Urdhërimi për të mirë dhe ndalimi nga e keqja ka kushte, të cilat nëse gjenden atëherë bëhet obligim, e nëse jo, jo.

1: Individi ta dijë se ajo që po urdhëron është punë e mirë, ndërsa e ndaluara e keqe. Nëse nuk e ka të qartë këtë gjë, atëherë ai nuk mund të jetë i sigurt, pasi ka mundësi të urdhërojë të keqën dhe të ndalojë nga vepra e mirë, e kjo nuk lejohet. Supozimi dhe dyshimi këtu nuk e zënë vendin e diturisë.

2: Ta dijë se e keqja është prezent, si për shembull: I sheh të shtruara gotat e rakisë apo veglat e një zijafeti të ndaluar. Këtu, hamendja zë vendin e diturisë dhe e ka obligim urdhërimin dhe ndalimin.

3: Ta dijë se kjo nuk qon te një e keqe më e madhe se ajo. Nëse e di apo ia merr mendja se ndalimi i tij ndaj x haramit shkakton një haram më të madh sesa ai, shembull: nëse ndalimi nga pirja e alkoolit shpie në vrasjen e xhematit të myslimanëve apo djegien e shtëpive të tyre, atëherë nuk obligohet e as nuk preferohet.

4: Ta dijë apo t’ia merr mendja se fjala e tij ka ndikim; përndryshe nuk është obligim, sepse ngjason me thirrjen e murit që nuk dëgjon. Disa kanë thënë se thirrja në këtë rast është vepër e mirë, sepse është thirrje për në fe, pa marrë parasysh rezultatin.

5: Ta dijë ose t’ia merr mendja se kjo nuk dëmton pasurinë apo trupin. Kjo dallon me dallimin e personave:

- Nëse thirrësi është i fuqishëm dhe pasanik, që nuk ndikohet nga sharja dhe nuk e dëmton rrahja, obligimi i thirrjes nuk bie prej tij.

- E nëse thirrësi është i dobët dhe ndikohet prej kësaj, atëherë nuk e ka obligim. Mirëpo nëse ai e bën këtë, a konsiderohet prej tij si veprim i mirë? Shikohet: nëse përballimi i këtyre vuajtjeve tek ky person bëhet shkak i ngritjes së fesë së Allahut, atëherë konsiderohet vepër e mirë, e nëse mundi i tij shkon për pesë para, atëherë nuk është punë e mirë, sepse e ka shkatërruar vetveten kot.

Duke u nisur nga kjo pikë, konsiderojmë se veprimi i Hysejnit në Qerbela ka qenë punë e qëlluar, sepse sabri dhe xhihadi i tij ndikuan që të forcohej feja e Allahut dhe të poshtërohej tirania e zullumqarëve.