Fjala istigathe dmth.: Kërkimi i ndihmës apo drejtimi I kërkuesit drejt dikujt që t’ia plotësojë nevojën e tij.

Robi duhet që në çdo gjendje ti drejtohet Allahut të madhëruar, ti përgjërohet dhe ti lutet vetëm Atij. Ai është dëgjuesi dhe plotësuesi i nevojave tona, në dorën e Tij është jeta jonë dhe vetëm tek Ai është ardhmëria, mirëpo, e gjithë kjo nuk na detyron që ta shpallim qafirë të sëmurin kur kërkon shërim nga mjeku, apo të dobëtin dhe të vobektin i cili i lutet të pasurit për ndihmë.

Njeriu mund ti kërkojë ndihmë krijuesit, por edhe krijesës.

Istigathe nga Allahu, sikurse në ajetin: [Përkujtoni kur kërkuat ndihmë (istigathe) prej Zotit tuaj, e Ai u është përgjigjur...](Enfal,9).

Istigathe nga krijesa: [...e ai i anës së tij i kërkoi ndihmë (istegathe) kundër armikut dhe Musai i ra grusht e ai vdiq...](Kasas,15).

Dallimi mes këtyre dyjave është se kërkimi ndihmë prej krijuesit nëse bëhet me nijetin e adhurimit është ibadet, ndërsa kërkimi I ndihmës prej një krijese tjetër është thjeshtë plotësim I një nevojë që ka njeriu në këtë botë. Lutja e ibadeti (dua ibadeh) dhe lutja apo kërkimi i thjeshtë (dua mes’ele) kanë dallim të madh. E para është ibadet, e dyta adet. Nëse kërkimi i ndihmës (istigathja) apo lutja e thjeshtë do të ishin ibadete edhe nëse vepruesi i tyre nuk e ka për qëllim adhurimin, atëherë do të ishte ibadet edhe kur fëmija kërkon ndihmë nga nëna e tij, kur i sëmuri kërkon ndihmë nga mjeku i tij, kur i fundosuri kërkon ndihmë nga shpëtimtari dhe kur mbreti kërkon ndihmë nga ushtria e tij, dhe të gjithë këta do të ishin mushrikë! Mirëpo këtë nuk e thotë asnjë i mençur, për këtë arsye u asgjësua fjala e disa vehabive që thonë se thirrja e thjeshtë drejtuar profetëve apo evliave është shirk që të nxjerr nga feja.

Lutja kur besimtarët ia dedikojnë Allahut në gjërat e imta dhe të mëdha është ibadet sepse shoqërohet me nijetin e adhurimit, ndërsa lutja kur robërit ia dedikojnë njëri tjetrit për ndihmë apo kur thërrasin njëri tjetrin për përmbushjen e nevojave ditore nuk është ibadet, sepse nuk e ka kushtin e përmendur.

Ka me dhjetëra tekste fetare në të cilat është potencuar lejimi i thirrjes së dikujt tjetër pos Allahut, prej tyre: Thirrja që profeti ua bëri qafirëve që kishin vdekur në Kalib, thirrja e Fatimes “O baba im” kur profeti ndërroi jetë, thirrja që ua bëri Ibrahimi a.s copave të zogjve të vdekura që ti vinin duke ecur, thirrja kur Omeri i bëri ekspeditës në Sham, thirrja që Ebu Bekri i bëri profetit pasi kishte ndërruar jetë, thirrja që besimtarët ia bëjnë profetit në namazet e tyre me (selami qoftë mbi ty O pejgamber), thirrja që profeti i bënte tokës kur udhëtonte duke thënë: “Oj toka e Zotit tim...”,hadithi i Abdullah ibën Omerit kur ai thirri “O Muhamed” në momentin që e vrau këmbën, thirrja e sahabiut tek varri i profetit për të rënë shij, thirrja kur vizitori u bën të vdekurve siç përmendet në hadith, thirrja e të verbrit që bëri tevesul me profetin, etj. Të gjitha këto përmenden në hadithe të sakta. Sikur thirrja e thjeshtë që përmendet në këta shembuj të ishte dua e çdo dua ibadet, atëherë do të ishte shirk, mirëpo nuk është shirk me pajtimin e të gjithë dijetarëve.

Sikur duaja të ishte ibadet çdoherë, atëherë ajetet sikurse: [...i shurdhëti nuk dëgjon duanë edhe kur i tërhiqet vërejtja](Enbija,45) do të kuptohej “i shurdhëti nuk e dëgjon ibadetin”!!!

Kështu pra, u vërtetua se thirrja apo apelimi i thjeshtë nuk janë lutje dhe jo çdo lutje quhet lutje adhurimi apo idabet. Prandaj, jo çdo kush që thërret një krijesë, qoftë prezent apo që mungon është adhurues i saj.

Shembulli i istigathes është sikurse shembulli i kërkimit të ndërmjetësimit. Ka thënë Allahu xh.sh: [Thuaj: "I tërë shefati (ndërmjetësimi) i takon vetëm All-llahut, i Tij është pushteti i qiejve dhe i tokës, e më vonë vetëm te Ai ktheheni"](Zumer,44).

Në anën tjetër, profeti ynë i dashur ka thënë: “Më është dhënë mua ndërmjetësimi (shefati)”[1].

Këto dy gjëra nuk duhet ta habisin të mençurin,sepse kuptimet e fjalëve që thuhen për Allahun kanë kuptime krejtësisht të ndryshme kur të përdoren për krijuesin, për nga plotësia, forma, krijimi dhe shkaku. Kur kërkimi i ndihmës (istigathe)apo ndërmjetësimi (shefati) i atribuohen Allahut, ai ka kuptim të veçantë ashtu siç i përshtatet madhërisë së Tij, e nëse i atribuohet krijesës,atëherë ka kuptim të specifikuar që i përshtatet kuptimeve të kufizuara njerëzore.

I mençuri kur dëgjon një mysliman të shprehet: “Nuk ka ndihmës tjetër dhe as shpresë përpos pejgamberit”, nuk duhet të shpejtojë në shpalljen e tij si qafir, por duhet ta dijë se qëllimi me këto shprehje nuk është krahasimi mes Allahut dhe profetit të Tij, por është krahasim mes krijesave, në kuptimin se në mesin e tyre nuk ka ma parësor sesa i dërguari i Allahut që të bëj tevesul me të tek Allahu për largimin e vështirësive, sikurse që ndodhë në ditën e gjykimit kur të gjitha krijesat i drejtohen atij për ta kërkuar ndërmjetësimin e tij tek Allahu i madhëruar.

Asnjë mysliman nuk beson se dikush tjetër pos Allahut ka cilësi hyjnore,mund ti falë gjynahet, të fus në xhenet dhe xhehnem, të na e sjell shiun, të krijojë, të vdes dhe të ngjall sikurse bën Allahu, mirëpo megjithëkëtë, Allahu ka lënë shkaqe përmes të cilave e arrijmë ndihmën e Tij. Në momentin që neve kërkojmë prej një krijese diçka,neve e dimë se krijesa në këtë rast nuk mund të na ndihmojë asgjë tjetër, pos asaj që ia ka mundësuar Allahu i madhëruar. Shembull, kur neve kërkojmë nga pejgamberi që ai të bën lutje dhe shefat për neve,ne kemi kërkuar prej tij atë gjë që ia ka mundësuar Allahu i madhëruar.

Ajetet kuranore si: [Vetëm ty të adhurojmë dhe vetëm prej teje ndihmë dhe falje kërkojmë](Fatiha,5) dhe hadithet: “Dhe kur të kërkosh lute Allahun dhe kur të mbrohesh mbroju me Allahun[2]”, apo hadithi: “Nuk kërkohet ndihmë prej meje,por prej Allahut”[3], dhe të ngjashme me këto, nuk e kanë qëllimin se ndihma nuk guxon ti kërkohet dikujt tjetër pos Allahut, sepse kërkimi i ndihmës nga robërit është shkak i arritjes së synimeve në këtë dynja, por duhet të kuptohen se të gjitha këto janë sebepe të lejuara nga Allahu teala. Ajo që dëshmon se me fjalët e tij “Nuk kërkohet ndihmë prej meje, por prej Allahut” nuk kishte për qëllim se kërkimi prej robit është shirk, gjendet në fillimin e hadithit. Kur sahabet thirren:” Qohuni të kërkojmë ndihmë tek i dërguari i Allahut kundër këtij mynafiku”, ata e dinin se kjo thirrje nuk është shirk, por shkak që përmes saj të largohej belaja e këtij mynafiku.

Sahabët kur kërkonin ndihmë nga profeti, kur i ankoheshin atij dhe kërkonin prej tij që të binte shij, ndërmjetësonte dhe të lutej për ta, e dinin fort mirë se ai është rob i zotit dhe krijesë e Tij, mirëpo e bënin këtë, sepse e dinin se ai është dera e Allahut, sebepi kryesor për arritjen e mirësive dhe plotësimin e nevojave të tyre, sepse e kishin dëgjuar se Allahu kishte thënë: [Allahu pranon vetëm prej atyre që janë të devotshëm](Maide,27) dhe [Ne nuk dërguam asnjë të dërguar vetëm që me urdhërin e All-llahut t'i bëhet respekt (nga njerëzit) atij. E sikur të vinin ata te ti, pasi që ta kenë dëmtuar veten e tyre, e të kërkonin ata vetë ndjesë te All-llahu, e edhe i dërguari të kërkojë ndjesë për ta, ata do të kuptonin se All-llahu pranon pendimin dhe është mëshirues](Nisa,64). Nganjëherë profeti ua plotësonte kërkesat dhe ua largonte belatë siç është shembulli i të verbrit dhe asaj gruas që alivanosej,e nganjëherë u thoshte: “Kërkoni ndihmë prej Allahut”,”kur të luteni, luteni Atë”. Nganjëherë thoshte: Sejid është vetëm Allahu,e nganjëherë tjetër: Unë jam sejjjidi i bijve të Ademit”. Nga ndryshimi i përgjigjeve të kërkesave të tyre, shohim se ai, paqja qoftë mbi të,e merrte parasysh edhe gjendjen e lutësit.

E nëse dikush thotë: Kërkimi i ndihmës prej atij që është i gjallë lejohet, sepse ai ka mundësi ti përgjigjet kërkesës. Ajo që neve e konsiderojmë shirk është kërkimi i ndihmës prej atyre që kanë vdekur, që nuk janë prezent dhe që s’kanë mundësi përgjigje. Ky veprimi i fundit është i njëjtë sikurse adhurimi i politeistëve ndaj idhujve të tyre.

Themi: Nëse Allahu i madhëruar ia ka mundësuar ndërmjetësimin profetit edhe pasi që ka ndërruar jetë, atëherë pse të jetë e ndaluar. Nëse Allahu xh.sh. ua ka mundësuar disa melaikeve të Tij që tu ndihmojnë atyre që gjenden në shkretëtirë, pse të ndalohet[4]. Disa dijetarë si Ibën Tejmije e kanë lejuar edhe kërkimin e ndihmës nga xhinët[5]. Politeistët në kohën e profetit besonin në zota tjerë pos Allahut dhe vepra për tu quajtur adhurim duhet ti shoqërohet nijeti i adhurimit[6].

Argumente tjera që e lejojnë kërkimin e ndihmës dhe shefatit nga profeti:

1- Shënon Imam Bejhekiu dhe Ibën Ebi Shejbe me zinxhir të saktë, nga Malik Dariu, i cili ishte arkëtar i Omerit r. a. i cili ka thënë: Njerëzit në kohën e Omerit i zuri një thatësi e madhe, e një njeri (sahabiu Bilal ibën Harithe) erdhi tek varri i pejgamberit a. s. dhe tha: "O i Dërguar i Allahut, lutu për shi për ymetin tënd, ngase ata janë duke u shuar”. Pas kësaj, pejgamberi a. s i’u paraqit atij në ëndërr dhe i tha: "Shko te Omeri dhe jepi selamet e mia, lajmëroje se do të bie shi dhe thuaj: Duhet të jesh i zgjuar, duhet të jesh i zgjuar!". Ky njeri shkoi dhe i tregoi Omerit. Ky i fundit tha: "O Zoti im, unë nuk kursej asgjë nga mundi im, përpos çka është jashtë kompetencave të mia!"

Ibni Kethiri e citon kështu nga Bejhekiu në el-Bidaje ve Nihaje dhe thotë: “Zingjiri i tij është sahih”. Ibn Haxheri ka thënë: E ka shënuar Ibën Ebi Shejbe me zingjirë transmetimi të saktë[7].

Them:Ky sahabij erdhi tek i dërguari i Allahut pasi që ai kishte ndrruar jetë dhe kërkoi prej tij që të kërkonte për ymetin e tij që të binte shij. Sikur kërkimi prej tij në botën e berzahut të ishte i ndaluar, ai nuk do ta shihte profetin në ëndërr, veprimin e tij nuk do ta aprovonte Omeri dhe sahabet e tjerë dhe nuk do ti realizohej ëndrra e as që do të binte shij.

2-Ka thënë Ibën Haxheri : “Tregimin e fisit të Adit të dytë e ka shënuar Ahmedi (15954) me zingjir hasen,nga Harith ibën Hasan Bekriu i cili ka thënë: “Kemi dalur unë dhe Ala ibën Hadramiu dhe kemi shkuar te pejgamberi, paqja qoftë mbi të...dhe aty thuhet: Thash: Kërkoj mbrojtje prej Allahut dhe prej të dërguarit të Tij që të bëhem sikurse emigranti i Adit!(Hadithi)”[8].

Në këtë hadith shohim se si ky sahabij ka kërkuar ndihmë nga profeti,paqja qoftë mbi të.

3-Transmeton Ebu Jala në Musnedin në tij, nga Ebu Hurejra i cili ka thënë: E kam dëgjuar të dërguarin e Allahut,paqja qoftë mbi të, të thotë: “Pasha Atë në dorën e të cilit është shpirti i Ebu Kasimit (Muhamedit), do të zbret Isa, i biri i Merjemes, imam dhe gjykatës i drejtë,do ta thyej kryqin,do ta vras derrin, do të pajtojë mes njerëzve të përçarë, do ta largojë urrejtjen, do ti paraqitet pasuria dhe nuk do ta pranojë, e pastaj nëse vije pranë varrit time thotë: O Muhamed, do ti përgjigjesha”[9].

Hadithin e ka shënuar edhe Hakimi në Mustredrekun e tij, me shprehjen: “Do të vije tek varri im dhe do të më jap selam dhe unë do ti përgjigjem atij”[10].

Në këtë hadith kemi dy dëshmi:

E para: Dobia e vizitës së varrit të profetit.

E dyta: Lejimi i thirrjes së profetit pasi që ka ndërruar jetë.

4- Transmeton Buhariu prej Ibn Abbasit, prej Pejgamberit paqja qoftë mbi të dhe familjen e tij, i cili tregon historinë e Haxheres nënës se Ismailit a. s. se kur ajo e kuptoi se i biri i saj kishte etje filloi te kërkojë uje, ku degjoi nje ze dhe nuk pa askënd, ajo tha: "Na ndihmo nese posedon ndihme (فقالت أغثنا إن كان عندك غوث)”[11].

Në këtë hadith, shohim se ajo ka kërkuar ndihmë prej atij që se ka parë, pastaj iu ka shfaqur meleku.

5-Përcillet nga Ubejdullah ibën Abdilahu, se ka thënë: E pashë Usame ibën Zejdin duke u falur (lutur) tek vari I të Dërguarit të Allahut,paqja qoftë mbi të,atëherë doli Mirvan ibën Hakemi dhe tha: Po falesh tek varri I tij?!Ai tha:Unë vërtetë e dua atë. Mirvani atëherë I tha atij një fjalë të shëmtuar, pastaj ia ktheu shpinën dhe deshi të shkojë. Atëherë Usame u kthye dhe I tha: O Mervan, ti më lëndove, e unë e kam dëgjuar të dërguarin e Allahut,paqja qoftë mbi të,të thotë: Vërtetë Allahu e urren njeriun vulgar që flet fjalë të pahijshme. Vërtetë ti je një vulgar dhe monstruoz”[12].

6-Transmetohet nga Davud ibën Ebi Salihu,I cili ka thënë: Erdhi një ditë Mirvan Ibën Hakemi dhe e gjeti një njeri që kishte vendosur fytyrën e tij tek varri I profetit, e I tha: A e di çfarë po bën?! Atëherë njeriu u kthye prej tij, kur ja, ishte Ebu Ejub Ensariu r.a dhe i tha: Po (e di çfarë po bëj), i erdha të dërguarit të Allahut a.s. e nuk I kam ardhur një guri. E kam dëgjuar pejgamberin a.s të thotë: “Mos qani për fenë kur ta udhëheq meritori, por qani për të kur ta udhëheq ai që se meriton”[13].

Prej dobive të dy haditheve të fundit:

-Ka qenë traditë e sahabëve ta vizitojnë varrin e profetit, të bëjne tevesul me të dhe të qajnë aty.

-Lejohet prekja dhe puthja e varrit të pejgamberit dhe falja namaz pranë tij; këtë e veproi sahabiu I njohur Ebu Ejub Ensariu dhe Usame ibën Zejdi, Allahu qoftë I kënaqur me ta.

-Kundërshtimi i prekjes, puthjes dhe faljes dhe lutjeve pranë varrit ishte medh’heb I Mirvan ibën Hakemit dhe Beni umejeve, e jo medh’heb I sahabëve të ngushtë të profetit a.s.

- Mirvan ibën Hakemi –Allahu e mallkoftë-ishte njeri vulgar dhe kalifati I tij kalifat zullumqar dhe sahabët e nderuar nuk ishin të kënaqur me sundimin e tyre.

Argumentet për këtë temë janë të shumta. Istigathen e kanë vepruar sahabët,tabeinët dhe dijetarët nga të tetë medh’hebet e myslimanve. Fetvatë, poezitë dhe historitë e tyre do ti përmendim herëve tjera.

Ata që i akuzojnë myslimanët si mushrikë dhe qafirë, duhet që ta dallojnë thirrjen dhe kërkimin e thjeshtë nga adhurimi dhe duhet ti dallojnë kuptimet që i atribuohen Allahut nga shprehjet që thuhen për krijesën.

_________________________

[1] Buhariu (335) dhe Muslimi (521).

[2] (Tirmidhiu,2516)

[3] Mexhma Zevaid (10/109).

[4] http://www.drilongashi.com/mektebi/vehabizmi-dhe-selefizmi/1020-2-a-eshte-shirk-kerkim-i-ndihmes-istigathe-prej-dikujt-tjeter-pos-allahut.html

[5] http://www.drilongashi.com/mektebi/iben-tejmija/1017-9-lejimi-i-kerkimi-te-ndihmes-istiane-prej-xhindeve.html

[6] http://www.drilongashi.com/mektebi/vehabizmi-dhe-selefizmi/1019-1-a-konsiderohet-nje-veper-e-thjeshte-shirk-nese-nuk-synohet-me-te-ibadeti.html

[7] Shiko Fet’hul Barin. Tranmetimin e ka konfirmuar edhe vet Ibën Tejmije në librin e tij “Iktida Sirat Mustekim” (fq.373).

[8] Fet’hul Bari (8/578).

[9] Musned Ebu Jala (6577).

[10] Mustedrek (2/651).

[11] Buhariu (3365).

[12] Transmeton Ibën Hibani dhe të tjerët me Sened Hasen.

[13] Ahmedi (23585),Hakimi (8618) dhe e ka konsideruar të saktë e me të është pajtuar edhe Dhehebiu në “Telhis”.