Vehabitë kanë thënë: Lutja e të vdekurve dhe kërkimi i ndihmës prej tyre është shirk. Në qoftë se një person mendon se lejohet të lutet dikush tjetër pos Allahut , si p. sh. të luten melaiket apo profetët, atëherë ai bëhet renegat dhe del nga islami, sepse Allahu xh. sh. ka thënë: [Kjo, ngase All-llahu është Ai i vërteti, dhe atë që lusin ata pos Tij është e kotë. All-llahu është vërtet Ai i larti, i madhi](Haxh, 62) dhe ka thënë: [ Pra, adhurojeni All-llahun me një adhurim të sinqertë ndaj Tij, edhe pse jobesimtarët e urrejnë atë (adhurimin)](Gafir, 14). Këtu hyn edhe ajo që e bëjnë sot “adhuruesit e varreve” në shumicën e vendeve, të cilët u luten të vdekurve, kërkojnë ndihmë dhe medet prej tyre, sikur që thonë disa prej tyre: O zotëria im, medet, medet, o zotëria im ndihmë, ndihmë!

Themi: Vehabitë të cilët nxitojnë në shpalljen e myslimanëve si qafirë, mendojnë se lutja dhe kërkimi prej dikujt tjetër pos Allahut konsiderohet shirk i madh që të nxjerr nga feja.

Fjala tani nuk është se a lejohet në sheriat kjo gjë apo nuk lejohet, por ka të bëjë me një çështje serioze, e ajo është se kjo vepër a është në të vërtetë shirk i madh (idhujtari) apo jo?! Midis dy normave ka dallim shumë të madh, ma shumë sesa distanca mes lindjes dhe perëndimit, sepse ka mundësi që një çështje të jetë sheriatikisht e paligjshme, mirëpo nuk është shirk apo idhujtari që të nxjerr nga feja, por mund të jetë e ndaluar (haram), e urryer (mekruh) apo e dyshimtë. Në qoftë se është idhujtari, atëherë vepruesi i kësaj vepre gjykohet si heretik dhe i dale feje, e në qoftë se nuk është idhujtari, atëherë vepruesi i saj gjykohet siç e meriton sipas sheriatit, mirëpo nuk del nga feja.

Kjo është një mesele shumë e hollë dhe e rëndësishme, e kush e shpallë një besimtar qafir-nëse tekfiri i tij nuk është gabim në ixhtihad-atëherë ai vet ka bërë kufër, prandaj duhet të kemi shumë kujdes!

Për ta sqaruar këtë çështje themi: Allahu xh. sh. i ka urdhëruar robërit e Tij që ti luten Atij, dhe i dërguari i Allahut a. s. na ka treguar se duaja është ibadet, mirëpo vepra si vepër kemi sqaruar se nuk është ibadet përpos nëse shoqërohet me bindjen e hyjnisë dhe zotësisë (itikadin e rrububijes dhe uluhijes).

Bazuar në këtë, kush e lutë dikë tjetër pos Allahut, duke besuar se ai (i luturi) posedon dobi dhe dëm prej qenies së tij, atëherë ka rënë në idhujtarizëm. Ndërsa kush e lutë dikë tjetër pos Allahut, duke besuar se ai nuk posedon nga qenia e tij asgjë, dhe nuk e lutë vetëm se në kuptimin që Allahu e ka autorizuar atë të qeverisë me disa gjëra në pushtetin e Tij, në këtë kontest nuk kemi të bëjmë me idhujtarinë aspak, por problematika tek ai qëndron në legjitimitetin e veprës si vepër.

E nëse dikush pyet: A u jep Allahu liri të qeverisjes disa robërve të Tij të udhëheqin mbi disa prej krijesave të Tij, me lejen dhe urdhrin e Tij?

Këtu na përgjigjet vetë Ibën Kajim Xheuzie-nxënësi i ibën Tejmijës, i cili në librin “Tibjan fi Aksamil Kuran” ka thënë: “Ajeti [ Betohem në ata që bëjnë ndarjen e çështjeve] (Dharijat, 4) ka për qëllim melaiket, sepse çdo gjë që shihet nga menaxhmenti I botës, qoftë në qiell dhe tokë, apo në ato gjëra që nuk shihen, bëhet përmes duarve të melaikeve. Zoti i lartësuar e udhëheq botën përmes tyre dhe secilin grup prej tyre e ka porositur me punë të caktuara. Një grup prej tyre e ka porositur me punën e diellit, hënës, yjeve dhe universeve, grupin tjetër e ka porositur me punën e vdekjes dhe marrjes së shpirtrave, tjetrin që ti ruajnë bijtë e Ademit, e kështu me radhë. Për secilën çështje të botës Ai ka caktuar nga një grup të posaçëm të melaikeve që kujdesën për to”.

Bazuar në këtë dhe atë që kemi thënë më parë se vetëm veprimi i thjeshtë nuk konsiderohet shirk, vijmë në konkluzion se nëse një besimtari mysliman i janë ngushtuar rrugët në një vend në shkretëtirë dhe thërret: O robër të Allahut, ndihmomëni, duke synuar p. sh. ndihmën e melaikeve të cilët janë caktuar ti mbrojnë bijtë e Ademit, kjo nuk ka pse të jetë shirk aspak.

Bile një veprim i tillë na e transmeton Abdullahu-i biri i imam Ahmedit- prej babait të vet, në librin e tij që ka përmbledhur pyetjet të cilat ia ka parashtruar babait të tij.

Abdullahu thotë: “Kam dëgjuar babanë tim (Ahmedin ) të thotë: “Kam kryer Haxhin pese here, dy prej tyre I kam bërë hipur në kafshë, e tre tjerë I kam bërë në këmbë, ose; tre hipur dhe dy në këmbë, e një dite isha duke ecur dhe kisha humbur rrugën, e unë fillova të them (të therras melaiket në ndihmë): "O robër të Allahut na tregoni rrugën". Tha: Qëndrova kështu duke thirrur derisa e gjeta rrugën". Abdullahi (në fund të këtij transmetimi) tha: Ose siç tha babai im”.

Disa njerëz mendojnë se kjo fjalë e Ahmedit nuk është e vërtetë, mirëpo kjo thënie e tyre është thjeshtë një dyshim pa kurrfarë argumenti, pasi që kjo fjalë e tij është transmetuar në librin “Mesail Imam Ahmed”(fq. 217), ku vet Abdullahu aty i ka parashtruar pyetje babait të tij. Dorëshkrimi i këtij libri-që është prej librave amë në medh’hebin hambelij-përcillet nga Ebu Alij, Muhamed ibën Ahmed ibën Hasen Savafi, i cili është transmetues i besueshëm (thikah). Të njëjtin tregim e ka shënuar edhe imam Bejhekiu në librin “Shuabul Iman” (nr. 7697, vëll. 6/ fq. 128), përmes një rruge tjetër, nga Abdullahu. Pra kjo fjalë që përcillet këtu nga Ahmedi r. a, ka dy rrugë transmetimi dhe është e vërtetë dhe e saktë[1].

Nuk pyetet këtu pse imam Ahmed ibën Hanbeli nuk e luti Allahut xh. sh? Sepse, në realitet lutja që bëri ai ishte lutje kushtuar Zotit në kuptimin se Ai është Zot i shkaqeve, dhe lutje kushtuar robërve të Zotit në kuptimin se ata ishin shkaqe. Fjala e tij kur tha (O robër të Allahut) tregon se ai iu lut atyre me pozitën që Allahu ua kishte dhuruar atyre, sikur deshi të thotë: (O Zot, kërkoj prej Teje atë gjë që ti e ke lënë në dorë të robërve të Tu. Ti je Ai që u ke dhënë pushtet atyre tu dalin në ndihmë nevojtarëve, prandaj ma lehtëso këtë barrë përmes tyre).

Kush nuk e kupton thelbin e kësaj meseleje, imam Ahmedi, djali i tij Abdullahu dhe dijetarët hambelij që e përcollën këtë tregim, që të gjithë pa përjashtim i bie të jenë idhujtarë qafirë!!!, e Zoti na ruajtë nga një pretendim i tillë. Po kështu, të gjithë hadithologët që e transmetuan këtë tregim në librat e tyre duke heshtur ndaj tij, të gjithë –sipas kuptimit të tyre- duhet të jenë idhujtarë dhe heretik!!!, Zoti na ruajtë prej kësaj fjalë.

Në këtë mesele është transmetuar një hadith meukuf, ku disa haditholog e kanë shënuar atë në librat e tyre të hadithit:

-Transmeton Ibën Ebi Shejbe në Musanef, Bezari dhe Bejhekiu në “Shuab” dhe “Adab” nga Ibën Abasi, se ka thënë: “ Allahu pos melaikeve ruajtës, ka edhe engjëj tjerë të cilët shënojnë çdo gjeth që bie, e nëse dikë prej jush e zë një bela duke qenë në udhëtim, le të thërrasë: Ndihmë, o robër të Allahut, Allahu iu mëshiroftë ”.

Në zingjirin e transmetimit të tij ka pak dobësi. Hadithi është fjalë e Ibën Abasit. Transmetuesi në musnedin e Bezarit, edhe pse është i besueshëm, mirëpo ai gabon kur e përcjell këtë fjalë si hadith profetik.

Tek ibni Ebi Shejbe i njëti tregim përcillet si hadith profetik, me tekstin:

-Ka thënë Muhamedi alejhi selam: "Nëse ndonjëri prej jush humb diçka , ose ndonjëri prej jush dëshiron të kërkoj ndihmë , dhe është në një tokë të shkretë që nuk ka njeri, atëherë le të thotë: O rob të Zotit më ndihmoni , o rob të Zotit më ndihmoni, sepse Allahu ka robër të cilët ne nuk i shohin”.

Me e saktë është se ky hadith është fjalë e Ibën Abasit e jo hadith profetik, siç përmendëm.

-Këtë lajm e ka shënuar gjithashtu edhe Ebu Jala, Ibën Suniu në librin “Amel Jevmi ve Lejleti dhe Tabaraniu në “Muxhemil Kebir” nga Ibën Mesudi, se profeti r ka thënë: "Nëse ndonjëri prej jush i ikën kafsha në shkretëtirë le të thërret: O robë të Zotit, kapeni!O robër të Zotit kapeni!Sepse Allahu ka ndihmës në tokë që do ta kapin atë”.

Zinxhiri i këtij transmetimi është shumë i dobët. Imam Bejhekiu pasi përmendi këtë transmetim në librin “Adab”tha: Ky hadith është thënie e Ibën Abasit. Atë e kanë praktikuar njerëzit e mirë (salihinët) prej dijetarëve, dhe e kanë vërtetuar saktësinë e tij praktikisht[2].

Të njëjtën gjë e konfirmon edhe imam Neveviu në librin e tij “Edhkar”.

Pika kyçe këtu është praktika e këtyre hadithologëve që i kanë bartur këto transmetime në librat e hadithit. Sikur kjo vepër të ishte shirk i madh, nuk do ti kishin përcjellur ato lajme pa i kundërshtuar rreptë. Jo që nuk i kundërshtuan, por edhe vet i praktikuan, gjë që aludon në lejesën e një veprimi të tillë[3].

Nëse kjo gjë është e lejuar me engjëj, atëherë lejohet-sipas disa komentuesve mysliman-edhe me profet dhe evlija, gjithashtu.

Ata dijetarë që mbajnë këtë mendim, argumentohen me disa fakte dhe hadithie profetike, e unë këtu po përmendi vetëm një prej tyre:

- Shënon Imam Bejhekiu një hadith me zinxhir të saktë dhe thotë: Transmeton Malik Dariut, arkëtari i kalifit Omeri r. a. se njerëzit gjatë kohës së Omerit r. a. ishin prekur nga një thatësi, gjatë të cilës një njeri erdhi tek varri i pejgamberit a. s. dhe tha: "O i Dërguar i Allahut, lutu për shi për ymetin tënd, ngase me të vërtetë ata janë duke u shuar”. Pas kësaj, pejgamberi a. s i’u paraqit atij në ëndërr dhe i tha: "Shko te Omeri dhe jepi selamet e mia, lajmëroje se do të bie shi dhe thuaj: Duhet të jesh i zgjuar, duhet të jesh i zgjuar!". Ky njeri shkoi dhe i tregoi Omerit. Ky i fundit tha: "O Zoti im, unë nuk kursej asgjë nga mundi im, përpos çka është jashtë kompetencave të mia!"

Ibni Kethiri e citon kështu nga Bejhekiu në el-Bidaje ve Nihaje dhe thotë: “Zingjiri i tij është sahih”.

Ibn Ebi Shejbeh e citon gjithashtu të njëjtin hadith në Musenefin e tij me një zinxhirë Sahih (sahih) siç është konfirmuar nga Ibn Haxheri i cili ka thënë: E ka shënuar Ibën Ebi Shejbe me zingjirë transmetimi të saktë (Shiko: Fet’hul Bari). Ai e identifikon Malik Darin si arkëtar të Omerit dhe thotë që njeriu që e ka vizituar dhe parë Pejgamberin s. a. v. s. në ëndërr është sahabiu Bilal ibën Harithe. Ai po ashtu e përmend këtë sahabij në librin mbi biografitë e sahabëve (Isabeh) dhe e cekë se këtë e ka konfirmuar edhe Ibn Ebi Hejtheme.

Imam Neveviu r. a po këtë trasmetim e vendosi në librin e tij “Edhkar” tek kapitulli “Në lidhje me viziten e Varrit të Pejgamberit a. s dhe përmendjes së tij”.

Kërkimin e tevesulit në këtë mënyre nga profeti as. në realitet e kanë konfirmuar shumica e dijetarëve islam nëpër librat e tyre të fikut, gjegjësisht tek kapitulli i haxhit, kreu: Edukata e vizitës së varrit të profetit. Shikoni shembull Ihtijarin e Meusiliut, Mugnin e Ibën Kudames, etj.

Në këtë hadith vërejmë se ky sahabiu, pas vdekjes së pëjgamberit a. s. ka shkuar të varri i tij dhe e ka thirrur: "O i Dërguar i Allahut, lutu për neve”. Një thirrje e tillë sikur të konsiderohej idhujtari, atëherë i bie që ky shok i profetit paska bërë kufër!!! Jo vetëm kaq, por edhe Omer ibën Hatabi që e ka aprovuar këtë veprim, edhe ai paska dalë dinit, sepse –sipas injorantëve- iu paska drejtuar një të vdekuri dhe paska bërë idhujtari!!!

Përsëris: Kjo mesele jona këtu nuk është për të provuar lejimin apo moslejimin e Istigathes (kërkimit të lutjes dhe ndihmës nga Melaiket, profetët dhe evlijatë), por ka për qëllim të sqarojë se një akt i tillë a është shirk i madh apo jo?.

Kush i lutet një profeti prej profetëve të Allahut të madhëruar apo një të dashuri të Allahut (velije) prej evliave të Tij duke thënë: ”O zotëria im, medet, medet, apo duke thënë: Lutu për mua, duke besuar se ai profet apo velij nuk posedon diçka prej qenies së tij, porse shpirti i tij ka mundësinë e fluturimit në kozmos dhe i ndihmon nevojtarët me lejen e Allahut, atëherë kjo vepër nuk mund të dënohet si shirk apo idhujtari, sepse personi me këto fjalë nuk i ka shoqëruar Allahut xh. sh. shok as në hyjnim (rrububije) e as në adhurim (uluhije).

Shkrimi është bazuar në disa elaborime të dr. Sallahuddin Idlibiut.

Hoxhë: Drilon Ibrahim Gashi

[1] Këtë tregim imam Bejhekiu në librin “Shuab” e ka transmetuar nga hafizi Ebu Abdullah Hakim-autori i librit të njohur Mustedrek, nga imami dhe hafizi Ahmed ibën Selman Nexhadi I cili ishte fekih hambelij, nga Abdullahu djali I imam Ahmedit, Allahu e mëshiroftë.

- Ahmed ibën Selman Nexhadi ka qenë fekih I Bagdatit, është transmetues I sinqertë (saduk). Hatib Bagdati për të ka thënë: Ka thënë Darekutniu: ”Ka ndodhë të ketë transmetuar hadithe prej librit të tjetërkujt, që nuk kanë qenë prej shkrimeve të tij”. Hatib Bagdati I shton kësaj fjale dhe thotë: Në fund të jetës së tij është verbuar, e ndoshta dikush prej studentëve të tij ka lexuar hadithe para tij, siç tha Darekutniu. Vdiq në vitin 348 sipas hixhretit në moshën 95 vjeçare.

[2] E ka shënuar Ibën Ebi Shejbe në Musanef dhe Bejhekiu në librin Adab përmes tri rrugëve të transmetimit.

1-Nga Usame ibën Zejd Lejthi, nga Eban ibën Salih ibën Umejri, nga Muxhahidi, nga Ibën Abasi se ka thënë: ”Allahu pos melaikeve ruajtës, ka edhe engjëj tjerë të cilët shënojnë çdo gjeth që bie, e nëse dikë prej jush e zë një bela duke qenë në udhëtim, le të thërrasë: Ndihmoni o robër të Allahut, Allahu iu mëshiroftë!”.

Usame ibën Zejd Lejthi ka qenë prej Medines, në të ka dobësi.

Eban ibën Salih ibën Umejri nga Medineja, i besueshëm (thikah).

Muxhahidi është Muxhahid ibën Xhebri, tabein i njohur nga Mekka, i besueshëm.

Ky zingjir është fjalë e Ibën Abasit dhe siç shikohet në të ka dobësi.

2-Hadithin e ka shënuar edhe Bezari në Musnedin e tij përmes një rruge tjetër të transmetimit;nga Usame ibën Zejd, nga Eban ibën Salih, me të njëjtin tekst, si hadith profetik.

3-Hadithin e ka përcjellur edhe Ibën Ebi Shejbe përmes Muhamed ibën Is’hakut, nga Eban ibën Salihu, se profeti r ka thënë: Nëse ndokujt prej jush i ikën kafsha apo devja në një shkretëtirë ku s’ka njeri, le të thotë: Më ndihmoni o robër të Allahut, sepse ai do të ndihmohet”. Më e saktë është se ky hadith është fjalë e Ibën Abasit r. a.

4-Hadithin e ka shënuar edhe Ebu Jala në Musnedin e tij, Ibën Suniu në librin Amelu Jevmi ve Lejleti dhe Tabaraniu në Muxhemil Kebir përmes rrugës së Maruf ibën Hasan Samerkandiut, nga Seid ibën Ebi Urbeh, nga katode, nga Ibën Burejde, nga Abdullah ibën Mesudi, nga i Dërguari i Allahut r se ka thënë: "Nëse ndonjëri prej jush i ikën kafsha në shkretëtirë le të thërret: O robë të Zotit, kapeni!O robër të Zotit kapeni!Sepse Allahu ka ndihmës në tokë që do ta kapin atë”.

Maruf ibën Hasan Samerkandiu është transmetues i dobët (munkerul hadith).

[3] Edhe shejh Albani r. a e ka konsideruar të fortë transmetimin e Imam Ahmed Ibn Hanbelit r. a.

Shiko Silsile Hadith daifa (2/ 109). Ai aty ka thënë: “Duket se hadithin që përcillet nga Ibën Abbasi, Imam Ahmedi e ka konsideruar të fortë , sepse ka punuar me të në çështjet akaidore, ashtu siç na tregon i biri i tij Abdullah në librin "MESAIL” (fq. 217). Po ashtu këtë veprim të Imam Ahmedit e përcjell edhe el -Bejheki në" SHUAB "( 2/455/2 ) dhe Ibn Asakir ( 3/72/1 ) nga Abdullahu, me zinxhir të saktë”.

Pastaj shejh Albani tha: ”Kjo çfarë ka vepruar Imam Ahmedi, është argumentuar me hadith shih. Hadithi është ky: Ka thënë Muhamedi alejhi selam: "Nëse ndonjëri prej jush humb diçka , ose ndonjëri prej jush dëshiron të kërkoj ndihmë , dhe është në një tokë të shkretë(shkretëtirë), e nuk ka njeri, atëherë le të thotë: O rob të Zotit më ndihmoni , o rob të Zotit më ndihmoni, sepse Allahu ka robër të cilët ne nuk i shohin” . Transmeton imam Tabarani në "Kebir"( 6/55/1 ). (Përfundoi fjala e tij).

Në rregull

Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...