Së pari:Le të supozojmë se përpara vetës kemi një libër burimi i të cilit është i panjohur, ne nuk dimë asgjë për historinë e shkrimit të tij, e as lidhje me autorin e tij, por para vetës kemi brumin substancial i cili na jep mundësinë të analizojmë përmbajtjen e ideve të autorit.

Kur ne fillojmë të shfletojmë faqet e këtij libri:

A: gjejmë se na flet për parimet etike të cilat kapërcejnë teket e njeriut:

[O ju besimtarë! Bëhuni plotësisht të vendosur për hir të Allahut, duke dëshmuar të drejtën]

[mos tu shtyjë urrejtja ndaj një populli e t'i shmangeni drejtësisë (duke u bërë padrejtësi atyre)]

[Bëhuni të drejtë, sepse ajo është më afër devotshmërisë](Maide,8).

[Allahu ju urdhëron drejtësi dhe bamirësi] (Nahl,90).

[O besimtarë! Bëhuni ithtarë të së vërtetës, duke dëshmuar në emër të Allahut, qoftë madje edhe kundër jush, ose kundër prindërve dhe të afërmëve tuaj] (Nisa,135).

[O ju njerëz! Kryeneçësia juaj është vetëm kundër vetes suaj](Junus,23).

[Dredhia e keqe nuk godit tjetër vetëm ata që e kurdisën](Fatir,43).

[Mos bëni çrregullime në tokë pas rregullimit të saj](Araf,56 dhe 85).

[Njerëzve u thoni fjalë të mira](Bekare,83).

[Andaj, të keqen ktheje në mënyrën më të mirë, se atëherë ai, me të cilin kishit njëfarë armiqësie, do të bëhet mik i afërt](Fusilet,34).

[Allahu nuk e do çrregullimin](Bekare,205).

[Allahu nuk i do zullumqarët](Ali Imran,57).

[...(ditën kur Allahu) t’i pyet të sinqertit për sinqeritetin e tyre] (Ahzab,8).

[...Që Allahu t'i shpërblejë të vërtetit për sinqeritetin e tyre e hipokritët t'i ndëshkojë...] (Ahzab,24)

B: Gjejmë se na këshillon që të sillemi mirë me prindërit, me të afërmit, fqinjin,nevojtarin, të varfrin dhe tua falim atyre që na kanë bërë keq.

C: Në këtë libër gjithashtu gjejmë një nivel të ngritur të vetëkontrollit për vetveten që nuk gjendet në asnjë libër tjetër:

[E kush punoi ndonjë të mirë, që peshon sa grimca, atë do ta gjejë. Dhe kush punoi ndonjë të keqe, që peshon sa grimca, atë do ta gjejë] (Zelzele:7,8).

[Ditën kur çdo njeri e gjen pranë vete atë që veproi mirë ose keq, e për atë të keqe që bëri, do të dëshirojë që në mes tij dhe në mes të asaj të jetë një distancë shumë e madhe (e mos ta shohë). ](Ali Imran,30).

[S'ka dyshim se Allahut nuk mund t'i fshihet asgjë në tokë e as në qiell](Ali Imran,5).

[...për atë që e keni në shpirtin tuaj, e shfaqët haptazi ose e mbajtët fshehtë, Allahu do t'ju marrë në përgjegjësi...] (Bekare,284).

[...s'ka dyshim se edhe nëse ajo (vepra) peshon sa kokrra e lirit, e të jetë e fshehur në rrasë guri, ose në qiej apo në tokë, Allahu do ta sjellë atë](Lukman,16)

[O ju që besuat, ruajeni veten tuaj! Ai që ka humbur, nuk ju dëmton juve kur jeni në rrugë të drejtë. Kthimi i të gjithë juve është te Allahu dhe Ai ju njofton për atë që vepruat](Maide,105)

[O besimtarë! Jepni nga ajo që u kemi dhuruar, para se të vijë Dita në të cilën nuk ka shit-blerje, as miqësi as ndërmjetësi!] (Bekare,254)

[E çdo të mirë që punoni, s'ka dyshim se Allahu e di](Bekare,215).

***

Së dyti: Ka mundësi të na shkojë mendja se autori i këtij libri ka synuar  me të ngritjen morale të popullit të tij dhe krijimin e një perandorie përmes së cilës ata do të sundojnë botën, mirëpo ky libër  na jep një kahje tjetër që e kundërshton këtë presupozim. Kurani thekson unitetin universal të njerëzimit. Kurani thekson respektimin dhe bashkëpunimin midis popujve duke hedh poshtë vetëpëlqimin dhe egocentrizmin. Origjina e të gjithë njerëzve është e përbashkët. Nuk ka popull superior, inferior apo popull të zgjedhur. Ai na tregon në mënyrë të qartë:

[O ju njerëz, vërtet Ne ju krijuam juve prej një mashkulli dhe një femre, ju bëmë popuj e fise që të njiheni ndërmjet vete, e s'ka dyshim se te Allahu më i ndershmi ndër ju është ai që më tepër është ruajtur (nga të këqijat/zullumi)](Huxhurat,13).

[Ne nuk të dërguam ty (Muhamed) për tjetër, vetëm si mëshirë për të gjitha krijesat](Enbija,107).

Dhe e vërteton parimin e barazisë njerëzore: [O ju njerëz! Kini frikë Zotin tuaj që ju ka krijuar prej një veteje (njeriu/shpirti)](Nisa,1).

Dhe e thekson parimin e drejtësisë në gjykimin mes njerëzve:[... kur të gjykoni, ju urdhëron të gjykoni me të drejt mes njerëzve](Nisa,58).

Dhe bën thirrje për lidhje humaniteti në bazë të barazisë; asnjë njeri nuk është më i lartë se tjetri: [O ithtarë të librit (Tevrat e Inxhil), ejani (të bashkohemi) te një fjalë që është e njëjtë (e drejtë) mes nesh dhe mes jush: Të mos adhurojmë, pos Allahut, të mos ia bëjmë Atij asnjë send shok, të mos e konsiderojmë njëri - tjetrin zotër pos Allahut](Ali Imran,64).

***

Së treti: Ka mundësi që të na sillet vërdallë një supozim tjetër, që thotë se ky libër mund të jetë shkruar nga një komandant i luftës me emrin Muhamed për të larë hesapet e tij në betejat ushtarake  dhe në shenjë hakmarrje kundër armiqve të tij.

Mirëpo neve përsëri gjejmë në të një drejtim të kundërt me presupozimin në fjalë:

[Dhe luftoni në rrugën e Allahut kundër atyre që ju luftojnë e mos e teproni se Allahu nuk i do ata që e tejkalojnë kufirin (e fillojnë luftën)] (Bekare: 190).

[Në qoftë se ata tërhiqen prej jush, nuk ju luftojnë dhe ju ofrojnë paqe, atëherë Allahu nuk ju lejon rrugë (luftë) kundër tyre] (En-Nisa: 90).

[Në qoftë se ata anojnë kah paqja, ano edhe ti kah ajo e mbështetu në Allahun. Ai është që dëgjon dhe di] (Enfal:61).

[O ju që besuat, kur marshoni në rrugën e Allahut (për në luftë), të jeni të matur (të mos nguteni), e mos i thoni atij që ju shpreh paqen (selamin): "Nuk je besimtarë!", duke kërkuar me të (përmes luftës) mjet (mall) të jetës së kësaj bote] (Nisa,94).

[Allahu nuk ju ndalon të bëni mirë dhe të mbani drejtësi me ata (mbani drejtësi dhe bëjuni mirë atyre) që nuk ju luftuan për shkak të fesë, e as nuk ju dëbuan prej shtëpive tuaja; Allahu i do ata që mbajnë drejtësinë] (Mumtehine: 8).

Ne në këtë libër gjejmë pra edhe disa ajete që flasin për luftën, mirëpo ato i shërbejnë objektivave morale që janë shumë larg nga pasionet njerëzore dhe fanatizmat e nacionalizmit: [Ç’keni që nuk luftoni për Zotin dhe për (t’i shpëtuar) të paaftit: nga burrat, nga gratë e nga fëmijët, të cilët luten: Zoti ynë! Nxirrna nga ky fshat (Mekka), banorët e të cilit janë mizorë] (En-Nisa: 75).

[Përse të mos e luftoni një popull që i thyen zotimet e veta dhe tentoi ta dëbojnë Të dërguarin? Në të vërtetë ata e filluan të parët luftën] (Et-Teube: 13).

Lufta që përmendet në këtë libër, duket në mënyrë të qartë se ka të bëjë me një aleancë njerëzore kundër grupeve që bëjnë padrejtësi dhe shkelin të drejtat e njeriut. Luftëra legale vetëmbrojtëse nga armiku dhe për të shtrënguar drejtuesit zullumqarë shtetërorë të respektojnë të drejtat njerëzore dhe lirinë e individit. Në qoftë se ata mbeten shurdhë ndaj çdo kërkese për drejtësi, populli ka të drejtë të organizohet dhe të luftojë. Dhuna shpesh është një reaksion natyror që i kundërvihet një dhune pararendëse. Pra është një reaksion, jo një aksion, një rezultat, jo një parim, një përfundim, jo një parakusht.

***

Së katërti: Por, çfarë na garanton që ky libër të jetë një dredhi e Muhamedit për të fituar lidershipin dhe lavdinë?

Ai që shkruan një libër për një arsye të tillë, e përdor atë për të legjitimuar politikat dhe pozicionet e tij.

A: Mirëpo neve aty gjejmë qindra vargje në kundërshtim me pikëpamjet dhe dëshirat e Muhamedit:

-Në këtë libër, mese dhjetë vargje (nga kaptina Abese) përmbajnë një qortim të rëndë për Muhamedin dhe triumf për një të verbër të dobët!! Cili njeri i duron gjitha këtë sasi të transparencës morale!!

-Në këtë libër gjejmë edhe  kritikë të rreptë për Muhamedin (paqja qoftë mbi të dhe familjen e tij) dhe dalje zot ndaj një jomyslimani që nuk besonte fare në Kuranin e Shenjtë, i cili ishte shpifur dhe akuzuar nga disa myslimanë në Medinë me një vjedhje që ai realisht nuk e kishte bërë: [Ne të zbritëm ty (o Muhamed) librin (Kur'anin) me plot të vërteta, që të gjykosh mes njerëzve me atë që të mësoi Allahu. Mos u del në ndihmë tradhtarëve](Nisa,105).

-Në këtë libër hasim edhe trajtime për disa mendime të fshehta që i silleshin ndërmend Muhamedit,  të cilat ne do të turpëroheshim t’i shpalosnim për veten tonë përpara popullit: ["(Përkujto) Kur i the atij që Allahu e kishte shpërblyer (me besim) e edhe ti i pate bërë mirë: "Mbaje bashkëshorten tënde dhe ki frikë nga Allahu!", e ti e mbaje fshehtë në veten tënde atë që Allahu do ta zbulojë dhe u frikësohesh njerëzve, por më e drejtë është që t'i frikësohesh Allahut] (Ahzab,37).

-Në këtë libër gjejmë kërcënim dhe frikësim që i drejtohet Muhamedit, nëse ai devijon nga udhëzimi dhe rruga e vërtetë:

[Nëse i bën shok (Allahut), veprat tua janë të asgjësuara dhe ti do të jesh prej të humburve](Zumer,65).

[E nëse pasi që të ka ardhur ty e vërteta shkon pas mendimeve të tyre, nuk ka kush të të ndihmojë e as të mbrojë nga Allahu] (Bekare,120,145;Rra’d,37).

[...E atëherë Ne do ta shijonim mundimin dyfish të kësaj jete dhe dyfish të jetës tjetër, e pastaj ti nuk do të gjeje mbrojtës kundër nesh](Isra,75).

-Në këtë libër gjejmë një përpjekje për t’i rezistuar shenjtërimit të personalitetit të Muhamedit dhe një prirje për ta mbajtur atë brenda kufijve të sferës se të qenit njeri natyror:

[Thuaj: "Unë nuk jam risimtar prej të dërguarve, e nuk e di se çka do të bëhet me mua e as me ju, unë nuk ndjek tjetër vetëm atë që më shpallet, unë nuk jam tjetër pos i dërguar që ua tërheq vërejtjen qartas"](Ahkaf,9).

[Thuaj: "Unë nuk kam në dorë për veten time as ndonjë dobi, as ndonjë dëm, pos çka do Allahu. Sikur ta dija të fshehtën, do t'i shumoja për vete të dobishmet, e nuk do të më prekte gjë e keqe.](Araf,188).

[...Thuaj: "Subhanallah - i Madhërishëm është Zoti im, a mos jam unë tjetër vetëm se njeri, pejgamber?](Isra,93).

[Ty nuk të takon asgjë rreth çështjes...](Ali Imran,128).

B: Po kështu, në këtë libër nuk gjejmë përlëvdatë për Muhamedin, por lavd dhe lavdi vetëm për Allahun, i cili deklaron haptazi se Ai Vet është zbritësi i këtij libri, dhe i jep Vetvetes cilësinë e  mëshirës, fuqisë, diturisë, gjithpërfshirjes, dëgjimit, shikimit dhe të gjitha atributet e përsosmërisë dhe madhështisë dhe u adresohet robërve të Tij që të besojnë në Të, ta kenë dro vetëm Atë dhe të përgatiten për takimin me Të.

Atëherë, çfarë na pengon të mos besojmë se Allahu është Ai që na flet në këtë libër, i cili hapur dëshmon dhe konfirmon se ajetet e tij me të vërtetë janë të shenjta dhe të larta nga të metat dhe tekat njerëzore!

***

Së pesti: Ky libër nuk i jep Muhamedit (paqja qoftë mbi të dhe familjen e tij) privilegje të veçanta, përkundrazi i imponon atij përgjegjësi të dyfishta:

[O ti i mbështjellur! Ngrihu për falje natën, përveç një pjese të vogël të saj](Muzemil:1,2).

[Dhe adhuroje Zotin tënd deri të vijë ty e vërteta (vdekja)](Hixhr,99)

[Dhe mos ia ngul sytë bukurisë së kësaj jete me të cilën i bëmë të kënaqen disa prej tyre (mosbesimtarë), e për t'i sprovuar me të, sepse shpërblimi i Zotit tënd është më i mirë dhe është i përjetshëm](TaHa, 131)

[Po ti bëhu i durueshëm ndaj gjykimit të Zotit tënd, e mos u bë si ai i peshkut në kohën kur pat thirrur (Zotin) dhe ishte i mllefosur](Kalem,48).

***

Së gjashti: Nëse dikush ka frikë që Muhamedi i ka shfrytëzuar këto parime për ti arritur interesat e kësaj bote, ky libër nuk i le rrugë këtij dyshimi materialist:

[Thuaj "Unë nuk kërkova prej jush ndonjë shpërblim, nëse kam kërkuar, ai le t'u mbetet juve, shpërblimi im është vetëm prej Allahut, e Ai është dëshmitar për çdo send"](Sebe,47).

***

Së shtati: Kur dikush dëshiron ta provojë një ide, ka dy mënyra për ta bërë atë:

-Ose do ta vërtetosh në mënyrë objektive, duke e shpërbërë dhe treguar përmbajtjen e saj reale,

-Ose do të kërkosh prova të jashtme që e konfirmojnë vlefshmërinë e idesë në fjalë.

Rruga e parë është më e forta pa dyshim. Ajo -përveç fuqisë që ka- i përshtatet edhe kohës sonë. Sepse varet prej vetë-analizës dhe përfundimit logjik.

Këtë rrugë e ka zgjedhur edhe vet Kurani ndaj kërkesave fizike të mohuesve kurejshitë, të cilët i kërkuan Muhamedit a.s.: [Ata thanë: "Nuk të besojmë ty derisa që të na nxjerrësh prej tokës burime". Ose, (nuk të besojmë deri që) të kesh kopshte me hurma e me rrush, e të bësh të rrjedhin vazhdimisht lumenj në mesin e tyre. Ose, (nuk të besojmë derisa) të bie mbi ne qielli copa - copa, ashtu si po mendon ti (se kur të bëhet kiameti do të na dënojë Zoti), apo të na sjellësh Allahun dhe engjëjt pranë nesh. Ose të kesh një shtëpi prej ari, apo të ngjitesh lart në qiell, po ne nuk të besojmë për ngjitjen tënde derisa të na sjellësh një libër që ta lexojmë?!" ](Isra:90-93). Kurani nuk i është përgjigjur këtyre kërkesave, por i është referuar mendjes dhe meditimit të Kuranit:

["Po a nuk u mjaftoi atyre që Ne ta shpallëm librin, i cili u lexohet atyre, e s'ka dyshim se kjo është dhuratë e përkujtim për njerëzit që duan të besojnë".](Ankebut,51).

[A nuk e përfillin ata (me vëmendje) Kur'anin? Sikur të ishte prej dikujt tjetër, përveç prej Allahut, do të gjenin në te shumë kundërthënie](Nisa,82).

[Nuk është e logjikshme të mendohet se ky Kur'an është i trilluar prej dikujt pos Allahut, por është vërtetues i asaj (shpalljes) që ishte më parë, dhe sqarues e komentues i librit. Nuk ka farë dyshimi se është (i zbritur) nga Zoti i botëve. ](Junus,37).

***

Së teti: Besimi në Kuranin shihet se është një marrëveshje fitimprurëse e cila nuk nënkupton mundësinë e humbjes, sepse ky libër:

-Përveç parimeve morale dhe qetësisë shpirtërore që siguron,

-ai nuk e ndërton trashëgiminë e tij mbi rrënimin e ligjeve hyjnore të mëparshme, përkundrazi pajton me frymën e tyre dhe me parimet e drejtësisë në tokë dhe ofron një planprogram të plotë që përfshinë ajkën e të gjitha të mirave dhe udhëzimeve të mëparshme qiellore, dhe i nxit të gjithë ata që ia donë të mirën njerëzimit: [Andaj, ti thirri dhe bëhu këmbëngulës, ashtu siç je urdhëruar, e mos i ndjek epshet e tyre, dhe thuaj: “Unë besoj çdo libër që e ka shpallë Perëndia, dhe jam urdhëruar që të gjykojë drejt në mes jush; Allahu është Zoti ynë dhe Zoti juaj. Veprat tona, janë për ne, e veprat tuaja janë për ju. Në mes nesh dhe jush nuk ka kurrfarë mosmarrëveshje. Allahu do të na tubojë të gjithëve, dhe tek Ai do të kthehemi të gjithë”.](Shura,15).

Në rregull

Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...