Allahu xh.sh. është Zot i gjithë njerëzve. Në Kur‘an Ai thotë: [Zotit të botëve] (Fatiha,1).

Pejgamberi a.s. thotë: ”Të gjithë njerëzit janë nga Ademi, kurse Ademi është krijuar nga toka.” (Ibën Maxhe).

Njeriu është krijesa më e nderuar e Zotit në tokë.

Kur`an thotë: [(Përkujto Muhamed) Kur Zoti yt u tha engjëjve: “Unë po krijoj (po përcaktoj) në tokë një zëvendës!] (Bekare, 30).

Dhe ka thënë: [Dhe për ju nënshtroi gjithë ç’ka në qiej dhe ç’ka në tokë, njëmend për njerëzit që mendojnë thellë, në to ekzistojnë argumente] (Xhathije,13).

Dhe thotë: [Vërtet, Ne e krijuam njeriun në formën më të bukur] (Tin, 4).

Ndarja e njerëzve në popuj e fise, gjini, raca dhe pasuri nuk bën t‘i ndalojë ata që të njihen në mes tyre dhe të gjithë të jetojnë në paqe dhe siguri.

All-llahu xh.sh. thotë: [O ju njerëz, vërtetë Ne ju krijuam juve prej një mashkulli dhe një femre, ju bëmë popuj e fise që të njiheni ndërmjet vete, e s’ka dyshim se te All-llahu më i ndershmi ndër ju është ai që më tepër është ruajtur (këqijat), e All-llahu është shumë i dijshëm dhe hollësisht i njohur për çdo gjë]( Huxhurat, 13).

I Dërguari i All-llahut në tubimin të madh në haxhin e lamtumirës tha: “O ju njerëz, ju keni vetëm një sundues dhe një të parë, nuk ka kurrfarë përparësie arabi ndaj joarabit dhe joarabi ndaj arabit, as i kuqi ndaj të ziut, e as i ziu ndaj të kuqit përveç në devotshmëri.”(Ahmedi).

Jeta e njeriut është më e shenjtë se çdo gjë tjetër, si rrjedhojë, marrja e saj me pa të drejtë është mëkati, mizoria dhe krimi më i madh. Myslimani nuk lejohet ta shqetësojë, frikësojë dhe tallë tjetrin, e lere më ta vras atë.

Allahu xh.sh. në lidhje me këtë thotë: [Kush mbyt një njeri, pa pasë mbytur ai ndonjë tjetër dhe pa pasë bërë ai ndonjë shkatërrim në tokë, atëherë (krimi i tij) është si t'i kishte mbytur gjithë njerëzit. E kush e ngjall (bëhet shkak që të jetë ai gjallë) është si t'i kishte ngjallur (shpëtuar) të gjithë njerëzit. Atyre u erdhën të dërguarit Tanë me argumente, mandej edhe pas këtij (vendimi) shumë prej tyre e teprojnë (kalojnë kufijtë në mbytje) në këtë tokë] (Maide,32).

Në këtë ajet, i Madhi Zot vrasjen e një njeriu të pafajshëm e krahason me vrasjen e tërë botës dhe shpëtimin e një njeriu me shpëtimin e tërë botës.

Në një ajet tjetër ka thënë: [Kush e mbytë një besimtarë me qëllim, dënimi i tij është xhehenemi (skëterra), në të cilin do të jetë përgjithmonë. All-llahu është i hidhëruar ndaj tij, e ka mallkuar dhe i ka përgatitur dënim të madh] (Nisa,93).

[Edhe ata që pos All-llahut, nuk lusin zot tjetër dhe nuk mbysin njeriun që e ka ndaluar All-llahu, por vetëm kur e meriton në bazë të drejtësisë, dhe që nuk bëjnë kurvëri, ndërsa kush i punon këto, ai gjen ndëshkimin. Atij i dyfishohet dënimi ditën e kiametit dhe aty mbetet i përbuzur përgjithmonë] (Furkan:68,69).

Veprimet anarkike dhe të dhunshme nuk i përkasin fesë së pastër, të drejtë dhe të mëshirshme islame. Këtë nuk e pranon etika e Islamit dhe as biografia e Muhamedit a.s.

-I Dërguari i Allahut ka thënë: “Largojuni shtatë mëkateve shkatërruese! …” dhe ndër to përmendi vrasjen e njeriut të pafajshëm. (Buhariu dhe Muslimi).

-Në një transmetim tjetër, ai tha: “Mëkatet më të mëdha janë: T’i përshkruash Allahut shok, të vrasësh një njeri, mosrespektimi i prindërve, …”. (Buhariu dhe Ahmedi).

 

-Transmeton  Mikdad ibën Amr Kindiu, pjesëtar i Bedrit, tha: "O i Dërguari i Allahut! Me trego, nëse takoj një jobesimtar dhe kemi një luftë, ai godet dorën time me shpatë dhe e këputë atë, dhe pastaj strehohet prej meje nën një pemë dhe thotë, "Unë i jam dorëzuar Allahut (dmth. jam bërë mysliman)," a mund ta vras ​​pasi ai ka thënë kështu? " I Dërguari i Allahut () tha: "Mos e vrit." Mikdadi tha, "Por, o i Dërguari i Allahut (), ai e copëtoi dorën time dhe e tha atë fjalë në shenjë frike pasi e kishte prerë atë?!" Profeti () tha: "Mos e vrit, nëse e mbyt atë, ai do të jetë në pozicionin në të cilin ti ke qenë para se ta vrasësh atë (mysliman) dhe ti do të jesh pastaj në pozicionin në të cilin ai ishte para se shprehte besimin e tij (qafir)”. (Buhariu dhe Muslimi).

 

-Në një hadith tjetër, profeti ka thënë: “Krimet e gjakut janë mosmarrëveshjet e para që do të gjykohen mes njerëzve në Ditën e Ringjalljes”.(Buhariu dhe Muslimi)

 

-Në hadithin që e shënon Ebu Davudi, Ubadeh ibën Samit thotë se i Dërguari i Allahut ka thënë: “Besimtari vazhdon të mbetet në drejtësi dhe pa barrë mëkati (brenda sferës së fesë ) për aq kohë sa nuk derdh gjak të ndaluar. Kur e derdh gjakun e ndaluar, ai shkatërrohet”.(Buhariu)

 

-Po ashtu Profeti paqja e Zoti qoftë mbi të dhe familjen e tij thotë: “Çdo mëkat ka shpresë që ta fal Allahu, përveç njeriut qe vdes kafir (jobesimtar), apo njeriut që vret besimtarin me qëllim”. (Ebu Davudi, Nesaiu dhe Ibën Hibani).

 

-Mbytja e besimtarit konsiderohet gjynahf më i madh se sa shkatërrimi i gjithë kësaj bote. Në një hadith pejgamberi thotë: “Shkatërrimi i gjithë dynjasë është me e lehtë te Allahu sesa vrasja e një myslimani”. (Nesaiu dhe Tirmidhiu).

 

-Muhamedi a.s ka thënë: "Nuk vritet askush mizorisht e te mos ketë pjese biri i Ademit (Kabili) ne gjakun e tij (ne ndëshkim),sepse ai është i pari qe e shpiku vrasjen".(Buhariu dhe Muslimi).

 

-Ibën Amri transmeton se i Dërguari s.a.v.a. ka thënë: “Kush e vret një jomysliman që jeton i lirë në shtetin islam, nuk do ta ndiej aromën e Xhenetit, e cila ndihet dyzet vjet larg.” (Buhariu dhe Nesaiu).

 

-Abdullah Ibën Mes’udi r.a. tregon se Pejgamberi a.s. ka thënë: “Sharja e muslimanit konsiderohet paturpësi, ndërsa mbytja e tij mosbesim”. (Buhariu dhe Muslimi).

 

-Mëkati nuk vlen vetëm për vrasësin, por edhe për çdo pjesëmarrës në vrasje. qoftë me fjalë ose me vepra. Pejgamberi, paqja qoftë mbi të, ka thënë: “Kush e ndihmon vrasjen e një besimtari, qoftë edhe me një gjysmë fjale, vjen në ditën e kiametit dhe në ballë i shkruan: I dëshpëruari nga mëshira e Allahut”.

 

-Në hytben e Arafatit, ai pati thënë: “O ju njerëz, vërtetë gjaku juaj dhe pasuria juaj janë të ndaluara (të shenjta) mes jush derisa ta takoni Zotin tuaj, ashtu siç është e shenjtë kjo ditë, në këtë muaj dhe në këtë vend. A nuk ua komunikova? Thamë: Po. Tha: O Zot, dëshmo! Pastaj tha: Mos u bëni pas meje qafirë, të devijoni; të ktheheni e ta vrisni njëri tjetrin"!

 

Juristët islamë janë unanim se Sheriati islam u vu në mbrojtjen e pesë domosdoshmërive, pa të cilat nuk ka jetë, e ato janë: feja, shpirti, mendja, origjina dhe pasuria.

Çdo kush që pretendon se është mysliman, medoemos duhet t’i pranojë, t’i njohë dhe t’i zbatojë këto parime: [O besimtarë! Pranojeni Islamin me të gjitha rregullat e tij dhe mos shkoni gjurmëve të shejtanit, se ai është armiku juaj i përbetuar](Bekare, 208).

Në rregull

Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...