Prej fletushkave të Muhamed ibën Abdulvehabit, është edhe libërthi “Navadikul Islam”, në të cilën ai ka përmendur dhjetë pikat kryesore, ku sipas tij, prishin islamin e besimtarit, në kuptimin se: kush bie në njërën prej këtyre pikave, ai ka bërë kufër apo shirk, ka dalë feje dhe klasifikohet prej heretikëve.

Në këtë shkresë -që është e njohur tek pasuesit e tij- në pikën e tetë, ai ka thënë:

“Prej shirkut është edhe përkrahja e mushrikëve dhe ndihma e tyre kundër myslimanëve. Argument për këtë është fjala e Allahut të lartësuar: [. . . E kush prej jush i miqëson ata, ai është prej tyre. Vërtetë All-llahu nuk vë në rrugë të drejtë popullin zullumqarë] (Maide, 51)”.

Sipas vehabistëve tekfirist, kush i ndihmon jomyslimanët kundër myslimanëve, me çfarëdo lloj ndihme ndaj tyre, është kafir sikur ata, edhe nëse ai e urren kufrin dhe e do islamin dhe myslimanët!!!

Themi:

Përkrahja e mushrikëve dhe ndihma e tyre kundër myslimanëve, nëse ndodh për shkak të dashurisë me zemër ndaj tyre dhe fesë së tyre, atëherë kjo është shirk i madh, ndërsa nëse një gjë e tillë ndodhë për diçka tjetër, f. v- disa mysliman e bëjnë këtë, mirëpo ata e urrejnë kufirin dhe punën që po e bëjnë, e dinë se ky veprim i tyre është punë e epshit që i nxitë ata për të bërë keq dhe është gjynah dhe shfrenim- në këtë rast nuk është shirk i madh. Njëjt është edhe me atë person që e bën këtë gjë për shkak të devijimit dhe hutimit nga rruga e drejtë, duke harruar kuptimin e kufrit, siç i ka ngjarë edhe Hatibit, Allahu qoftë i kënaqur me të.

Në hadithe përmendet se pejgamberi alejhi selam vendosi ta marrë Meken pa luftë dhe lajmin e hyrjes në Meke e mbajti të fshehtë. Por një nga shokët e Profetit me emrin Hatib ibnu Ebi Beltea, u dërgoi fjalë Kurejshëve mbi atë që kërkonte të bëjë Profeti a. s[1].

Transmeton Buhariu , Muslimi dhe të tjerët, kur kanë folur për tregimin e Çlirimit të Mekës, nga Aliu, Allahu ia fisnikëroftë fytyrën, i cili ka thënë: Më ka dërguar Profeti alejhi selam, mua, Zubejrin dhe Mikdadin ti vihemi pas asaj gruas dhe t’ia marrin letrën, duke na porositur: Shkoni shpejt derisa të arrini tek parku i Hahut, aty është një grua që ka me vete një letër, merrjani asaj!

E gjetëm hypur në një deve bash aty ku na tha profeti a. s. I thamë: Ku e ke shkresën që e mban me vete? Tha: Unë nuk kam kurrfarë shkrese! Shkuam drejt saj, e zbritëm, ia bastisëm barrën që kishte në deve, por nuk gjetëm asgjë. Të dy shokët e mi më thanë: Nuk po shohim asnjë shkresë! Thashë: E di se profeti, paqja qoftë mbi të, nuk ka mundësi të gënjejë. Pasha Allahun, ose do ta nxjerrësh atë shkresë, ose do të rrah fortë dhe do ti shqyej rrobat!

Tha Aliu r. a : Kur e pa vendosmërinë time, vuri dorën e saj në rroba dhe nxori letrën…

E morëm letrën dhe ia dërguam Profetit alejhi selam. Në të shkruante:Nga Hatib ibën Ebi Beltea dërguar njerëzve (politeist) të Mekes, i njoftonte ata me disa sekrete të dërguarit të Allahut, paqja qoftë mbi të. Profeti alejhi selam, e mori letrën në dorë dhe iu drejtua Hatibit: ”Çfarë është kjo, o Hatib?” Tha: O i dërguar i Allahut, mos u nxito kundër meje, unë më parë kam qenë një njeri që kam jetuar në mesin e kurejshëve. Shumë prej atyre që kanë emigruar këtu në Medine, kanë lënë atje familjarë që ua ruajnë pasurinë dhe familjet e tyre, e unë s’kam lënë askënd, prandaj desha që përmes kësaj letre të kërkoj përkrahje prej tyre, të mi ruajnë të afërmit e mi, e nuk e kam bërë këtë veprim për shkak të herezisë e as që kam pëlqyer kufirin ndaj islamit.

Atëherë Profeti, paqja qoftë mbi të, tha:Ky e tha të vërtetën. Umeri r. a. nxori shpatën dhe tha: ”O i Dërguari i Zotit, më lejo t’ia heq kokën këtij hipokriti!” Profeti, alejhi selam, ia ktheu: ”Lëre, o Umer, sepse ky ka marrë pjesë në luftën e Bedrit, e All-llahu i Madhërishëm u ka thënë (atyre që morën pjesë në betejën e Bedrit) : Veproni ç’të doni se ua kam falur!”

Në këtë hadith shohim se Omeri e quajti Hatibin mynafik dhe kërkoi leje ta vrasë, sepse sipas tij kjo ishte tradhti e madhe kundër myslimanëve, kurse Hatibi tha se ai këtë veprim nuk e kishte bërë pse kishte dalë nga feja[2], e as pse e donte kufrin pasi ishte bërë mysliman, për këtë arsye, Muhamedi paqja qoftë mbi të, e ndaloi Omerin që ta bënte atë që deshi ta bënte, dhe pranoi arsyetimin e Hatibit. Profeti e konsideroi veprën e tij gjynah e jo shirk dhe shpresoi se Allahu do ta falte, sepse ai kishte marrë pjesë në Bedër. Sikur kjo vepër e tij t’ishte vepër shirku që e nxirrte nga feja, do ta lajmëronte Profeti atë dhe do ta urdhëronte të pendohej nga kufri duke shqiptuar edhe një herë fjalët e shahadetit, dhe nuk do të mjaftohej vetëm me shpresë së Allahu do t’ia falë këtë gjynah për shkak të punës së mira që kishte bërë më parë, e cila ishte xhihadi (në luftën e Bedrit).

E nëse dikush kundërshton e thotë: Vepra ishte kufër i madh, mirëpo vepruesi në këtë rast u arsyetua me injorancë (xhehl), prandaj nuk u konsiderua kafir.

Themi: Vepruesi i kufrit të madh është kafir, dhe nuk ka arsyetim në të. Përndryshe, duhej të arsyetohen edhe krishterët dhe çifutët, të cilët bëjnë kufër e shirk të madh pa dije!!!

Sa për fjalën e Allahut xh. sh. ku thotë: [. . . E kush prej jush i miqëson ata, ai është prej tyre] ka për qëllim miqësimin e zemrës për shkak të fesë, ndërsa nëse është me ta, me trupin dhe punën e tij dhe nuk i zë miq të ngushtë të zemrës dhe nuk e do fenë e tyre, atëherë ai mbetet në rrethin e islamit, edhe pse i tilli e ka besimin e dobët, siç ka thënë Profeti, paqja qoftë mbi të, në hadith: “E nëse nuk mundet, atëherë le ta urrejë me zemrën e tij, e ky është imani më i dobët”.

[1] Hatib ibën Ebi Beltea u dërgon një letër Kurejshëve përmes një gruaje, në të cilën dëshironte t’u tregonte se Profeti alejhi selam dhe myslimanët po nisen për të sulmuar Meken. Në letër shkruante: “Nga Hatib ibnu Ebi Beltea, drejtuar Ebu Sufjanit, të parit të Kurejshëve. I Dërguari i Zotit, po përgatit ushtrinë për t’ju sulmuar”. Letrën ia jep një gruaje, të cilën e këshillon ta fshehë mirë dhe t’ia dërgojë Ebu Sufjanit.

Në këto çaste zbret Xhibrili dhe i tregon Profetit alejhi selam për atë që kishte bërë Hatib ibnu Ebi Beltea. Nëse Kurejshët do e merrnin vesh, do të përgatiteshin për luftë, kurse Profeti alejhi selam përpiqej që në Meke të hynte paqësisht, jo me luftë.

[2] Në shumë vende, të përhapësh sekretet e shtetit, sidomos në kohë lufte konsiderohet tradhti e madhe dhe personi ndëshkohet me vdekje. Por Profeti Muhammed alejhi selam e pa këtë çështje nga një këndvështrim tjetër. Profeti alejhi selam e kuptoi se një veprim i tillë prej Hatibit, ishte si rezultat i dobësimit të besimit dhe me qëllim që të sigurojë një farë mbrojtjeje për gruan dhe fëmijët e tij në Meke. Ai e dinte se një nga cilësitë e All-llahut të Madhërishëm është falja dhe mbulimi i të metave. Profeti alejhi selam e vlerësoi pjesëmarrjen e Hatib ibn Ebi Beltea në Bedr.

Në rregull

Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...