Vehabitë janë pajtuar mes vete se fjala e disa njerëzve (O i Dërguari i Allahut, medet) . . . është shirk i madh që të nxjerr nga feja, sepse Allahu është Ai që jep medet, sikurse ka thënë në kuran: [Ne secilit atyre dhe atyre i japim (shtojmë medet) nga të mirat e Zotit tënd dhe dhënia e Zotit tënd nuk është e kufizuar](Isra, 20).

Si rrjedhojë e këtij kuptimi kaq të ngushtë, ata kanë shpallur kafirë shumicën e ymetit.

Nëse i pyesim vehabitë se kush i jep të mirat, kush i vdes shpirtrat, kush është Ai i cili dhuron fëmijë, kush është Ai që futë në Xhenet dhe kush i fal mëkatet, ata do të thonë: Sigurisht se Allahu i Plotfuqishëm.

Themi: Po nëse i kërkon këto veprime prej krijesës, apo ndonjë krijesë i pretendon për veten e tij, a është kjo gjë shirk?

Ata do të thonë: Po, bile kjo është esenca e shirkut. .

U themi atyre:

- Çfarë thoni për fjalën e Allahut, kur tregon për melekun, se ai i ka thënë Merjemes: [Ai (Xhibrili) tha: "Unë jam vetëm i dërguar (melek) i Zotit tënd për të dhuruar ty një djalë të pastër (pejgamber)"] (Merjem, 19). Meleku këtu është ai i cili jep dhe dhuron.

-Po për fjalën e Allahut: Thuaj: ["Engjëlli i vdekjes, i cili është caktuar për ju, ua merr shpirtrat, e pastaj do të ktheheni te Zoti juaj"] (Sexhde, 11). Ai I cili I merr shpirtrat këtu na qenka meleku.

-Po për fjalën e Allahut në të drejtën e pejgamberit në lidhje me Zejdin: [(Përkujto) Kur i the atij që All-llahu e kishte bërë mirë (e kishte shpërblyer me besim) e edhe ti i pate bërë mirë: "Mbaje bashkëshorten tënde dhe kij frikë na All-llahu!"…] (Ahzab, 37). Pejgamberi ynë këtu ka bërë mirë dhe i ka dhuruar mirësi Enesit…

-Dhe për fjalën e sahabiut drejtuar profetit, paqja qoftë mbi të: “Të kërkoj shoqërimin tënd në xhenet” . Trs. Muslimi. Këtu sahabiu kërkoi prej profetit që ta fusë në xhenet!

-Dhe për fjalën e Amër ibën Asit drejtuar profetit, paqja qoftë mbi të: “Para se të bëhem mysliman, kushtëzoj që të mi falësh mua të gjitha ato që kam bërë në pengimin nga rruga e Allahut”. Trs. Ahmedi. Këtu Amri kërkoi prej profetit që ta falte. . .

A janë shirk të gjitha këto?!!!

Natyrisht se jo, sepse nuk paramendohet shirku prej melaikeve e as prej sahabëve në prezencë të profetit, paqja qoftë mbi të, e ai të mos e kundërshtojë dhe ndalojë atë!!!

Këto të gjitha janë shkaqe të cilat Allahu i ka krijuar kësisoj. Allahu për çdo gjë ka bërë shkaqe.

Mirëpo, shkaktar dhe ndikues qenësor në çdo gjë, në të vërtetë është vetëm Allahu. Kjo është akideja e teuhidit sipas ehli synetit dhe xhematit.

Shembuj tjerë që e sqarojmë këtë:

-Ilaçi konsiderohet shkak dhe shërimi është prej Allahut I. Ai që sheh shërimin nga ilaç apo nga mjeku ka bërë kufër, sepse i tilli i ka bërë Allahut I ortak në shërim. Shërimi është vetëm nga Allahu i madhëruar.

-Fitimi është shkak, ndërsa risku është prej Allahut I. Gjykimi se risku vjen prej fitimit është kufër.

-Veshja e teshave është shkak i mbrojtjes nga të ftohtit dhe të nxehtit, ndërsa mbrojtësi nga të nxehtit dhe të ftohtit është Allahu I. Mendimi se rrobat vetvetiu mbrojnë nga të nxehtit dhe të ftohtit është kufër.

Kërkimi i ndihmës dhe medetit prej të gjallëve është e lejuar pa kundërshtim;sepse është kërkim i gjërave materiale nga i gjalli i cili ka mundësi të afroj ndihmë.

Ndërsa, nëse kjo kërkohet prej të vdekurve, duhet ta dimë se ata nuk kanë mundësi të ofrojnë ndihmë materiale. Në këtë rast kërkimi i ndihmës prej tyre është më shumë kuptimor, e jo fizik.

Fjala e disa myslimanëve kur ata thonë: Medet o resulullah, e ka kuptimin: Lute Allahun që të më ndihmojë mua, o i dërguar i Allahut! Këta mysliman me këtë fjalë synojnë ofrimin tek Allahu I, dhe besojnë se Allahu u ndihmon atyre dhe u shton medetin për hatër të dashurisë që kanë për Muhamedin r.

Kush beson se Muhamedi, paqja qoftë mbi të, është një shkak, mirëpo në dorën e vet nuk posedon asgjë prej çështjeve, por Allahu është ndikuesi i vërtetë që me vullnetin e Tij bëhet të gjitha . . i lejohet atij të kërkoj (istigathe) prej tij sa ka qenë në këtë botë, e edhe pasi ka ndërruar jetë, në shenjë dashurie për të, duke qenë të vetëdijshëm për vendin e lartë që e ka te Allahu. Kjo është pra esenca e teuhidit, e s’ka të bëjë me shirkun fare.

Kush beson se profeti ka pasur ndikim në gjera me qenien e tij sa ka qenë gjallë, ndërsa pasi ka ndërruar jetë nuk ka mundësi të ndikojë;si rrjedhojë: Kërkohet prej tij (istigathe) vetëm sa ishte në këtë botë, dhe nuk kërkohet (istigathe) pasi ka ndërruar jetë, atëherë kjo është esenca e shirkut.

Po kështu, kush beson se profeti apo velija që i kërkojmë medet apo ndihmë të ofron ndihmë dhe medet njësoi siç të jep Allahu i madhëruar, kjo është kufër dhe shirk, Allahu na ruajtë.

Meditojeni mirë, qofshi në përkujdesjen e Allahut!

Megjithëkëtë që thamë, largimi nga termet që mund të kenë efekte dyanësore dhe mund të keqkuptohen në popull është më parësore. Prej myslimanit të mirë kërkohet tu largohet nocioneve të lartëta që në veten e tyre ngërthejnë kuptime që përmbajnë interpretime të ndryshme kontroverse.

Kurani Fisnik ka ndaluar që ti përdorim ato terme të cilat përmbajnë kuptime të mira dhe kuptime të këqija . Po sjellim një shembull për këtë:

Disa shokë të pejgamberit, kur pejgamberi r nuk i këshillonte një kohë të gjatë, vinin dhe i thonin: Raina, o i dërguar i Allahut! Jehudët dhe krishterët në anën tjetër përmes kësaj fjalë e shanin profetin, sepse te ta kjo fjalë përdorej në kuptim të keq. Për këtë arsye, Allahu I zbriti ajetin kuranor dhe tha: [ O ju që keni besuar, mos thuani: "Raina" - po thuani: "Undhurna" dhe respektoni! . . . ] (Bekare, 104).

Shiko me kujdes këtu;të dy termet kishin një kuptim, mirëpo në të parin kishte hapësirë keqkuptimi. Për këtë arsye, më mirë është që shprehja të jetë: Ndihmona o Zot për hatër të këtij profeti apo velije. Kjo padyshim se është me e sigurtë për akiden e besimtarit.

E nëse dikush shtron pyetje dhe thotë: A lejohet që të ndalem pranë një varri të një njeriu të mirë dhe të them: O filan, lute Allahun për mua, për këtë dhe këtë?Apo: O filan kërko falje për mua tek Allahu?A konsiderohet thirrja e të vdekurit haram apo shirk?

Themi: Këtu kemi tri qështje:

1-Thirrja (nida) e të vdekurit.

2-Lutja (dua) e të vdekurit.

3-Kërkimi (taleb) prej tij që ai të bëj dua për neve.

1-Sa për thirrjen e të vdekurit, kjo nuk është shirk, përkundër asaj që thonë vehabitë;sepse në synet është transmetuar lejimi i thirrjes së të vdekurve. Është gabim që thirrjen e thjeshtë ta konsiderojmë dua, përpos nëse kemi ndonjë dëshmi konteksti që e konfirmon qartë këtë.

Prej argumenteve që lejojnë thirrjen (nida), në këtë shpejtësi mund të përmendim:

-Pejgamberi a.s kur hodhi në gropë kufomat e qafirëve në Bedër, u ndal para tyre dhe filloi ti thërrasë secilin prej tyre me emër.

-Ne, në çdo namaz në etehijat e thërrasim profetin me fjalët: ”Selami qoftë mbi ty o i dërguar i Allahut”. Kjo është një fjalim dhe thirrje drejtuar atij që ka ndërruar jetë.

-Profeti kur vizitonte varrezat thoshte: ”Selami qoftë mbi ju o banorë mysliman të këtyre varrezave”. Kjo ishte një thirrje drejtuar të vdekurve, gjithashtu.

-Abdullah ibën Omeri kur vizitonte varrin e profetit dhe dy shokëve të tij thoshte: ”Selami qoftë mbi ty i i dërgua i Allahut, selami qoftë mbi ty o Ebu Bekër, selami qoftë mbi ty o babai im”.

-Hadithi i Othman ibën Hunejfit me atë burrin i cili kërkonte ndihmë prej Othaman ibën Afanit, ku pastaj kishte thënë: O resulullah, po i drejtohem Allahut përmes teje.

-Hadithi i Ibën Omerit që e përmend ibën Tejmija në Kelimu Tajib, etj.

Këto hadithe që përmendem janë të njohura dhe të sakta.

2-Sa i përket lutjes së të vdekurit;f. v. të lutet ai sikurse lutet Allahu duke menduar se ai ka ndikim të pavarur në gjithësi (O filan, më jep rizk, o filan më fal, o filan ma hiq këtë vështirësi), duke besuar se ai i bën këto gjëra ashtu siç i bën Allahu i lartësuar, atëherë kjo është kufër dhe shirk, Allahu na ruajtë!

E nëse këto fjalë dikush prej njerëzve i thotë në kuptim figurativ, nuk synon kërkimin e tyre nga i vdekuri, por i kërkon të vdekurit ti bëj dua Allahut ti sjell këto gjëra, kështu në këtë mënyrë metaforike, edhe në këtë rast ka vend për shqyrtim dhe nuk mund të themi se personi në fjalë ka bërë shirk.

3-Kërkimi prej të vdekurit që të lutet për ne mund të parashtrohet, sikurse që i parashtrohet një të gjalli. S’ka pse të jetë e ndaluar, e lerë më të jetë shirk, sidomos pasi është vërtetuar se ai që ka ndërruar jetë dëgjon dhe e njeh vizituesin e tij dhe ka mundësi të flet duke qenë në berzah. Është vërtetuar gjithashtu se profeti ynë r kërkon falje për ymetin duke qenë në varrin e tij.

Pra, të vdekurit nuk janë asgjësuar totalisht siç pretendojnë injorantët. Ata flasin dhe dëgjojnë.

- Transmeton Bejhekiu një hadith që thotë: "Uria kish mbërritur në kohën e Omerit r. a. , e një burrë shkoi tek varri i Profetit - ka thënë hafizi Ibn Haxher se ai është Bilal Ibn Harith Mezeniu - dhe tha: O i Dërguari i Allahut, ndërmjetëso (isteski) për Ymetin tënd sepse ata po shkatërrohen. Profeti i erdhi këtij personit në ender dhe i tha: Dërgoi Omerit selam dhe thuaji se atyre u është pranuar ndërmjetësimi (do të bije shi), dhe thuaj (Omerit) : Alejke bi Kejs el-Kejs". Ky burrë u qua dhe shkoi tek Omerit dhe i tregoi se c'kishte parë. Filloi Omeri të qajë dhe tha: "nuk thanë vetëm se atë që kishin zor. " Bejhekiu pasi përmendi këtë hadith tha: Ky hadith ka Isnad (zinxhir transmetimi) Sahih dhe nuk ka pluhur (gubar) mbi të.

E nëse dikush thotë se të bërit dua është ibadet, e ibadeti ka rënë nga i vdekuri!

Përgjigja e kësaj shtrihet në dy pika:

Pika e parë: Ibadeti që ka rënë nga të vdekurit është ibadeti i obligueshëm që ka qenë detyrim i tyre sa kanë qenë gjallë në këtë botë, e kjo nuk mohon se ata nuk mund të bëjnë ibadete tjera vullnetare, sepse është vërtetuar në synet se kur profeti r është ngritur në Isra ka parë Musain duke u falur në varrin e tij[1].

Pika e dytë: Duaja ka dy anë: Përmes saj adhurojmë Allahun dhe përmes saj kërkojmë nevojat tona prej Tij. Nëse të vdekurit i ka ikur e para-që është duaja e adhurimit, atëherë ai lutet që ta arrijë vlerën e dytë të saj, dhe Allahu e di më mirë.

Punoi hoxhë: Drilon Ibrahim Gashi

[1] E ka raportuar Muslimi (2375). Shiko komentin e imam Neveviut kur pohon pastaj se të vdekurit kryejnë haxhin dhe luten për haxhilerët duke qenë në botën e Berzahut.

Në rregull

Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...