Xheberitë për të argumentuar doktrinën fataliste të tyre se Allahu është Ai që i cakton dhe krijon punët e robit, u argumentuan edhe me disa tekste fetare, ma kryesori prej tyre ishte ajeti në të cilin Allahu xh.sh. tregon për Ibrahimin i cili iu drejtua popullit të tij pagan duke thënë: [All-llahu ju krijoi juve edhe atë që e punoni.] (Safat, 96).

Ky ajet sipas doktrinës së xhebrit e ka kuptimin se Allahu ka krijuar njerëzit dhe veprat e tyre. Punët, aktet dhe veprat që ata i bëjnë janë krijime të Allahut.

Themi: Kuptimi i drejtë i këtij ajeti na shfaqet nëse shikojmë ajetin paraprak: [Ai (Ibrahimi) tha: "A adhuroni atë që vetë e keni gdhendur?" E Allahu ju krijoi juve edhe atë që e punoni.](Safat:95,96).

Në vargun e parë, në mënyrë të qartë thuhet se akti i adhurimit dhe gdhendjes është kryer dhe bërë nga vet njerëzit e jo nga Allahu xh.sh. Nëse gdhendjen dhe adhurimin e paskan bërë njerëzit, atëherë kjo nuk ka mundësi të bie ndesh me vargun vijues.

Qëllimi me (Allahu ju krijoi juve edhe atë që e punoni) është: Allahu u ka krijuar juve dhe objektet që ju i punoni, dmth gurët. Objekti i latimit tuaj dhe materia nga e cila ju ndërtoni idhuj janë prej Zotit. Atëherë qysh adhuroni diçka që në esencë është krijesë sikurse ju?!

Pra gdhendjen ua atribuoi njerëzve...thënë shkurt, ajeti po thotë: Ju gdhendni dhe pastaj adhuroni atë që Zoti ka krijuar (gurët). Me fjalën (atë që e punoni) apo (punën tuaj) janë për qëllim materiali nga i cili ata i ndërtojnë idhujt.

Në këtë ajet, objektin mbi të cilin u realizua akti i latimit mori emrin e veprimit, e për qëllim ishte vet objekti. Shembuj të tillë në kuran ka shumë.

Ka thënë Allahu i madhëruar: [E Ne e frymëzuam Musain (duke i thënë): "Hidhe shkopin tënd!" Kur qe, ai (shkopi) filloi t’i gëlltisë të gjitha ato që i trilluan ata.](Araf, 117). Shkopi nuk i ka gëlltitur veprimet e trilluara të tyre, por ka gëlltitur objektet e trillimit.

Dhe ka thënë: [Ata i punonin atij ç’dëshironte: tempuj dhe përmendore, enë të gjera si rezervoar dhe qypa të mëdhenj – të palëvizshëm (për shkak të madhësisë)...](Sebe,13). Puna e tyre ka rënë dhe është realizuar mbi këto gjëra, ndërsa grurët si gurë, ata nuk kanë krijues tjetër pos Zotit.

Dhe ka thënë: [E, ndërtoje anijen nën mbikëqyrjen Tonë](Hud,37). Druri i anijes është krijesë e Zotit, ndërsa njerëzit janë ata që e kanë latuar dhe mbaruar anije.

Kemi dhe ajetin: [Puno këmisha të plota (nga hekuri) dhe thurri me precizitet ato](Sebe,11). Hekuri është krijesë e Allahut, mirëpo njeriu e ka ndërtuar dhe bërë atë pancir. Puna e Davudit a.s. ka rënë mbi hekurin, ndërsa hekuri si hekur është krijesë e Zotit.

Si rrjedhim, ajeti: [Ai (Ibrahimi) tha: "A adhuroni atë që vetë e keni gdhendur?" E All-llahu ju krijoi juve edhe atë që e punoni.](Safat:95,96) po thotë se Allahu u ka krijuar ju dhe ka krijuar drurin nga i cili ju bëni idhuj. Drurin të cilin ata e bëjnë idhull e ka quajtur punë të tyre, edhe pse punë e tyre ka qenë vetëm gdhendja dhe latimi.

Këtu nuk është qëllimi se robërit bëjnë punën e Zotit e as Zoti krijon veprat dhe bërjet e tyre.

Gjuhësisht thuhet: Filani e ka bërë lloçin tullë, drurin derë dhe hekurin dry, sikurse që thuhet: E ka punuar drurin idhull. Pra lejohet që të thuhet se ky veprim është i tyre, sikurse që thuhet: Punon hekurin, lloçin dhe drurin. Zdrukthëtari e punoi derën, dmth. Punoi në derë, sikurse që thuhet: Filani punon rrobën, dmth. Punoi në të, etj.

Pra siç vërehet, ky ajet nuk u bën punë fare fatalistëve, përkundrazi, është kundër tyre për shumë arsye.

-Allahu xh.sh aktin e adhurimit dhe gdhendjes ia atribuoj njeriut e jo Vetvetes.

-Ajeti ka ardhur në formën e mohimit dhe qortimit. Nëse ata nuk ishin aktorët e gdhendjes dhe adhurimit, nuk do të kishte kuptim të qortoheshin, dhe shumë kollaj do të arsyetoheshin duke thënë: Nëse Allahu paska krijuar adhurimin dhe gdhendjen tonë, atëherë pse na qorton o Ibrahim. O Ibrahim, nëse Allahu ka krijuar tek ne kufirin, atëherë neve nuk mund të kundërshtojmë atë që ka krijuar Zoti. Nëse do të kishim pas mundësi do ta bënim. Ti po na urdhëron me një punë të cilën nuk e ka krijuar Allahu në qenien tonë! Ti po na urdhëron që Allahu të mos e krijojë veprën e Tij tek ne?!

Zoti na ruajt nga ky devijim. Jo, por Ibrahimi e diti se kufri i tyre është diçka, e krijimi i Zotit krejt diçka tjetër. Sikur kufri të ishte krijim dhe caktim i Zotit, atëherë nuk do të dënoheshin dhe as nuk do të ndaloheshin prej tij. Në krijimet e Zotit ka urtësi dhe mirësi, e kufri është vepër e shëmtuar dhe gabim. Kjo që thamë sqarohet edhe më mirë: Nëse vepra nuk do të ishte e tyre, atëherë thënia e Ibrahimit a.s. drejtuar atyre do të ishte arsyetim, sikurse kur dikush i thotë atij që e vepron një punë të keqe: Ti nuk e ke bërë këtë, por e ka bërë dikush tjetër!!!

-Allahu i madhëruar i qortoi ata sepse nga druri bënin imazhe dhe objekte adhurimi. Sikur këto punë të tyre të ishin krijim i Zotit, atëherë nuk do të kishte kuptimi një qortim i tillë. Nëse Allahu i paska bërë idhujt - gdhendjen e tyre derisa ata u formuan dhe u bënë idhuj, adhurimin e tyre, emërtimin e objekteve të tilla me emra zotash dhe bindjen se atyre u takonte adhurimi, atëherë pse duhet tu thuhet atyre: Përse i bëtë këto gjëra idhuj?! A është bërja diçka më shumë se kaq? Tjetër: Nëse njeriu nuk i paska bërë këto, atëherë kush i bëri?! A ka kuptim qortimi këtu nëse robërit nuk i paskan bërë këto punë?!!!

 

Drilon Gashi

Pejë, dhjetor, 2017

(Shkëputje nga libri që jam duke punuar, me titull: Teodicea, kapitulli që flet për kadanë dhe kaderin)

Në rregull

Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...