte mbrojtje Allahut nga meseletë e rënda në të cilat nuk ishte prezent babai i Hasanit (Aliu). Kur Omeri deshi ta gurëzonte atë gruan që lindi në muajin e gjashtë, Aliu i tha: Allahu i lartësuar thotë: [...bartja e tij dhe gjidhënia e tij zgjat tridhjetë muaj...](Ahkaf, 15)...atëherë Omeri tha: Sikur të mos ishte Aliu, do të shkatërrohej Omeri”[27].

Them: Nëse dikush thotë se Allahu e ka bërë hakun në gjuhën dhe zemrën e Omeri dhe pretendon se ai ka qenë prej të frymëzuarve të ymetit, atëherë çfarë mund të thuhet për Aliun, për dijen e të cilit pati nevojë edhe vet Omeri.

Lajmet në këtë seksion janë pothuajse të pallogaritshme. Për më tepër, kthehu tek Muhib Taberiu, sepse ai në librin e tij “Rrijadu Nudre” (fq. 265) ka përmendur një kapitull me transmetime tjera nga Ebu Bekri, Omeri, Othmani, Aishja dhe Muaviu që dëshmojnë këtë gjë.

Dituria e tij në gjykatë (kada)

-Transmeton Enesi një hadith sahih, në të cilin pejgamberi ka thënë: “Gjykatësi më I mirë ndër ta (sahabe) është Aliu”[28].

-Ka thënë Aliu: “Më ka dërguar I dërguari i Allahut, paqja qoftë mbi të në Jemen, e unë i thashë: O I dërguar I Allahut, unë jam djalë i ri, e ndoshta më paraqitet ndonjë çështje për të cilën nuk kam dije. Tha: Atëherë (pejgamberi) e vendosi dorën e tij në gjoksin tim dhe tha: O Allah! Përforcoje gjuhën e tij dhe udhëzoje zemrën e tij”, dhe pas kësaj nuk dyshova më në asnjë gjykim”[29].

-Transmeton Buhariu nga Ibën Abasi se ka thënë: Ka thënë Omeri r. a: “Më së miri prej nesh që e këndon Kuranin është Ubej ibën Kabi, ndërsa kadiu më I mirë ndër ne është Aliu”[30].

-Enesi ka raportuar: “Omeri i ka thënë një njeriu: Atëherë vendose mes meje dhe teje atë që kur kishte mospajtim mes nesh, ai na e zgjidhte me urtësi problemin!, duke aluduar kështu në Aliun”[31].

-Edhe ibën Mesudi ka dëshmuar se Aliu ishte kadiu më i mirë në Medine[32].

Këto transmetime i kanë përmendur me senede disa dijetarë, prej tyre edhe kadi Vekija në librin “Ahbar Kudat” (1/89). Për më tepër kthehu atje!

Them: Nëse Aliu (alejhi selam) paska qenë më i dituri në çështjet e gjykatës, atëherë kjo nënkupton se ai ishte më i dituri për fikhun dhe burimet e tij siç janë Kurani dhe syneti. Thënë ndryshe: Ai ishte më i dituri në sheriat.

Dituria e tij në trashëgiminë ligjore (faraid)

-Seib ibën Vehbiu ka thënë: Ka thënë Abdullah ibën Mesudi: “Më i dijshmi për ligjin e trashëgimisë në Medine është Ali ibën Ebi Talibi”.

-Transmetohet nga Mugirja se ka thënë: “Asnjëri prej tyre nuk ka pasur mendim më të saktë në qëëhtjet e trashëgimisë sesa Aliu”. Transmetuesi thotë: Mugire vet ka qenë prej dijetarëve të trashëgimisë[33].

Aliu r. a ka qenë prej sahabëve të rrallë që është njohur me fjalën “me pyesni”:

-Është transmetuar nga Ali ibën Ebi Talibi a. s në hadith të saktë se (duke qenë) në hytbe ka thënë: “Më pyesni, se pasha Allahun, nuk do të më pyesni për diçka e që nuk do t’ju njoftoj për të, më pyesni për librin e Allahut, sepse pasha Allahun e di çdo ajet a ka zbritur natën apo ditën, a ka zbritur (duke qenë pejgamberi) në luginë apo në kodër...”.

-Në një transmetim tjetër ka thënë: “Shfrytëzojeni rastin e më pyesni para se të më humbni, sepse s’do të gjeni tjetër si mua pas meje. Pasha Allahun, s’ka ajet që ka zbritë, e që të mos e dij se për kë ka zbritur dhe ku ka zbritur”[34].

-Ka thënë Seid ibën Musejibi: “Asnjë prej shokëve të pejgamberit nuk është njohur që ka thënë “më pyesni”, përpos Ali Ibën Ebi Talibi”[35].

-Ibën Shubrume ka thënë: “Askush në minber nuk ka thënë: Më pyesni për çdo gjë që gjendet brenda dy kopertinave , përveç Ali ibën Ebi Talibit”[36].

-Umejr ibën Abdilahu ka thënë: ”Na mbajti Ali ibën Ebi Talibi një hytbe në Kufe dhe tha: O ju njerëz, më pyesni para se të më humbni, sepse mes dy bjeshkëve të mia (gjoksi dhe kraharori im, dmth. zemra ime) është e mbushur me dituri”[37].

Kjo dhënie e përparësisë nuk kufizohet vetëm tek dashamirët e tij. Superioritetin e Aliut e kanë pohuar -me apo pa dashje- edhe armiqtë e tij:

-Transmetohet se Muaviu ndodhte ti shkruante letra Aliut dhe ta pyeste për çështje fetare, e kur i arriti lajmi i vrasjes së tij, tha: “Me vdekjen e Ali ibën Ebi Talibit shkoi fikhu dhe iku dituria...”[38].

-Muaviu ishte duke qëndruar tek gruaja e tij, e bija e Kurdhit, e mori lajmin e vdekjes së Aliut, tha: “Te Allahut jemi dhe tek Ai do të kthehemi. Sa diturinë, mirësinë dhe fikhun që kanë humbur. Atëherë gruaja e tij i tha: Ti deri dje deshe t’ia nxjerrësh sytë, e tash po e përkujton?! Tha: E mjera ti, nuk e di ti se çfarë dijenish dhe mirësish kemi humbur”[39].

-Hixhar ibën Ebxhuri tregon: “Një njeri erdhi tek Muaviu dhe i tha: Ky filani ma ka vjedhur rrobën time; e kam gjetur tek ai. Atëherë Muaviu tha: Ah sikur të ishte gjallë Ali ibën Ebi Talibi e ta pyesnim”[40]!

Të gjitha llojet e dijeve i atribuohen atij dhe themeluesit e tyre u bazuan tek ai:

Në lidhje me këtë të vërtetë, imam Ibën Xhezeriu në librin e tij “Esedu-Allahi el Galib” fq. (74) deklaron: “Tek Aliu, kënaqësitë e Allahut qofshin mbi të, përfunduan të gjitha meritat e llojeve të diturive, të gjitha vytytet dhe të gjitha bukuritë e hadithit, kuranit, fikhut dhe kadasë, tesavufit, trimërisë, vilajes, nderit, asketizmit, devotshmërisë dhe moralit të mirë, të menqurisë, devocionit dhe mendimit të qëlluar. Për këtë arsye, zemrat e shëndosha kanë rënë në ujdi për dashurinë ndaj tij, natyrshmëritë e çiltra janë bashkuar në trasimin e rrugës së tij. Dashuria ndaj tij është shenjë e shpëtimit, kënaqësisë dhe imanit, ndërsa urrejtja e tij shenjë e mjerimit të madh, hipokrizisë dhe dështimit, sikurse që pamë në hadithet e vërteta dhe u sqarua me argumente të qarta”.

Them: Ajo që vërteton edhe më shumë këtë që tha Ibën Xhezeriu, është se medh’hebet kryesore të mëdha të islamit, qofshin ato të akides, fikhut, sufizmit dhe letërsisë, i përkasin atij.

Sa i përket akides, mutezilët të cilët njihen si prijatarë të kelamit dhe pasues të Teuhidit dhe Drejtësisë Hyjnore, i madhi i tyre qe Vasil ibën Ataja. Ai ishte nxënës i Ebu Hashimit-Abdullah ibën Muhamed ibën Hanefijes, ndërsa Ebu Hashimi nxënës i babait të tij, e babai i tij (Ibën Hanefiu) djal i Aliut. Këtë të vërtetë e pranojnë edhe kundërshtarët e tyre.

Esharitë në anën tjetër realisht janë degë e mutezilëve, sepse kryesuesi i tyre Ebu Hasen Eshariu ishte nxënës i Ebu Alij Xhubaiut dhe prej tij ai mësoi zanatin e kelamit. Loza e doktrinës mutezilite thamë se përfundon tek Aliu.

Sa i përket fikhut, Imam Ahmedi ishte nxënësi i Shafiut, Shafiu mësoi prej nxënësve të imam Ebu Hanifes, e imam Ebu Hanifeja ishte nxënësi i Zejd ibën Aliut dhe Xhafer Sadikut, e këta dy e trashëguan diturinë e tyre nga baballarët e tyre, deri tek Ali ibën Ebi Talibi. Sa i përket Malikut, ai mësoi tek Rrebijatu Rreji, e Rrebija mësoi tek Ikremja, e ai tek Abdullah ibën Abasi, e Abdullah ibën Abasi thamë se ishte nxënës i Ali ibën Ebi Talibit.

Sa i përket medh'hebit të shijave imamij dhe zejdij, atribuimi i tyre tek Aliu është mëse e njohur.

Edhe mistika përfundon në mënyrë zinxhirore deri tek imam Aliu. Këtë e kanë pohuar prijatarët e këtyre diturive, si Shibli, Xhunejdi, Sirriu, Ebu Zejd Bistami, Ebu Mah’fudh Maruf Kerhi dhe të tjerët. Mjafton se hirkën që ata veshin, e përcjellin deri tek Aliu me senede të pashkëputura.

Edhe dituria e gramatikës dhe gjuhës arabe rrënjët i ka tek Aliu. Babai i gjuhësisë dhe gramatikani i parë i arabishtes- Ebu Esved Dueliu ishte shok i ngushtë i Aliut. Të gjithë e dinë se Ali i kishte diktuar atij rregullat e kësaj lëmie; vendosjen e pikave dhe zanoreve. Vetëm kjo çështje, është mrekulli në vete[41].

Për peshën, virtytet dhe përparësitë e Aliut në këtë fushë nuk kanë folur vetëm selefi por edhe dijetarët e mëvonshëm. Për përmendjen e fjalëve të tyre nuk do të mjaftonin dhjetë volume.

Përgatiti hoxhë Drilon Gashi.

Pjesë e shkëputur nga libri im që jam duke shkruar për virtytet e Ali ibën Ebi Talibit, Allahu qoftë i kënaqur me të dhe familjen e tij.

-------------------------------------------------------------

[1] Kam pas menduar se askush prej ymetit nuk e kundërshton të vërtetën se Aliu ishte prej ehli bejtit, derisa u çudita kur pashë atë çfarë kishte përmendur Ibën Kethiri në “Bidaje ve Nihaje”(6/232)! Kush thotë kështu, atëherë laj duart prej tij. Vallë a ka nevojë që ti argumentohet dikujt dielli në mes të ditës së kthjellët?!

[2] Për saktësinë dhe mbledhjen e shahitëve te tij janë shkruar disa libra. Unë i kam dy sosh. Prej dijetareve qe e kane konsideruar Sahih dhe Hasen, janë: Jahja iben Meini sikurse që gjendet në “Tarih Bagdad”(11/49), Iben Numejri, Imam Tirmidhiu (në disa dorëshkrime te Sunenit), Iben Xherir Taberiu në “Tehdhibul Athar”(4/128), Hafiz Alaiu në “Nakd Sahih”, Iben Haxheri në fetvaanë e tij që e ka përmendur Sujutiu në “Ala Mesnua (1/306), Sahavi në “Mekasid Hasene”nr. (189), Iben Tahir Hindiu, Hejtemiu, Katani, Muhamed Shamiu, Ebu Muhamed Hasen Samerkandi, Hakimi, Sujutiu në “Tarih Hulefa”(1/69), Hatib Bagdadi, Sanani, Sheukani në “Fevaiud Mexhmua”(fq. 349), Zerkeshiu, Mulla Alij Kariu, Ahmed Sidik Gimari, Abdullah iben Muhamed Sidiku, Alij iben Muhamed Jahjai, Abdullah Abdulkadir Telidi, Hasenu Zeman Hambeliu, Iben Ukajli, Mahmud Seid Memduhi, Muhamed Xhinki Shentiki, Muhamed Arabij Tebaniu, shejhu ynë Muhamed Avame, etj.
*Këta janë 29 dijetare prej njohësve te hadithit dhe synetit te cilët e kane konsideruar këtë hadith te pranuar, te sakte ose te mire, pa i përmendur historianet tjerë te cilët kur kane folur për biografinë e Aliut a. s e kane përmendur edhe këtë hadith pa asnjë kundërshtim, siç është hafizi Muhib Taberiu në “Rrijad Nudreh”, Ebu Nuajmi në “Hilje”(1/61), etj.
Zejdite dhe Shijat ketë hadith e konsiderojnë të gradës MUTEVATIR.

[3] Ka edhe prej atyre qe e kanë dobësuar senedin e tij, bile Ibën Xheuziu dhe Neveviu kanë shkuar në ekstrem dhe e kanë gjykuar si të shpikur. E pakta që mund të thuhet rreth tij është ajo që ka përmendur imam Sharani në “Tabakat Kubra”: Ky hadith, edhe pse për senedin e tij ka fjalë, realiteti dëshmon për të se ai padyshim i besueshëm. Merre vesht”!

[4] Hakimi në Mustedrek. Sujutiu ka thënë: “Kam pas menduar që ky hadith është I gradës hasen, derisa e pashë verifikimin që ia kishte bërë Ibën Xherir Taberiu në librin “Tehdhibul Athar” duke e konsideruar si të saktë. Kur këtij konfirmimi kur ia shtova atë që kishte thënë Hakimi dhe bëra istihare, u binda se hadithi nuk është vetëm hasen, por ai është I gradës sahih”.

[5] Ahmedi (20307), Tabaraniu (20/229 nr. 538), etj.

Hejthemiu në Maxhma Zevaid (9/101, 114)ka thënë: ”Në senedin e tij gjendet Halid ibën Tuhmani, të cilin e ka konsideruar të saktë Ebu Hatimi dhe disa të tjerë, ndërsa transmetuesit e mbetur që të gjithë janë të besueshëm”.

Hadithin e ka përmendur edhe Muteka Hindiu në “Kenzul Umal (13/114, nr. 36370) dhe pastaj ka thënë: E ka shënuar Ibën Xherir dhe e ka saktësuar, dhe Dolabi në “Dhurrijetu Tahira”.

[6] Hakimi (4635), ndërsa Dhehebiu ka heshtur ndaj tij.

[7] E transmeton Ibën Ebi Shejbe në Musanefin e tij me tri senede (32757, 32768, 32773)shprehjet e të cilave janë të përafërta. Haberin e kana shënuar edhe Ahmedi (1719, 1720), Ibën Hibani (6936), Tabaraniu (2717-2725), etj.

[8] Aliu ishte anëtari qendror i këshillit konsultativ në shtetin islam. Transmetimin e përmendi Ebu Is’hak Shejrazi në “Tabakatul Fukaha”, (1/42).

[9] Tarih Dimeshk (42/407).

Në një transmetim, Ibën Mesudi tha: Isha tek pejgamberi i Allahut ku u pyet për Ali ibën Ebi Talibin, e atëherë ai tha: “Urtësia është ndarë në dhjetë pjesë. Aliut i janë dhuruar nëntë pjesë, ndërsa njerëzve të tjerë një pjesë e vetme”. Ebu Nuajmi në Hilje (1/64).

[10] Hakimi (4633)dhe pastaj deklaroi: Isnadi I hadithit është I saktë, e me të u pajtua edhe Dhehebiu.

[11] Hakimi (6121) dhe pastaj tha: Ky hadith është i saktë sipas kushtit të Buhariut dhe Muslimit dhe ata dy nuk e kanë përmendur në librat e tyre, ndërsa Dhehebiu në Telhis u pajtua me të dhe konfirmoi: Sipas kushtit të Buhariut dhe Muslimit.

[12] Ebu Is’hak Shejrazi në “Tabakatul Fukaha”, (1/42).

[13] Dulabi në “Kuna ve Esma”nr. (794).

[14] Musanef ibën Ebi Shejbe (32772).

[15] Dhehair Ukba (79). Këtë transmetim e ka përmendur edhe Mulahas Dhehebiu në Musned.

[16] E ka shënuar Hakimi në Mustedrek (3/124, nr. 4628) dhe ka thënë: ”Senedi I këtij hadithi është I saktë. Ebu Seid Ukajsa është transmetues I saktë dhe besnik”. Me Hakimin është pajtuar edhe Dhehebiu.
Hadithin e ka verifikuar si mutevatir imami i njohur Zejdij- Muejidiu në “Lavamiul Envar”(1/147). Shikoje!

[17] Tirmidhiu (3714) dhe Hakimi (4629) gjithashtu. Në senedin e tij gjendet Muhtar ibën Nafiu, hadithologët e kanë dobësuar, mirëpo Ahmed ibën Salihu ka thënë: Kufjan I besueshëm.

[18] E ka përmendur Hejthemiu në Maxhma Zevaid dhe ka thënë: E ka shënuar Tabaraniu në “Sagir” dhe “Evsat”.

Them: Hadithin e ka shënuar edhe Bezari, Ebu Jala, Seid ibën Mensuri, Hatib Bagdadi në “Tahikh Dimeshk” (14/321), etj dhe ka edhe disa shahit tjerë, prej tyre, atë që transmeton Amra e bija e Abdurrahmanit, e cila thotë: “Kur Aliu deshi të nisej për në Basra (pasi kishte dëgjuar për mbledhjen e ushtrive kundërshtare) hyri te Umu Selemja (gruaja e profetit) për ti dhënë lamtumirën, atëherë ajo i ka thënë: Shko, qofsh nën përkujdesjen dhe mëshirën e Allahut, se pasha Zotin ti je në hak dhe haku është me ty. Sikur mos ta urreja kundërshtimin e urdhrit të Allahut dhe të dërguarit të Tij; sepse ai, paqja qoftë mbi të na ka urdhëruar që të qëndrojmë në shtëpitë tona, do të vija me ty, mirëpo vallahin do ta jep me veti dikë që është më i miri dhe më i vlefshmi për mua, djalin tim Omerin”. Këtë e ka përmendur Hakimi (4669) dhe e ka saktësuar gjithashtu.

[19] Istijab fi Marifeti As’hab (1/341).

[20] Menavi në “Fejdul Kadir”.

Transmetohet nga Abdullah bin Mesudi, Allahu qoftë i kënaqur me të, se i Dërguari i Allahut, paqja qoftë mbi të, ka thënë: "Kurani është shpallur në shtatë harfe, secili ajet (prej shtatë harfeve) përmban dije të dukshme (zahir) dhe të fshehtë (batin). " Tahaviu (3077) dhe Ibën Hibani dhe është sahih.

[21] Dhehebiu në “Sijer A’lam Nubela”.

[22] Tarih Dimeshk (42/407).

[23] Ebu Bekër ibën Halali në “Sune”nr. (459).

[24] Taberiu në “Tehdhibul Athar”, nr. (1104).

[25] Ibën Ebi Dynja në “Maktel Alij (109).

[26] Ibën Ebi Dunja në “Maktel Alij”(108).

[27] Ibën Abdul Berri në “Istijab”(1/339).

[28] Ibën Maxhe (154).

[29] Hakimi (4658) dhe e saktësoi sipas kushtit të dy shejhave, e me të është pajtuar edhe Dhehebiu.

[30] Buhari (4481).

[31] E ka shënuar Kadi Vekij në “Ahbaru Kudat”(1/89).

[32] Bezari.

[33] Ibën Abdilberri në “Istijab fi Marifeti As’hab” (1/340).

[34] Hakimi në “Mustedrek” (3342, 3736), Ibën Ebi Shejbe në “Musanef” (17080), Abdurrezaku në “Tefsir” (2970), Dija Makdisiu në “Muhtara” (555), Taberiu në “Tefsir”, Is’hak ibën Rahuja në “Musned”, Bejhekiu në “Shuab”, Ibën Abdulberri në “Bejan Fadlul Ilmi” (448), etj. Shiko tek Tahaviu në Mushkil pas numrit (1165), Ibën Haxheri në Fet’hul Bari (6/383) dhe tek Sujutiu në “Durr Menthur”(5/435-436).

[35] Ibën Ebi Shejbe (26948).

[36] Tarih Dimeshk (42/399).

[37] Tarih Dimeshk (42/399).

[38] Istijab (1/341).

[39] Ibën Ebi Dunja (106).

[40] Ibën Ebi Dunja (107).

[41] Ibn Nadim, autor i Fihrist tha: "Muhammed ibën Is'haku thotë se shumica e dijetarëve pajtohen se gramatika është marrë nga Ebu Esved Dueliu, dhe se ai e mori atë nga kalifi Ali”.

Ky është edhe mendimi i specialistit të njohur të gjuhës Ebu Ubajda (vdiq. 210 h), dhe leksikografit Zubajdit, i cili për Ebu Esëedin ka thënë: "Ai ishte i pari që krijoi shkencën e gjuhës arabe, që vendosi rregullat dhe metodat e saj”.