Muaviu nuk e mbështeste pushtetin e tij vetëm në forcë, por ideologjia e tij prekte edhe zemrën e besimit. Ai u kishte thënë njerëzve se mospajtimi mes tij dhe Aliut (alejhi selam) kishte ndodhur me caktimin e Allahut dhe se Allahu kishte vendosur që pushteti ti takonte atij.

Kështu veproi edhe kur u kërkoi njerëzve që ta besatonin birin e tij Jezidin. Ai doli e shpalli se zgjedhja e Jezidit për kalif është kada prej kadave dhe robërve nuk u takon të zgjedhin.

Kështu nisi të mbillej në kokat e njerëzve se çdo gjë që urdhëron kalifi- edhe nëse është në kundërshtim me urdhrat e Allahut- është caktim prej Allahut, që Allahu e ka bërë kader për robërit e Tij.

Doktrina e xhebrit sot është përhapur me të madhe, saqë kohët e fundit më ka hasur të dëgjojë prej një siriani të thotë: Beshar Asadi dhe masakrat që ai po bën në Siri janë caktim prej Allahut dhe Ai e di urtësinë që fshihet pas këtij caktimi!!!

Paramendo, ka ardhur puna deri aty, saqë edhe gjenocidi i zullumqarëve t’i atribuohet Allahut! Nëse kjo deklaratë qenka e vërtetë, lirisht mund të pyet një i arsyeshëm e të thotë: Nëse aktet e këqija të Beshar Asadit qenkan nga vullneti dhe caktimi i Allahut, atëherë sharja e tij dhe dënimi i Zotit ndaj tij do të ishte i pakuptimtë, sepse Bashari qenka duke kryer vullnetin dhe caktimin e Allahut, pa marrë parasysh atë që ai po bën!

Bile kjo doktrinë i hap derën ateistëve të thonë se: Përderisa shkaku i parë i pashkaktuar qenka caktuesi me vullnetin e të cilit ndodhin punët e krijesave të Tij dhe se njeriu s’paska vullnet të lirë përzgjedhjeje, atëherë “Zoti” duhet të jetë fajtori kryesor dhe i vetëm për çdo të keqe që ndodh në univers!!!

Argumentet që demantojnë këtë doktrinë të devijuar i kemi sqaruar në tema tjera. Ajo që po na intereson këtu është ta dimë se prej kujt e ka prejardhjen kjo doktrine e kotë fataliste e xhebrit apo siç quhet ndryshe edhe si doktrina deterministe.

1-Muaviu kur likuidoi imam Hasanin me helm rrugës për në Mekke[1], gjeti rastin e volitshëm politik që në postin e kalifit ta lë trashëgimtar të birin e tij Jezidin. Ibën Omeri në fillim qe kundër këtij vendimi. Muaviu atëherë i kishte thënë atij: “Po ta tërheq vërejtjen, mos fut përçarje në mesin e myslimanëve, mos vrapo në ndarjen e bashkësisë së tyre dhe mos derdh gjakun dhe dije se çështja e Jezidit ka qenë kada prej caktimeve të Zotit dhe njerëzve nuk u takon të përzgjedhin”2].

Them: Meditoje mirë këtë transmetim dhe shiko se qysh mundohet Muaviu ideologjinë e tij fetare ta mbrojë përmes interpretimit të gabuar që ai i bën kadasë dhe kaderit!

Me të njëjtat fjalë ai i ishte drejtuar edhe zonjës Aishe r.a. duke i thënë: “Çështja e Jezidit është caktim prej caktimeve hyjnore dhe njerëzit s’kanë zgjedhje aty”.

2- Një manifestim të kësaj ideje të gabuar (doktrinës deterministe) e gjejmë edhe tek justifikimi që Omer ibën Sa’d ibën Ebi Vekasi (ishte prej atyre që kishin luftuar imam Hysejnin) i bëri gjynahut të tij duke thënë se e kishte bërë me caktim të Zotit. Kur atë e kundërshtoi Abdullah ibën Mutij Adeviu e i tha: “E zgjodhe radhën e Hamedanit dhe hamendjen tënde ndaj vrasjes së të birit të xhaxhait tënd, Omer ibën Sa’di ia ktheu: “Këto çështje ishin të caktuara prej qiellit...”[3].

Sipas kësaj metodologjie u ngrit dhe u zhvillua shteti emevit (umejad). Kalifët e kësaj shtëpie i ndiqnin, i dënonin dhe kërcënonin edhe me vrasje dijetarët që i kundërshtonin ata në këtë doktrinë devijante. Historia shënon edhe shumë raste tjera që e dëshmojnë këtë që po themi.

3-Hasan Basriu ishte një dijetar i njohur i asaj kohe. Ai angazhohej në këshillimin e popullit, predikonte vaiz dhe hytbe të njohura. Megjithëkëtë, ai dhe shumë tabein të asaj kohe nuk ishin prej atyre që i besonin doktrinës deterministe. Disa shokë të tij e kishin frikësuar atë, derisa ia kishin ndaluar të fliste për kader.

Ibën Sa’di në librin “Tabakat” përcjell nga Ejubi se ka thënë: “E kam sfiduar (kam dal në duel me) Hasan Basriun më shumë se një herë për çështjen e kaderit, derisa në fund e frikësova prej sulltanit, e ai më tha: Nuk do ta përsëris më pas kësaj dite”[4].

4-Muhamed ibën Is’haku, dijetari më i madh i kohës së selefit në siren profetike, librin e të cilit e ka shkurtuar Ibën Hishami, është akuzuar me herezi dhe bidat si shumë kohanikë të tij, bile atë e kanë vishkulluar edhe me kamxhikë.

Ka thënë Ibën Haxheri në “Tehdhib”: “Muhamed ibën Is’haku është akuzuar në kader. Ka thënë Zubejri nga Daravurdi se Ibën Is’haku është rrahur me shkop për shkak të kaderit”5].

5-Transmeton ibën Kutejbe se Ata ibën Jesari ka qenë kadij në kohën e emevive dhe pasonte mendimin e Ma’bed Xhuheniut, e një ditë hyri tek Hasan Basriu e i tha atij: “O Ebu Said, ata pushtetarët po derdhin gjakun e myslimanëve të pafajshëm dhe po uzurpojnë me pa të drejtë mallin e tyre e pastaj po deklarojnë se veprat dhe aktet tona ndodhin sipas caktimit të Allahut (kadasë) dhe kaderit të Tij?! Atëherë Hasan Basriu tha: Kanë gënjyer armiqtë e Allahut”[6].

Shënon Makriziu gjithashtu se Ata ibën Jesari dhe Ma’bed Xhuheniu kanë shkuar tek Hasan Basriu dhe i kanë thënë atij: “Ata po derdhin gjakrat dhe po thonë se veprat tona ecin sipas caktimit të Allahut. Atëherë Hasani tha: Kanë gënjyer armiqtë e Allahut”. Për shkak të këtij qëndrimi e kanë akuzuar edhe atë”[7].

6-Ibën Murtedaja thotë: "Pastaj u shpik mendimi determinist (i xheberive) prej Muavisë dhe perandorëve mervanij, derisa u bë një fitne e madhe”[8].

Përgatiti: Drilon Ibrahim GashiIstog, 16 tetor, 2016

-----------------------------------------------------------------------------

[1] Tabari në “Kebir”(3/70) me sened të saktë transmetimi. Shiko edhe Fet’hul Barin (13/65); Sijer Alamu Nubela (3/158).

[2] Imame ve Sijase- Ibën Kutejbe (1/171).

[3] Tabakat ibën Sa’d (5/148).

[4] Tabakat ibën Sa’d (7/167).

[5] Tehdhib Tehdhib (9/37 dhe 46).

[6] Milel ve Nihal (1/113); Medhahib Islamije-Ebu Zehra (fq.175). Ky transmetim është I saktë nga Hasan Basriu, siç përmendet edhe tek “Duafa Ukajli”(4/404).

[7] Hitat Makrizi (2/356).

Them: Eseja që Hasan Basriu i ka dërguar Abdulmelik Ibën Mervanit është e njohur. Atë e kanë përmendur disa dijetarë, ndër ta edhe Kadi Abdulxhebari. Ata që thonë se Hasan Basriu është penduar prej qëndrimit të tij indeterminist, kanë gabuar dhe nuk kanë argumente. Ai –siç edhe cituam- mund të ketë abstenuar nga të folur rreth kaderit nga frika e pushtetit, e jo për shkak të ndryshimit të qëndrimit. Mendoje!

[8] Tabakat Mutezile (fq.6)- Ahmed ibën Jahja ibën Murteda Mutezilij.