Muhamed Ibën Abdulvehabi s’ka qenë ndonjë dijetar i madh - siç e lartësojnë pasuesit e tij dhe nuk ka asnjë vepër që e dëshmon imamllakun e tij prej ixhtihadi. Krejt librat që i ka përpiluar sa ishte gjallë, në këtë kohën tonë të letrës s’kalojnë njëvëllimëshin!

-Kitab Teuhidi (Libri i Teuhidit) i ka 30 faqe; aty përmend vetëm një mesele akaidore (teuhid uluhije).

-Kavaid Erba (Katër Parimet) i ka 2 faqe; vazhdim i Kitab Teuhidit.

-Usul Thelethe (Tri parimet); i ka 4 faqe, që konsiderohet shkurtim i Kitab Teuhid.

-Keshf Shubuhat (Zbardhja e dyshimeve), që i ka nja 6 faqe; plotësim i Kitab Teuhidit.

-Usul Iman (Bazat e Imanit); i ka 4 faqe.

-Navakidul Islam (Dhjetë Negacionet apo Gjërat që prishin Islamin); një faqe e gjysmë.

-I ka edhe nja dy libërtha tjera sa mos me thënë, njërën në hadith dhe tjetrën në fikh hambeli, dhe një shkurtim të Sires profetike.

Edhe këto libërtha që I ka, shumica prej tyre janë shkurtime të shkrimeve të Ibën Tejmijes, ndërsa të tjerat të mbushura me gabime trashanike dhe gjepura tekfiri.

Ku është ixhtihadi i tij në shkencat e gjuhës arabe, tefsirit, fikhut, usulit dhe hadithit?!

Paramendoje, nëse e krahasojmë Muhamed Ibën Abdylvehabin me Imam Sujutin (e lerë më gjigandët dhe kolosët e tjerë të ymetit), i cili në kohën e tij ka përpiluar hiq më pak se 900 volume libra shkencore nga më të ndryshmet, çfarë do të ishte dallimi?! I bie që Imam Sujuti të ketë qenë 899 herë shejh islam më i madh sesa imami i “dijshëm” i vehabive, të cilin në vend se ta konsiderojnë një dai të thjeshtë, pasuesit fanatikë të tij e kanë ngritur në gradën e një profeti të pagabueshëm!!!

Vet shejh Albani, kur foli një herë për Abdul Vehabin, nder tjera kishte thënë: “…. Muhamed ibn Abdul Vehabi ka qenë thjesht një dai…për sa i përket drejtimit të fikhut ai ishte Hambeli, nuk konsiderohet selefij dhe nuk ishte sikur Ibn Tejmija, sepse Ibn Tejmija ka pasuar atë që është me e sakta prej medh’hebeve, mirëpo ndoshta Abdulvehabi për një gjë te tille është i justifikuar, …ndërsa sa i përket dijeve rreth hadithit, me keqardhje të thellë them se ai nuk kishte lidhje me hadithin dhe nuk ka ditur ta dallojë hadithin e vërtete nga i dobëti. Kjo vërehet qartë në librat e tij, p.sh. në libërthin “Edukata e të ecurit në namaz”, ku ai ka përdorur në të, hadithe të dobëta, …bile hadithe që me to e ka kundërshtuar edhe vet thirrjen e tij “selefiste”…Me këtë çfarë thashë unë, desha të tregoj se Muhamed ibn Abdul Vehabi nuk ishte selefij në të gjitha fushat ashtu siç ishte Ibn Tejmia…”. (Përfundoi fjalimi i mulla Nasirit).

Vëllai i Muhamed ibën Abdulvehabit, shejh Sulejmani, kishte deklaruar se Muhamed ibn Abdulvehabi nuk kishte arritur gradën e Ixhtihadit, bile as një të dhjetën e tij.

Libri Kitabu Teuhid ka një vend të lartë tek selefitë, gati sa se kanë bërë të shenjtë, mirëpo realisht ky libër nuk e meriton atë piedestal, sepse nëse e lexon, ti nuk do të gjesh në të ndonjë përtëritje të shkencës së akides që tërheq vëmendjen.

Në këtë shkrimin tonë, ne do ti qasemi këtij libri në mënyrë kritike, kësaj radhe vetëm prej një këndi, e që është sqarimi i haditheve të dobëta dhe të shpikura që gjenden aty.

Ju e dini se një libër akideje si kjo duhet të jetë e pastër prej haditheve të dobëta, e lerë më të shpikura! Shejhu, lerë që s’ka futë hadithe të dobëta, por herë herë edhe të shpikura krejt dhe ka bërë edhe disa gabime tjera të pa tolerueshme nga ky aspekt.

Pa humbur kohë, po sjellim vetëm disa shembuj,që mjaftojnë për ta argumentuar pretendimin tonë:

1- Tek kapitulli i shtatë apo gjashtë (varësisht prej renditjes së kapitujve) i Kitabu Teuhidit, me titull: “Mbajtja e bylyzykëve dhe fijeve dhe tjera si këto, për largimin e të keqes ose për pengimin e saj është prej shirkut” Muhamed ibën Abdulvehabi është argumentuar me hadithin:

“Transmetohet prej Ukbeh Ibn Amir se Profeti a. s ka thënë: “Kush (varë) mban shkresa, mos ia plotësoftë Allahu dëshirën. Kush mban (var) gurë (guacka) mos i lëntë Allahu asnjë të mirë”.

Në një transmetim tjetër: “Kush (var) mban shkresa ka bërë shirk”.

Them: Në senedin e këtij hadithi gjendet (Mushrah ibn Ahani) për të cilin Ibën Hibani ka thënë: Transmeton hadithe të dobëta prej Ukbes në të cilat nuk pasohet”.

Ukajli përcjell prej Musa ibën Davudit se ka thënë: “Kam dëgjuar se ai ka qenë ushtarë i Haxhaxhit që e kanë rrethuar Abdullah ibën Zubejrin dhe e kanë gjuajtur Qaben me topa zjarri”!!! (Tehdhib Tehdhib, 10/155).

Ky hadith është prej atyre haditheve, prandaj isnadi i tij është i dobët.Shejhu është dashur që të sillte hadithe tjera të sakta.

2- Tek mësimi i tetë me titull: “Ajo që transmetohen për rukjet dhe shkresat” ka përmendur hadithin e Ibn Mes’udit i cili ka thënë: E dëgjova të Dërguarin e Allahut a. s të thotë: “Me të vërtetë rukjet (leximet) që nuk janë të transmetuara prej sheriatit , shkresat dhe magjia në afrimin e bashkëshortëve janë shirk” [Ebu Daudi, Ahmedi].

Them: Isnadi i këtij hadithi është i dobët, për shkak të (Ibën Ehi Zejneb), sepse nuk dihet kush është (mubhem) siç thonë dijetarët. Shejh ibën Abdulvehabi ka mundur të argumentohej me hadithe tjera të sakta në këtë mësim gjithashtu.

3-Tek kapitulli i tetë po aty ai ka përmendur sërish një hadith tjetër të dobët; është transmetimi i Abdull-llah Ibn Ukejmit se Profeti a. s ka thënë: “Kush mbështetet në diçka lihet në mbështetjen e asaj” [Ahmedi, Tirmidhiu].

Them: Në senedin e Ahmedit gjendet ibën Ebi Lejla, për të cilin vet Ahmedi ka thënë: “Ka memorie të dobët, dhe transmeton hadithe të koklavitura (mudtaribul hadith)”. Shube ka thënë: “S’kam parë askënd me të keq sesa atë për nga memoria”. Jahja ibën Meini ka thënë: “S’është i fortë”. Atë e ka dobësuar edhe Jahja ibën Seid Katani.

Hadithi ka edhe një ilet të dytë; Abdullah ibën Ukajmi nuk ka dëgjuar prej profetit a. s

Hafëz ibën Kaniu në Muxhemin e tij (2/117) i ka përmendur edhe një ilet të tretë ku ka thënë: Nuk e di që Isa ibën Abdurrahman ibën Ebi Lejla e ka takuar ndonjëherë Abdullah ibën Ukajmin, por prej tij ka transmetuar Abdburrahman ibën Ebi Lejla.

4-Tek i njëjti kapitull, ka përmendur hadithin që e transmeton Ahmedi prej Ruuejfiu se ka thënë: I Dërguari i Allahut a. s, më ka thënë: “O Ruajfi, ndoshta do të kesh jetë të gjatë. Lajmëroji njerëzit se ai i cili e lidh mjekrën e tij ose vendos varëse (për t’u mbrojtur nga syri) ose pastrohet (pas kryerjes së nevojës) me bajga të kafshëve ose me kocka, Muhamedi është i distancuar prej tij”

Them: Në isnadin e këtij hadithi gjendet (Shejban Kutbani) i cili është i panjohur (Mexh’hul).

Edhe në transmetimin tjetër gjendet Ibën Luhaja i cili është i dobët.

Edhe në transmetimin e Nesaiut gjendet një burrë i panjohur gjithashtu.

5-Ka përmend ibën Abdulvehabi në kapitullin e pesëdhjetë kur foli për fjalën e Allahut xh. sh: [E kur Ai, ua dhuroi atyre të dyve pasardhës të shëndoshë, ata i trilluan pastaj shok Atij; për atë që iu dha atyre. Por i pastër është All-llahu nga ajo që ia përshkruajnë](Araf, 190), përmendi një transmetim nga Ibn Abasi se ai ka thënë: “Kur Ademi bëri marrëdhënie me të (Havanë), ajo mbeti shtatzënë. U erdhi Iblisi e u tha: “Unë jam shoku juaj që ju nxora nga xheneti. Do të më bindeni mua ose do t'i bëj atij (djalit tuaj) dy bri cjapi të egër, e do të dalë prej barkut tënd e do ta çajë atë, do t’ia bëj dhe do t’ia bëj), duke i frikësuar ata të dy. Emërtojeni Abdul Harith! Ata s’pranuan t’i binden atij, e fëmija doli i vdekur. Hava mbeti shtatzënë përsëri, e u erdhi atyre prapë duke ua përmendur të njëjtat fjalë, por ata prapë nuk iu nënshtruan, dhe fëmija doli përsëri I vdekur. Pas kësaj, Hava mbeti shtatzënë përsëri, e ai prapë u erdhi dhe ua tha të njëjtat fjalë. Atëherë ata i kapi dashuria i fëmijës dhe e emërtuan Abdul Harith. Për këtë arsye ka thënë Allahu xh. sh: “. . . ata i përshkruan shokë në atë që ju dha. . . ”. Transmeton Ibn Ebi Hatimi.

Them: Fjala Abd el Harith d. m. th: robi I Harithit. Harith nuk është emër I Allahut. Zoti e di më mirë, por ndoshta ka qenë emër I djallit, siç përmendet në një rivajet tjetër tek Ibën Xherir Taberiu se shejtani i ka thënë Havasë dhe Ademit: “Nëse nuk e emërtoni me emrin tim nuk do të dali i gjallë (shëndoshë)”.

Kjo që I kanë mveshur profetit Adem a. s se kinse ai e ka emërtuar djalin e tij me emrin Abd el Harith është tregim I shpikur me siguri nga izraelitët.

Imam Ibën Hazmi në lidhje me këtë thotë: “Ky tregim është mit I trilluar dhe I rrejshëm. Zinxhiri I transmetimit s’është kurrë I vërtetë, kurse ajeti realisht ka zbritur për paganët arab, siç vërehet nga konteksti”.

Gjithashtu: Në senedin e këtij hadithi gjendet Hasan Basriu, i cili vet e ka kundërshtuar transmetimin e tij dhe e ka komentuar ajetin se ata që kanë bërë shirk të tillë të emërtimit dhe i kanë emëruar fëmijët e tyre me emra shejtanësh kanë qenë disa pasardhës të Ademit përgjatë historisë, e jo Ademi e Havaja. Sikur hadithi t’ishte i vërtetë -siç e transmeton Hakimi- ai nuk do ti jepte ajetit një interpretim tjetër.

Në anën tjetër, shirku nuk guxon tu vishet pejgamberëve të Zotit, as në ibadet e as në emërtim, sepse ata janë të mbrojtur nga kjo, sipas konsensusit të gjithë dijetarëve islam.

Si ka mundësi që Muhamed ibën Abdulvehabi ta fusë këtë transmetim më gjithë këtë problem në librin e Teuhidit, libër ky që sipas pasuesve të tij është libri më i famshëm në botë i shkruar në këtë lëmi!!!

6- Tek mësimi i njëzetenëntë kur ka folur për Astrologjinë, është argumentuar me hadithin që e transmeton Ahmedi dhe Ibën Hibani nga Ebu Musa që ka thënë: I Dërguari i Allahut

(s. a. v. a) ka thënë: “Tre (grupe) nuk futen në Xhenet: pijaneci (ai që është i dhënë pas pijeve alkolike), ai që i ndërpret lidhjet farefisnore dhe ai që i beson magjisë”. Ahmedi, Ibnu Hibbani në sahihun e tij”.

Them: Në senedin e këtij hadithi gjendet Ebu Harizi, emri i të cilit është Abdullah ibën Hysejn Ezdiu i cili është (munkerul hadith) sikur ka thënë Ahmed ibn Hambeli. Nesai për të ka thënë: Është i dobët (daif).

7- Ibën Abdulvehabi në kapitullin e fundit kur ka folur për ajetin kuranor [Ata nuk e çmuan All-llahun me atë madhështinë që i takon, ndërsa në ditën e kijametit e tërë toka është në grushtin e Tij, e qiejt të mbështjellë në të djathtën (forcën) e Tij. Ai është i pastër nga të metat dhe Ai është i lartë nga çka ata i shoqërojnë!](Zumer, 67), ka përmendur një hadith që e transmeton Muslimi prej Ibnu Umerit se Profeti a. s ka thënë: “ Allahu i palos qiejt Ditën e Kiametit, pastaj i merr ata në dorën e Tij të djathtë, pastaj thotë: “Unë jam Sunduesi, ku janë tiranët (sunduesit mendjemëdhenj dhe arrogantë). Pastaj palos shtatë tokat dhe i merr ato në të majtën e Tij, pastaj thotë: Unë jam Sunduesi, ku janë tiranët, ku janë mendjemëdhenjtë?”.

Them: Shejh ibën Abdulvehabi në këtë hadith, kur ka përmendur tokat ka shtuar fjalën “shtatë” nga qesja e tij, pasi në origjinalin e Sahihut të Muslimit kjo fjalë nuk ekziston fare. Kjo nuk është hera e parë. Ai me dhjetëra herë shton dhe mungon fjalë të paqena në hadithe në librin e tij të teuhidit. Se di a e ka bërë këtë nga injoranca, apo ndoshta ka shkurtuar ndonjë libër të Ibën Tejmijës, apo sepse në shtëpinë e tij nuk kishte libra e dorëshkrime hadithi të mjaftueshme!!!

Në anën tjetër, këtë hadith edhe pse e ka shënuar Muslimi, ai lerë që s’është I saktë për nga teksti, por ka probleme të mëdha edhe për nga senedi.

Në senedin e tij gjendet “Omer ibën Hamza” për të cilin Ahmedi ka thënë: Hadithet e tij janë të dobëta të urryera (munkere). Po kështu ka thënë edhe Rraziu. Jahja ibën Meini ka thënë: Është I dobët (daif), ndërsa Nesaiu ka thënë: Nuk është I fortë (lejse bi kavij) e në një herë tjetër ka thënë: Ai është I dobët (daif). Këtë e ka konfirmuar edhe Ibën Haxheri I cili në librin e tij të njohur “Takrib”(nr. 4900) ka thënë: “Është I dobët”. Këtë transmetues e ka përmendur edhe Ibën Xheuziu në librin e tij “Duafa ve Metrukinë”(vëll. 2, fq. 207; nr. 2453).

Jo vetëm kaq, por hadithi ka edhe një ilet tjetër. Transmetuesi tjetër që gjendet në sened me emrin Ebu Usame-Hamad ibën Usame është “mashtrues I fshehur” (mudelis), siç ka thënë për të Ibën Haxheri në “Takrib”, ku pasi e konsideroi të besueshëm, shtoi: “Ndoshta nganjëherë mashtron”. Të njëjtën gjë për të e ka deklaruar edhe Ibën Sadi.

Është një rregull në shkencën e hadithit që thotë se: Kur transmetuesi mudelis përcjell hadithin “Nga filani, nga fisteku, hadithi I tij është I dobët, përpos nëse ky filan mudesili në një vend tjetër e ka theksuar se ka dëgjuar hadithe prej fistekut. Në rastin tonë, ky Hamadi nuk ka theksuar se ka dëgjuar ndonjëherë hadithe direkt prej shejhut të tij, prandaj hadithi është I dobët, sepse ka mundësi që mes tyre të jetë një person I tretë I panjohur për neve, e të cilin e ka fshehur mashtruesi.

Ka dijetarëve që si kanë pranuar hadithe e transmetuesve të tillë mashtrues, sikurse që përmend imam Shafiu nga Shube I cili ka thënë: “Mashtrimi (tedlisi) është vëllai I gënjeshtrës”.

Përfundimisht, ky hadith -pa I hyrë tekstit të tij që është (gajru mahfudh)- nga ana e senedit është I dobët shumë.

8-Në po të njëjtin kapitull, është argumentuar edhe me një transmetim tjetër që përcillet nga Ebu Dherri se ai e paska dëgjuar profetin a. s të ketë thënë: “Kursia kundrejt Arshit është si hallkë prej hekuri që hidhet midis shkretëtirës së tokës”.

Them: Këtë hadith e transmeton Ibën Hibani në Sahih (361) dhe Taberiu në Tefsir .

Fjala e fundit (së tokës) është shtesë prej shejhut gjithashtu; nuk ekziston në hadith.

Shejh Shuajb Arnauti për këtë hadith tek Ibën Hibani ka thënë: “Është shumë I dobët” (Daifun Xhiden).

Mjafton si argument për kotësinë e këtij transmetimi që në senedin e tij gjendet Ibrahim ibën Hashim ibën Jahja Gasani, për të cilin Ibën Ebi Hatimi ka thënë se është rrenacak. Alij ibën Husejn ibën Xhunejdi ka thënë: E ka thënë të vërtetën Ibën Ebi Hatimi, nuk duhet të transmetohet prej tij. Edhe Ebu Zur’a ka thënë se ai është gënjeshtar I madh. Dhehebiu ka thënë: Ky Ibrahimi është I lënë pas dore (metruuk). Me gjerësisht, kthehu tek Lisani dhe Xherh ve Tadili!

E sa I përket Ibnu Xherir Taberiut, ai është njëri prej komentatorëve të njohur të Kuranit. Ai ka një tefsir që konsiderohet tefsir me thënie sahabësh. Ka gabuar që e ka sjell këtë thënie gjithashtu. E meta e tij është se nuk i ka pastruar këto thënie, ka sjellë të sakta dhe të dobëta dhe shumë të dobëta. Ai ka dashur t’i shkruajë fillimisht, pastaj t'ia lëjë lexuesit të gjykojë për të saktin dhe të dobëtin, ose ka dashur t'i pastrojë në fund, por nuk i është I lehtësuar një gjë e tillë.

9-Tek i njëjti kapitull, autori ka sjell edhe transmetimin e Abas ibën Abdul Mutalibit, se pejgamberi a. s ka thënë: “A e dini sa është (distanca) ndërmjet qiellit dhe tokës? Ne i thamë: Allahu dhe i Dërguari i Tij e dinë më mirë. Ai tha: Ndërmjet atyre dyjave është pesëqind vjet distancë ecje. Prej secilit qielli deri në qiellin tjetër është pesëqind vjet distancë ecje. Trashësia e çdo qielli është pesëqind vjet distancë ecje. Ndërmjet qiellit të shtatë dhe Arshit është një deti, ku nga fundi i tij deri në sipërfaqen e tij është sa ndërmjet qiellit dhe tokës. Allahu i Madhëruar është mbi këtë. Atij nuk i fshihet asgjë prej punëve të bijve të Ademit”. Tha pastaj ibën Abdulvehabi: E ka shënuar Ebu Dauti dhe të tjerët”.

Them: Ky transmetim është i kotë. E ka shënuar me një sened të ngjashëm Ebu Davudi (4723) dhe Ahmedi (1770) dhe Tirmidhiu (3317).

-Në senedin e Ahmedit gjejmë transmetues të panjohur, gënjeshtar dhe të dobët. Sqarimi i kësaj nga vet fjalët e hadithologëve:

* Jahja ibën Ula: Ka thënë për të Veki ibn Xherrahi: gënjen.

Ka thënë Ahmedi: Është gënjeshtar, trillon hadithe.

Jahja ibën Meini ka thënë: Nuk është i besueshëm.

Amr ibën Felasi dhe Buhariu kanë thënë: Metrukul Hadith.

Ibrahim Xhevheriu ka thënë: Shejh shumë i dobët (Vah). Shiko po deshe: Kamil fi Duafa Rixhal (7/189; nr. 2104) dhe Keshf Hathith amen Rumije bivedil Hadith (fq. 280; nr. 840).

*Semak ibën Harbi: Ibën Mubareku për të ka thënë: Është i dobët në hadith.

Ibën Hibani pasi e ka konsideruar të besueshëm, ka thënë: Gabon Shumë.

Sufjan Theuriu ka thënë: Daif.

Xheriri ka thënë: Shkova tek Semak ibën Harbi dhe e pashë se urinonte në këmbë.

Edhe Shube e konsideronte të dobët. Shiko shembull “Kamil fi Duafa”(3/460; nr. 875).

Ibën Xheuziu e ka përmendur në librin e tij “Duafa ve Metrukinë”(2/26; nr. 1552) dhe atje ka thënë për të: Shube dhe Sufjan Theuriu e kanë konsideruar të dobët. Ka thënë Ibën Amari: Thoshin për të: Gabonte kur transmetonte hadithe dhe kishin mospajtim rreth asaj që transmetonin prej tij”. Ibën Meini ka thënë: “Ka transmetua hadithe me isnade, ku askush si ka përmendur pos tij. . . ”. Salih ibën Muhamedi ka thënë: Është i dobët. Abdurrahman ibën Jusuf Harashi ka thënë: në hadithet e tij ka dobësi. Ky Semaku sipas Buhariut dhe Muslimit është transmetues i dobët gjithashtu.

*Abdullah ibën Umejrete Kufi: Ka thënë Ibrahim Harbiu: “Nuk e njoh”.

Dhehebiu ka thënë: “Nuk njihet se kush është”.

Ukajli dhe Ibën Adiu në Lisanul Mizan e kanë dobësuar gjithashtu kur thanë se është i panjohur (mexh’huul). Shiko (7/267; nr. 3588).

-Senedi i Ebu Davudit është gjithashtu i kotë. Shqarimi:

*Velid ibën Ebi Theuri është gënjeshtar, i dobët në hadith (munkerul hadith).

Ka thënë Jahja ibën Meini: Nuk vlen asgjë.

Ibën Numejri ka thënë: Është gënjeshtar.

Ebu Zura ka thënë: Munkerul hadith, gabon shumë.

Jakub Ibën Sufjani dhe Salih Xhezere kanë thënë: Është i dobët (daif).

Ibën Haxheri në Takrib (vëll. 2, nr. 7458) ka thënë: Është i dobët (daif).

*Abdullah ibën Umejrete Kufi: Sqaruam hallin e tij në hadithin paraprak.

*Semak ibën Harbi: Folëm edhe për gjendjen e tij gjithashtu.

Them: Siq shikojmë, lere që teksti i tij është i kotë, por edhe isnadi i tij është i kotë.

Kemi lënë pa përmendur edhe shumë hadithe tjera, të cilat shejhu i ka shënuar dhe nuk ka treguar fare se prej kah i ka marrë. Normalisht, komentuesit e Librit të Teuhidit janë munduar me mish e me shpirt tu gjejnë bazë, mirëpo disa prej tyre janë të dobëta gjithashtu.

Pas këtij gjurmimi shkencor, u themi vehabive pasuesve fanatik të Muhamed ibën Abdulvehabit: Vallë a pranoni ju që ta ndërtoni besimin dhe akiden tuaj mbi hadithe të dobëta dhe të shpikura, transmetuesit e të cilave sillen mes gënjeshtarit, të panjohurit dhe të dobëtit? Si pranoni të bazoheni në hadithe të dobëta, e në anën tjetër lini pas dore ajetet e qarta prej librit të Allahut dhe hadithet e sakta të profetit, paqja qoftë mbi të dhe familjen e tij!

Tjetër: A është Muhamed ibën Abdulvehabi bidatgjij sipas juve, pasi është argumentuar me këto hadithe të dobëta, sepse ju disa herë keni theksuar se prej shenjave të risimtarit është kur ai për ta mbrojtur doktrinën e tij argumentohet me hadithe të dobëta. Ja shejhu i islamit dhe përtrijësi i fesë tuaj, edhe ai qenka argumentuar me hadithe të dobëta, bile edhe me të shpikura në librin kryesor të Teuhidit!!!

Kaq ishte sa i përket kësaj teme.Në të ardhmen do të trajtojmë edhe disa aspekte tjera nga ky libër “teuhidi”.

Përgatiti hoxhë: Drilon Ibrahim Gashi

Në rregull

Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...