Këta artikuj janë vazhdimësi e artikujve tanë të mëparshëm mbi Dëshminë e Ekzistencës së Zotit si Realitet i Pa kushtëzuar. Ne kërkojmë nga lexuesit tanë që para se tu futen këtyre gjurmimeve, fillimisht të lexojnë me kujdes argumentet që neve kemi paraqitur mbi Ekzistimin e Zotit dhe konceptit të Tij si një Realitet i Domosdoshëm dhe i Pakushtëzuar.

Sa i përket atyre që janë skeptikë rreth ekzistencës historike të Profetit Muhamed dhe transmetimit të tekstit kuranor, ne së pari po paraqesim disa fakte logjike dhe historike që dëshmojnë se Profeti Muhamed jetonte dhe predikoi në Arabi në gjysmën e parë të shekullit të shtatë.

Argumenti më i fuqishëm që dëshmon këtë, është LAJMI TEVATUR.

Tevaturi, lajmi i shumë-transmetueshëm apo lajmi popullor i njëpasnjëshëm mund të përkufizohet edhe si lajmi autentik i vërtetë që është transmetuar nga njerëz të ndryshëm, i përcjellë pastaj kolektivisht brez pas brezi përmes shqisave të tyre, nga transmetues aq të shumtë saqë nuk është e mundshme logjike qe të gjithë ata të kishin rënë dakord mbi një të pavërtetë. 

Prej lajmit të tillë popullor neve përfitojmë njohje autentike. Tevaturi është shkak prej shkaqeve që qojnë deri tek dituria e domosdoshme. Këtu bën pjesë njohuria mbi ekzistimin e mbretërve të kaluar dhe qyteteve të largëta. Përmes lajmit mutevatir argumentohet ekzistenca e profetëve, mrekullitë dhe shpalljet e tyre gjithashtu.

Hadithi mutevatir dëshmon fuqishëm dhe në mënyrë të prerë për ekzistimin e profetit Muhamed. Tevaturi është hadithi që transmetohet nga një numër i shumtë transmetuesish, në çdo shtresë (tabaka) të senedit, të cilët _zakonisht_ është e pamundur të bien në ujdi për trillim apo trukim të tij.

Një gjë që është përcjell gjenerate pas gjenerate, brez pas brezi në mënyrë tevatur është e vërtetë dhe s’ka mundësi te jete gabim; është sikur ti ta kishe pare me sy, sepse s’ka mundësi qe një brez i tere te gënjeje.

Nëse mësove se çfarë kemi për qëllim me tevatur, atëherë dije se tevaturi është diçka ndërsa legjenda është krejt diçka tjetër; sepse ka dallim shumë të madh mes tyre.

Legjendës nuk i dihet koha dhe vendi e zhvillimit të ngjarjes dhe shumica e gojëdhënave legjendare zakonisht janë trillime që përmbajnë gjëra të paqena, për dallim nga lajmi tevatur, i cili, nëse plotëson kushtet e tij, s'ka mundësi logjike të jetë gënjeshtër.

Vërejtje: Jo çdo gjë qe është e shënuar në histori është e përcjell me lajm tevatur.

Sikur lajmi tevatur të mos pranohej si argument, njeriu do te dyshonte edhe ne gjyshërit dhe farefisin e tij dhe s’do të mund te vërtetonte asgjë. Nëse lajmi kolektiv nuk do të konsiderohej prej shkaqeve të njohurisë, atëherë si ka mundësi që njeriu ta njoh prindin e tij, vëllain e tij, mixhën e tij dhe të afërmit e tjerë të tij;sepse zakonisht gjërat e tilla nuk mund të njihen ndryshe vetëm se me lajme. Ata që përgënjeshtrojnë lajmet e sakta, si duket bota për ta filloi vetëm kur ata nisën të kuptojnë dhe para jetës së tyre s’ka ekzistuar asgjë!

Shembull tjetër:Ne e dimë se në filan kontinentin gjendet një vend me emrin Siri apo Meke, edhe pse ndoshta dikush prej neve se ka parë kurrë dhe s’ka qenë fare atje, mirëpo është i bindur se ekziston dhe nuk dyshon në të, sepse ka ardhur lajmi kolektiv në mënyrë të prerë, që s’ka kurrfarë dyshimi (e kjo nga një grup njerëzish të besueshëm të cilët është e pamundur qe të gënjejnë të gjithë).

Ata që jetuan në kohën e profetit, e panë trupin e tij, dëgjuan fjalët e tij dhe dëshmuan veprën e tij, këto gjëra ua përcollën bijve të tyre, e bijtë e tyre bijve të tyre, kështu gjeneratë pas gjenerate, me zinxhirë (senede) të pashkëputura transmetimi deri në kohën kur u mblodhën koleksionet e njohura të hadithit, e prej asaj kohe nderi në ditët e sotme.

Të parët pra që transmetuan  hadithet e Muhamedit a.s. ishin sahabet -shokët e Muhamedit a.s. Hadithi është gjithçka që Muhammedi a.s. ka folur, ka vepruar dhe ka pëlqyer. Me fjalë të tjera, përmes hadithit shprehet e tërë jeta dhe veprimtaria e Pejgamberit a.s. Hadithi profetik është prej burimeve kryesore të islamit, pas kuranit.

Sahabet ishin burimi më i sigurt i Hadithit, sepse jo se vetëm i kanë dëgjuar drejtpërdrejt fjalët e Muhamedit a.s., por ata kanë pas rast ta përcjellin edhe veprën e tij dhe qëllimin e fjalëve të tij praktikisht. Pas tyre,transmetimin e hadithit e kanë bërë Tabeinët-brezi i parë pas Muhamedit a.s., të cilët i kanë marrë hadithet drejtpërdrejtë nga Sahabët (shokët e profetit), për  të vazhduar pastaj Tebei-Tabeinët brezi i dytë pas Muhamedit a.s., të cilët janë njoftuar drejtpërdrejt nga Tabi'inët. Ky zinxhir i transmetimit të Hadithit ka vazhduar kështu brez pas brezi.

Kurani dhe hadithi kanë filluar të shkruhen qysh se në kohën e Muhamedit a.s dhe që nga fillimi, janë transmetuar në dy mënyra: gojarisht dhe nëpërmes të shkrimit. Këtë konstatim e theksojnë të gjitha burimet islame dhe e dëshmojnë shumë dokumente tjera.

Kjo ruajtje e fesë kështu në mënyrë zinxhirore, është prej veçorive të fesë islame.

Me të njëjtin argument, e vërtetojmë edhe saktësinë e Kuranit dhe mos ndryshimin e tij përmes historisë.

 

Megjithëkëtë, disa dyshuesve nuk u mjafton ky argument, prandaj po sjellim disa fakte tjera prej gojës së studiuesve të huaj, që mbështetin këtë që përmendëm.

Fred Donner (Profesor i Historisë Near Eastern- Universiteti i Çikagos), në shkrimin e tij me titull (Muhamedi dhe Besimtarët: Në Fillimin e Islamit, fq. 53) deklaron:

“Muhamedi nuk është tërësisht një fiksion i imagjinatës së mëvonshme të devotshme, siç kanë nënkuptuar disa; ne e dimë se dikush që quhej Muhamed kishte ekzistuar dhe se ai udhëhoqi njëfarë lëvizjeje. Dhe ky fakt, nga ana tjetër, na jep besim më të madh se informacioni i mëtejshëm në trupin masiv të materialeve tradicionale myslimane mund të jetë fakt i rrënjosur historik”[1].

Edhe pse ekzistenca e Profetit Muhamed dhe figurave të tjera fetare si Moisiu, Jezusi dhe Buda është bërë mjaft e njohur, dëshmitë historike të Profetit Muhamed që ekzistojnë dhe jetojnë në Arabinë e shekullit të 7 janë të mëdha dhe të dokumentuara.

Dëshmia se një profet ishte aktiv në mesin e arabëve në dekadat e para të shekullit të 7-të, në prag të pushtimit arab të Lindjes së Mesme, është jashtëzakonisht e mirë.

Më poshtë po përmendim disa shembuj të burimeve më të hershme që dokumentojnë ekzistencën dhe misionin e Profetit Muhamed:

 

1-Një tekst bizantin grek i shkruar rreth dy vjetë nga vdekja e Muhamedit në vitin 634 konfirmon se ai ekzistonte dhe pretendonte të ishte profet:

Patricia Crone (Ish-Profesoreshë e Studimeve Orientale - Universiteti i Kembrixhit), në një ese të saj të botuar në qershor të vitit 2008 me titull: "Çka me të vërtetë njohim për Muhamedin", thotë:

“Nuk ka dyshim se Muhamedi ekzistoi, pavarësisht përpjekjeve të herëpashershme për ta mohuar atë. Fqinjët e tij në Sirinë Bizantine kishin dëgjuar për të dy vjetë pas vdekjes së tij; një tekst GREEK i shkruar gjatë pushtimit arab të Sirisë ndërmjet viti 632 dhe 634 PARALAJMËRON se "një profet i rremë është shfaqur midis Saracenëve" dhe e hedh poshtë atë si një mashtrues në tokë duke thënë se profetët nuk vijnë "me shpatë dhe me qerre". Ky tekst në këtë mënyrë na e jep përshtypjen se ai ishte duke udhëhequr pushtimet ... Nëse një datë e tillë e rishikuar është e saktë, prova e tekstit grek do të thotë se Muhamedi është i vetmi themelues i një feje botërore e cila dëshmohet në një burim bashkëkohor. Sidoqoftë, ky burim na jep prova mjaft të pakundërshtueshme se ai ishte një figurë reale historike”[2].

 

2-Një fletushkë siriane e shqyrtuar nga W. Wright e cila daton në 636 pas Krishtit (4 vjet pas vdekjes së Muhamedit) përmend Muhamedin dhe pushtimin arab të Sirisë.

(Dokumentuar në W. Wright, Katalogu i dorëshkrimeve siriane në Muzeun Britanik të Fituar që nga viti 1838, 1870, Pjesa I, Shtypur me urdhër të Administratorëve të Besuar: Londër, Nr. XCIV, f. 65-66)[3].

 

3-Një tjetër dorëshkrim sirian përmend Muhamedin dhe pushtimet arabe, dhe kjo gjithashtu vjen nga viti 634 pas Krishtit - 2 vjet pas vdekjes së Muhamedit.

(Shih W. Wright, Katalogu i dorëshkrimeve siriane në Muzeun Britanik të Fituar që nga viti 1838, 1872, Pjesa III, Shtypur me urdhër të Administratorëve të Besuar: Londër, Nr. DCCCCXIII, f. 1040-1041)[4].

 

4-Shkrimi i krishterit sirian, Thomas Presbiter në vitin 640 dëshmon se Muhamedi ekzistonte dhe udhëhoqi një lëvizje. Kjo ishte vetëm 8 vjet pas vdekjes së tij.

Fred Donner (Profesor i Historisë - Universiteti i Çikagos), në esenë e tij me titull (Muhamedi dhe Besimtarët: Në Fillimin e Islamit, 53) deklaron:

“Për shembull, një burim i hershëm sirian nga shkrimtari i krishterë Tomas Presbiter, datonte rreth vitit 640 - domethënë vetëm disa vjet pas vdekjes së Muhamedit - jep përmendjen më të hershme të Muhamedit dhe na informon se pasuesit e tij bënë një sulm kundër Gazës. Kjo, të paktën, i mundëson HISTORIANËVE të ndiejë më shumë besim se Muhamedi nuk është një trillim i imagjinatës së mëvonshme të devotshme, siç kanë nënkuptuar disa; Ne e dimë se dikush i quajtur MUHAMAD kishte ekzistuar, dhe se ai ishte lider i një lëvizjeje. Dhe ky FAKT, nga ana tjetër, na jep besim më të madh se informacioni i mëtejshëm në trupin masiv të materialeve tradicionale myslimane mund të jetë FAKT HISTORIK i rrënjosur”[5].

 

5-Kurani siguron dëshmi të drejtpërdrejta të Muhamedit. Jo vetëm që Muhamedi aty përmendet me emër, por përmendet si profet dhe përshkruan ngjarje të ndryshme reale në jetën e tij dhe në jetën e bashkësisë së tij. Konsensusi akademik pohon se Kurani, siç e kemi sot, përmban në mënyrë të sigurt atë që Muhamedi ka thënë dhe ka recituar në jetën e tij.

Patricia Crone në esenë e saj thekson gjithashtu:

“Muhamedi është përmendur edhe me emër dhe është identifikuar si një i dërguar i Zotit, katër herë në Kur'an ... Ne mund të jemi të sigurt se Kur'ani është një përmbledhje e thënieve që ai bëri dhe besonte se ato i ishin shpallur atij nga Perëndia. Libri nuk mund të ruajë të gjitha mesazhet që ai pretendoi të ketë marrë dhe ai nuk është përgjegjës për marrëveshjet që ndodhën pas tij. Sa kohë ata e mblodhën saktësisht atë pas vdekjes së tij – kjo është e diskutueshme. Por që ai recitoi të gjitha ato ose shumicën e këtyre shkrimeve është e vështirë të dyshosh[6].

Ndërsa Fred Donner thotë se studimi i përpiktë i të njëjtit tekst nga dijetarët përgjatë gjeneratave, është një referencë e saktë kronike që dëshmon se kurani i mëparshëm është po ky që ekziston edhe sot e kësaj dite.

Ai thotë se, në fund të fundit, kemi të bëjmë me një Kuran që është produkt i fazave më të hershme në jetën e komunitetit në Arabinë Perëndimore ... Fakti që teksti i Kuranit daton në fazën më të hershme të lëvizjes që u përurua nga Muhamedi, do të thotë se historiani mund ta përdorë atë.[7]".

 

6-Kushtetuta e Medinës është një fakt tjetër i kësaj. Ajo ruhet si burim i shekullit të 8-të dhe studiuesit e pranojnë atë si autentike. Origjina e saj kthehet te profeti Muhamed, kur ai sundoi Medinen (Jethribin e atëhershëm):

Patricia Crone thotë:

“Nga ana Islamike, burimet që datojnë nga mesi i shekullit të 8-të, ruajnë një dokument të hartuar ndërmjet Muhamedit dhe banorëve të Jethribit, e cila ka arsye të mira për tu pranuar si autentike; Muhamedi përmendet aty me emër, dhe gjithashtu identifikohet si një i dërguar i Zotit, katër herë në Kur'an"[8].

 

7-Burime të tjera jomyslimane që vërtetojnë Muhamedin përfshijnë shkrime të krishtera dhe persiane:

 

a) Sebeos, Peshkopi i Bagratunis (Shkrimi në vitet 660 CE / 40 AH)

Patricia Crone shton e thotë:

“Për më tepër, një dokument armen që ndoshta është shkruar menjëherë pas 661 e identifikon atë me emër dhe jep një llogari të njohur të predikimit të tij monoteiste”[9].

Një nga burimet më interesante të shekullit të shtatë, vjen nga Sebeos i cili ishte peshkop i Shtëpisë së Bagratunis. Nga kjo kronikë, ka indikacione se ai i ka përjetuar shumë prej ngjarjeve që ka përmendur aty. Ai pohon se pushtimet arabe janë kuptuar nga të arratisurit që kishin qenë dëshmitarë okularë të tyre. Ai përmend edhe pushtimet e Muavijes në luftën civile arabe (656-61 të es), që dëshmon se ai po shkruante pas kësaj date. Sebeo është autori i parë jomusliman që na paraqet një teori për ngritjen e Islamit dhe i kushton vëmendje asaj që bënë myslimanët.

Shih (R. G. Hoyland, Seeing Islam As Others Saw It: A Survey And Evaluation Of Christian, Jewish And Zoroastrian Writings On Early Islam, 1997, op. cit., p. 128)

Ai në lidhje me Profetin Muhamed thotë:

“Në atë kohë një burrë nga bijtë e Ismailit, emri i të cilit ishte Mahmet [dmth. Muhamed], ishte një tregtar, iu shfaqë atyre sikur po I vinte shpallja, dhe doli përpara tyre si predikues që ftonte në rrugën e së vërtetës. Ai u mësoi atyre të njohin Perëndinë e Abrahamit, sepse (si duket) ai kishte mësuar dhe ishte informuar me historinë e Moisiut. Tani për shkak se komanda ishte nga lart, ata të gjithë u bashkuan dhe u bënë unik rreth këtij religjioni. Duke braktisur idhujt e tyre të vdekur dhe kulteve të tyre të kota, ata u kthyen te Perëndia i gjallë që iu shfaq Abrahamit, babait të tyre. Mahmet u ka ligjëruar atyre: të mos hanë me coftirën, të mos pinë verë, të mos flasin gënjeshtra dhe të mos merren me kurvëri. Ai tha: “ Betohem se Perëndia këtë vend ia ka premtuar Abrahamit dhe pasardhësve të tij pas tij përgjithmonë[10]. Ai ua premtoi këtë gjatë kohës sa e donte Ismailin. Tani ju jeni bijtë e Abrahamit dhe Perëndia po përmbush premtimin e tij për Abrahamin dhe pasardhësit e tij për ju. Duaje me dashamirësi vetëm Perëndinë e Abrahamit dhe kapu për tokën që Perëndia i dha Abrahamit, atit tënd. Askush nuk do të jetë në gjendje t'ju rezistojë në betejë, sepse Perëndia është me ju"[11].

Sebeos po shkruante këtë kronikë në një kohë kur kujtimet e shpërthimit të papritur të arabëve ishin të freskëta. Ai e njeh emrin e Muhamedit dhe e di se ai ishte tregtar me profesion. Ai lë të kuptohet se jeta e tij u ndryshua papritur nga një zbulesë hyjnore e frymëzuar.

(Shih: RW Thomson nga J. Hoëard-Johnson & T. Greenwood, Historia armenë, pjesën që i atribuohet Sebeos - II: Komentari historik, 1999, Tekste të përkthyera për historianët - Vëllimi 31, Liverpool University Press, fq. 238)[12].

Ai aty paraqet një përmbledhje të mirë të predikimit të Muhamedit, domethënë, besimit në një Zot, Zotin e Abrahamit si paraardhës i përbashkët i hebrenjve dhe arabëve. Ai zgjedh disa nga rregullat e sjelljes; katër ndalimet që përmenden në Kur'an. Pjesa më e madhe e asaj që ai thotë rreth origjinës së Islamit përputhet me traditën myslimane.

 

b) Një kronist i Khuzistanit (Shkrimi i vitit 660s CE / 40s AH)

Kjo është një kronikë anonime dhe e shkurtër Nestoriane që njofton për kishën, si dhe historitë laike nga vdekja e Hormizdit, birit të Khusraut deri në fund të mbretërisë persiane. Edhe pse autori I saj është anonim, lokacioni i saj gjeografik përputhet me realitetin.

Kur flet për mbretërimin e Yazdgird, kronikasi jep një pasqyrë të shkurtër të pushtimeve myslimane, ku ndër tjera thotë:

“Pastaj Perëndia ngriti kundër tyre bijtë e Ismaelit, të shumtë si rëra në bregun e detit, udhëheqësi “mdabbrānā” I të cilëve ishte Muhamet (mhmd). As mure, as porta, as forca të blinduara apo mburoja, nuk i kanë rezistuar, dhe ata kanë fituar kontrollin mbi të gjithë vendin e persëve. Yazdgird dërgoi kundër tyre trupa të panumërta, por arabët i shkatërruan të gjithë dhe madje e vranë Rustamin. Yazdgird u mbyll në muret e Mahoze dhe më në fund arriti të arratisej. Ai arriti në vendin Huzaye dhe Mrvnaye, ku aty e përfundoi jetën e tij. Arabët morën kontrollin e Mahozës dhe të gjithë territorit”[13].

 

Shkroi hoxhë: Drilon Gashi

Shkëputje nga libri im: Profetësitë e Muhamedit a.s.

----------------------------------------------------------

[1] Fred Donner (Professor of Near Eastern History – University of Chicago), (Muhammad and the Believers: At the Origins of Islam, 53)

[2] Patricia Crone (Former Professor of Oriental Studies – University of Cambridge), (“What Do We Actually Know About Mohammed”, June 2008

Lexo këtu: https://www.opendemocracy.net/faith-europe_islam/mohammed_3866.jsp

[3] W. Wright, Catalogue Of Syriac Manuscripts In The British Museum Acquired Since The Year 1838, 1870, Part I, Printed by order of the Trustees: London, No. XCIV, pp. 65-66.

[4] W. Wright, Catalogue Of Syriac Manuscripts In The British Museum Acquired Since The Year 1838, 1872, Part III, Printed by order of the Trustees: London, No. DCCCCXIII, pp. 1040-1041.

[5] Fred Donner (Professor of Near Eastern History – University of Chicago), (Muhammad and the Believers: At the Origins of Islam, 53)

[6] Lexo: https://www.opendemocracy.net/faith-europe_islam/mohammed_3866.jsp

[7] Fred Donner (Professor of Near Eastern History – University of Chicago), (Muhammad and the Believers: At the Origins of Islam, 56).

[8] Patricia Crone (Former Professor of Oriental Studies – University of Cambridge), (“What Do We Actually Know About Mohammed”, June 2008

[9] Patricia Crone (Former Professor of Oriental Studies – University of Cambridge), (“What Do We Actually Know About Mohammed”, June 2008

[10] Se Perëndia ia ka premtuar këtë vend Abrahamit dhe pasardhësve të tij, përmendet edhe në Bibël, tek Zanafilla 13, vargjet 14 - 18.

[11] Bishop Sebeos, (in R. W. Thomson with contributions from J. Howard-Johnson & T. Greenwood), The Armenian History Attributed To Sebeos Part – I: Translation and Notes, 1999, Translated Texts For Historians – Volume 31, Liverpool University Press, pp. 95-96)

[12] (R. W. Thomson with contributions from J. Howard-Johnson & T. Greenwood, The Armenian History Attributed To Sebeos Part – II: Historical Commentary, 1999, Translated Texts For Historians – Volume 31, Liverpool University Press, p. 238)

[13] Chronicler of Khuzistan, (R. G. Hoyland, Seeing Islam As Others Saw It: A Survey And Evaluation Of Christian, Jewish And Zoroastrian Writings On Early Islam, 1997, op. cit., p. 186

Në rregull

Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...