1-Është transmetuar se imam Aliu ka thënë: “Unë jam Abdullahu, vëllau i të dërguarit të Allahut, unë jam Siddiku i madh (الصديق الأكبر) nuk e thotë këtë pas meje askush përveç gënjeshtarit. Jam falur para se të faleshin njerëzit shtatë vite”.

E ka shënuar Hakimi në Mustedrekun e tij (4/75; 4641, Ibën Maxhe në synenin e tij (120), Nesaiu në Kubra (8395) dhe “Hasaisi Alij” (7), Ibën Ebi Shejbe në Musanefin e tij (32747), Ahmedi në “Fadail Sahabe” (993), Taberiu në Tarih (2/56) etj.

Hejthemiu e ka konfirmuar të saktë isnadin dhe transmetuesit e tij, po kështu edhe Hakimi. Ubad ibën Abdilahun edhe pse e kanë dobësuar disa, atë e ka konsideruar të besueshëm: Axhliu, Nesaiu, Muhamed ibën Sa’di dhe Ibën Hibbani.

2-Në një transmetim tjetër, Aliu duke qenë në minberin e Basras thuhet se ka thënë: “Unë jam Sidiku I Madh, kam besuar para se të besojë Ebu Bekri dhe jam bërë mysliman para se ai të bëhej”.

Këtë transmetim e ka përmendur Buhariu në “Tarih Kebir” (4/23), Ibën Asakiri në “Tarih Dimeshk” (42/33), Ibën Ebi Asim në “Ahad ve Methani”(186), Dolabi në “Kuna ve Esma” (2/904) etj.

3-Pejgamberi a.s i ka thënë Aliut: “Ti je Sidiku i Madh, ti je Faruku i cili e ndan hakun nga e kota, ti je reisi (Jasubi) i dinit”.

E ka shënuar Tabaraniu në “Kebir” (6061), Bezari në “Musned” (3898), Muhib Taberiu në “Menakib Ashere”nga Hakimiu me senedin e tij deri te Ebu Dherri r.a, Shexheriu në “Emali” (1/43), Usami në “Semt Nuxhum Avali” (2/10), Xhuvejni në “Fevaid Semtajn” (1/140) dhe përmendi se Aliu është i veçantë me këtë virtyt. Në senedin e tij gjendet Umer ibën Seid Misriu të cilin e ka dobësuar Hejthemiu, mirëpo hadithi vlen si përforcues të atyre që kaluan.

4-Transmetohet se i dërguari i Allahut ka thënë: “Siddikinët janë tre: Habib Nexhari besimtari i familjes së Jasinit i cili tha: O populli im, pasoni të dërguarit (Jasin,20), Hezekili besimtari i familjes së Firaonit i cili tha: A doni ta mbytni një njeri vetëm pse thotë Zoti im është All-llahu (Gafir,28) dhe Ali ibën Ebi Talibi, e Aliu është më i miri i tyre”.

E ka shënuar Ebu Nuajm Asbahani në “Marifeti Sahabe” (340,6649), Ahmedi në “Fadail Sahabe” (2/627;1072,117), Ibën Asakiri në “Tarih Dimeshk”(42/43,313), Ibën Megazeli Shafiu në “Menakib” (fq.236), Havarizmi në “Menakib”(fq.310), Usami në “Simt Nuxhum Avali” (2/10), Haskani në “Shevahid Tenzil llilhakim (2/304), etj. Edhe ky transmetim është i mirë si shahit dhe vërtetues i atyre që kaluan, sidomos në hadithet që flasin për virtyte.

Nëse dikush thotë: Është transmetuar që pejgamberi a.s. e ka quajtur Ebu Bekrin me titullin Siddik (i sinqertë). A nuk kanë kontradiktë këto hadithe?!

Themi: Allahu i madhëruar në lidhje me sidikinët, në librin e Tij ka thënë: [E ai që e solli të vërtetën dhe ai që e vërtetoi atë, të tillët janë ata të ruajturit](Zumer,33)

[O ju që besuat! Ta keni në kujdes All-llahun dhe të jeni me ata të drejtit](Teube,119)

[E kush do që i bindet All-llahut dhe të dërguarit, të tillët do të jenë së bashku me ata që All-llahu i shpërbleu: (me) pejgamberët, besnikët e dalluar, dëshmorët dhe me të mirët. Sa shokë të mirë janë ata!](Nisa,69).

Është përmendur se këto ajete kanë zbritur për Aliun. S’ka dyshim se Aliu ishte prej të sinqertëve, të drejtëve dhe besnikëve, sepse i pari e vërtetoi shpalljen e pejgamberit, prandaj është Sidiku më i madhi i këtij ymeti.

Kjo që thamë nuk mohon që edhe Ebu Bekri të jetë Siddik, sepse edhe ai ishte prej atyre që i besuan shpalljes dhe prej të parëve që i besuan Israsë. Vet Aliu e ka quajtur atë Siddik, siç përmendet në librin “Nehxhul Belaga”.

Me fjalët “Unë jam siddiku i madh” ka mundësi që imam Aliu të ketë synuar kohën e tij dhe kohën pas tij, për shkak të asaj që përmendet në vijim të hadithit “nuk e thotë këtë askush pas meje”, e nuk ka thënë: Nuk e thotë këtë fjalë askush pos meje.

Ndërsa fjala e tij “jam falur shtatë vite para se të faleshin njerëzit” ndoshta ka për qëllim shumicën e njerëzve apo ata që e kanë luftuar atë. Për këtë arsye, konkludojmë se teksti i këtij hadithi nuk ka problem, përkundrazi përkon me frymën e islami dhe realitetit.

Transmetimet që vërtetojnë se Aliu ishte i pari që pranoi islamin janë të njohura. Shiko për këtë fillimin e librit “Hasais Alij” të hafëz Nesaiut!