Shumë hoxhallarë dhe studiues bashkëkohorë gabojnë kur kundërshtojnë një medh’heb me bazat e medh’hebit tjetër, shembull: kundërshtojnë fikhun hanefij me usulin e shafive apo hadithologëve.

Ky konsiderohet gabim trashanik në gjurmimet shkencore.

Po përmendim një shembull nga Usuli Fikhu në mënyrë që të sqarohet problematika:

Sipas usulit të hadithologëve, hadithi “shadh” është kur transmetuesi i besueshëm (thikah) e kundërshton një transmetues më të besueshëm apo një grup më të madh transmetuesish…dhe si rrjedhojë ata thonë se transmetuesi që është më i fortë në memorie dhe më shumë i besueshëm duhet ti epet përparësi në përzgjedhje (الترجيح).

Dmth: Nëse transmetuesit e një hadithi kundërshtohen njëri me tjetrin, sipas hadithologëve duhet ti epet përparësi atij transmetuesi që është më i fortë në memorie dhe më i besueshëm në “Xherh dhe Tadil”.

Ky krahasim ka të bëj atëherë kur të gjithë transmetuesit janë të besueshëm dhe që mbajnë mend, mirëpo disa janë më të përpiktë se të tjerët, ndërsa për transmetuesit e dobët ka tjetër muhabet. Për këtë arsye pra ka lind nevoja e dhënies përparësi e disa ndaj disa tjerëve. Kriter i hadithologëve ka qenë memoria e fortë dhe elementi shumicë.

Elementi shumicë ka quar peshë tek ta edhe në përzgjedhjen e fetave, derisa dijetari shafij Ebu Is’hak Shejrazi ka thënë: “Në qoftë se në njërën prej dy pikëpamjeve ka më shumë sahabe ndërsa në tjetrën më pak, i epim përparësi shumicës ndaj pakicës...”.( شرح اللمع 2/751). Ibën Kajimi ka përmendur se: “Nëse në njërën anë janë kalifët e drejtë, s’ka dyshim se ai mendim është i saktë,e nëse shumica e tyre janë në një krah, e vërteta në atë krah është më e mundshme”.( أعلام الموقعين 4/122).

Por e gjithë kjo nuk shkon sipas usulit të hanefive.

Sipas usulit të shumicës së dijetarëve hanefij, hadithi “shadh” është çdo hadith që kundërshton Kuranin. Pasi që Kurani është dallues i të vërtetës nga gënjeshtra, vërtetues i librave të mëparshëm dhe garantues i tyre dhe u sqaron krishterëve dhe jahudive atë për çka u përçanë, atëherë më parësore është që të na e tregojë neve të vërtetën e haditheve kontradiktore dhe medh’hebeve të përçara.

Fukahatë tanë nuk kanë punuar me rregullin e mësipërm të hadithologëve, por ata kanë marrë në konsideratë të qenit e transmetuesit “Fekih” më tepër sesa të qenit e tij “Thikat” dhe i kanë dhënë përparësi hadithit që përkon me Usulet e Përgjithshme ndaj atij që kundërshton Usulet edhe nëse këtë të fundit e transmetojnë dhjetë veta...

Sipas hanefive, nëse dy apo më shumë hadithe janë transmetuar me versione të ndryshme apo kundërshtohen mes vete, përzgjedhja mes tyre nuk bëhet me “shumicë” por me argument. (لا يرون الترجيح بالكثرة بل بقوة الدليل)

Sipas usulit hanefij, nëse kundërshtohen hadithet mes veti, atëherë muxhtehidi duhet të hulumtojë në fjalët e sahabeve dhe në kijas. Sahabët ishin më të diturit në zgjidhjen e kundërshtimeve dhe fjalët e tyre kanë prioritet ndaj kijasit. E nëse edhe mendimet e tyre nuk janë unike mes veti, atëherë muxhtehidi vepron sipas atij mendimi që nuk është në kundërshtim me kijasin dhe parimet e përgjithshme të islamit.

Kur jemi te pasimi i shumicës, duhet ta kemi parasysh se shumica nuk është prej shenjave të hakut, e as pakica prej tipareve të së kotës. Allahu i madhëruar nuk na ka urdhëruar që të pasohet shumica, bile në shumë ajete të Kurani e ka qortuar atë. Të krishterët apo qafirët në përgjithësi, janë më të shumtë në numër se myslimanët, por kjo nuk është argumentse ata janë në të vërtetën e islami është i kotë.

Allahu e shpërbleftë Ali ibën Ebi Talibin r. a, i cili kur u pyet: “O prijës i besimtarëve, si ka mundësi që banorët e Shamit (ushtria e Muaviut) aq shumë që janë, të jenë të gjithë në të kotën, e banorët e Irakut (ushtria jonë) megjithëse janë pak, të jenë në të vërtetën?Ai itha: O komshi, tu paska mbështjell e vërteta. Haku nuk njihet me burra, por burrat janë ata që njihen me hak. Njihe të vërtetën, i njeh pasuesit e saj, qofshin ata pak apo shumë, dhe njihe të kotën i njeh pasuesit e saj, qofshin ata pak apo shumë”.

Në një transmetim tjetër, kur Aliu a.s. është pyetur për synetin, bidatin, xhematin dhe ndarjen nga xhemati (furkatin), ka thënë: “Syneti është ajo që ka trasuar Muhamedi alejhi selam, bidati është ajo që e kundërshton synetin, xhemati është mbledhja rreth ndjekësve të hakut edhe nëse janë pak, ndërsa ndarja nga xhemati (grupi i devijuar) është pasimi i ndjekësve të së kotës edhe nëse ata janë shumë”.

E nëse dikush thotë: A nuk është transmetuar nga profeti, paqja qoftë mbi të, se ka thënë: “Kapuni për pjesën më të madhe (Sevadul Adham)”. Ky hadith argumenton se imitimi i shumicës është më parësore.

Themi: Nëse ky hadith është i saktë, atëherë aludon në ixhmanë e ymetit; sa herë që ymeti islam bashkohet në një çështje sheriatike, duhet të pasohen ata dhe nuk lejohet kundërshtimi i tyre. Pra hadithi aludon në ixhma, e jo pasimin e kallaballëkut.

Përfundimisht: Rregulla e sipërme e hadithologëve sipas hanefive nuk është fleksibile, sepse transmetuesi që është më pak i besueshëm (ثقة) ka mundësi të ketë qenë fekih dhe ta ketë shoqëruar shejhun e vet (الملازمة) më tepër sesa transmetuesi më shumë i besueshëm (أوثق منه) që ka marrë hadithe nga ky shejhu, prandaj në këtë rast pranimi i transmetimit të tij ka më përparësi, e kështu me radhë.

Kjo ishte një përpjekje e vockël dhe e shkurtë për sqarimin e një shkaku të një divergjence usuli mes medh’hebeve, me sqarimin e së cilës mund të kuptohen me qindra mospajtime fikhu.

Drilon Gashi