Nëse dikush thotë: A konsiderohet një vepër kufër që të nxjerr nga feja, nëse nuk i bashkëngjitet asaj diçka prej punëve të zemrës? Në kuptimin: Nëse asaj vepre të thjeshtë nuk i shtohet diçka prej bindjeve të zemrës që të nxjerrin nga besimi?

Fillimisht deklarojmë se: Në fenë tonë është e qartë se Allahu është i vetmi që meriton adhurimin dhe s’ka të adhuruar tjetër më meritor pos Tij. Kush e adhuron Allahun dhe adhuron me Të dikë tjetër, apo vetëm e ka këtë bindje, atëherë i tilli ka bërë shirk dhe kufër dhe ka dalë prej dinit.

Mirëpo, a konsiderohet një veprim i thjeshtë ibadet, nëse atë veprim nuk e shoqëron akideja e cila e shndërron atë në ibadet?

Muhamed ibën Abdulvehabi dhe pasuesit e tij mendojnë se disa vepra vetvetiu janë ibadet. Rukuja dhe sexhdja atij që i bëhet ruku dhe sexhde, dhënia e një pjesë të pasurisë të varfrit, agjërimi, qëndrimi në Arafat apo në xhami, tavafi rreth Qabesë, prerja e kafshëve për atë që theret, këndimi i kuranit, shpërngulja prej vendeve të kufrit në vendet myslimane, etj, sipas tyre konsiderohen ibadete, edhe nëse këto veprime nuk shoqërohen me qëllimin e ibadetit dhe vepruesi nuk e kanjetin që përmestyre të bëj ibadet!.

Mirëpo ky mendim i tyre është gabim, sepse ka mundësi që njeriu ti japë të varfrit diçka prej pasurisë së tij në shenjë të ndihmës së ndërsjellë njerëzore, dhe ka mundësi që të abstenojë nga gjërat që prishin agjërimin një ditë të plotë për shkak të shëndetit apo shërimit, dhe ka mundësi që nga malli dhe nostalgjia e madhe për shtëpinë e babait apo mësuesit të tij të sillet rreth e përqark duke puthur këndet dhe muret e saj, dhe ka mundësi e viziton atë një mik i largët dhe për hatër të tij therë një kafshë, dhe ka mundësi të këndojë kuran apo përsëritë mësimin përmendsh të tij që ta provojë elokuencën e tij, e kështu me radhë.

Tash: A janë këto veprime ibadete? ! Përgjigja e qartë këtu është: Jo.

E vërteta është se çdo veprim çfardo qoftë ai, nuk konsiderohet ibadet, derisa të kryhet me qëllim nënshtrimi dhe afrimi për hatër të atij që janë vepruar, dhe të shoqërohet me bindjen se ai është zot apo i adhuruar.

Njeti pra është ajo vija ndarëse që sqaron qëllimin e veprimit.

Për këtë, dëshmon hadithi sherif i pejgamberit a. s në të cilin ka thënë: “Veprat janë sipas qëllimeve”.

Abstenimi nga gjërat që prishin agjërimin nga agimi gjer në perëndim të diellit nuk është ibadet, përveç nëse bëhet me qëllim të nënshtrimit dhe afrimit ndaj Allahut dhe dëgjim ndaj urdhrit të Tij, duke besuar njëkohësisht se Ai është Zot dhe meriton adhurimin. Po kështu është edhe me qëndrimin në Arafat ditën e Arafatit, tavafin rreth Qabesë së Shenjtë, therjen e kurbanit, itikafin dhe leximin e Kuranit, etj.

Çdo punë që në vete ngërthen madhërim nuk konsiderohet në esencën e saj ibadet, përpos kur shoqërohet me bindjen se atij që ia kemi kushtuar këto veprime është Zot dhe meriton adhurimin.

Argument kemi fjalën e Allahut xh. sh: [E kur u thamë engjëjve: bini në sexhde Ademit, ata menjëherë iu përulën. . . ] (Bekare, 34).

Sexhdja është prej ibadeteve më të larta, që më së shumti ngërthen përulësi dhe madhëri, megjithëkëtë sikur ajo të konsiderohej ibadet vetëm pse thjeshtë është përulje, do të nënkuptohej se Allahu i madhëruar i paska urdhëruar melaiket ta adhurojnë një krijesë prej krijesave të Tij! I lartë është Allahu nga një fjalë e tillë.

Argument tjetër është edhe fjala e Allahut xh. sh. në tregimin e Jusufit: [ Dhe ai të dy prindërit e vet i mori lart në fron (i uli pranë vete), e ata i bën sexhde atij. . . ] (Jusuf, 100). Sikur kjo të ishte shirk, Allahu do ta kundërshtonte!

Ka mundësi që dikush ta kundërshtojë këtë argument, pasi sexhdja këtu i është bërë Jusufit në shenjë nderimi, e kjo ka qenë e lejuar në legjislacionet e mëparshme, dhe si normë është e anuluar dhe shfuqizuar në sheriatin tonë islam.

Përgjigja: Në çështjet e teuhidit dhe shirkut s’ka dallim mes ligjeve hyjnore, prandaj këtu s’ka mundësi të hyjë shfuqizimi (nes’hi). Po, ka mundësi që një vepër siç është sexhdja e nderimit të ketë qenë e lejuar për popujt e kaluar, dhe pastaj të vije ndalesa dhe të anulohet për një popull tjetër, mirëpo nuk ka mundësi që një vepër prej veprave të lejohet në një sheriat prej sheriateve hyjnore, e të jetë shirk i madh që të nxjerr nga feja në një sheriat tjetër.

Me dy ajetet që përmendëm dhe me hadithin (veprat janë sipas njetit) u vërtetua se vepra-edhe nëse me të synohet madhërimi-nuk është ibadet nëse nuk shoqërohet me bindje dhe akide që e shndërrojnë atë në ibadet. Si rrjedhojë, ajo vepër nuk është kufër që të nxjerr nga feja, nëse nuk i bashkohet asaj puna e zemrës, pra pa iu bashkuar asaj diçka prej bindjeve apo besimeve që janë kufër.

Vërejtje: Kjo që deklaruam deri këtu, nëse nuk konsiderohet shirk që e nxjerr personin nga feja, nuk don të thotë tani që neve ti neglizhojmë punët, sidomos ato që janë buzë kufrit, apo ato që të qojnë në shirk dhe janë përngjasim me punët e qafirave. Pra keni kujdes o besimtarë!

Disa vehabij kanë thënë: Vepra mund të jetë kufër, edhe nëse nuk i shoqërohet asaj akideja e kufrit, dhe argumenti për këtë është fjala e Allahut xh. sh: [ Ata i konsideruan priftërit jehudi të tyre, murgjit e krishterë të tyre dhe Mesihun (Isain) birin e Merjemes, për zota pos All-llahut, ndërsa ata nuk janë urdhëruar për tjetër (nga pejgamberët) pos për adhurimin ndaj All-llahut një, e që nuk ka të adhuruar tjetër pos tij. I lartë është Ai nga çka i shoqërojnë ] (Teube, 31). Kjo sipas tyre ka kuptimin se pasimi i thjeshtë që bijtë e Izraelit ua bënë prijësve të tyre në hallall dhe haram kishte peshën e marrjes së tyre zota pos Allahut dhe se kjo vepër e tyre u konsiderua punë kufri që i nxori ata nga feja, pa përmbajtur donjë bindje kufri, dhe vetëm pasimi i tyre në këtë kotësi u numërua si adhurim ndaj tyre!.

Them: Ai që ka thënë këtë nuk ka treguar kujdes, sepse ajo që e ka bërë këtë punë të konsiderohej si dalje nga dini dhe ibadet i priftërinjëve dhe murgjve, ka qenë konsiderimi i gjërave haram hallall, duke e ditur se ato janë haram. Dihet se të bërit e një vepre të ndaluar hallall, është kufër dhe cenim i teuhidit hakimije; që është se vendosja e gjykimit i takon vetëm Allahut I.

Transmeton Tirmidhiu dhe të tjerët nga Adij ibën Hatimi se ka thënë: Kam ardhur te pejgamberi r dhe e dëgjova të lexon nga kaptina Teube, ajetin: [ Ata i konsideruan priftërit jehudi të tyre, murgjit e krishterë të tyre dhe Mesihun (Isain) birin e Merjemes, për zota pos All-llahut, ndërsa ata nuk janë urdhëruar për tjetër (nga pejgamberët) pos për adhurimin ndaj All-llahut një, e që nuk ka të adhuruar tjetër pos tij. I lartë është Ai nga çka i shoqërojnë ] (Teube, 31) e pastaj ka thënë: Ata nuk i kanë adhuruar me adhurimin të cilin ju mendoni(nuk u janë falur atyre e as nuk kanë agjëruar për ta), mirëpo (iu janë nënshtruar në gjynahe) kur prijësit e tyre e konsideronin një gjë hallall (duke e ditur se ajo ndalohet) e bënin hallall, dhe kur u thonin se diçka është haram (ndërsa ajo ishte hallall) i pasonin ata dhe e bënin haram[1].

Gjithashtu ka transmetuar Abdurrezaku në tefsir dhe Seid Ibën Mensuri, se një burrë ka pyetur Hudhejfën r. a: O Ebu Abdilah, çfarë mendon për fjalën e Allahut : [ata i konsideruan priftërit jehudi të tyre dhe murgjit e krishterë të tyre për zota pos All-llahut ], a u kanë bërë ibadet atyre? !. Tha: Jo, mirëpo kur u thuhej se diçka është hallall e bënin hallall dhe kur për diçka u thuhej se është haram, ata e konsideronin të tillë (edhe pse e dinin të kundërtën)[2].

Për këtë arsye, kur kërkuesi i një fetvaje e pason një myfti që jap feta në haram dhe hallall, në të kundërtën e asaj që gjendet në librin e Allahut, e ai e din këtë, plus e sheh si punë të lejuar, kjo është kufër dhe dalje nga feja, s’ka këtu dyshim.

Shkrimi është bazuar në disa elaborime të dr. Sallahuddin Idlibiut.

Shkroi hoxhë: Drilon Ibrahim Gashi

[1] E shënon Taberiu në tefsirin e tij. Teksti tek Taberiu thotë: I thash: O I dërguar I Allahut, ne nuk kemi qenë që I kemi adhuruar? !Tha: A nuk ishin që ua ndalonin atë që Allahu ua bëri hallall dhe ua lejonin atë që Allahu ua bëri haram? Thashë: Po. Tha: Ky është ibadeti juaj që ua keni përkushtuar atyre.

[2] Hadithin e Hatimit e shënon Tirmidhiu në Sunen, Taberiu, Ibën Ebi Hatimi; të dy këta në tefsirin e tyre, Taberaniu në Kebir, Bejhekiu në Sunen, me zingjir transmetimi nga Abduselam ibën Harbi, nga Gatif ibën Ajni, nga Musab ibën Sadi, nga Adij ibën Hatimi.

-Abduselam ibën Harbi është kufian, i besueshëm (thikah), në të ka pak dobësi dhe tedlis. Ka lindur në vitin 91 hixhrij dhe ka vdekur në vitin 187 h.

- Gatif ibën Ajniun e ka përmendur ibën Hibani në librin e tij “Thikat”, dhe nuk është e vërtetë se Darekutniu e ka klasifikuar si transmetues të dobët.

- Musab ibën Sadi është medinelij, burrë i besueshëm. Vdiq në vitin 103 h.

-Adij ibën Hatimi është sahabij i njuhur i cili ka banuar në Kufe. Vdiq në vitin 67h.

Transmtimin e dytë nga ai e shënon Taberiu në tefsir me sened nga Abduselam ibën Harbi e deri tek ai.

Hadithin e Hudhejfës e shënon Abdurrezaku në tefsir, Seid Ibën Mensuri, Taberiu, Ibën Ebi Hatimi që të dy këta në tefsirin e tyre dhe Hatib Bagdadiu në librin “Fekih ve Mutefekih” nga Habib ibën Ebi Thabiti, nga Ebi Buhteriu, nga Hudhejfe.

- Habib ibën Ebi Thabiti është kufian, burrë i besueshëm, bën shumë tedlis dhe irsal, vdiq në vitin 119 h.

-Ebu Buhteriu është Seid ibën Fejruzi, edhe ky prej Kufes, i besueshëm. U vra në Dexhil në vitin 83h dhe nuk ka arritur të dëgjojë hadithe prej Hudhejfe ibën Jemanit I cili ka vdekur në vitin 36 h.

Rrezultati: Hadithi ka gradën e hasenit.

Në rregull

Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...