Xheberitë janë një fraksion që mendojnë se logjikës nuk i takon të njohë se çfarë është e mirë dhe e drejtë dhe çfarë e keqe dhe e shëmtuar, por kjo dallohet vetëm përmes sheriatit.

Të njëjtët i kanë atribuuar Allahut gjymtyrë dhe pjesë të qenies, Ai ka dorë, sy, krah, gishtërinj, grusht, kërci, dhe kanë thënë se qëndron mbi Arsh.

Sipas tyre, në Ditën e Gjykimit ekziston një pazar ku besimtarët e shohin Zotin, Ai e zbulon kërcirin e Tij, e vendosë këmbën e Tij në zjarrin e Xhehenemit dhe thotë: Mjaft, Mjaft.

Ky grup ka thënë gjithashtu se çdo gjë që ndodhë në botë prej punëve të këqija dhe të mira, gjynaheve, adhurimeve, lëvizjeve dhe gjendjeve statike, Allahu është përcaktuesi dhe krijuesi I tyre. Sipas tyre, Allahu është Ai që i ka dëshiruar mëkatet e robërve të Tij dhe ato ndodhin sipas caktimit dhe vullnetit të Zotit.

Ata e kanë lejuar për Allahun e madhëruar që ti ngarkojë krijesat e Tij me obligime për të cilat ata nuk kanë takat dhe mundësi ti veprojnë. Njeriu sipas tyre i bie të jetë sikur dega e pemës që era e lëviz herë djathtas e herë majtas dhe sikur makina që e dirigjon tjetër kush.

Këto pretendime ata janë munduar ti mbështesin edhe në tekste të kuranit dhe hadithe profetike.

Prej ajeteve të paqarta (muteshabih) të cilat i kanë keqkuptuar këta fatalistë trutharë ka qenë edhe fjala e Allahut xh.sh.: [Thuaj: "Neve nuk na godet asgjë tjetër, përveç asaj që ka shkruar Allahu për ne; Ai është ndihmëtar yni". Prandaj, vetëm Allahut le t'i mbështeten besimtarët.](Teube,51). Bazuar në këtë ajet, ata pohojnë se Allahu është shkaktari i prapambetjes, primitivizmit, degradimit, varfërisë, urisë, gjenocidit, krimeve, etj.

Por a qëndron një interpretim i tillë?

Në këtë ese, ne do mundohemi të paraqesim interpretimin e drejtë të këtij ajeti. Tek Allahu mbështetemi dhe vetëm tek Ai është suksesi.

 

Kuptimi i kadasë dhe kaderit

Me kader të mirë nënkuptohet shëndeti i mirë fizik dhe mendor, begatia në familje dhe fëmijë, jetëgjatësia, gjerësia e riskut, bereqeti në të reshura, plleshmëri dhe fruta, siguria, rehatia, qetësia shpirtërore, dhe të tjera si këto.

Ndërsa me kader të keq synohet: Vdekja, sëmundjet dhe fatkeqësitë natyrore, frika, varfëria, mungesa e frutave, të reshurat e pakta, mungesa e pjellorisë, shkatërrimi i të mbjellave, vështirësitë, ankthi, dhe të ngjashme me këto.

Me kader, e mira dhe e keqja janë prej Allahut, nuk është për qëllim se zullumi, amoraliteti, homoseksualiteti, mashtrimi, rrena, shkelja e premtimit, thyerja e besëlidhjes, kufri, shirku dhe të gjitha mëkatet tjera janë prej Allahut. Ky nuk është kaderi që e kemi obligim ti besojmë, qoftë i lartësuar Allahu prej kësaj.

Nuk lejohet që të bëjmë gjynahe, e pastaj të themi: Ato janë prej Allahut dhe Ai i ka caktuar ato, porse neve jemi ata që kemi bërë xhynafe me vullnetin dhe përzgjedhjen tonë të lirë, kemi punuar dhe i kemi bërë ato vepra vet prej vetvetes sonë. Ne jemi përgjegjës për to dhe se Allahu i madhëruar është i pastër prej veprimeve tona. Allahu nuk e dëshiron prej robërve të Tij kufrin dhe nuk e do shkatërrimin.

[Allahu urdhëron drejtësi, bamirësi, ndihmë të afërmve, e ndalon nga imoraliteti, nga e neveritura dhe dhuna. Ju këshillon ashtu që të merrni mësim.](Nahl,90).

[Allahu ju urdhëron që t'u jepni amanetin të zotëve të tyre dhe kur të gjykoni, ju urdhëron të gjykoni me të drejt mes njerëzve. Sa e mirë është kjo që ju këshillon. Allahu dëgjon dhe sheh si veproni](Nisa, 58).

Pasi e more vesh këtë pikë, duhet ta dish se në librin e Allahut të lartësuar nuk do të gjesh se bërja e gjynahut ndodh për shkak të caktimit të Zotit, por aty ke fjalët e të madhërishmit ku thotë: [Thuaj: "Neve nuk na godet (gjen) asgjë tjetër, përveç asaj që ka shkruar Allahu për ne] dhe nuk thuhet: [Nuk mund të bëni përpos atë që ka shkruar Zoti për ju]. Pra ka dallim të madh mes shprehjes (nuk na godet) dhe shprehjes (nuk mund të goditni).

Allahu e mëshiroftë atë që ka thënë: Për ato gjëra që ti i kërkon falje Allahut, ato janë prej teje, ndërsa për ato që e falënderon ato janë prej Tij.

Në hadithin që e transmeton Muslimi ka ardhur: “Kush gjen mirë, le ta falënderoi Allahun, ndërsa kush gjen tjetër gjë (keq) atëherë mos ta akuzojë askënd tjetër pos veten e vet.”

Bazuar në këtë, përgjegjës për veprimin e gjynaheve është vet njeriu, dhe kjo nuk ka të bëj fare me ligjet e Zotit, me përcaktimet kosmologjike dhe sheriatike të Tij.

Në një hadith profetik gjithashtu është thënë: “Sherri nuk është prej teje”.(Transmeton Muslimi). Nuk lejohet pra që sherrin të cilin ne e bëjmë t’ia atribuojmë të Madhit Zot xh.sh.

Allahu na ruajt prej atyre që e dëlirin vetën dhe shejtanin prej mëkateve të tyre, e pastaj thonë: Ato janë krijim, bërje, vullnet dhe caktim prej Zotit.

Le ti kthehemi sërish interpretimit të ajetit [Thuaj: "Neve nuk na godet asgjë tjetër, përveç asaj që ka shkruar Allahu për ne; Ai është ndihmëtar yni". Prandaj, vetëm Allahut le t'i mbështeten besimtarët.](Teube,51).

(Thuaj) o Muhamed (Neve nuk na godet asgjë tjetër, përveç asaj që ka shkruar Allahu për ne) prej shpërblimit dhe punëve të mira.

Është thënë: Nuk na godet ne në fund të çështjes sonë përpos asaj që ka shkruar Zoti për ne prej fitores dhe ndihmës së fesë të cilën na e ka premtuar.

Për vargun 50 të kësaj kaptine, Kelbiu ka thënë: E mira aludon në fitoren e Bedrit, ndërsa e keqja aludon disfatën e Uhudit.

Ka mundësi që (përveç asaj që ka shkruar (caktuar) Allahu për ne) dmth. në kuran; ose fitore kundër armikut zullumqar, ose rënie martir në frontin e luftës dhe hyrje në xhenet, siç cekët menjëherë në ajetin tjetër në vazhdim në po të njëjtën kaptinë: [Thuaj: “Ç’pritni për ne tjetër, pos njërës nga dy të mirat (o fitues, o dëshmorë)? Ndërsa ne presim për ju që nga ana e All-llahut, ose nëpërmjet duarve tona, t’ju godasë me dënim. Pra, ju pritni, e bashkë me ju presim edhe ne.](Tevbe,52)

Dhe në ajetin: [All-llahu bleu prej besimtarëve shpirtrat dhe pasurinë e tyre me xhennet. Luftojnë në rrugën e All-llahut, mbysin dhe mbyten. (All-llahu dha) Premtim të cilin e vërtetoi në Tevrat, Inxhill e Kur’an. E kush është zbatues më i sigurt i premtimit të vet se All-llahu? Pra, gëzojuni tregtisë që e bëtë me Të. Ky është suksesi i madh.](Teube,111).

Disa tefsirollogë kanë thënë: përveç asaj që e ka shkruar Zoti në Leuhi Mahfudh dhe që e ka ditur. Ka mundësi që (ka shkruar Allahu) të synojë caktimet kozmologjike dhe sheriatike të Zotit. As ky interpretim nuk e kundërshton mendimin tonë. Pra çdo gjë që na ndodhë neve prej sprovave të kësaj bote, është e shkruar në Leuhi Mahfudh, e jo ashtu siç supozojnë qafirët se Zoti jonë na ka lënë pas dorë dhe nuk kujdeset për ne, përkundrazi, të gjitha ato gjëra që e godasin besimtarin, qofshin të mira apo të liga, ose do jenë sihariq dhe gëzim për të në këtë botë, ose fitim dhe shpërblim në botën tjetër.

 

Për tu sqaruar më mirë interpretimi I këtij vargu dhe të ngjashmeve me të, duhet të tregojmë përdorimet e foljes (ka shkruar - كتب) në kuran.

Kjo folje në kuran përdoret në disa kuptime:

Njëra prej tyre: Në kuptimin e urdhrit dhe obligimit, sikur në vargun: [U është shkruar juve agjërimi] (Bekare, 183), dmth.  U është bërë obligim, jeni urdhëruar me agjërim.

Dy: Në kuptimin e shpalljes dhe lajmërimit, sikurse në vargun: [Ne e kemi shkruar në Zebur pas përkujtuesit (Tevratit), se me të vërtetë tokën (e Xhenetit) do ta trashëgojnë robtë e Mi të mirë.](Enbija,105) dmth. Kemi shpallur apo lajmëruar në Zebur.

Tre: Në kuptimin e gjykimit dhe dijes, sikurse në vargun: ["All-llahu ka shkruar: "Unë dhe të dërguarit e Mi patjetër do të ngadhënjejmë!" All-llahu është i fortë, ngadhënjyes.](Muxhadele,21) dmth ka ditur dhe ka vendosur. [Ai (djalli) është shkruar ta humbë dhe ta orientojë në vuajtje të zjarrit të madh, atë që i miqësohet atij.](Haxh, 4) dmth. Është gjykuar ta humbë.

Të gjitha këto kuptime kundërshtojnë bindjet e kundërshtarit.

Në gjuhën arabe, folja (shkruan) nuk përdoret në kuptimin e imponimit, shtrëngimit dhe detyrimit me forcë.

Brenda kësaj kornize duhet kuptuar edhe vargun tonë: [Thuaj: "Neve nuk na godet asgjë tjetër, përveç asaj që ka shkruar Allahu për ne]. Përveç kësaj, vargu ka thënë (ka shkruar për ne) që nënkupton dhuntinë, se ajo që është shkruar është shkruar në të mirën tonë, për neve, që nënkupton fitoren ose shpërblimin, dhe nuk ka thënë (ka shkruar kundër nesh) (قال لنا ولم يقل علينا).

Ana e jashtme e vargut vetëm po pohon që ata nuk do ti godet prej Allahut pos asaj që Allahu ka shkruar për ta, e prej asaj që Ai ka shkruar për ta është liria e vullnetit dhe veprimit. E gjithë ajo që ka shkruar Zoti për robërit e Tij është e mirë dhe e drejtë. Ky është mendimi ynë. Divergjenca qëndron se a ka mundësi që robi të veprojë në kundërshtim me atë që ka shkruar Zoti dhe a lejohet që neve ta besojmë këtë a jo. Ana e jashtme e ajetit nuk e sqaron këtë pikë, prandaj xheberitë nuk kanë pse të kapen për të.

Këtë që thamë deri këtu po e përmbledhim me fjalët e autoritetit të madh të gjuhës arabe, interpretit të njohur dhe teologut racionalist, Al-Zemakhshari, i cili në komentarin e tij të famshëm “Al Kashshaf” tha:

“Nëse në disa luftëra ty të godet një e mirë, fitore apo plaçkë ata hidhërohen, e nëse të godet ndonjë e keqe apo vështirësi në disa tjera si ajo që ndodhi në Uhud ata gëzohen pse nuk morën pjesë aty dhe thonë sa mirë që i morëm masat që më parë, dmth ishim vigjilentë dhe treguam kujdes që nuk morëm pjesë në luftë. Ata ja kthyen shpinën ndihmës dhe bashkimit, dhe u larguan tek familjet e tyre të gëzuar. Është thënë: U larguan nga pasimi i profetit, paqja qoftë mbi të dhe familjen e tij...Ne nuk do të na godet pos asaj që ka shkruar Zoti për ne, ose do ta fitojmë luftën, ose do bimë shehid. A nuk e mediton fjalën (Ai është ndihmëtari ynë) dmth Ai na do dhe ndihmon neve dhe ne e duam Atë, kjo për shkak se Allahu është mbrojtësi, ndihmëtari dhe dashamiri i atyre që kanë besuar, kurse për mohuesit nuk ka mbrojtës e as ndihmëtar. Tek Allahu le të mbështetën besimtarët, sepse atyre nuk u takon ti mbështetën dikujt tjetër pos Tij, atëherë pra le ta bëjnë atë që u takon”.

 

 

Drilon Gashi,

Pejë, dhjetor, 2017

Shkëputje prej librit "Teodicea" që jam duke e përgatitur.

Në rregull

Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...