Komenti i ajetit:

[Nuk ndodh asnjë fatkeqësi në tokë e as në vetën tuaj, e që të mos jetë në shënime para se të ngjajë ajo, e kjo për Allahun është lehtë. Ashtu që të mos dëshpëroheni tepër për atë që ju ka kaluar, e as të mos gëzoheni tepër me atë që Ai u ka dhënë, pse All-llahu nuk e do asnjë arrogant që u lavdërohet të tjerëve] (Hadid: 22, 23).

--------------------------------

Fjala (Nuk ndodh asnjë fatkeqësi në tokë) mund të kuptohet në disa mënyra:

E para: Ka për qëllim pandemitë katastrofike në të mbjella, fruta, thatësitë, etj.

E dyta: Katastrofat në vend që shkaktohen nga ana e Tij, siç janë shembull tërmetet, rrufetë, uraganet, etj.

Fjala (e as në vetën tuaj) ka për qëllim fatkeqësitë trupore si: sëmundjet dhe neurologjitë, humbja e të dashurve-grave, fëmijeve dhe shokëve, etj. Njëri prej interpretuesve e ka thënë: Dënimet penale që Zoti ka paracaktuar për kriminelët.

Fjala (që të mos jetë në shënime) sipas interpretimit të njohur synon librin hyjnor Levhi Mahfudh. Shkrimi në të është shkrim kosmologjik. Disa tjerë kanë thënë: Ajeti (që të mos jetë e shkruar) është shprehje e bukur artistike dhe metaforë që synon diturinë e Allahut, sepse në gjuhën arabe “e ka shkruar” përdoret edhe në kuptimin “e ka ditur”.

Ndërsa fjala (para se të ngjajë ajo)dmth. para se Allahu ta krijojë dhe ta realizojë. Ajeti kundërshton doktrinën e rastësisë gjithashtu.

Fjala (e kjo për Allahun është lehtë) ndërsa për robërit e vështirë. Jep shenjë se edhe njeriu mund të krijojë gjëra të tilla nëse vepron ashtu siç ka vepruar Allahu, duke i imituar të dhënat dhe ligjet fizike, mirëpo është e vështirë për të.

Fjala (që të mos dëshpëroheni tepër për atë që ju ka kaluar) e arsyeton dhe tregon urtësinë e gjithë kësaj: dmth. të mos mërziteni shumë për bereqetin dhe pjellimin që nuk mund ta realizonit apo sprovat dhe vdekjet që u ngjajnë, sepse kjo ishte e paracaktuar nga i madhi Allah që tu sprovojë juve. Kur dikush e di se këto ishin të caktuara nga Zoti, atëherë nuk e shkatërron vetveten me mërzi por në shpirtin e tij ndjen njëfarë lehtësimi. Ibën Abasi ka thënë: S’ka njeri që nuk dëshpërohet e mërzitet, mirëpo dallimi është se besimtari bën durim në sprovat e Zotit dhe falënderon Atë për dhuntitë dhe të mirat e Tij.

Fjala (e as të mos gëzoheni tepër me atë që Ai u ka dhënë) Kush e njeh Allahun, e di se jeta, mendja, fëmijët dhe mirësitë e tjera janë dhuratë prej Tij, prandaj ai kur i arrin këto nuk bëhet shumë krenar, sepse kush u krekoset të tjerëve, frikësohet që do bie në mendjemadhësi. All-llahu nuk e do asnjë arrogant e vetmburrësiqë u lavdërohet të tjerëve.

Kemi disa ajete të ngjashme në librin e Allahut, sikurse Fjala e Tij: [Nuk ngjan kurrfarë fatkeqësie pa lejen e Allahut, e ai që i beson Allahut, ia udhëzon (në rrugë të drejtë) zemrën e tij. Allahu di mirë çdo gjë](Tagabun, 11).

Pra dijeni se dhimbjet, sëmundjet, vdekja dhe të ngjashme me to janë me dituri dhe urdhër të Allahut. Kush bën sabër në këto sprova duke e ditur se ato i ka krijuar Allahu dhe pajton me caktimin e Allahut duke thënë: Te Allahut jemi dhe tek Ai do të kthehemi- e ka shpërblim xhenetin.

Në një ajet tjetër, thotë i Urti: [Ne do t'ju sprovojmë me ndonjë frikë, me uri, me ndonjë humbje nga pasuria e nga jeta e edhe nga frytet, po ti jepju myzhde durimtarëve. Të cilët, kur i godet ndonjë e pakëndshme thonë: "Ne jemi të All-llahut dhe ne vetëm tek Ai kthehemi"! Të tillët janë që te Zoti i tyre kanë bekime e mëshirë dhe të tillët janë ata të udhëzuarit në rrugën e drejtë](Bekare: 155-157).

Vërjetje:

Ajetet siç e shikojmë flasin për veprat kosmologjik të Allahut, gjegjësishtë për sprovat që neve i quajmë fatkeqësi edhe pse pas tyre fshihet një urtësi e madhe, e nuk kanë për qëllim se zullumi, amoraliteti, homoseksualiteti, mashtrimi, rrena, shkelja e premtimit, thyerja e besëlidhjes, kufri, shirku dhe të gjitha mëkatet tjera janë të caktuara prej Allahut. Ky nuk është caktimi që e kemi obligim ti besojmë, qoftë i lartësuar Allahu prej kësaj.

Nëse i meditojmë ajetet, e vërejmë qartë se fundi i tyre sqaron fillimin.

Nuk lejohet që të bëjmë gjynahe, e pastaj të themi: Ato janë prej Allahut dhe Ai i ka caktuar ato, porse neve jemi ata që bëjmë xhynahe me vullnetin dhe përzgjedhjen tonë të lirë, kemi punuar dhe i kemi bërë ato vepra vet prej vetvetes sonë, ne jemi përgjegjës për to dhe se Allahu i madhëruar është i pastër prej veprimeve tona.

Thënë ndryshe: xhynahet dhe veprat e mira nuk e godasi njeriun, por njeriu është ai që i godet ato.

Sikur ajeti të kishte për qëllim veprat e njeriut sikurse që është kufri dhe imani, atëherë kuptimi i ajetit (Ashtu që të mos dëshpëroheni për atë që ju ka kaluar, e as të mos gëzoheni tepër me atë që Ai u ka dhënë) do të ishte: “Ashtu që të mos dëshpëroheni për imanin që se keni arritur e as të gëzoheni për të nëse u ipet”!!!

Me cfarë duhet të gëzohet robi, nëse nuk gëzohet me besim e iman?!!!

Pastaj cfarë gëzimi ndjen besimtari më të madh sesa humbja e kufrit.

Për këtë arsye, ajetet nuk thonë: Kur tu godet imani dhe kufri, thoni: Te Allahut jemi dhe tek Ai do të kthehemi.

Nëse do të ishte ashtu siç thanë injorantët, atëherë si ka mundësi që ti urdhëronte të bëjnë sabër në kufër, e pastaj ti shpërblente?!!!

Kjo është absurde.

Përgatiti hoxhë: Drilon I. Gashi

Istog, tetor, 2016