Gjitha falenderimet janë për Allahun, paqja dhe mëshira e Tij qoftë mbi profetin dhe familjen e tij!

Poleiteistët e kohës së pejgamberit edhe pse kanë pranuar Krijuesin, e disa prej tyre kanë besuar disi edhe ringjalljen, ata kanë mohuar të dërguarit e Allahut dhe kanë kundërshtuar shpalljet hyjnore. Ata ishin politeistë (mushrikë) edhe pse besonin Allahun si krijues, sepse pretendonin se idhujt e tyre bënin dem dhe dobi të pamvarësuar prej Allahut. Besimi i tyre ishte politeizëm i qartë dhe shirk në rrububije, sepse mendonin se zotërat e tyre ishin bija të Allahut që posedonin veti hyjnore, adhurimi dhe lutja e të cilave të afronte tek Allahu. Ata besonin se engjujt ishin bija përkëledhëse të Zotit, nuk krijojnë sikur krijon Allahu, mirëpo posedojnë esencë dhe cilësi hyjnore dhe janë pjesë dhe prej llojit të Zotit!

Disa prej tyre besonin se Allahu pasi ka krijuar botën, nuk kujdeset më për të dhe nuk i intereson pranimi i lutjeve, por sipas tyre këtë gjë e kryejnë melaiket - bijat e Zotit. Një besim të ngjashëm e kanë pasur edhe disa filozofë të vjetër grek.

Prej llojeve të shirkut të disa prej tyre ishte edhe besimi se melaiket janë ato që ngjallin të vdekurit dhe janë përgjegjëse për ditën e kiametit. Ato bënjë ndërmjetësim me vullnetin e tyre personal, të pamvarur nga vullneti i Allahut.

Kishte edhe prej atyre që adhuronin yjet dhe konsideronin se ata udhëheqin me natyrën, siç ishte fisi Huza'ah që adhuronte yllin Sirius. Për këtë kurani dëshmon: [Ai (Allahu) është Zot'i Siriusit], (Nexhm, 49).

Komentuesit e kuranit, sikur Kurtubiu thonë se "Shi'ra" (Siriusi) kosiderohej Zot i disa fiseve arabe, të cilin e kishin adhuruar një kohë, deri sa kishte ardhur islami. Allahu i plotfuqishëm zbriti këtë ajet për yllin SIRIUS dhe u tregoi se yjet janë krijesa të udhëhequra e jo krijuesë. Allahu është Zoti i Siriusit.

Në një ajet tjetër, Allahu i Lartësuar thotë: [Thuaj: "Thirrni ju ata, të cilët i mendoni (për zotra) përveç Tij (Allahut), e ata nuk mund t'ju largojnë të keqen nga ju, as nuk mund ta hedhin tjetër kund"], (Isra, 56).

- Permend Begaviu dhe të tjerët, nga Ibn Abas dhe Muxhahidi se kanë thënë: Idhujtarët kanë adhuruar Mesiun dhe nënën e tij, Uzeirin dhe engjëjt, diellin, hënën dhe yjet, duke kërkuar prej tyre çdo kërkesë prej kërkesave që nuk i ka në dorë askush tjetër pos Zotit. Allahu u thotë se këta qe ju po mendoni se janë Zota, këta janë vetëm robër të zotit që i nënshtrohen pushtetit të Allahut.

Argumenti i qartë që dëshmon se shirku i politeistëve mekas në kohën e profetit ishte shirku në teuhidin rrububije gjendet edhe në shumë ajete tjera kuranore të cilat mohojnë se Zoti nuk ka evlat. Ajetet që do ti përmendim në vijim, u janë drejtuar këtyre politeistëve duke kundërshtuar shirkun kryesor të asaj kohe, e që ishte besimi se melaiket janë bija hyjnore të Zotit:

[Dhe Ai është që ka zbritur ujin nga qielli, me të cilin nxjerrim çdo lloj bime dhe me te rritet gjelbërimi, e nga ky nxjerrim kokrrat e dendura; dhe prej palmës së hurmës, nxjerrim nga majat e saj, kalaveshët e ulët; dhe nxjerrim kopshtije rrushi, ulliri dhe shege, disa janë të ngjashme me njëra-tjetrën e disa jo. Vështroni frytet e tyre kur lidhin dhe piqen. Në to, me të vërtetë, ka argumente, për ata njerëz që besojnë. Idhujtarët i kanë trilluar Atij nga injoranca xhindët, e në të vërtetë Ai i krijoi ata (xhinët). Ata shpifën se ai ka edhe djem e vajza. Qoftë lavdëruar Ai dhe qoftë shumë lart nga ajo që i përshkruajnë ata! Ai është krijues i qiejve dhe i Tokës! E si mund të ketë Ai fëmijë, për Te s'ka grua. Ai ka krijuar çdo gjë dhe vetëm Ai di çdo gjë. Ky është Allahu, Zoti juaj. S'ka zot tjetër përveç Tij, Krijuesi i çdo gjëje, andaj adhuroni Atë! Ai është mbikëqyrës i çdo gjëje!], (Enam: 99-102).

[(I bëjnë shok) Dhe ashtu ata përbuzin atë që Ne ua dhamë atyre, pra shfrytëzoni (për një kohë) se më vonë do të kuptoni (rrjedhimin). E nga ajo që Ne i furnizuam, ata u ndajnë një pjesë atyre (zotave) që nuk kuptojnë asgjë. Pasha All-llahun, patjetër do të merreni në përgjegjësi për atë që trillonit. Ata i përshkruajnë All-llahut vajza. I pastër është Ai nga ajo!, ndërsa vetes së tyre (i përshkruajnë) çka ua ka ënda (djemtë)], (Nahl: 55-57).

[A mos vajzat janë të Atij, kurse djemtë tuaj?], (Tur, 39).

[Është e vërtetë se All-llahu nuk falë (mëkatin) t'i bëhet Atij shok, e pos këtij (mëkati), të tjerat i falë atij që dëshiron. Ai që i përshkruan shok All-llahut, ai ka humbur dhe bërë një largim të madh (prej të vërtetës). Ata nuk lusin tjetër pos Tij vetëm (emra idhujsh) femra dhe nuk lusin tjetër pos djallit plot sherr], (Nisa: 116, 117).

[Këto janë nga urtësia që Zoti yt ta shpalli ty. Mos shoqëro me All-llahun ndonjë zot tjetër e të hidhesh në xhehennem i qortuar dhe i larguar. A mos u dalloi Zoti juaj me djem, e për vete zgjodhi melaike që ju i mendoni femra? Vërtet, ju jeni duke thënë fjalë të mëdha. Ne sqaruam në mënyrë të ndryshme (argumentet) në këtë Kur'an, ashtu që ata të nxjerrin përvojë, por kjo nuk u shtoi atyre tjetër, vetëm se largim (nga e vërteta). Thuaj: "Sikur të kishte zota të tjerë përveç Atij, sikundër thonë ata, atëherë ata (zotat) do të kërkonin rrugë për mbizotërim ndaj të Madhëruarit (për t'ia marrë pushtetin)". I pa të meta është Ai, Lartësia e Tij është e madhe nga ajo që thonë ata], (Isra: 39-43).

[Megjithëse (pranuan se Zoti është i vetmi krijues), ata i përshkruan Atij pjesë nga robërit e Tij. Njeriu i tillë njëmend është mohues i hapët. A mos Ai nga ato që krijoi, për vete përcaktoi vajza, kurse juve u dalloi me djem? ... Edhe engjëjt që janë adhurues të Zotit i quajnë femra? A prezantuan ata në krijimin e tyre (melekëve)? Dëshmia e tyre do të regjistrohet dhe ata do të merren në pyetje], (Zuhruf: 15-19).

Thashë: Fjala (i përshkruan Atij pjesë nga robërit e Tij) do të thotë se arabët kanë thanë: Melaiket janë bija të Zotit dhe evladi është pjesë e babait, edhe pse melaiket në të vërtetë janë krijesa dhe robër të Zotit, e jo pjesë të qenies së Tij.

[E ti pyeti (o Muhamed ata idhujtarët): "Vallë, a për Zotin tënd janë vajzat e për ta djemtë, ose Ne i krijuam engjëjt si femra, e ata ishin dëshmitarë (për këtë)? Ja pra, ata për shkak të gënjeshtrave të veta, thonë: "Zoti ka lindur fëmijë" - ata në të vërtetë, janë gënjeshtarë. Vallë, a vajzat i ka zgjedhë ai para djemve? Çka keni, si po gjykoni!? A nuk po mendoni?! A po, ju keni argument të qartë? Sillni ju Librin tuaj, nëse thoni të vërtetën! Ata (idhujtarët), kanë bërë farefisni në mes Zotit dhe engjëjve, kurse engjëjt e dinë se ata (që flasin ashtu) do të hidhen në zjarr. Lavdi Allahut, qoftë i pastër Allahu nga ajo që ata ia përshkruajnë Atij! Ata (engjëjt) janë vetëm robër të sinqertë të Zotit], (Safat: 149-160).

- Transmeton Buhariu në sahihun e tij nga Muxhahidi, se për ajetin (kanë bërë farefisni në mes Zotit dhe engjëjve), ka thënë: "Arabët kanë deklaruar se engjëjt janë vajza të Zotit, e nënat e tyre janë zonjat e xhineshave".

- Transmeton Ubej ibën Ka'bi gjithashtu se politeistët i thanë të dërguarit të Allahut xh.sh.: O Muhamed na trego prej kah e ka prejardhjen (gjenezën) Zoti yt që ti e adhuron? Atëherë Allahu shpalli: [Thuaj Allahu është një, Ai është samed ...]. Profeti a.s. u tha: "Samed është (Ai që nuk ka lindur prej dikujt dhe as që dikush ka lindur prej Tij), sepse çdo gjë që lind edhe do vdes, e ai që vdes trashëgohet, ndërsa Allahu i Plotfuqishëm nuk vdes dhe nuk trashëgohet, (dhe nuk ka të ngjashëm me të), tha: Ai nuk ka të ngjashëm dhe nuk ka me të të barabartë dhe nuk ka asgjë si Ai". [1]

Meditoje hadithin! Ata kanë kërkuar këtu ta dinë origjinën e Allahut!

Ka ardhur në disa hadithe të vërteta, se kur politeistët dilnin në luftë kundër myslimanëve, në kohën e Muhemedit a.s. u thirrnin idhujve të tyre: "Lartësohuni o idhuj ndaj Allahut e mundeni ushtrinë myslimane".

- Transmeton imam Buhariu një hadith të gjatë në Sahihun e tij, se kur Ebu Sufjani luftonte kundër myslimanëve thoshte: "U'lu HUBUL - ngritu dhe fito o Hubël".

Hubëli ishte emri i një idhulli që sillte fitoren, dëmin dhe dobinë, pra posedonte sipas tyre cilësi hyjnore të Zotit.

Kurani qartë thotë: [E ju, a i shihni Latin dhe Uzanë? Dhe atë të tretin e të fundin, Menatin (a kanë fuqi si Zoti i Muhamedit, e ju i konsideroni zota)! A mendoni se meshkujt janë tuajt, e të Atij femrat? Atëherë ajo është një ndarje e padrejtë! Ata (që i adhuroni ju) nuk janë tjetër, vetëm se emra që ju dhe prindërit tuaj i emërtuat; All-llahu nuk zbriti për ta ndonjë fakt. Po ata (idhujtarët), nuk ndjekin tjetër vetëm se paragjykime dhe çka duan vetë, megjithëqë prej Zotit të tyre u pat ardhur udhëzimi. A mos do t'i takojë njeriut ajo që ai e dëshiron (Jo)? E dihet se vetëm All-llahut i takon (sundimi) bota tjetër dhe kjo botë. E sa engjëj ka që janë në qiej, e që ndërmjetësimi i tyre nuk bën dobi asgjë, vetëm pasi që All-llahu të japë leje për atë që dëshiron dhe që është i kënaqur për të. Ata që nuk e besojnë jetën tjetër, ata engjëjt i emërtojnë me emra femrash], (Nexhm: 19-27).

Thashë: Ata i emërtuan engjëjt me emra femrash, sepse pretenduan se ato janë bijat hyjnore të Zotit. Si duket Lati dhe Uzaja ishin emrat e disa prej këtyre engjëjve.

Vërejtje: Fjala e Muxhahidit nga Ibën Abasi se: Lati ishte një njeri i mirë që u përgatiste dhe gatuante haxhilerëve miellin me diçka nga vajrat, dhe pasi vdiq, ata qëndruan pranë varrit të tij dhe e madhëruan atë, [2] është koment personal i Ibën Abasit, e jo hadith profetik. Si duket ibën Abasi këtë fjalë e ka huazuar prej legjendave të vjetra arabe dhe përmes saj është munduar ta komentoj këtë ajet kuranor, duke menduar se ky tregim është i vërtetë.

Ne e dimë diturinë dhe pozitën e tij në tefsir, mirëpo dimë gjithashtu se Ibën Abasi nuk ka jetuar në kohën e Latit, nuk e ka dëgjuar zërin e tij, nuk ka ngrënë bukën e vajit nga dora e tij dhe as nuk ka qëndruar para varrit të tij. Për këtë arsye, ky transmetim i tij nuk mund të jetë dëshmi sheriatike e as argument përmes të cilit mund të specifikohen ajetet kuranore të lartpërmendura. I pagabueshëm është vetëm Kurani dhe hadithi i saktë i profetit, e jo një fjalë e Ibën Abasit të cilës nuk i dihet prejardhja.

Ajo që pasqyron kurani është se idhujtarët arab, njërin prej idhujve të tyre e kanë emërtuar me emrin Lat, dhe pastaj e kanë adhuruar atë, duke u munduar kështu ta personifikojnë engjëllin femër të quajtur Lat, që sipas besimit të tyre ishte bijë hyjnore e Zotit, apo shoqe e shenjtë e Zotit, njëjtë si bëjnë krishterët me portretin e Jezusit. Po kështu edhe Uzaja, Menati dhe idhujt e tjerë.

Historia e politeistëve arab nuk njeh se në tempujt e adhurimit të tyre kishte varre të njerëzve të mirë. Po, në to kishte pemë dhe gurë të gdhendur që personifikonin zotat e tyre, mirëpo asnjëherë nuk përmendet varri, prandaj fjala e Ibën Abasit nuk mund të merret parasysh.

Disa zbulime arkeologjike dëshmojnë se Lati konsiderohej Zot edhe tek disa popuj tjerë të lashtë, bile edhe para ekzistimit të arabëve.

Imam Taberiu në tefsirin e tij mendon se emri Lat gjuhësisht do të thotë Allah.

Ky mendim mund të jetë i vërtetë, pasi origjina e fjalës Lat në gjuhën arabe është Ilat, ndërsa në gjininë femërore të gjuhës Siameze i thuhet "Ijl" e që është i njëjti kuptim me fjalën "Ilah" në arabishte, e cila pasi ti shtohet nyja shquese "El" bëhet "Allah".

Edhe në ditët e sotme, në vendet e Irakut në disa muze ekzistojnë disa idhuj, njëri prej tyre e ka emrin El-Lat, dhe sipas disa burimeve thuhet se ka qenë zoti qiellor femër që mirëmban botën e xhinëve, djajve dhe xhehenemit.

Është vërtetë për tu çuditur, se si u bë që Lati për të cilin Kurani jep shenjtë të qartë e thotë se ishte bija hyjnore qiellore e Zotit - sipas politeistëve, të bëhet mashkull, prej njerëzve të mirë, të cilët u gatuanin bukë haxhilerëve ditëve të haxhit?!!!

Lexojini edhe një herë këto fjalë të Allahut dhe meditoni mirë!

[E ju, a i shihni Latin dhe Uzanë? Dhe atë të tretin e të fundin, Menatin (a kanë fuqi si Zoti i Muhamedit, e ju i konsideroni zota)! A mendoni se meshkujt janë tuajt, e të Atij femrat? ... Ata që nuk e besojnë jetën tjetër, ata engjëjt i emërtojnë me emra femrash], (Nexhm: 19-27).

Nëse i kuptojmë mirë këto ajete, atëherë do ta kuptojmë se çfarë në të vërtetë ishte shirku i politesitëve arab, dhe kujt i drejtohet ky ajeti i mëposhtëm, të cilin e keqkuptojnë shumë njerëz.

[Vini re! Adhurim i sinqertë është vetëm ai për All-llahun! Ndërsa ata që në vend të Tij adhurojnë zota (idhuj, melaike dhe Mesiun): Ne nuk i adhurojmë ata për tjetër, vetëm që të na afrojnë sa më afër All-llahut, s'ka dyshim se All-llahu do të gjykojë mes tyre për atë që ata ishin në kundërshtim. E, është e vërtetë se All-llahu nuk udhëzon në rrugë të drejtë atë që është rrenës, jobesimtar. Sikur të kishte dashur All-llahu të ketë fëmijë, do të zgjedhte atë që dëshiron nga çka Ai vetë krijon. I pastër është Ai! Ai është All-llahu, i vetmi, i fuqishmi!], (Zumer: 3,4).

Nuk është fare e vërtetë ajo që thonë selefitë se shirku i politeistëve mekas nuk ishte shirk në qenien e Zotit - në rrububije, e as në emrat dhe cilësitë - Esma ve Sifat.

E vërteta është se idhujtaria e tyre kishte të bëj bash me këtë lloj të shirkut, e jo me diçka tjetër. Tek pastaj, lindi shirku në adhurim (uluhije) dhe ligjvënie (hakimije), e jo e kundërta. Mes teuhidit uluhije dhe rrububije pra nuk ka dallim. Këto kuptime janë të pandara nga njëra tjetra, sikur trupi me shpirtin. Adhurimi nuk i bëhet vetem atij që njeriu e konsideron Zot.

Besimi i plotë i Allahut në rrububije - se Ai është Zot, njëkohësisht është edhe njesueshmëri e Allahut në uluhije - se Ai është i Vetmi që i takon adhurimi.

Prandaj kur themi shehadetin "Ska të adhuruar me meritë përpos Allahut", vetëm se kemi thënë në të njejtën kohë "Askush përpos Allahut nuk është Zot", apo "S'ka Zot tjetër përpos Allahut". Kuptimi i këtillë i shehadetit është me vend, në rregull, dhe ska kurrfarë problemi.

Kështu kanë thënë dijetarët nëper të gjitha tefsiret, librat e hadithit dhe akides dhe nuk ka kundërshtuar në këtë çështje askush tjetër pos disa hambelij të mëvonshëm, sikur çifti i Ibën Tejmijes dhe Muhamed ibën Abdulvehabit, dhe po rrëshqasin në vazhdimësi ende e kësaj dite këmbët e imituesve të verbër selefij.

Fjala e selefive se politeistët kishin besuar rrububijen plotësisht, mirëpo problemi i tyre ishte në uluhije, apo se profetet janë dërguar që të thërrasin vetëm në teuhidin uluhije, është gabim i madh dhe fjalë pa vend, me të cilën kundërshtohet kurani dhe syneti i Muhamedit a.s..

Krishterët, jehudet, mexhusët, natyralistat, sabiet, grekët dhe romakët e vjetër dhe idhujtarët në përgjithësi ishin dhe vazhdojnë të jenë pabesimtarë në rrububije. Këtu s'dyshon askush i mençur. Nëse ata i besonin disa punë dhe atribute të Allahut, sikur krijimin dhe furnizimin, kjo nuk don të thotë aspak se ata kishin plotësuar besimin në njëshmërinë e Allahut apo teuhidin rrububije. Besimi se Zoti është krijues (teuhidi khalikije) është shumë më i ngushtë sesa njesueshmërija e plotë e Zotit në punët dhe gjërat e përveçme që i takojnë vetëm Atij.

Kjo shkurtë rreth kësaj meseleje. Le të ketë kujdes çdo mysliman i mençur dhe ta rishikojë këtë mesele me kujdes të veçantë dhe le ta dijë se haku nuk njihet me burra, por burrat janë ata që njihen me hakun.

Shkroi hoxhë: Drilon Ibrahim Gashi

_________________________

Shkëputur nga libri im: Deti i kelamit në Usuliddin.

[1] - Transmeton Tirmidhiu (3364), Hakimi në Mustedrek (3987), Bejhekiu në Esma ve Sifat. Hakimi tha: Zinxhiri i hadithit është i saktë dhe me të u pajtua edhe Dhehebiu.

[2] - E shënon Taberiu, ibën Ebi Hatimi, Seid ibën Mensuri, etj.

Në rregull

Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...