Domethënia e riskut

Risku është një term që synon “gjëjen apo pjesën” nga e cila lejohet që të përfiton prej saj gjallesa e gjallë dhe ku askush nuk ka të drejtë që ta ndaloje atë nga ky përfitim.

Si shprehje, tregon “mundësinë apo aftësinë” e gjallesës së gjallë që të përfitojë nga diçka që konsiderohet e përdorshme, ku askush nuk e ka të lejuar që ta parandalojë atë të përfitojë prej tij.

Shembull:

Kuptimi i thënies sonë: Allahu na ka dhënë risk këtë pasuri, dmth.: Allahu na ka begatuar me këtë pasuri duke na e mundësuar që të përfitojmë prej saj dhe nuk  e ka lejuar askënd tjetër që të na e grabis prej neve.

 

Allahu është Er-Rezak

Njëri prej emrave të Zotit është se Ai është Furnizuesi, sepse Ai ka krijuar furnizimin.

Thotë Zoti në Kuran:”Allahu është furnizuesi me fuqi të madhe” (Dharijat 58)

Ashtu siç Zoti nuk ka rivalë në sundim, Ai nuk ka rivalë dhe në furnizim.
“Kush tjetër u furnizon nga qielli dhe toka?” (Junus 31)

Nuk ka gjallesë mbi tokë, veçse Zoti e ka detyrë furnizimin e saj” (Hud 6).

Ajeti i mësipërm i jep shpresë milingonës në folenë e saj dhe balenës në mesin e oqeanit.

Zoti në Kuran e lidh diellin që ngroh me shiun që zbret: “Dhe kemi vënë ndriçuesin që flakëron. Dhe prej reve kemi lëshuar shi të madh.” (Nebe 13-14).

Nëse ngrohja e detit do të lihej në dorën tonë, vallë sa para duhej për ta bërë?

“A e shihni ujin të cilin e pini. A ju e zbritët nga retë apo e zbritëm Ne? Nëse do të donim e bënim të krypur” (Vakia 69)

Kjo fabrikë shërben me qëllim që ti o njeri të furnizohesh me ujin e duhur.

Dy vërejtje:

1-Nuk është e lejueshme që një person të përfitojë prej një gjëjë apo sendi –sipas peshorëve sheriatike- përveç në njërën nga dy rastet e mëposhtme:

Së pari: Ai duhet të jetë pronar legjitim i këtij sendi, vetëm atëherë ai disponon me pronën e tij dhe mund të përfitojë prej saj.

Së dyti: Nëse sendi është pronë e një dikujt tjetër, mirëpo pronari e ka autorizuar këtë person dhe ja ka lënë në dispozicion mundësinë që të përfitojë dhe të ketë dobi prej sendit në fjalë.

2-Qeniet e gjalla janë në gjendje të hanë riskun e të tjerëve.

Kjo nuk do të thotë tejkalim apo mbizotërim i vullnetit të Allahut.

Për shkak se, kuptimi “Allahu e ka furnizuar me risk filanin” synon se Allahu i madhëruar  ia ka dhënë atij mundësinë që ta marrë këtë risk duke ia treguar rrugën drejt burimeve dhe resurseve të riskut dhe duke ia ka mundësuar që të përfitojë prej tij.

“Allahu e ka furnizuar me risk filanin” pra nuk do të thotë se Allahu i madhëruar e ka detyruar atë për ta marrë atë risk apo se u ka imponuar  të tjerëve që të mos kenë mundësi ta parandalojnë këtë prej asaj që e ka furnizuar Allahu xh.sh.

Për këtë arsye, kur dikush ha riskun e dikujt tjetër, kjo nuk nënkupton mposhtjen, dominimin apo epërsinë ndaj vullnetit të Allahut, por kjo për njeriun është një mëkat në atë që e ka ndaluar Zoti i Plotëfuqishëm.

Prej këtu themi se Allahu është furnizuesi absolut i të gjithave krijesave, sepse ai i ka krijuar burimet e riskut dhe i ka mundësuar njeriut dhe qënieve tjera të gjalla që të përfitojnë prej tyre.

Për këtë arsye, Allahu quhet Err-Rrazik edhe atëherë kur nuk është dhurues dhe shkaktar i drejtpërdrejt i riskut.

Furnizues quhet edhe njeriu, sepse edhe ai mund tu jep risk të tjerëve, siç përmendet në Kuran, gjegjësisht në kaptinën Nisa (vargu 5 dhe 8), Haxh (58) dhe Muminunë (72). Por edhe në këtë rast, themi se Allahu është furnizuesi suprem, pasi ai ka krijuar vet njeriun dhe fuqinë e tij, ka krijuar bazën e pasurisë-materien dhe Ai është që ua ka mundësuar njerëzve që ta shpërndajnë atë mes tyre.

Për këtë arsye, është e urrejtur që të themi: “sikur të mos ishte filani unë do të shkatërrohesha”, por e udhës është që të gjitha mirësitë tia atribuojmë Allahut dhe të shprehemi: “Sikur Allahu të mos ia mundësonte filanit të më ndihmonte, unë do të shkatërrohesha”.

Risku nuk kufizohet vetëm në mall, para e pasuri apo begatitë natyrore, por ai përfshin edhe jetën, ymerin, diturinë, bashkëshortën, pushtetin, e kështu me radhë. Rizk është dhe komshiu i mirë. Rizk është fëmija i mirë.

Përse mos ta konsiderojmë rizk dhe anën shpirtërore tonën? Përse i japim rëndësi vetëm ushqimit të trupit dhe anashkalojmë shpirtin? 

 

Kërkimi i riskut dhe ndarja e tij

Një nga arsyet më të rëndësishme për vonesën e komunitetit mysliman dhe rënien ekonomike të tij është ideja mbizotëruese se risku është i shkruar dhe Zoti është Ai që e ndan dhe përcakton atë veç e veç tek robërit e Tij. Kjo nuk është vetëm një kuptim i rremë i fesë, por është një akuzë e qartë për padrejtësinë dhe keqmenaxhimin e Allahut !!

Allahu ka krijuar ligje kosmologjike ku përmes tyre funksionon natyra. Si rrjedhojë e kësaj, njeriu duhet t’i marrë sebepet dhe shkaqet që qojnë të risku, e jo të pres “caktimin” e Zotit, sepse një mentalitet i tillë është keqkuptim i Allahut dhe cilësive të Tij.

Ka shumë ajete e hadithe që e urdhërojnë kërkimin e riskut dhe kjo absolutisht nuk e kundërshton tevekulin (mbështetjen në Allahun), sepse tevekuli nënkupton të besosh se me marrjen e shkaqeve, ti do të arrish deri të caku.

Rregull e përgjithshme:

“Arritja e riskut ndëlidhet me marrjen e shkaqeve, sepse Zoti e krijon riskun, por nuk e shpërndan atë në mënyrë të veçantë”.

Nëse jeta dhe jetesa jote janë shkruar dhe ndarë për të dy ne paraprakisht, pse duhet të punoj? Le të ulemi në shtëpitë tona dhe të presim që prej qielli të bjerë mbi ne ari dhe argjendi, të cilat  Perëndia na ka ndarë, dhe nëse jo shi, kjo është ndarja jonë, pse keqardhje !!

Nëse ky besim do të mbizotëronte në Kinë, ata nuk do të prodhonin as edhe një gjilpërë apo fije te vetme!

Besimi se Allahu është Err Rrezzak (Furnizuesi) në kuptimin se Ai ia cakton, ia shpërndan dhe ia siguron secilit individ pjesën e vet veç e veç, është koncept i gabuar determinist, sepse nënkupton qe njeriu është i detyruar dhe s’ka në dorën e tij asgjë.

Kjo bindje presupozon se Allahu ka dëshiruar që 20 persona të jenë miliarderët e botës, ndërsa shumë prej banorëve të saj të mos e kenë as edhe bukën e gojës.

Ky është një koncepti i shtrembëruar ndaj riskut, është tradhti ndaj Allahut dhe të Dërguarit të Tij.

Koncepti i drejtë dhe i vërtetë është se Allahut të madhëruar i takon zbritja e shiut, mbirja e mbjelljes dhe krijimi i bagëtisë. Allahu ia ka bërë detyrë vetes furnizimin e gjallesave (është Err Rrezzak dhe Err Rrazik) në kuptimin se Ai e ka garantuar statusin e burimeve natyrore, pra e ka krijuar riskun ashtu siç e ka krijuar materien, ndërsa përgjegjësia e shpërndarjes së këtyre burimeve natyrore (e këtu qëndron çekuilibri dhe fatkeqësia) është obligim njerëzor e jo hyjnor. Allahu këtë detyrë ua la në dorë njerëzve, duke urdhëruar në drejtësi dhe dhënien e zekatit, dhe njerëzit janë ata që e shpërndajnë atë. Allahu nuk është përgjegjës për urinë e Somalisë, Afrikës dhe varfërinë e të varfërve, por jeni ju o njerëz, ju që mëkatet e tuaja ia mveshni Zotit tuaj, dhe gënjeni për Allahun xh.sh.

[dhe në pasuritë tuaja, kanë të drejtë të njohur. Për lypësit dhe ata që nuk kanë](Dharijat 19)

Nëse të gjithë të pasurit do të jepnin zekatin e pasurive të tyre, nuk do i shihnim njerëzit në këtë nivel varfërie. Sot shohim miliona të holla që harxhohen në një natë të vetme në kazino e darsma…

Thotë profeti a.s duke përshkruar lakminë e njeriut:“Sikur njeriu të kish dy lugina me flori, do të kërkonte një të tretë. Gojën e njeriut nuk e mbush veçse dheu.”           

Mjetet e jetesës janë të lidhura me sasinë e përpjekjeve njerëzore – PUNËN.

 

Kur jemi te ndarja (kismeti) i riskut, duhet ta dijmë se:

Ndarja e Allahut ndaj riskut mes robërve të tij është dy llojesh:

1-Ndarja e përgjithshme

2-Ndarja e veçantë (e cila është përjashtimi nga rregulla e përgjithshme)

Ndarja e riskut nga ana e Allahut mes robërve (në kuptimin e saj të përgjithshëm) do të thotë: Allahu u ka dhënë të gjithë robërve të Tij mundësi që ata të sigurojnë furnizimin dhe më pas e ka bërë sistemin e shkaqeve dhe pasojave rrugë dhe mënyrë që përmes tyre të arrihet deri tek risku. Kushdo që i merr sebepet që qojnë deri tek risku, gjasat që ai të sigurojë riskun janë më të mëdha sesa ai që I ka lënë pas dore këto sebepe dhe nuk interesohet  për to.

Ndërsa, ndarja e riskut mes robërve nga ana e Allahut (në kuptimin e saj të veçantë) do të thotë: Se Allahu nganjëherë përzgjedh një rob të Tij dhe e furnizon me një butësi (El-Lutf) apo diçka të veçantë, siç e ka përzgjedhur profetin Muhamed dhe i ka dhënë relevatën hyjnore, apo siç e ka përzgjedhur hazreti Merjemën dhe e ka furnizuar me risk prej nga nuk e priste.

Po kështu përjashtim bën është dhurata apo pjesa e trashëgimisë kur dikush i jep dikujt, pa derdhje të mundit paraprak.

Po kështu përjashtim bën edhe dhurimi i fëmijëve; dikujt i jep e dikë e lë shterp, normalisht nëse kjo ka një shkak natyror e jo njerëzor, sepse për ndërhyrjet njerëzore Zoti nuk është përgjegjës.

Mirëpo neve nuk duhet ta keqkuptojmë këtë pikë dhe përjashtimi kurrë nuk duhet të merret si rregull i përgjithshëm. Furnizimi i zakonshëm i robërve nuk bëhet përmes ndërhyrjes hyjnore apo “mrekullisë” por ai është i ndërlidhur me shkaqet e përsëritura natyrore. Zoti nuk i thyen ligjet kosmologjike të Tij dhe nuk i bën gjërat të rrjedhin përveç brenda këtyre shkaqeve dhe pasojave të njohura.

Prandaj, kur njeriu nganjëherë edhe pse ka derdhur mundin maksimal nuk arrin dot te caku, ai nuk duhet ta fajësojë Allahun se Ai ka qenë shkak i kësaj pamundësije, sepse kjo pasojë me siguri ka qenë rrjedhojë e injornacës së tij për marrjen e shkaqeve të duhura apo rrethanave tjera të jashtme që nuk ja kanë mundësuar arritjen e riskut.

Pra Allahu xh.sh. edhe pse ka mundësi për çdo gjë, ja ka dhënë mundësinë robit që ta kërkojë riskun dhe nuk e kryen punën që ai vet duhet ta kryej.

Ne duhet të jemi të kënaqur me këtë sistem natyror të përgjithshëm përmes të cilit Zoti na e ka mundësuar që të arrijmë deri tek risku.

Ne gjithashtu duhet të jemi të kënaqur kur Zoti përzgjedh disa prej robërve të Tij të mirë me një risk të veqantë, për një arsye që e di Ai.

Nuk duhet t’a harrojmë edhe sebepin e duasë, pasi edhe lutja është një shkak përmes të cilit ne shtojmë riskun tonë. Po kështu edhe falenderimi i dhuntive, istigfari, bamirësia dhe sadakaja, sjellja e mirë me prindërit, mbajtja e lidhjeve farefisnore, etj. janë shkaqe për shtimin e riskut gjithashtu.

Për ta kuptuar edhe më mirë këtë gjë, duhet ta dijmë se harami nuk quhet risk i Zotit.

 

Harami nuk është risk

Ka thënë Allahu në Kuran: [Me të vërtetë, Zoti yt i jep me bollëk e ia kufizon (riskun) kujt të dojë, Ai i di dhe i sheh mirë robërit e Vet] (Isra, 17).

Dhe ka thënë: [A thua ata e përcaktojnë mëshirën (pejgamberllëkun) e Zotit tënd? Ne kemi përcaktuar ndër ta gjendjen e jetës në këtë botë; Ne kemi dalluar disa në shkallë më të lartë se të tjerët, që të shfrytëzojnë njëri-tjetrin për shërbime. E mëshira (caktimi për pejgamber) e Zotit tënd është shumë më e dobishme se ajo që ata grumbullojnë. E sikur të mos ishte që njerëzit (do të lakmonin) të jenë të një feje (jobesimtarë), Ne atyre që nuk e besojnë Zotin do t'ua bënim pullazet e shtëpive të tyre nga argjendi si dhe shkallët nga argjendi, mbi të cilat ata do të ngriheshin. E edhe dyert e shtëpive të tyre nga argjendi edhe kolltukët, mbi të cilët do të mbështeteshin.](Zuhruf, 32-34).

Xheberitë i keqkuptuan këto ajete kuranore që flasin për riskun.  Ata thanë se Allahu u ka dhënë risk zullumqarëve dhe i ka ndihmuar ata që tu shtohet edhe më shumë devijimi, e pastaj do ti dënojë në Ahiret për atë që Ai që ua ka krijuar, përcaktuar dhe shkaktuar!

Esharitë (të cilët janë xheberij mesatar) dhe disa fraksione tjera islame kanë thënë se harami quhet risk. Sikur të mos ishte kështu –sipas tyre- i bie që personi i cili tërë jetën e tij ka ngrënë haram, të mos jetë furnizuar nga Allahu i madhëruar asnjëherë. Allahu thotë në Kuran se Ai çdo gjallese të gjallë ja ka siguruar riskun!

Mirëpo ky mendim i tyre, sipas përkufizimit tonë është i papranuar, sepse:

Thënia: “Allahu e ka furnizuar me risk filanin” përmendëm se ka kuptimin: Allahu ja ka mundësuar filanit që të përfitojë prej asaj që e ka të lejuar. Ndërsa ai njeri që tërë jetën e tij ka ngrënë haram, Allahu e ka funrizuar me risk atë, dmth: Ja ka mundësuar atij që ta merr në mënyrë hallall, por ky njeri ja ka kthyer shpinën hallallit që i ka përgatitur Allahu, dhe nuk ka ngrënë diçka tjetër përveç haramit.

Nuk është e lejuar që harami të quhet risk, sepse Allahu na ka urdhëruar që të shpenzojmë nga ai risk që jemi furnizuar, e Zoti nuk furnizon me haram, përkundrazi Ai na e ka ndaluar këtë.

Ai që shpenzon pasurinë e tij haram është i qortuar, ndërsa Allahu i ka lavdëruar ata që e shpenzojnë pasurinë e tyre në rrugën e drejtë.

Argumente tjera logjike që konfirmojnë interpretimin tonë:

Ju thuhet atyre që mendojnë se çdo gjë që ha njeriu quhet risk, pa marrë parasysh a është hallall apo haram:

Nëse një njeri grabitë diçka e pastaj e ha atë, vallë a ka qenë risku i tij që Zoti e ka furnizuar atë dhe ia ka caktuar atij ta hajë?!

Nëse thonë: po.

Themi: Qysh pra Zoti dënon për diçka që vet e ka caktuar dhe furnizuar?!

Tjetër: Sipas mendimit tuaj, ajo që e vjedh hajni dhe e ha a është risk i tij?

Nëse thoni: po.

Themi:  Mirëpo sheriati ka caktuar që atij dhe plaçkitësve tu pritet dora. Tash: Si ka mundësi që Zoti i cili është i Urtë t’ia caktojë dikujt një risk, e kur ai e ha riskun e Zotit, Zoti të urdhërojë që ti pritet dora dhe t’i thotë: Pse e hëngrë atë që ta bëra risk ty?!!!

Tjetër: Nëse risku qenka vetëm ajo që ti e ha, atëherë qysh ka mundësi ta shpërndash atë që e ha?!

Zoti në kuran ka thënë: [Shpërndajeni atë që ua kemi bërë risk juve] (Munafikun, 10) dhe ka thënë: [Prej riskut që Ne u kemi dhënë atyre, ata e shpërndajnë] (Bekare, 3).

Ju thuhet gjithashtu: Cfarë thoni për atë që i shpërndan dikujt alkool ose diçka tjëtër haram, a nuk e ka shpërndarë atë që ka qenë risk i tyre? Gjithsesi sipas mendimit tuaj, kjo ka qenë risk i tyre, sepse sipas jush harami është risk. Tash ai që e ka shpërndarë dhe ai tjetri që e ka pirë ose ngrënë a qortohen apo lavdërohen?

Nëse thoni: Që të dytë janë të qortuar.

Themi: Pse të qortohet dhënësi kur ia ua ka dhënë atyre riskun e tyre dhe pse të qortohet konsumuesi, i cili e ka marrë dhe ngrënë riskun e tij?

Risku i Zotit është krijuar për të adhuruar sipas parimit të drejtësisë hyjnore dhe nuk është për të shtypur askënd nga robërit apo i ndarjes së padrejtë.

Ju thuhet gjithashtu: Nëse robi në Ditën e Kijametit ndalohet dhe pyetet: Pse grabite...pse vodhe, e ai thotë: O Zot, çdo gjë që kam marrë, qoftë e madhe apo e vogël, Ti e ke caktuar risk për mua dhe unë nuk kam mundur ta lë atë që më është shkruar mua 50000 vitë para se unë të lindesha. Sikur të mos ma caktoje dhe me vullnetin Tënd ta haja, nuk do ta kisha marrë e as ngrënë.

Nëse ky rob i Zotit përgjigjet kështu Ditën e Kijametit, a po rren apo po e flet të vërtetën?

Nëse thoni: Ky rob rren, atëherë e keni lënë mendimin tuaj dhe jeni pajtuar me akiden tonë.

E nëse thoni: E ka thënë të vërtetën.

U themi: Nëse ky rob thotë: O Zot, pasi që unë po e flas të vërtetën, atëherë pse urdhërove që të më pritet dora dhe pse po më denon?!

Kjo që po bën ndaj meje nuk është e drejtë prej Teje. Si ka mundësi që Ti të veprosh kështu, e Ti je më i Urit Gjykatës?!

Logjika e shëndoshë dëshmon për vërtetësinë e kësaj dhe robi në këtë rast do të kishte argument kundër Zotit Ditën e Kijametit!!!

Cdo medhheb që qon deri aty që krijesa të ketë argument kundër Zotit, është medhheb dhe doktrinë e kotë.

 

Përfundim:

Allahu është krijuesi suprem i riskut dhe na e ka mundësuar neve që të përfitojmë prej tij.

E jona është që ta mirëkuptojmë ligjin e tij, ta kërkojmë atë në mënyrë të lejuar (riskut hallall) e t’i largohemi të ndaluarës (haramit).

Nëse neve shohim një zulluqar të pasur në tokë që përdor pasurinë e tij në rrugë të ndaluara, mos thuaj që kjo është risk i Allahut që ka caktuar për të, por ai e ka grabitur atë prej të tjerëve.

 

Përpiloi hoxhë: Drilon Ibrahim Gashi

Pejë, qershor, 2019.

 

 

Në rregull

Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...